I shkreti Erion Veliaj!
Në krye të postimeve në Tuiterin e z. Veliaj është vënë videoja e maketit të teatrit të ri kombëtar e datës 14 korrik. Zotëria ndihet shumë i vetmuar në këtë përballje dhe këtë vetmi po e mbush me statuse në rrjetet sociale, aty ku ndihet i fortë. Në një tjetër më poshtë ai e konsideron ndërtimin e një këndi lojërash si pjesë të historisë së Tiranës, për të cilën rekomandon veten si kandidat ndër kryesorët. Kuptohet në emër të punëve, jo fjalëve.
Por historia e Tiranës, si ajo e çdo qyteti, nuk është vetëm historia e arkitekturës, ku edhe aty z. Veliaj ka pak, ose aspak vend. Tirana ka disa pika referimi: bulevardi, kulla e Sahatit, kompleksi i ministrive, sheshi “Skënderbej”, sheshi “Nënë Tereza”, lagjet brenda unazës, rrugët e saj. Asgjë nuk i ka prekur apo sfiduar dot këto. As arnat e Edi Ramës, as edhe këto kinkaleritë e z. Veliaj me të cilat kaq shumë krenohet.
Historia e Tiranës është dhe mund të jetë edhe histori e kthesës politike, e ndryshimit që mund të nisë nga drejtësia për shkelje kaq madhore për të cilat sot Veliaj dhe miqtë e tij të ansamblit të lajkeve në Tuiter dhe Facebook nuk duan të flasin. Për një kryetar bashkie që falsifikon firma, ose që akuzohet për një gjë të tillë, që ka në ngarkim akuza për vrasje apo viktima dhe që ka në kurriz dosjen e vjedhjes së pronës publike. Prangosja e një njeriu të tillë është padyshim historia e duhur e një kryeqyteti, të cilën premtojmë modestisht se nëse do të ndodhë, do të bëjmë çmos ta vlerësojmë si çështje të debatit publik e mediatik, përpara se të brohorasim.
Zotëria është për të ardhur keq që ka mbetur vetëm në këtë logore ku po bëhet rezil. Deputetët I dolën borxhit; duke ndjekur instinktin e tufës ia dhanë ligjin. Ministrja e Kulturës që firmosi projektin po hesht sepse siç duket I kanë thënë që më mirë mos fol. Kryeministri kërcënon me vettingun. Lali i Bashkisë po kërkon fitoren për këtë dosje kriminale që u merr të gjithëve pronë për t’ia dhënë pa konkurs dikujt me të cilin ka dyshime për marrëdhëniet dhe interesat që e lidhin. Teatri ka shumë gjasa që do të prishet. Në shtator, natën ndoshta, një ekskavator do të lëshojë goditjen e parë fatale mbi supet e rënduara të tij, mbi një objekt të lënë në mëshirë të fatit dhe të tradhëtuar nga shumëkush. Me siguri që z. Veliaj do të jetë në një udhëtim jashtë vendit, njësoj si kryeministri që do jetë duke mbajtur një fjalë në Asamblenë e përvitshme të OKB-së.
Mjetet e zgjedhura prej këtij paladini të politikës së lulishtarisë, këmbësorëve, të vegjëlisë, të “Tirana dream”, që nga shitës fiqsh na dëshmon se mund të ngjitesh lart, janë përherë të largëta, të kundërta me Dinjitetin. Jo si politikan, apo si burrë shteti siç synon të jetë, por edhe si mashkull. Si një dikush që në moshën 40 vjeçare afërsisht dhe me kaq pushtet, duhet të ketë kurajën për të thënë njëherë të vetme një të vërtetë. Pa u strukur pas mediave dhe analistëve që përdor si instrumente propagande, pa u grimuar me fotot që shpërndan përditë, për çdo minutë e për çdo orë, mes fëmijëve të pafajshëm ku fytyra e tij kërkon të luajë rolin e një misionari. Nuk ka kërkuar nga një kryetar bashkie një dashuri kaq të madhe, por kërkohet përherë e më shumë të sqarojë firmat që vendos për punët që autorizon. Karizma e shpikur e këtij njeriu nuk ngjit tanimë as brenda partisë ku militon, e ku urrehet politikisht po aq sa jashtë saj. Skllav i klisheve të marketingut, z. Veliaj është në variantin më dashamirës, i parakohshëm në këtë vendin tonë, ku politika luhet ende përmes shikimit dhe tavolinës. Ku njerëzia nuk e ndjek dot këtë ritëm automati të punëve që bëhen, shpiken, publikohen, rishpiken e ripublikohen. Është rrethi vicioz I krijuar nga tabletat e PR që e kanë shndërruar këtë individ në një rast klinik të atij që vuan vetëm një raport: atë me median dhe imazhin. Që nuk relatohet emocionalisht me asgjë tjetër, që nuk ka pasione, që nuk tregon fëmijërinë e vet siç e kanë të gjithë, por rrëfen me të njëjtat fjalë historinë e vetes që u rrit në punë, duke punuar, duke menduar dhe përpjekur. I shkreti Erion Veliaj!
Shaptilografisti
Comments
erion veliaj vetem genjen
...
Eri, eshte ekzemplar,
e dine te gjithe, tashme,
nuk pushon se foluri, fjalia e Tij nuk mbaron, kurre.
Kryefjala eshte Ai, Erioni,
Kallzuesi eshte po Ai, Erionka,
Kundrinori sigurisht Ai, Lali Eri...
Ai promovon cdo dite dhe ata qe marrin pjese ne vendfjalimet e Tij nuk pyesin:kur punon ky njeri, qe vetem peruron?!
Po te ishin te verteta objektet e per-uruara, do kishte mbaruar gjithcka. Por ai i peruron serish, dmth gjen nje rreke tjeter fjalesh, qe te mos merret vesh se eshte ripromotion, thjesht rilindje!
Te gjithe politikanet, ndodh te genjejne. Erion Veliaj vetem genjen.
As skuqet, as zverdhet, as nxihet, pra akuzat e Ajatollahut te Madh, Ed Rames per PPShne 1990, nuk ngjisin! Lali Eri i kja zvjerdhur edhe ato...
Se fundmi, provoi te aktronte edhe me aktoret, duket se ya hodhi, edhe atyre. Une s'e besoj dot: e kam me lehte ta shoh si renien e perdes per kete te pa cipe, pa ftyre, pa kripe, pa gjethe, te pa burre...
Add new comment