Shqiptarët duhet të bëhen popull
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/3932_1_989.jpg?itok=5116jFaX)
Një alarm për rrezikimin serioz të projektit të lirisë dhe demokracisë në Shqipëri, kështu e shpjegon, Andrea Stefani, thelbin e librit të tij “Komploti kundër lirisë” që do t’i jepet lexuesit në panairin e librit nga shtëpia botuese “Onufri”. Dhe në një intervistë për gazetën “Shqip” analisti i njohur shpjegon se kush janë pjesëtarët e komplotit antiliri pa përjashtuar as shqiptarët vetë.
Pra bëni fjalë për një komplot thuajse të gjithanshëm apo të përbashkët kundër lirisë në Shqipëri. Ç’keni parasysh me këtë?
Pikërisht situatën ku gjendet Shqipëria 20 vjet pas rënies së komunizmit. Një shtet pa të drejta dhe liri të garantuara, pa drejtësi dhe sundim të ligjit, shumë të korruptuar dhe plot konflikte dhe për këtë shkak, ende në udhëkryqin mes oksidentit dhe orientit. Shqipëria nuk është bërë ende si gjithë Europa dhe kjo është rjedhojë e një komploti ku kanë kontribuar të gjithë, me ose pa vetëdije, politikanët, vetë shqiptarët por edhe ndërkombëtarët. Nga komentet e bëra në internet pas publikimi të një synopsisi të librit, krahas atyre shumë pozitive ka patur edhe ndonjë thuajse hakërrim për faktin se kam guxuar të akuzoj shqiptarët si komplotistë kundër lirisë së tyre. Dua ta mirëkuptoj kë të kritikë por ndërkaq, kërkoj të më mirëkuptojnë edhe të drejtën dhe lirinë e gazetarit për të kritikuar këdo, edhe vetë “popullin” e vet, për ato që i rezultojnë si të meta të “popullit”. Personalisht mendoj se ka ardhur momenti që prapambetjen dhe varfërinë e Shqipërisë ta shohim më shumë te të metat tona si shqiptarë. Janë të meta që na pengojnë të jemi popull në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale.
Po thoni që shqiptarët nuk janë popull?
Varet se çfarë kuptojmë me termin popull. Çështja që ngritët trajtohet në një kapitull të librit. Por edhe në artikuj të disa viteve më parë, e kam trajtuar ngatërrimin që i bëhet “popullit” me “kombin” apo edhe me “turmën”. Në ligjërimin politik të gjitha këto merren si sinonime të njëra tjetrës. Por nuk është fare kështu në realitet. U desh që Kosova të fitonte pavarësinë që më në fund edhe disa politikanë të dalin nga klishetë dhe të kuptojnë se tani ka edhe një popull tjetër shqiptar që ka parlamentin e vet, pra ka një sovran tjetër shqiptar në Kosovë, si edhe në Shqipëri. Pra shqiptarë e kosovarë janë njanë komb por dy popuj. Po të ishin një popull nuk do kishin dy shtete dhe dy parlamente. Shpesh në ligjërimin politik dikush që thotë “popull” ka ndërmend “kombin” dhe anasjellas. Gjë që ka sjellë një konfuzion të madh. Ndërkaq edhe kur përmendin popullin, njerëzit kanë një përfytyrim të turbullt për të. Në libër citoj Xhovani Sartorin, politologin e famshëm, të thotë se kush mbush gojën me fjalën popull, jo përherë e ka të qartë se çdo të thotë një gjë e tillë. Thelbësisht ndërsa kombi është bashkësi e gjuhës, gjakut apo kulturës, populli është një marrëveshje politike, një kontratë. Ndërkaq, populli real ekziston vetëm si një bashkësi qytetarësh të lirë që vetëqeverisen me anë ligjesh dhe institucionesh që ata vetë i krijojnë. Populli është një komunitet individësh të lirë që e krijojnë shtetin si produkt i një kontrate sociale mes tyre. Ndaj atje ku njerëzit janë të nënshtruar, nuk ka popull në kuptimin e vërtet të fjalës. Nën diktatura dhe regjime shtypëse populli nuk ekziston si realitet por si propagandë për të maskuar pikërisht mungesën e lirisë, pra edhe të popullit. Ky ka qenë edhe mekanizmi që diktaturat komuniste të tipit lindor i paraqiste si “Republika Popullore” pra, të një populli që nuk ekzistonte. Por çfar ekzistonte? Ekzistonin masat e shtypura dhe të manipuluara që quheshin dhe vetëquheshin “popull”. Në këtë kuptim, dhe vetëm në këtë, në libër arrihet në përfundimin se shqiptarët në Republikën e Shqipërisë nuk janë popull dhe detyra e tyre historike është që të bëhen popull. Kjo është, ta thuash ndryshe, që të europianizohen apo të perëndimorëzohen.
Ju mendoni se Shqipëria nuk është as edhe një vend i lirë?
