Poshtë Piramida, rroftë parku!

Postuar në 22 Korrik, 2011 06:09
Eduard Zaloshnja

Kur u vendos që pranë urës së bulevardit kryesor të Tiranës të ndërtohej një muzeum për Enver Hoxhën e urreva këtë fakt për dy arsye. Së pari, sepse kisha një urrejtje pothuaj patologjike për diktatorin Hoxha dhe nuk mund të honepsja qoftë edhe një pllakat përkujtimor të vendosur për të, e jo më ndërtimin e një muzeumi stërmadh në mes të Tiranës. Së dyti, prishja e parkut ku ai muzem do të ndërtohej vërtet më pikëllonte, sepse ishte një park i bukur, me të cilin më lidhnin kujtimet e kohës së gjimnazit.

Kur muzeumi i Enver Hoxhës, i cili u mbiquajt “Piramida", përfundoi së ndërtuari, nuk mund të them se nuk më pëlqeu nga pikpamja arkitekturore. Përkundrazi, nga kjo pikpamje, më dukej (dhe ende më duket) si godina më e arrirë në të gjithë Shqipërinë. Por ky vlerësim vlen vetëm duke e parë godinën të shkëputur nga i gjithë kompleksi arkitekturor i bulevardit. E parë nga këndvështrimi i përshtatjes me godinat e tjera rrotull saj, ajo më dukej (dhe ende më duket) si një çiban i stërmadh mbi trupin e bulevardit aq të dashur për kryeqytetasit (Për të mos mbetur prapa qeverisë komuniste, qeveria demokratike e viteve ’90 shtoi edhe një çiban tjetër stërmadh përballë Piramidës – Kullat Binjake).

Në qoftë se do të isha sot deputet, do t’i dëgjoja me vëmendje e respekt argumentet e sjellë nga të gjithë kundërshtarët e prishjes së Piramidës, por si përfundim, ma do mendja se do të votoja për prishjen e saj. E kuptoj që vota ime do të ishte më tepër emocionale se sa racionale, por edhe disa nga argumetet e kundërshtarëve të saj më duken më tepër emocionalë se sa racionalë.

Me votën time hipotetike dhe të shumë të tjerëve, por ç’është më e rëndësishmja, me votën faktike të deputetëve aktualë të mazhorancës, Piramida po prishet. Dhe pyetja është se ç’do të ndërtohet në vend të saj. Sipas planit të bërë publik nga mazhoranca parlamentare, duket se në vend të Piramidës do të ndërtohet një godinë parlamentare tejet luksoze, që do të kushtojë rreth 110 milion euro (kostoja nuk është bërë publike, por te kjo shifër mund të arrijmë me induksion nga lajmi rreth një kredie në këtë vlerë e për këtë qëllim, të akorduar nga Arabia Saudite). Ndërsa unë, po të isha sot deputet, do të votoja që aty ku sot ndodhet Piramida të rindërtohej parku i dikurshëm dhe nën të ndërtohej një parkim automjetësh nëntokësor. Dhe ja përse.

Tiranës së sotme i mungojnë shumë gjëra si qytet, por ka një gjë që i mungon në mënyrë ulëritëse – parqet. Duke votuar për ndërtimin e një parku në vend të Piramidës, deputetët e mazhorancës do të justifikonin refrenin e tyre të kavitshëm kundër betonizimit të Tiranës. Ndërsa tiranasit do t’i falendëronin me gjithë zemër për rikthimin e një hapësire të gjelbër në qendër të qytetit, ashtu siç falenderuan Edi Ramën, kur e riktheu Parkun Rinia në identitet.

Gjithashtu, Tiranës i mungon shumë edhe një parkim i madh automjetesh në qendër. Parkimi i dyfishtë në rrugët qendrore është bërë një problem kronik për trafikun, pavarsisht gjobave që vë policia. Duke ndërtuar një parkim nëntokësor aty ku sot është Piramida, ky problem do të gjente një zgjidhje të mirë, ndërkohë që, siç raporton gazeta “Tema”, biznesmenë pranë pushtetit janë më se të interesuar të ndërtojnë diçka aty, sepse kanë blerë të drejtën e pronësisë së tokës nga ish-pronarët.  

