Politikanët grekë që duan të bëjnë pallë dhe në kohë krize

Hara Kefalidou është një anëtare e parlamentit grek. Është në legjislaturën e parë të saj. Ajo është e partisë PASOK, është 46 vjeç, dhe është shtatzanë për herë të parë në muajin e pestë. Deri këtu s’ka asnjë lajm, e s’ka asnjë arsye pse ajo të përmendet në media e pse ajo të tërheqë vëmendjen e të tjerëve. Mirëpo në fakt, ajo është në qendër të një debati në Greqi, të cilin e ka hapur ajo vetë me një letër që i ka dërguar gazetës konservatore Kathimerini. Kjo është gjëja e parë interesante, aspak ballkanike: një deputete e majtë që dërgon një letër publike për t’u botuar në një gazetë të djathtë.
Por ka ende gjëra interesante. Në këtë letër ajo u kërkon kolegëve të vet që, në këtë moment të krizës së pashembullt në vendin e tyre, të heqin dorë nga ca privilegje, të cilat deputetët nuk kanë pse t’i kenë edhe në kohë normale. Ajo pyet: Pse deputetët duhet të marrin një ekstra pagë për praninë e tyre në mbledhjet e komisionit parlamentar, ku bëjnë pjesë, ndërkohë që ata janë duke bërë punën e tyre aty? A është normale që disa deputetëve, ngaqë marrin pjesë në disa komisione parlamentare, u bie të marrin një rrogë të tërë shtesë? A është e drejtë të merren paga ekstra për séanca parlamentare, që mblidhen në muajt e verës? A është e drejtë që çdo deputet të ketë një makinë gratis? A është e drejtë që një deputet me profesion doktor, nëse nuk rizgjidhet deputet, duhet të emërohet se s’bën drejtor i një spitali edhe pse s’e ka bërë kurrë atë punë më parë? A është e drejtë që deputetët të marrin dy pensione, një prej kontributit në parlament e një prej kontributit në profesionin e tyre bazë? Etj, etj, etj.
E dini më të bukurën? Të gjithë deputetët, sidomos ata të vjetrit, i janë drejtuar me fjalët “U bëre ti”, “nuk të takon ty të dalësh me nisma të tilla”, “kjo që bën ti është hipokrizi”, “ti e bën për të tërhequr vëmendjen e mediave”, e fraza të tjera të këtij lloji. Megjithëse kanë kaluar mjaft ditë nga publikimi i letrës, e megjithëse janë bërë debate publike mbi përmbajtjen e saj, asnjë nismë nuk është ndërmarrë për heqjen e privilegjeve parlamentare. Politikanët grekë ua kërkojnë sakrificat qytetarëve, ndërsa vetë duan të mos e ndjenë krizën, atë krizë që po i bën gropën Europës.
M. Nano
Comments
Nuk ka degjuar Merkel per
<p>Nuk ka degjuar Merkel per kete letren me siguri, se do te kishte shkuar t'ua mblidhte rrypin. Nuk i dihet, se shpejti veç kur te degjojme qe po ndodh ...</p>
Add new comment