Menaxherë a inxhinierë?

Postuar në 15 Dhjetor, 2012 05:26
Beqë Cufaj

 

Me datën 28 nëntor, në njërën prej gazetave më prestigjioze të Europës, “Neue Zürcher Zeitung”, një njohës i mirë i Ballkanit, por jo edhe mik i madh i shqiptarëve, më në fund, edhe pse në mënyrë të tërthortë, për këtë edhe kishte rëndësi, e pranonte: shqiptarët kanë arsye të jenë kombi më optimist në rajon dhe Europë. Koha e tyre po vjen.

Duhet të thuhet kjo, sepse në një formë a tjetrën, kur edhe autorë si ky i sipërpërmenduri pranojnë diçka të tillë botërisht, atëherë nuk ka dyshim që edhe të tjerët na shohin siç ne po e ndiejmë këtë kohë që po “na vjen”. Megjithatë, në tërë atë dhe këtë eufori, ka diçka që nuk shkon. Bile edhe frikëson.

Retorika e cila prej ditëve të festimeve të 100- vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar ka filluar të bëhet pjesë e përditshmërisë dhe diskursit medial (gjithë)shqiptar, e dirigjuar dhe sforcuar nga politika, jo vetëm që është e rrezikshme, por edhe mund të shndërrohet në një ogur të keq, i cili shoqëritë shqiptare në Ballkan mund t’i katapultojë në humnerën e gjithë asaj që vende e popuj fqinjë tashmë e kanë provuar, duke dështuar aq keq dhe aq rëndë.

Të kemi aq shumë kapacitete ne si komb, të shkëputur në tri shtete (dy me shumicë dhe një përgjysmë) sa t’i frikësojmë të tjerët në njërën anë dhe fuqitë e mëdha të na shohin si një rrezik a kërcënim real për të nisur beteja nacionaliste dhe fushata kundër kombeve tjera? S’e besoj. Përkundrazi.

Tërë këtë fushatë s’duhet parë ndryshe pos si një sprovë të pasinqertë, deri dikund edhe të çmendur të politikës dhe politikanëve (si në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë) për t’u bërë gati për fushatën paraelektorate e cila tashmë ka filluar me intensitet dhe të papritura të cilat në javët e muajt në vijim jo vetëm që do të shtohet, por edhe do ketë krejt komponentat e mundshme e të pamundshme të banaliteteve që mentaliteti i politikanëve tanë mund të prodhojë.

Natyrisht që rrugët dallojnë, por caku është i njëjtë: Berisha në Tiranë duhet të hedhë rrjetin që të mos i ikin votuesit drejt Spahiut e Topit, kurse Thaçi me Kurtin zihen për arsye sa banale aq edhe praktike: për ta zënë trenin e fundit në ndarjen përfundimtare mes Serbisë e Kosovës në veri të vendit.

Orteqet “publicistike” përmes ekraneve televizive apo shtyllave të gazetave janë pasoja e krejt këtyre fërkimeve, kurse diplomatë e miq të shqiptarëve fillojnë të fërkojnë sytë dhe pyesin, herë me buzë në gaz e herë të frikësuar nëse ka diç të vërtetë në krejt këtë... “dimension”, “eufori”, “qasje” e çka jo tjetër.

E vërteta është diku në mes. Së pari, si Tirana ashtu edhe Prishtina, bashkë me Shkupin, nuk kanë kapacitete as politike, as ekonomike e më së paku ushtarake të bëjnë diçka që do të mund të rrezikonte paqen në Ballkan.

Së dyti, infrastruktura ekonomike e financiare e shqiptarëve është aq e shkapërderdhur dhe e ndikuar nga fqinjët- ekonomia serbe në Kosovë, ndikimi grek dhe italian në Shqipëri, dhe diaspora e shpërndarë në vendet që dihen, saqë është gati e pamundshme që të pritej ndonjë sistematizim e koordinim shqiptarësh në Ballkan.

Dhe e treta, që do të duhej të ishte më e rëndësishmja, mungesa ose thënë edhe më qartë, moskoordinimi i kualitetit në prodhimin e elitave shqiptare në të gjitha vendet ku jetojmë, mosballafaqimi me të kaluarën komuniste, prodhimet shkel e shko të librave- nga shkencorë deri në artistikë, ka bërë që politikanët, sa pabesisht aq edhe lehtësisht mund ta luajnë një dhe të vetmin rol: atë të menaxherëve (të dështuar) të përditshmërisë sonë, por edhe të përfolur me çekun e famshëm, Josef Škvorecký, “inxhinierëve të shpirtërave” në këtë rast shqiptarë.

Marrë në tërësi, të tria këto mungesa dhe plot e plot të tjera, që secili prej nesh do të mund të përmendte, i shërbejnë vetëm një gjëje: përkeqësimit të imazhit të shqiptarëve në botën, pjesë e së cilës aq përmallshëm duam të jemi- Perëndimit. Nuk shkohet as futet në Europë as me retorikën vetëviktimizuese (albanofobia), por as me mburrje të cilat të tjerët, të mëdhenj e pak më të mëdhenj se ne, i kanë provuar dhe ua kanë ngrënë shpirtin me dekada e dekada të tëra.

Fakt është: shqiptarët në përgjithësi nuk kanë qenë kurrë më mirë sesa që janë sot. Përkundër krejt humbjeve e luftërave, shtypjeve e shkapërderdhjeve shekullore, u arrit që të ketë një konsolidim kombëtar, hapje të shtigjeve të shpejta gjeografike për (ri)njohje dhe (ri)gjetje dhe tashti kur do të duhej të niste puna e vërtetë dhe e mirëfilltë për kapjen e kohës së humbur, rënia në këto retorika jo veç që frikëson, por edhe dëshpëron.

Në këtë frymë- mes menaxherëve, pra politikanëve që duhet parë dhe kuptuar si njerëz që punojnë ditë e natë për përmirësimin e jetës së qytetarëve, dhe inxhinierëve shpirtërorë që dështimet apo frustrimet e tyre politike duan t’i dekorojnë me retorika sa koti aq edhe banale: zgjedhi llojin e parë të politikanit dhe shqiptarit. Atij pra që mendon sesi të punojmë drejt një të ardhmeje më të mirë dhe para së gjithash normale për brezat që vijnë!

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.