Shqipërisë i mungojnë shumë gjëra, por më e pakta që i nevojitet është një godinë parlamentare tejet luksoze dhe e tejshtrenjtë, e denjë ndoshta për një shtet me buxhet disa trillion dollarësh e jo për një shtet që nuk gjen dot para as për zgjerimin e shkollave të tejmbushura publike. Për këtë arsye, në qoftë se do të isha sot deputet, do të votoja për ndërtim shkollash, spitalesh, ambulancash, dhe për rinovimin e atyre aktualeve, përpara se të votoja për ndërtimin e një godine parlamentare 110 milion euroshe.  Ndërkohë, do të votoja që me një pjesë të 110 milion eurove të financohej edhe rritja e pensioneve, assistencës sociale dhe rrogave të ulta, në mënyrë që popullsisë më të varfër të mos i rëndonte aq shumë rritja e çmimeve të ushqimeve dhe energjisë elektrike.

Po të bëja një arsyetim më afatgjatë, ndoshta do të votoja për ndërtimin nga shteti të autostradës Thumanë-Rrrogozhinë, e cila, sipas Masterplanit të Transportit të Shqipërisë (hartuar nga kompania amerikane "Louis Berger" në 2005-n), rezulton si segmenti më i rëndësishëm për zgjidhjen e problemeve të trafikut automobilistik në Shqipërinë Qendrore dhe që shkurton ndjeshëm distancat e transportit nga Jugu në Veri, e më tej, në Kosovë e Mal të Zi.  Kjo autostradë do të ndikonte ndjeshëm në rritjen e turizmit patriotik nga Kosova, si dhe në shtimin e eksportit të produkteve jugore drejt Kosovës dhe Malit të Zi. Kjo, nga ana e saj, do të ndikonte në rritjen e të ardhurave në buxhet, të cilat mund të përdoreshin për qëllimet e mësipërme.  Dhe lista e gjërave për të cilat do të votoja para se të votoja për një godinë parlamentare 110 milion euroshe nuk ka të mbaruar...

Pasi adresova pyetjet se si do të kisha votuar për Piramidën dhe për godinën pralamentare 110 milion euroshe, mbetet edhe një pyetje pa u adresuar: Çfarë duhet bërë me godinën aktuale të parlamentit? Meqë ajo u rinovua rishtazi, do të isha mëse i kënaqur me kushtet e reja të krijuara në të. Por në qoftë se shumica dërrmuese e deputetëve nuk do t’i pëlqente ato kushte, mund edhe ta aprovoja projektin e votuar në vitin 2006 nga kjo mazhorancë, për kthimin e godinës së ish Komitetit Qendror në kompleks parlamentar. Në fund të fundit, ai projekt do të kushtonte shumë më pak se 110 milionë euro, ndërkohë që kompleksit arkitekturor të bulevardit nuk do t’i shtohej një çiban i ri stërmadh...

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Te prishesh Piramiden per te shtuar nje parkim nentokesor qe te zgjidhe problemet e parkimit ne Tirane mua me duket krejtesisht non-sens; Tirana me shume sesa parkim automjetesh ka mungesa te theksuara ne infrastrukturen kulturore dhe shembja e nje ndertese ikonike te Tiranes kur fare mire mund te ishte perdorur per 1001 qellime te tjera me prioritare se parkimi apo Parlamenti mua me duket harxhim i kot paraje - madje dhe injorance. A thua se ka pak ndertesa ne Tirane qe mund ti shembesh po te shkosh me kete logjike... Perse jo Pallatin e Kultures? Apo ministrite e vjetra (te bejme me te madha), ose Kryeministria apo Pallati i Kongreseve....
Ky vrull shkaterrimtar i popillit shqiptar ne shekuj eshte faktori qe shpjegon mire se perse nje komb qe flet nje prej gjuheve me te vjetra te Europes nuk ka ruajtur asnje liber me heret se shekulli XVI, qe parqet arkeologjike jane ndertuar mbi qytete antike greke (se atyre Ilire nuk u kemi lene tulle permbi tulle) dhe keshtu me rradhe; me sa duket sa here nje brezi shqiptaresh (apo arber apo cfaredo ta kemi quajtur veten me pare) nuk i pelqen opinioni i brezit te meparshem apo i gjysmes tjeter, nuk e mendon dy here por i keput nje te shembur me nje te rene te lapsit.

Submitted by Reformer (not verified) on

Sa me shume argumente te japim per t'ju kundervene vullnetit te qeverise aq me te dobet dhe te pafuqishem do te ndjehemi kur qeveria te beje ate qe do te beje!

Nuk ka logjike qe i kundervihet arbitraritetit dhe arrogances se nje pushteti te dehur nga fuqia vet! Sa me shume ta kundershtosh aq me shume ky pushtet d te kenaqet duke te shkelur me kembe!

