Disa pyetje të rëndësishme para ASAJ MË TË RËNDËSISHMES

Postuar në 07 Dhjetor, 2012 06:32
Eduard Zaloshnja

Në përfundim të zgjedhjeve të vitit 2009, KQZ-ja raportoi zyrtarisht se koalicioni i udhëhequr nga Berisha grumbulloi 46.95% të votave të vlefshme. Dhe kjo nuk i mjaftoi atij të merrte 71 mandatet e duhura për të krijuar qeverinë.

Po në 2013-ën, a do të arrijë koalicioni i udhëhequr nga Berisha të marrë 71 mandatet magjike?  Që të bëhet një hamendje rreth përgjigjes së kësaj pyetje, duhet kaluar nëpër një shkallare pyetjesh të tjera. Po merrem në këtë shkrim me vetëm 4 prej tyre:

Së pari, a ka ndryshuar KQZ-ja dhe kodi zgjedhor në favor të Berishës, në krahasim me 2009-ën?

Së dyti, a janë votuesit e thjeshtë më mirë ekonomikisht se në 2009-ën?

Së treti, a do të ketë rrjedhje të votave të djathta drejt partive të reja?

Së katërti, si do të konfigurohen koalicionet parazgjedhore?

KQZ-ja dhe kodi zgjedhor

Në lidhje me pyetjen e parë, është vështirë të imagjinosh sesi KQZ-ja aktuale mund të bëjë më shumë për Berishën, se ç'bëri KQZ-ja e drejtuar nga Ristani. Ndërsa nga ana tjetër, ndryshimet që i janë bërë kodit zgjedhor e kanë pakësuar sadopak mundësinë e manovrimit të komisionerëve të të gjitha niveleve për të manipuluar rezultatin.

Ekonomia

Edhe pse zgjedhjet duhet të fokusohen tek statusi që votuesit do të kenë pas 4 vjetësh, pyetja “A janë votuesit e thjeshtë më mirë ekonomikisht se në 2009-ën?” është e rëndësishme sepse prirja  e votuesve të thjeshtë kudo në botë është që të ndikohen nga krahasimi me 4 vjet më parë. Dhe dy tregues që ka publikuar INSTAT-i, i kontrolluar drejtëpërdrejt nga vetë Berisha, përmbledhin në mënyrën më sintetike të mundshme sesi është sot statusi ekonomik i masës së gjerë të votuesve, krahasuar me 2009-ën.

Në qershor 2009, sipas INSTAT-it, indeksi i vëllimit të tregëtisë me pakicë ishte 192.9, ndërsa në qershor 2012 ishte 169.3. Pra, një rënie plot 12% në të njëjtin sezon të vitit, krahasimisht me tre vjet më parë! (http://www.instat.gov.al/al/themes/informacioni-ekonomik-për-ndërmarrjet.aspx?tab=tabs  ) Ndërsa punësimi, nga tremujori i dytë i 2009-ës deri më sot, është rritur vetëm 0.1% (pra, praktikisht zero – http://www.instat.gov.al/al/figures/statistika-kryesore.aspx ). Me pak fjalë, numri i të punësuarve nuk është shtuar dhe ata që janë në punë e kanë shtrënguar goxha rripin – në total, janë konsumuar 12% më pak mallra e shërbime.

Partitë e reja

Dalja e dy partive të reja është një faktor që duhet marrë në konsideratë sepse ato po luajnë fort në një territor elektoral që Berisha e ka konsideruar si domen të vetin në zgjedhjet e mëparshme. Nga njëra anë, FRD-ja po e sulmon Berishën për talljen që u ka bërë pronarëve të shpronësuar prej regjimit komunist dhe të përndjekurve politikë nga ai regjim. Ndërsa nga ana tjetër, AK-ja po ngre çështjen e diskriminimit politik të shtetasve shqiptarë me origjinë familjare nga trojet shqiptare përtej kufirit.

Në një bisedë në Top Story, Kreshnik Spahiu i AK-së, theksoi se, gjatë diktaturës së Enver Hoxhës, popullsia me origjinë nga trojet shqiptare jashtë Shqipërisë ështe mbajtur e mbyllur pothuaj si në geto në qarqet Durrës, Fier e Vlorë dhe përfaqësimi i saj në nivelet e larta qeveritare ka qenë zero deri më sot (http://www.respublica.al/artikuj/2012/12/07/kundersulm-i-spahiut-ne-territorin-elektoral-te-berishes-shtetasit-shqiptare-me ). Vlen të theksohet se, në zgjedhjet e mëparshme, në qendrat e votimit ku ka qenë e përqendruar kjo popullsi, ka patur epërsi të dukshme PD-ja ose partitë aleate të saj.

