Primaries në Shqipëri? Janë të pamundura

Një numër praktikash të demokracisë amerikane nuk para pëlqehen në Europë, ku secili vend ka traditën e vet në këtë lëmë. Për më tepër, edhe sikur të pëlqehen, ato bën vaki që të jenë mezi të aplikueshme. Për një mori arsyesh.
Por ka ndonjë praktikë që po fiton terren në kontinentin e vjetër. Fjala vjen, ato që quhen Primaries, d.m.th zgjedhje paraprake brenda kampeve apo partive për të përcaktuar kandidatin për të qeverisur vendin. Me anë të kësaj metode pra, e drejta për të përcaktuar kandidatin për Kryeministër/President kalon nga duart e nomenklaturës së partisë në duart e militantëve apo simpatizantëve të partisë.
Edhe një praktikë e tillë nuk është e lehtë të hedhë rrënjë në Europë, e në këtë mes nuk është vetëm tradita demokratike e secilit vend që bëhet pengesë; është edhe mënyra e organizimit politiko-elektoral që nuk e shtron këtë nevojë. Në Europë, është preferuar deri vonë, në masë, mënyra proporcionale e ndarjes së vendeve në Parlament, gjë që së pari lejonte një përfaqësim parlamentar më të mirë të shtresave e grupeve sociale, dhe së dyti e linte shpesh krijimin e mazhorancave qeverisëse, e rrjedhimisht zgjedhjen e kryeministrit, në dorë të lojërave parlamentare. Shkurt, zgjedhësit europianë, me pak përjashtime, nuk kanë votuar për kryeministrin e ardhshëm, por për partinë e tyre.
Tani vihet re një tendencë e re. Është ende në një gjendje embrionale, por po fiton mbështetës ideja që zgjedhësve t’u jepet e drejta për të zgjedhur kryeministrin, e jo vetëm partinë e koalicionin. Dhe në këto rrethana, partive iu del nevoja të përcaktojnë një kandidat të tyren për kryeministër. Prej këtu, lind kollaj ideja për t’ua lënë në dorë militantëve e simpatizantëve përcaktimin e këtij kandidati. Me anë të një votimi të lirë, të fshehtë.
Hë për hë, kjo praktikë amerikane është marrë nga e majta europiane, ku bien në sy socialistët francezë dhe progresistët italianë. Këta të fundit po synojnë të bëhen kampionë të këtij modeli në Europën Perëndimore. Para tri ditësh, ata zgjodhën për herë të dytë kandidatin e tyre për kryeministër. Herën e parë ish Romano Prodi ai që u zgjodh, dhe që më pas fitoi përballë Berlusconi-t në zgjedhjet e përgjithshme. Këtë herë është Pier Luigi Bersani, liberal-progresisti 61-vjeçar, që e fitoi garën përballë kandidatit tjetër, Matteo Renzi-t, kryebashkiakut të Firences, një djalë i ri plot pasion, ambicie e ide. Bersani-t do t’i duhet të përballet në zgjedhjet e ardhshme që janë lënë për në pranverë të vitit 2013 me kandidatin për kryeministër të qendrës së djathtë, që pritet të dalë nga – në Itali është bërë modë kjo punë, tanimë – Primaries. Risia e të majtëve bëri aq bujë sa që po e marrin dhe të djathtët.
Këto Primaries të së majtës në Itali ishin një ngjarje e madhe politike që thithi për javë të tëra tërë vëmendjen e mass-medias. U hodhën ide, u ballafaquan ato, u përplasën në debate televizive dy politikanët që ishin në garën për “postin” e kandidatit për kryeministër (Bersani e Renzi), u përfshinë nga ethet e garës gazetarë, politikanë të tjerë, militantë të partisë, madje dhe politikanë e militantë të krahut tjetër. E gjithë gara rezultoi një festë e demokracisë.
“Duhen bërë dhe këtu, në Shqipëri, Primaries”, po thonë ca e ca. Hm, një fjalë goje. E parë nga larg, duket si një gjë e lehtë. Të para nga larg, kështu duken dhe zgjedhjet parlamentare, të lehta për t’u bërë, por janë pikërisht këto që ne s’po i bëjmë dot. Edhe në Itali nuk ka qenë e lehtë të organizohen Primaries, të cilat kërkojnë një infrastrukturë të tërë zgjedhore, resurse financiare, një start të barabartë, dhe oportunitete të barabarta gjatë lojës, për të gjithë kandidatët, komisione e komisionerë, një kulturë të garës, etj., etj. Në zgjedhjet e përgjithshme këto funksione i luajnë struktura shtetërore (policia, gjykatat, struktura të administratës publike, institucione të tjera të pavarura e jopartizane), të cilat janë mësuar, dhe e kanë për detyrë, të jenë të ftohta e neutrale në ndjekjen e garës, në garantimin e kushteve të barabarta për pjesëmarrësit në garë, e në vlerësimin e rezultatit.
Dikush mund të më thotë, se unë po merrem me nevojën për të imituar Primaries në Shqipëri në një kohë që PS-ja dhe LSI-ja i kanë praktikuar në zgjedhjet e kryetarit të tyre, e të strukturave drejtuese (LSI-ja sapo i mbylli një palë Primaries, nga të cilat doli fitues Ilir Meta). Mirëpo, lind pyetja: vërtet ka njerëz që mendojnë se PS-ja e LSI-ja kanë organizuar Primaries? Votimet brendapartiake të PS-së e LSI-së nuk janë Primaries; janë surrogato të tyre. Më saktë, janë një mënyrë për të lyer me pak vernik demokratik pushtetin absolut të nomenklaturave partiake e të krerëve të partive.
Unë e di që socialistët e Ramës dhe integro-socialistët e Metës kanë votuar për Ramën e për Metën; madje, jam gati të vë dorën në zjarr në mbrojtje të pretendimit se votat nuk janë prekur e se rezultati nuk është trukuar. Mos vallë kjo do të thotë se është bërë një garë reale? Aspak. Nuk mund të ketë garë reale atje ku ka një lider absolut, fryma e autoriteti i të cilit e komprometon garën qysh në krye të herës, ose atje ku lideri garon i vetëm (ngaqë nuk pranon askush të dalë për ta konkurruar), ose atje ku del dikush për ta konkurruar liderin, por del me lejen e liderit, ose atje ku del dikush për ta konkurruar liderin, por gjatë debatit bie dakord me të gjitha idetë e liderit, ose atje ku nuk ka rregulla e kushte të barabarta të garës për të gjithë pjesëmarrësit në të, sepse lideri ka pará, gazeta, mjete të tjera dhe kundërshtari i tij ka veç zemërgjerësinë e liderit për t’i krijuar kushtet për pakëz protagonizëm, etj.
Përveç sa më sipër – dhe kjo është më e rëndësishmja – është e qartë se nuk mund të kërkohen Primaries në një vend, në të cilin nuk është e mundur të bëhen zgjedhje parlamentare, në të cilin këto zgjedhje manipulohen e kontestohen.
SHQIP
Comments
Z.Nano, edhe nje argument ne