Unë pohoj se Shqipëria nuk është ende një vend me liri ndonëse është një vend i lirë. Kjo e fundit ka të bëjë më shumë me lirinë nga i huaji. Por që të jesh vend, shtet me liri, duhet edhe që çdo shqiptar të jetë i lirë nga çdo shqiptar. Kjo nuk është arritur akoma. Edhe pse ranë sundimtarët komunistë, të tjerë “demokratë” janë ngritur dhe po kërkojnë me ngulm sundimin mbi shqiptarët. Nuk e kanë akoma në dorë të burgosin apo pushkatojnë kritikët e pushteteve të tyre, por përpjekja për t’i nënshtruar me presione, shantazhe, korruptime nga më të ndryshmet mbetet shumë e fortë. Një presion që është bërë mjaft efektiv edhe nga mungesa e drejtësisë apo gjykatave të pavarura. Sepse në kushtet e një shoqërie të varfër si Shqipëria, ku një rrogë mjaft e vogël është burimi i vetëm i jetesës për shumë shqiptarë, nuk është aspak e vështirë për një pushtet të shantazhojë këdo duke e kërcënuar me vendin e punës që do të thotë, me bukën e gojës. Dhe kjo po ndodh. Heqja brutale e punonjësve publikë dhe zëvendësimi i tyre me militantë nga partia fituese, është një akt barbar plaçkitjeje, një raprezalje mbi njerëzit që mendojnë ndryshe nga pushteti i radhës. Një shëmtim që sapo edhe ndodhi me administratën e Bashkisë së Tiranës. E sa kohë që gjykata nuk është në gjendje të mbrojë njerëzit dhe vendi ne tyre të punës nga dhuna e pushteteve, këta të fundit do ta kenë të vështirë të jenë të lirë, të mbrojnë hapur dhe pa frikë bindjet e tyre, të mos nënshtrohen. Në Shqipëri vazhdon të jetë i montuar një mekanizëm skllavërimi, jo aq i përgjakshëm sa ai i diktaturës komuniste, por jo i ndryshëm në thelb. Libri trajton aspekte të ndryshme të kësaj shtypjeje të ushtruar nga pushtete “demokratike” që në rrethana më të përshtatëshme ndërkombëtare për të, nuk do ngurronte të bëhej e përgjakshme si një diktaturë. Mungesa e drejtësisë së pavarur, që është kufizuesja kryesore e arbitraritetit të pushteteve, është një nga faktorët kryesorë që mjedisi social në Shqipëri nuk favorizon ende rritjen e individëve të lirë por përkundrazi, bën që njerëzit të braktisin shansin e lirisë duke gjetur strehë tek pushtete politike të padrejta dhe të dhunshme. Atu e ka rrënjën edhe fanatizmi politik i zhvilluar më pas, edhe si narcizëm e grupit me solidaritet rreth liderit bukëdhëns. Rethanat sociale në Shqipëri vazhdojnë të mos jenë fort pjellore për psikologjinë e lirisë.
Pra nga po shkon Shqipëria?
Shqipëria vazhdon të mbetet në udhëkryq mes Lindjes dhe Perëndimit. Këtij problemi i dedikohet edhe një kapitull i librit. Ndryshe nga fillimet e tranzicionit, kur njëzëshëm u kërkua që Shqipëria të bëhet si gjithë Europa, tani kanë dalë forca që kanë nisur të hedhin vështrimin përsëri nga Azia. Nuk më duken aspak të rastësishme edhe diskutimet për rishikimin e historisë për sa i takon periudhës së sundimit otoman që po tentojnë ta paraqesin si periudhë paqeje, stabiliteti madje edhe begatie për shqiptarët. Prej këtej mbetet pa bërë edhe një hapa të thënë: Kur kemi qenë kaq mirë nën një perandori aziatike, ç’na duhet Europa? Por kjo është si të thuash ç’na duhet liria sepse në pikëpamjen time, të shprehur edhe në libër, qytetërimi perëndimor është jo vetëm djepi i individit të lirë por edhe ka mundur të krijojë atë sistem institucionesh që mbron individin e lirë dhe e nxit të zhvillojë lirinë e tij pozitive. Asnjë vend nuk ka mundur të zhvillojë një sistem politik që nxit lirinë e njeriut pa bërë të vetat parimet politike të qytetërimit perëndimor, në thelb, europian. Prandaj nëse do t’i qëndrojmë besnik parullave për liri-demokraci që u hodhën në fillim të viteve ’90, nordi politik është domodoshmërisht Europa. Largimi nga ky orientim do të jetë tregues i qartë i arratisjes nga liria të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Por do te jetë fatale. Sepse varfëria kronike dhe shumëplanëshe që trashëgojmë dhe nga e cila nuk po shkëputemi dot, dëshmon që Lindja nuk ofron mbrothtësi për shqiptarët. Aq më pak liri. Historia nuk i mëson shqiptarëve t’i kthehen Lindjes.
Si bëhet e mundur ruajtja e orientimit drejt Europës?
