Rexhep Qosja: Në Shqipëri ka krizë të rëndë, e jo ngërç

Postuar në 19 Tetor, 2011 06:34

Rexhep Qosja ka kohë që nuk është parë të flasë a të shkruajë për shtypin e Tiranës, e nuk dihet pse. Ndoshta nuk ka asnjë pse. Por sot kish dhënë një intervistë për gazetën Telegraf, ku jepte konsiderata për zhvillimet më të fundit në Shqipëri, dhe për një numër protagonistësh të jetës publike e politike të Tiranës. Konsideratat e tij mund të mendohen si të njohura, por përshkrimet dhe ngjyrimet stilistike janë sigurisht të reja. Intervista është e gjatë, por në të bien në sy disa nënvizime e kritika.

Nuk i pëlqen përkufizimi i situatës me termin ‘ngërç’, dhe parapëlqen termin ‘krizë e rëndë’. Sali Berishën vijon ta shohë si të keqen e madhe të këtij vendi, por ai “nuk largohet prej pushtetit me editoriale”, thotë ai në përpjekje për të komentuar praktikën e adoptuar nga Rama me opinionet e përjavshme të publikuara në shtyp. Më tej, i pyetur lidhur me debatin Berisha-Rama të kërkuar prej këtij të dytit, e thotë qartë se nuk ka çfarë të pritet nga ky debat midis “intelektualit dinakërisht të përmbajtur, siç është Edi Rama, dhe populistit të hallakatur, për të cilin gënjeshtrat janë Bibël e Kuran, siç është Sali Berisha”. E sheh me shqetësim deklarimin si grekë të një numri shqiptarësh “për 200 a 300 a 3000 a 30 000 euro”, dhe mbështet fort Lëvizjen Kuq e Zi, të cilën e quan “organizata shumë premtuese për shpëtimin e Shqipërisë prej tregtisë politike të Sali Berishës me interesat kombëtare”.

Më tej, gazetari e pyet për ‘garën’ e pritshme presidenciale dhe për emrat që hamendësohen si kandidatë për postin e Presidentit, dhe në këtë listë, me ca sforcim, futet dhe emri i Ismail Kadaresë. Qoses afërmendsh nuk i vjen keq që gazetari fut Kadarenë në këtë listë, ndonëse dihet që ambicja e këtij të fundit për postin e Presidentit është zero (nëse nuk ka ndryshuar mendje), dhe e ka gati përgjigjen: “Shqipëria ka kryeministër një gënjeshtar ontologjik siç është Sali Berisha, ndoshta e do rendi i absurdit shqiptar që për kryetar të ketë një intrigant ontologjik siç është Ismail Kadare”. Thotë ndonjë frazë edhe për Fatos Nanon e Jozefina Topallin, që të dy kandidatë për President. Të parin e quan hazarder (diçka e ngjashme me ‘aventurier’. E.G.) politik, ndërsa të dytën e skualifikon për “trashtinën e saj mendore”.

E.G.

 

Comments

Submitted by Paul Tedeschini... (not verified) on

<p>&quot;ndoshta e do rendi i absurdit shqiptar që për kryetar të ketë një intrigant ontologjik siç është Ismail Kadare&rdquo;</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.