Kuptohet që Berisha i ka kundërsulmuar e do t’i kundërsulmojë edhe më fort këto dy parti të reja, por sado të mundohet, a nuk do të ketë një farë rrjedhje votash të djathta drejt tyre? Mendja ta do që po.

Koalicionet

Duke i marrë së bashku të tre faktorët e mësipërm, është pothuaj e sigurtë që treni origjinal i Berishës, në qoftë se nuk shton ndonjë vagon të madh, nuk do ta arrijë dot 46.95-përqindëshin që regjistroi zyrtarisht në 2009-ën. Dhe mos të harrojmë se, me atë rezultat, por me shpërndarjen aktuale të mandateve sipas qarqeve, nuk do të arrinte as numrin e 70 vendeve kuvendore, që siguroi  atëherë – shpërndarja do të kishte qenë 68-68-4, përkatësisht për koalicionet PD, PS,LSI.

Por konfigurimi i koalicioneve mund të ndryshojë – situata e Berishës mund të përmirësohet në qoftë se LSI-ja i bashkohet koalicionit të tij. Votat e saj klienteliste dhe krahinariste mund të shërbejnë si një kundërpeshë e rrjedhjes së votave të djathta. Por edhe Rama, nga ana tjetër, nuk ka pse të rrijë duarkryq. Në rast të një koalicioni Berisha-Meta, ai do të synojë një koalicion me Spahiun dhe, mundësisht, edhe me Topin.

Po të marrim për bazë një sondazh të gazetës Dita (http://gazetadita.al/perkthimi-ne-vota-ps-pd-ak-lsi-frd-i-sondazhit-te-djeshem-botuar-ne-dita/ ), i vetmi sondazh politik publik deri më sot, rezulton se një koalicion “Rama-Spahiu-Topi etj.” do të kishte në qytetin e Tiranës një epërsi prej 12 pikë përqindje ndaj koalicionit “Berisha-Meta etj.” Ndërsa një koalicion “Rama-Spahiu etj.” do të kishte një epërsi prej rreth 7 pikësh. Ndërsa gjendja do të kthehej në katastrofike për Berishën, në qoftë se Meta nuk i bashkohet koalicionit të tij…

PYETJA MË E RËNDËSISHME

Të gjitha hamendjet dhe llogaritë e mësipërme u bënë duke presupozuar se Berisha nuk do të përsërisë atë që bëri në zgjedhjet e 1996-ës. Dhe nëse ai do ta bëjë atë gjë apo jo, nuk mund të hamendësohet dot shtatë muaj para 23 qershorit. Ne dimë vetëm se ç'ndodhi pas zgjedhjeve të 1996-ës…

Comments

Submitted by ILIRET (not verified) on

Berisha do te merte nje goditje alivanosje ne se META, ben levizjen e madhe para zgjedhjeve, duke rrezuar qeverine e tij dhe duke hyre ne zgjedhje me nje qeveri teknike. Kjo do te bente qe Berisha te mos kishte kontroll mbi zgjedhjet dhe  do ta derrmonte ate perfundimisht. Nese Meta do qe, te mbetet faktor politik duhet ta bej kete levizje...

Submitted by Bamka (not verified) on

Pa dashur ta gjykojme Meten moralisht, si rregull, ne politike ai ka bere kurdohere ate qe duhej bere.

Submitted by Andon Nuriu (not verified) on

Berisha nuk fiton dot me. Ne 2013 eshte i humbur. Do ishte turp te na qeveriste perseri ai dhe turp per forcat opozitare nqs nuk bashkohen po ta kerkoje nevoja.

Submitted by Andon Nuriu (not verified) on

Po mor Bamka, ka bere ate qe duhet kur ishte me bllok ne dore, ne 21 janar, kur beri aleance me Berishen pas Gerdecit dhe na e la ne dere per 100 vjetor , kur eshte nje nga njerezit me te korruptuar ne Ballkan.  Pa e gjykuar moralisht,  sepse politika sipas teje s'duhet te kete moral, apo jo?

Submitted by f d (not verified) on

Kam nje hardhi ne oborr te shtepise, e mire, lozonjare, dredha -dredha, verige rrushi te bardha e te kuqe e te zeza, hije te embel...por ka nje te keqe te madhe: do shtylla vreshti te mbeshtetet dhe rrjete teli per tende...

Submitted by Artur 68 (not verified) on

Kjo hardhia jote e ka kuptuar shume mire filozofine meskine te jetes: "Kush zvarritet nuk rrezohet".

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.