Tingëllon si paradoks por çështja shfaqet më e vështirë sot sesa 20 vjet më parë. Edhe për faktin se Europa dhe Perëndimi duken të lodhur nga kriza e rëndë financiare. Pas baticës së përjetuar në vitet ’90 duket se demokracia ka hyrë në një periudhë zbatice. Një lodhje që dyfishohet edhe nga vështirësi që i nxjerrin projektit të europianizmit edhe politikanët konfliktualë shqiptarë. Por pikërisht këta ngatërrestarë që janë një nga shkaqet e lodhjes së Europës me Shqipërinë, mund të vijë një ditë e të thonë se është Europa që nuk e do Shqipërinë. A ka shpëtim nga ky kurth ku po hyn përsëri Shqipëria? Pa dyshim që po. Por është urgjente dalja e elitave politike të dedikuara ndaj demokracisë liberale dhe kushtetuese, ndaj sistemit të institucioneve të lira dhe barazpeshuara. Nëse duan të dëshmojnë se i ka mbetur qoftë edhe një dedikim për objektivin e lirisë dhe Europën, elitat ekzistuese politike duhet ta bëjnë këtë me vepra. Mbi të gjitha të korrektojë Kushtetutën e amenduar në prill 2008 që e ka deformuar republikën duke ligjësuar kapjen e të gjitha pushteteve nga kryeministri. Me këtë Kushtetutë, që në një nen sanksionon ndarjen e pushteteve dhe në një nen tjetër të amenduar sanksionon kapjen e tyre nga një pushtetar i vetëm, as duhet menduar se mund të ketë liri në Shqipëri dhe integrim me Europën. Sa më gjatë të mbetet në fuqi kjo Kushtetutë, aq më e vështirë do të jetë që shansi i lirisë dhe i shtetit ligjor të mbijetojë në Shqipëri. Të gjitha këto trajtohen në kapitujt e librit. Por e lënë vetëm në dorë të politikanëve që vetë e gjymtuan, korrektimi i Kushtetutës ka pak gjasa të ndodhë. Kërkohen edhe presion të fuqishme nga poshtë. Kërkohet që shqiptarët vetë, shoqëria civile të ushtrojnë presion mbi politikën që dokumentoi themeltari i shtetit nga nxitës i autokratizmit të kthehet në nxitës i lirisë së institucioneve dhe të njerëzve. Eshtë shumë shpresëdhënës fakti që lëvizja qytetare po ngrihet përsëri kundër importit të plehrave. Them përsëri sepse një gjë e tillë ndodhi 7 apo 8 vjet më parë kur Fatos Nano ishte në pushtet. Tani është Berisha që ndërsa dje mbështeste shoqërinë civile kundër importit të plehrave, tani është në rolin e djeshëm të Nanos, mbrojtës i këtij importi të pisët. Por kjo ndjeshmëri dhe protestë, duhet të jetë edhe më e fortë ku është fjala për deformimin skandaloz të dokumentit themelor të shtetit. Eshtë njësoj si të përdhunojnë vullnetin e sovranit dhe ai të mos ndihet. Mjerisht kjo ndodhi në prill të 2008-tës. Dhe populli nuk u ngrit të mbronte Kushtetutën e tij, vullnetin e tij. Sepse nuk ekzistonte si popull. Prandaj të ngrihet në mbrojtje të Kushtetutës dhe të gjithçkaje që çon drejt një sistemi lirimbrojtës, do të thotë të hysh në procesin e formësimit si popull. Dhe vetëm kështu bëhet e mundur ruajtja dhe realizmi i një axhende eruopiane për Shqipërinë.
Thatë se shqiptarët janë përgjegjës kryesorë për rrezikimin e shansit të lirisë së tyre por ndërkaq në libër ka edhe jo pak kritika për ndërkombëtarët. Janë edhe ata pjesë e komplotit?
Mjerisht po. Por duhet theksuar që në nisje se pa ndihmën e perëndimorëve shqiptarët nuk mund ta realizojnë dot projektin për liri e demokraci në Shqipëri. Dhe kritikat ndaj perëndimorëve, apo ndërkombëtarëve sikundër përmendet rëndom, bëhen pikërisht për shkak të mefshtësisë që ata kanë shfaqur jo pak herë në ndihmën për të kompensuar disa mangësi që shoqërisë shqiptare. Në libër është bërë një përpjekje për të analizuar se cilat janë ato shkaqe që i kanë bërë perëndimorët të priren më shumë nga stabiliteti i vendit duke sakrifikuar disi lirinë ose, e thënë ndryshe, për ta parë stabilitetin jo si një produkt të lirisë por si një produkt të një “dore të fortë” që do mund të vendosë rregull. Në këtë rrafsh mbeten të dyshimta disa akte të ndërkombëtarëve sikundër, përshëndetja si një arritje historike e konsensusit të PD dhe PS për amendimin, në thelb dhe në formë, autokratik të Kushtetutës. Kështu kish ndodhur edhe në vitin 1928 kur Shqipëria braktisi formën e një republike parlamentare për t’u shndërruar në monarki në emër të rivendosjes së stabilitetit duke i dhënë fund konflikteve rrënuese me anë të një “dore të fortë”. Por kam mendimin se të tilla formula duke sakrifikuar në radhë të parë lirinë, nuk shtyjnë Shqipërinë drejt botës së lirisë, drejt Europës.
Intervistoi: Artan Mullai
Comments
Vete Shoku Andrea ka probleme