Z.Nano, edhe nje argument ne lidhje me shkrimin Tuaj: Rama ose dikush tjeter mund te vendose nje dite te organizoje gare vertet te ndershme brenda partise, por vlera e "Primaries" ne partite shqiptare do te fironte me siguri gjate procesit, duke pasur parasysh qe anetaresia e bazes se partive ne Shqiperi perbehet kryesisht o nga militante kokepatate qe nuk mundin dot ta partypin faktin qe dikush ti dale perballe "shefit", o nga ish-punonjes administrate, qe ose duan te ruajne vendin e tyre te punes, o synojne te kthehen kur partia e tyre te kthehet ne pushtet. Me keto dy kategori anetaresh, pra me militante konsekuente te ideologjise se shefit dhe fuksionare te cilet lidhen me partine thjesht per interesa ekonomike, mund te ruash statuskuone, por per rilindje kombetare as qe mund te behet fjale. Keto dy kategori jane ato qe bejne hyqmin sot ne PS, dhe ato e demonstruan forcen ne kohen kur Arben Malaj tentoi te konkuronte perballe Rames, duke prishur mbledhje, duke frikesuar anetaresine e lekundur dhe duke nxitur bojkotin ndaj kundershtarit. Prandaj, nje hap perpara do te ishte permiresimi i vete anetaresise, duke shkurajuar sa te munden kopuket e budallenjte nga militantizmi partiak, dhe duke hapur dyert per nje lloj anetaresie qe udhehiqet nga arsyeja dhe jo nga zorra e trashe. Une nuk shoh ndonje iniciative ne kete drejtim, keshtu qe ta gezojme Rilindjen qe na sugjerohet, qe per mua, eshte nje fetus i vdekur akoma pa lindur.

