Dy fjalë për presidentin në krahasim me të shumë-anatemuarin Nishani

Postuar në 05 Janar, 2018 23:12

Ilir Meta e nisi presidencën me paralajmërimin për armatosje të popullsisë. E nisi pra me këmbën e majtë, apo me kokën e malësorit, siç i pëlqen të vetëidentikohet këto dy vitet e fundit.

Por ato krisma u harruan sepse edhe nuk u shtinë ndonjëherë. Z. Meta në krye të Presidencës po dëshmon se nuk rri dot në periferi, pa protagonizëm dhe pa konkuruar sipas atij modeli që njeh ai, qeverinë dhe kryeministrin. Kjo e fundit është edhe metri që po përcakton veprimet e z. Meta në krye të shtetit shqiptar, duke u angazhuar sa me vendime për politikën e jashtme, me vendime të bujshme dhe çtensionuese si nënshtetësia për Janullatos, e deri te drekat dhe darkat me çifteli apo urimet për gazeta partiake.

Ky kostum që z. Meta po i qep vetes është i vjetër, i shumëpërdorur. Ai është aty përballë z. Rama, që e konsideron kundërshtar dhe është aty në përpjekjen për të marrë rolin e garantorit për të gjithë ata që druhen nga reforma në drejtësi, ose më mirë, nga e ashtuquajtura reformë në drejtësi.

Natyrisht nuk mund të harrojmë letrën për presidentin amerikan dhe cic-micet për votën e Shqipërisë në Jeruzalem, apo edhe mosdekretimin e kreut të SHISH.

Janë sinjale të asaj që do të jetë kjo presidencë. Ende herët për të folur, pasi njeriu mund të kthjellohet, por një vërejtje paraprake mund të bëhet: të gjithë ata që u ankuan nga z. Nishani,  me siguri që do ta kenë harruar njëanshmërinë e tij, në çdo rast jo pa taktin e duhur, për t’u argëtuar sadopak me presidentin e ri që duket sikur ka shumë për të thënë, por nuk i del koha e nuk ja lë vendi i punës. Nëse do të shohim katër vitet që ikën, ato na mësojnë se z. Meta në fund fare nuk është njeri i vendimeve të mëdha apo nismave të guximshme. Ai është metodik dhe këmbëngulës, llogaritar dhe pragmatist. Çka do të thotë se lodrat e tanishme presidenciale nuk kanë për të shkuar gjëkundi, veçse do të dëmtojnë imazhin e institucionit dhe do të na japin rastin të shohim si është LSI-ja në presidencë. Krahasimi me Nishanin ka rëndësi simbolike, sepse na jep të kuptojmë se prerja e njeriut, formimi, apo edhe raporti që krijon me detyrën që merr, shpesh tejkalon shumë “anomali” që mund të gjurmohen në veprime të caktuar siç ishte mania dhe politizimi me dekoratat. Z. Nishani nuk e kaloi kufirin, kjo duhet pranuar. Ai nuk ishte politikani në presidencë, ndonëse bënte politikë që andej.

Z. Meta rrezikon të bëhet i lexueshëm dhe ndjesë për fjalën, bajat shumë shpejt, në llojet e mesazheve që po do të përcjellë.

Comments

Submitted by ShkoDrani (not verified) on

Nuk jam shume i sigurte, por a eshte Meta ay ish minister qe u regjistrua nga ish-shoku me i ngushte duke kerkuar $700,000 rryshfet, ose diçka te ngjashme?

Submitted by A (not verified) on

Shihni qimen në syrin e Metës she nuk shhni traun në sytë e Ramës? Mos haroni që Meta nuk ka pushtet, është vetëm figurë simbolizuese kombëtare pa kopetenca legjis-ekzekutive, dhe si i tillë mos kini frikë se nuk do të kemi ndonjë dam të madh krahasuar me atë që do tju bëjë edvini.

Submitted by redaksia on

Komentoni ju lutem per temen e shkrimit. Sa per qimet e njerit dhe traun e tjetrit, eshte e veshtire t’i ndash. Gjithsesi ResPublica mund te shfletohet lirisht online dhe secili e kupton vete se cilat kane qene qendrimet e saj. 

Submitted by A (not verified) on

Përgjigjja juaj, edhe pse nuk jam dakort me të ju nderon, megjithatë për mendimin tim, sot, me problemet e shumta që kemi, problemet me presidencën kanë qenë dhe janë më pak shqetësuese, sepse vetë kushtetuta e ka bërë pozitën e presisentit thjeshtë simbolike.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.