Vete Shoku Andrea ka probleme me lirine,pasi eshte nje nga refuzuesit e lirise,si shume te tjere.

andrea eshte nga ata qe i

andrea eshte nga ata qe i thone bukes buke dhe ujit uje.. Ti qe komenton me lart je nje nga bishtat e shakaxhiut te perparimit

Altini eshte nje nga ata qe

Altini eshte nje nga ata qe ushqehet nga Saliu. Ka frike se ky i fundit mos ja marre buken nga goja. Ky eshte thelbi i turmes qe i shkon nga pas si Saliut, Enverit apo dhe "sheqerit". Instikt per te mbrojtur ushqimin. Besoj se per kete turme e ka fjalen dhe Andrea qe seshte popull. Ate gje po ben dhe Altini tani.

Zoteri! Nuk e di se a e ke

Zoteri! Nuk e di se a e ke konceptin e refuzimit te lirise.Une jam qytetar i lire ne thelb,ç'ka do te thote se mua, si thone kosovaret, "nuk ma nin" as per Sali Berishen,as per Edi Ramen,as per Andrea Stafanin,Frrok Çupin,Artan Hoxhen,Mustafa Nanon,Lorenc Vangjelin a ku ta di une.As prej Ismail KADARESE apo Ben Blushit (te cilin e kam ne dore,"Shqiperia"),nuk ngazellehem apo emocionohem,se lere me te manipulohem.Per gjithe sejcilin kam vlersimin,bindjen dhe konsideratat e mija.Bile edhe Sartrin e lexoj me qejf,po nuk mahnitem prej tij.Megjithate kjo tregon ,per mendimin tim,se kemi koncepte te ndryshme per lirine.Problemin e bukes e kam te zgjidhur me kohe.Me merr malli per buke kollomoqi nganjehere ,por edhe kete e gjej te furra e bukes.Ç'do shoqeri ka turmat e saj.Ja pershembull,analistet e siperpermendur,te gjithe, jane nje nga turmat e shoqerise.Po rrime ketu .Nuk po zbresim ne nivelin e kopese.FLM.