Prandaj zgjidhja eshte modeli

Prandaj zgjidhja eshte modeli amerikan Brado, qe kopjuan francezet 100% dhe italianet 80%. Bersani e beri nje mini-hile ne fund pikerisht qe te perfitonte nga militantet qe duan poste pune*.

Pra me pak fjale, primaret jane te hapura per te gjithe per te votuar, jo vetem militantet me karte. Dhe pikerisht nepermjet ketij procesi afron brenda partise grupime e shtresa te reja, sepse nepermjet primareve dalin kandidat e rryma brenda partise qe mund ti perfaqesojne ata.

*Prandaj Renzi eshte kaq i rendesishem per te majten italiane, afroj brenda partise shume njerez qe i rrinin larg te majtes. Po te ishte komplet i hapur procesi do kishte fituar ai e jo Bersani. Gjithsesi edhe kaq dhe i dha nje te shkundur te forte brezit D'Alemma me shoke. Po te vazhdoje e te konsolidohet tradita e primareve keta te fundit nuk zgjasin me shume se nje cikel elektoral.

Jam pozitivish i suprizuar qe

Jam pozitivish i suprizuar qe Muci me ne fund pranon te reflektoje nje nga idete e debatuara ne kete faqe.

Perpara se te bej nje koment, dua te saktesoj disa gjera.

1) Ne USA, por edhe ne Itali ne levizjen e Grillos, primaret behen per cdo post, jo vetem per kryeminister. Pra deputet, kryetar bashkie etj etj. Pra vendimmarrja nuk i lihet ne dore partise, i.e kryetarit dhe rrethit te tij. Qe do te thote se partite nuk mbushen me tipa si Veliaj apo Paloka, po me njerez qe karrierat e i kane te tyret dhe nuk ndjekin qorrazi kryetaret.

2) Britania ka patur me kohe format e saj te primareve, shume perpara se te behej ky zbulim ne Europen kontinentale dhe gati njekohesisht me amerikanet. Gara per kryesimin e Laburisteve dhe Konservatoreve eshte po aq e ndjekur dhe atje sa zgjedhjet e pergjithshme.

3) Primaret gjithmone e me shume po behet te hapura, pra jo ne dore te militanteve por per te gjithe votuesit qe duan te perfshihen. Sepse qellimi ai eshte, qe te demokratizosh procesin e jo ta lesh ne dore te fanatikeve dhe kulisave te interesit te ngushte.

Kuptohet qe perfundimi final i Mucit nuk me pelqen fare, biles me duket nje mbrojtje e fshehur per autoritarizmin e Rames. Pra duket sikur na thote "edhe ju ca kerkoni aman, te drejte keni po nuk eshte koha e momenti". Cdo progres i demokracise eshte i veshtire Muc, po nqs duhet te terhiqemi mbrapa sa here qe dalin, atehere as ne 1990 studentet nuk kishin pse te dilnin kunder diktatures. Perpara asaj sipermarrje, kjo eshte shume me e lehte.

E dyta, Muci thote qe nuk duhet te kerkohet primaret kur nuk po bejme dot zgjedhje parlamentare. Une them qe eshte e kunderta. Karriera politike ne fakt duhet te filloj ne parti e aty duhet te filloj gara. Dhe nqs dy partite jane autoritare, edhe sjellja e tyre ndaj zgjedhjeve te pergjithshme e tille do jete. Si perfundim, sa hipokrite duken partite shqiptare kur qahen per 200-300 vota, kur brenda tyre nuk kane as edhe nje lloj praktike demokratike e me mijera simpatizant nuk votojne kurre. Perpara se te thone qe kerkojne demokraci nga sistemi politik ate duhet ta praktikojne brenda tyre.