Submitted by ela (not verified) on

I bashkohem mendimit te Anonim.
Njihet tashme shpirti shkaterrues i popullit tone sidomos mbizoterues ne 20 vitet e fundit te cilat kane nxjerre ne pah 1001 te zeza dhe shume pak gjera te mira.
Prishja e piramides, pervec nje veprimi pa sens, i mbeshtetur ne argumenta boshe, eshte ne vijen e tiparit shkaterrues qe na karakterizon.
Se cfare mund te behet ne vend te kesaj godine eshte nje gje qe ka vend per shume diskutim. Mua personalisht me shqetesojne disa ceshtje:
Se pari, te prishesh kete godine per te ndertuar nje tempull te ri genjeshtrash eshte fyese per popullin tone. Shqiptaret nuk kane nevoje per godina luksoze ku rrijne e "bejne palle" ca palo deputete shumica e te cileve llumi i shoqerise, injoranca e misheruar.
Se dyti, kostoja e kesaj godine te re ka shifra marramendese, dhe kuptohet qe nje pjese e majme e kesaj shifre do kalojne ne xhepat a atyre qe gezojne mbeshtetje qeveritare.
Se treti, keto fondte po merren nga bota arabe, nje praktike e cila fatkeqesisht po na hedh rrenje. Ne vend te gjejme fonde nga burime te tjera ne po lidhim kerthizen me te tila vende te cilat ne menyre te natyreshme do mbajne syte e veshet nga ne.
Se katerti, Piramida duhet te kthehet perseri ne nje qender funksionale. Te ftoje panaire, koncerte, vend per egzibicione te ndryshme arti etj etj ejt
Se pesti, nje kosto e tille me mire te shkoje per te ngritur inteligjencen e popullit, pra investim ne shkolla e kulture.

Se fundmi, me lejoni te them qe te besh parkim ne kete zone eshte totalisht jo praktike. Ndertuesit tane te dashur, duhet te dine qe cdo pallat te kete edhe parking, si gjithe bota. Por babezia e tyre eshte e tejeskajeshme dhe nuk lene vend per te tila gjera.

Prishja e piramides eshte katastrofe urbane, psikologjike, dhe alarmuese qe kjo qeveri nuk pyet me per popullin.

Trishtim

Submitted by Tiku (not verified) on

Sa mire thoni z. Zaloshnja "prishja e parkut ku ai muzem do të ndërtohej vërtet më pikëllonte, sepse ishte një park i bukur, me të cilin më lidhnin kujtimet e kohës së gjimnazit."
Po gjithe ata breza te tjere qe per rreth 25 vjet i lidhin kujtimet e gjimnazit e jo vetem.Piramida ne keto 20 vjet "demokraci" u kthye ne nje simbol te te rinjve. Diskoteka , kinema, aktiviteti kulturore, radio Topi, etj etj......Ka vende ne Tirane per parkingje nentokesor, anembane.... Por kur Saleziu do te Shkaterrij, te vrase e te prese, ne duhet ti bindemi deshires se tij, ne vend qe te mblidhemi te gjithe ne nje ze kunder tij!!!!!!!!!!!!!

Submitted by Agush (not verified) on

nga menyra si berisha co. e shtyu ket pune duket qe ka dicka djallezore...ose te pakten fitimprurese per to...piramida eshte ceshtja me e parendsishme tani qe kane shqiptaret tani..

Submitted by Niku (not verified) on

sa e veshtire qe te japesh nje mendim ne kete moment per punen e kesaj piramide... duhet lene pak menjeane sentimentalizmi e nostalgjia...
Nje Piramide ndertohej ne koherat e lashta, me sakte ne egjiptin e lashte per te sherbyer si varri perandorit.. vete zgjedhja e kesaj forme gjeometrike per Muzeun e E.Hoxhes duket qarte se ka dashur te injektoje tek mendjet e njerezve se Enveri ishte Faraon.... dhe si i tille nje piramide duhej te kishte si perkujtim...
Personalisht nuk mendoj se Enver Hoxha ka qene nje faraon dhe shpreh keqardhjen time me te madhe per nje shtrese te larte intelektualesh qe mendojne se kjo piramide nuk duhet te prishet pasi eshte simbol.. Po simbol i kujt eshte nje piramide....?

Perrallat me lokale e disko qe paskekishin qene aty e sduhej te hiqeshin jane pa asnje lloj serioziteti. Me ekzistencen e saj, me shkakun pse u nderua, me menyren qe u vendos prishja, me kundershtimin e kesaj prishje, dhe me vete prishjen e saj kjo piramide sigurisht qe do kujtohet gjate..

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.