“Sinteze e Historise

“Sinteze e Historise Shqipnise shek.XV-XX” nga Profesor Sami Repishti!”, pjese e nxjerrun nga “Pershendetje te gjithe vllezenve dhe motrave shqiptare: gezuar vitin 2000 “ , nga Profesor Sami Repishti , Badwin, New York, USA 01.01.2000.

“….Mbas vdekjes se Skenderbeut traktati i 1479-s ne mes Venedikut dhe Sulltanit njohu pushtimin otoman te Shqiprise. Dritarja e Botes Perendimore iu mbyll Shqiperise pikrisht ne nji kohe kur era frymedhanse e Renaissances dhe idete fisnike te Humanizmit po krijojshin nji Europe te Re me nji etje gargantuese (jashtezakonisht e madhe) per njohuni te reja, per hapsina dhe nji bote te re me nji zhvillim te lire, te pakufizueme te shpirtit kerkues e thellesisht njerzor. Pamvarsisht nga faktori fetar - qe mbetet gjithhere nji çeshtje krejtesisht intime per çdo ndergjegje personale - okupacioni otoman ka nxjerre Shqiperine nga historia e kontinentit europian dhe e ka denuar ate te jete nji krahine e harrueme mbrenda nji perandorie te mbyllun, me kulture te kundert nga ajo e Europes, qe po rilindte ne Perendim….“

Hapi i pare asht dalja e Shqipnise nga Konferenca e Vendeve Islamike. Per kete nuk flet asnjeri. Ketu fillon RRUGA E LIRISE.

Andrea Stefani eshte nder te
Andrea Stefani eshte nder te paktet njerez ne kete vend qe ka "kellqe". Na duhen me shume njerez te tille. Respekte.
Altino, ..edhe mua "nuk ma

Altino,

..edhe mua "nuk ma nin as per kend" dhe e pi kapucinon me sa luge sheqer te me doje kokrra e qejfit. Mbase liri e quajn edhe kete por Stefani e ka fjalen ketu per nje tjeter liri.

Ta nigjojm iher se mase na tingellon noi zile n'vesh dhe ti lejm pordhet..

Po prifti,hoxha jane

Po prifti,hoxha jane popull?

Nuk e di se çfare kuptoni me fjalen popull?!

Ne Shqiperi jetojne njerez qe jane pershtatur me kete realitet ku mjekimi dhe semundja jane bere nje.

S'ka uje,njerezit ne vend qe te hapin puse blejne pompa.S'ka energji elektrike,njerezit blejne gjeneratore.

Njerezit jane trasformuar si puna e asaj bretkoses ne nje kove me uje,e cila, edhe pse temperatura e ujit vazhdon te ngrihet,ajo e mesuar qe t'i pershtatet kushteve,as qe mendon qe te kerceje jashte koves,deri sa ngordh.

Ne kete situate nje gje del shume qarte: Sa shtrese e holle eshte suvaja e civilizimit,me çfare shpejtesie sketerre,nje shoqeri e krijuar prej brezash mund te shkoqet!

Kemi ngelur te gjithe ne nje shpelle te erret,ku çdo njeri ecen me driten e kandilit te tij dhe kur sheh nje drite tjeter mendon se ka gjetur daljen,por shpejt e kupton se eshte kandili i tjetrit.

Banojme te gjithe ne nje ishull marrezie ne nje det çmendurie,ku nuk merret me shume seriozitet as politika as jeta,ku ka njerez qe bejne ç'eshte e mundur per te jetuar dhe ku ka njerez qe bejne ç'eshte e mundur per te "vrare".

Add new comment