Me vjen mire qe z. Nano

Me vjen mire qe z. Nano sugjeron pa sforco dhe vazhdimisht shembuj te mire nga proceset demokratike perendimore per te goditur nga pak autokracine tone. Rasti konkret eshte i kategorise me pozitive, sepse synon te emancipoje te majten, atje ku autorit mund t'i lexohet me shume fjala. Por me ben habi qe autori ndalet tek zgjedhja me vote e drejtuesit te partise, pa prekur fare nivelin baze te perfaqesimit politik qe eshte deputetja/i. Pa u zgjatur mbi strukturen kapilare te zgjedhjeve te cilkit te pare ne SHBA, ne rastin e Shqiperise pushteti vendimmarres qe tashme kane kryetaret e partive mbi listen e deputeteve te ardhshem minon demokracine ne parti shume me shume se mungesa e spektaklit popullor qe eshte perzgjedhja paraprake e po ketyre kryetareve. Sa te mira do te kishte Shqiperia sikur vete kandidatet per deputete te zgjidheshin me vote te drejteperdrejte? Kjo lloj shperndarjeje e rezultateve perfundimtare dhe konkurrenca e brendshme ne kete rast do te minimizonin vetvetiu vjedhjen e votes. Shkruaj, meqe jemi ne lemin e sugjerimeve dhe endrrave.

Nuk jane endrra Anisa. Po te

Nuk jane endrra Anisa. Po te lexosh shume nga forumet shqiptare problemi i listave dhe minimi qe i ka bere ai demokacise se brendshme eshte diskutuar qarte fare. Me kete proces kryetaret jane 100% te pushtetshem sepse kercenojne kedo qe i kundershton per ti perjashtuar nga listat. Te gjithe e kane te qarte kete tashme.

Problemi eshte qe shumica e analistave shqiptare jane ne borderote e kryetareve, punojne per ata dhe jo per partine apo aq me shume kauzat ideologjike. Si rrjedhoje nuk permendet fare ne analizat qe ata botojne ne shtyp, ashtu sic nuk permendet thuajse fare demi qe ju shkaktua tere struktures politike ne Shqiperi me kushtetuten e 2008. Por te gjithe e dime. Dhe te gjithe e dime kush jane zgjidhjet, rikthimi i votimit me mazhorance te kualifikuar; limitim i numrin te mandateve per deputet, kryeminister, kryetar partie; primare per deputet et, kryetaret e partise e cdo post tjeter.

Vetem keshtu demokratizohet vertet Shqiperia dhe goditet korrupsioni, mos funksionimi i shtetit ligjor, dhe pushteti absolut qe karakterizon kete vend.

Si do te organizohen

Si do te organizohen primare korrekte ne Shqiperi? Që ne te ashtuquajturat organizata partie ne lagje apo fshatra, kryetari i partise te lagjes apo fshatit kujdesdet, qe anetare partie te jene rrethi i tij, te cilet duhet te votojne ate perhere ne krye te partise. Po keshtu ne strukturat e rrethit kujdesen qe te vijne vetem duartrokitesit e dhe votuesit e kryetarit te rrethit, e keshtu me radhe. Dhe te gjitheve u premtohet nje vend pune apo nje sherbim tjeter nga strukturat e partise dhe nese kjo mer pushtetin shperblimi eshte akoma me i majme.

Askush nuk afron ate qe nuk eshte pjese e klanit, apo qe mund te jete kandidat potencial per t'ja mare postin e kryetarit, qofte atij te lagjes apo fshatit, atij te rrethit, por edhe kryetarit te madh ne qender. Keshtu piramida e midiokrëve do te drejtoje edhe qeverine.

Megjithate ne krahasim me te majten e djathta eshte per te vene duart ne koke. Atje nuk ka zgjedhje ne asnje rang. Atje ka zaptim postesh. C'ta zgjasim. PD ka tre vjet qe ka zhvilluar kuvendin e radhes i cili nuk ka perfunduar ende. Nuk jane zgjedhur strukturat drejtuese te partise. U be vetem sikur u zgjodh kryetari i madh dhe asnje strukture tjeter. Edhe pas tre vjetesh, nuk ka dale kush te thote : Me kaq kuvendi i n-te i PD- i, mbyll punimet...

Add new comment