Republika e mikut

Një ditë, isha duke pirë kafe me një të njohurin tim, të cilin kisha kohë pa e parë. Prej disa vitesh ai kishte jetuar në Itali, ku edhe kishte kryer studimet e larta për drejtësi. Po kështu kishte mbaruar studimet pasuniversitare e një sërë specializimesh në fushën e tij. Pas 7 vjetësh në Itali, vendosi të kthehej në Shqipëri, i detyruar edhe nga rrethanat e tij familjare. Dukej i zhgënjyer dhe i lodhur me orvajtjet alla-shqiptarçe për t’u punësuar dhe integruar në shoqërinë tonë. Nuk kishte gjendur ende një punë. Tentova në një moment ta shtyja të mendonte pozitivisht, duke i thënë se ata që kanë studjuar jashtë shtetit, kanë më shumë përparësi në tregun e punës në Shqipëri, qoftë në sektorin privat, ashtu edhe në atë shtetëror.
Edhe pse nuk jam dakord me këtë praktikë, më duhej t’i jepja kurajo që të mos e lija ta “rrëmbente” pesimizmi. Një ditë kishte shkuar në një institucion të lartë shtetëror, duke qenë se kishte dëgjuar për një vend të lirë pune. Sa pa dorëzuar mirë aplikimin e tij, roja i portës i kishte thënë: ”Jo, mor djalë jo, nuk të përfill njeri këtu, po nuk pate mik të fortë. Po të kesh njeri, rregullohesh, ndryshe kthehu pas”.
Siqoqoftë, nuk ia vuri veshin fjalëve të rojes mesoburrë dhe vazhdoi përpjekjen e tij për të gjetur punë. Futet brenda, takohet me titullarin e Zyrës së Burimeve Njerëzore dhe dorëzon CV-në, bashkë me dokumentet e tjera të kërkuara për aplikim. I thanë se do ta lajmëronin në ditët e ardhshme për konkursin, duke qenë se procedura ishte e tillë që të gjithë aplikantët duhet t’i nënshtroheshin konkursit dhe më pas do vendosej se cili do punësohej. Ishte në pritje, s’kishte rrugë tjetër. Ditët kalonin dhe askush nuk e kishte marrë në telefon për konkursin.
Mirëpo, nuk thonë kot që “rastësia është mbreti i botës”. Fare rastësisht, ndeshet në rrugë më një ish shokun e gjimnazit, me të cilin biseduan për pak. Në bisedë e sipër, shoku i tregoi që prej disa ditësh kishte filluar punë në atë institucion, ku edhe ky kishte aplikuar më herët. E çuditshmja qëndronte se ishte emëruar në po atë pozicion, për të cilin kishte aplikuar edhe ky. Sa i hutuar dhe i zhgënjyer njëkohësisht, e pyet për konkursin, por pa e dhënë veten që për të njëjtin pozicion pune kishte aplikuar edhe ky. Dhe çfarë i thotë shoku?! I tregon se konkursi nuk ishte bërë fare dhe se ky ishte emëruar aty me ndihmën e një miku të babait të tij, i cili kishte njohje dhe lidhje me funksionarë të lartë partiakë.
E uron për punën dhe kaq, merr rrugën për në shtëpi. Ndërkohë që vazhdimisht i vinin ndërmend fjalët e rojes tek porta e institucionit: “Nuk të përfill njeri, po nuk pate mik të fortë”. Në fakt, ky është realiteti këtu. Miku është kthyer në institucion; miku të zgjidh hall; miku të emëron; miku të gradon; miku të pret; miku të përcjell. Pa mik, keq puna. Kërkoni shërbim të mirë në spital dhe doni të mos paguani lekë?! Duhet mik! I shkelni gjithmonë rregullat e qarkullimit rrugor, por nuk doni të gjobiteni e as t’ju heqin patentën?! Duhet mik! Ju kanë arrestuar për trafik droge dhe doni të liroheni nga burgu?! Duhet mik! Keni mbetur në një provim që nuk e merrni dot?! Duhet mik! Keni biznes, por nuk doni të paguani taksa?! Duhet mik! Doni të gjeni një punë?! Duhet mik! Konkuroni në një festival muzikor dhe doni që kënga juaj të shpallet fituese?! Duhet mik! Jeni futbollist dhe doni që të shpalleni kampion me ekipin tuaj?! Duhet mik!
Çfarë doni tjetër?! Po mik keni!? Ej, kjo është Republika e mikut. Asgjë nuk ka vlerë sa ai, askush nuk është aq i rëndësishëm sa ai, askush nuk del dot kudër vullnetit të tij. Askush nuk bën dot pa të. Keni mik?! Nëse jo, atëherë s’keni vend në këtë republikë.
Kjo është republika e mikut.
Comments
Me "mik" ky muhabet edhe

Me "mik" ky muhabet edhe hahet, por kur te thone ik mer nje rekomandim nga grup seksioni i PD, kjo eshte c'eshte. Me keq se ne kohen e PPSH...

Shume e goditur "Republika e

Shume e goditur "Republika e Mikut". Me pelqen pa mase!!!

Urime, urime, urime dhe pacim sa me shume shkrime te tilla!

Kjo na gjenë kur pranojmë të

Kjo na gjenë kur pranojmë të na qeverisi kjo kastë politikanësh bajga të tilla duhet ti dërgojmë sa më shpejtë në koshin e plerave se ndryshe do na zërë kolera dhe zorë të shpëtojmë

Ha ha ha, e bukur fort, bravo

Ha ha ha, e bukur fort, bravo Keti!

Po edhe ketu ne Itali, edhe pse miku eshte disi me i kamufluar dhe shtigjet per tek ai me indirekte e te rafinuara, perseri eshte i domosdoshem! Te jete valle nje epidemi mesdhetare?

Personalisht do te preferoja te jetoja tjeterkund, ku kriteri nuk eshte miqesia dhe korrupsioni por meritokracia!

Add new comment