Ecuador, 2011

Postuar në 05 Tetor, 2011 04:32
Eda Derhemi

Kam shkelur mu mbi ekuator, me xhup veshur, në lartësinë 3000 m, rrethuar nga maja vullkanesh madhështorë kryebardhë, pranë Quitos (lexohet ‘Kito’), kryeqytetit të Ecuadorit. Me ekuatorin mes këmbësh, një shputë në njërën hemisferë, dhe tjetrën në tjetrën, përsias sa vanitoz është njeriu. Ndërkaq dikush më fotografon, sepse kjo është çfarë bëjnë njerëzit kur, rrallë e tek, qëllon t’u kalojë Ekuatori mes këmbëve. Çfarë po i pëlqej momentit veç idesë se jam në një pikë të veçantë, të stërpërfolur, por rrallë të prekur? Vija që më bën të hap këmbët me krenari e pa shkak apo gratifikim, është diskutuar në gjeografi, në astronomi, ndoshta kemi bërë rreth saj edhe problema fizike e matematike. Por në fakt ajo nuk ka asnjë kuptim praktik për jetën time, e as nuk më sjell ndonjë ndjesi reale e domethënëse. Ndoshta do merrja një lloj kënaqësie shkencore për këtë hallakatje arsyetuese, veç po të urinoja tamam tani mbi vijën ekuatoriale që tashmë e konceptoj të trashë aq sa edhe distanca mes këmbëve të mia të hapura krah saj, e të provoja se rënia e lirë e urinës do ishte shumë më direkte e perfekte sesa në një pikë tjetër të globit. Madje, sikur urina më pas të mbushte një enë që gjithashtu kish në fundin e vet një vërë, ajo do duhej të kalonte nëpër të pa krijuar vorbullën baroke të lëngjeve kur rrjedhin në Jug apo Veri, por që eleminohet krejt kur rrjedhja ndodh mu mbi Ekuator. Por këtë nuk e bëj… sepse, në fund të fundit, jam në Ekuator, në këtë vend kaq publik, simbolik, historik, por që, sidoqoftë, nuk gjeneron kuptim që të mund ta bënte të nevojshëm fotografimin. E prapë, turistë të tjerë përreth dhe unë, e ndiejmë si aq të veçantë! Ky çapëlim ekuatorial që nuk josh dot as shqisë e as arsye, është vetëm një nga xanxat njerëzore. Një foto me Murin e Madh Kinez në sfond, çmohet si shumë më e vlershme për audiencat, sesa leximi i një historie serioze 500 fletëshe për Murin Kinez. Dhe mendoni që Muri i Madh Kinez është së paku një “vijë” reale e tridimensionale me një histori të lashtë e komplekse, ndërsa ekuatori, vetëm një vijë imagjinare, monumenti i së cilës u ndërtua në 1830. Më kujtohet një pikë në Key West ku vargje të gjata turistësh rrinë në radhë të bëjnë foto me një tabelë që thotë “Kjo është pika më jugore e Shteteve të Bashkuara”. Dhe pastaj? Po kur shkon të vizitosh Niagarën dhe para se të hysh në anijen që të shëtit nën Niagarën e vërtetë, të fusin gati si me detyrim në një kënd ku mund të bësh një foto me një Niagarë letre 10X10m tërë shkëlqim fotografik, dhe në fund të udhëtimit edhe ta japin foton me vete për një sasi absurde parashë? Dhe shumica e vizitorëve vdesin ta blenë këtë foton e Niagarës së rreme. Por le të mbetemi në Ecuador: shumë vizitorë janë më krenarë që kanë një foto me ekuatorin imagjinar, se sa një në ishujt Galapagos që kanë pas vetes aq ekzotikë, shkencë e darvinizëm. Ky lloj vaniteti fotografik mban gjallë motorë gjigantë lidhjesh njerëzore virtuale, tw ashtuquajturat network-e shoqërore, shpesh herë fare pa nevojë. Por historia e zbulimit të pikave nëpër të cilat kalon ekuatori në shtetin e Ekuadorit në Amerikën Latine, është shumë më interesante sesa kotësia e pozicionimit këmbëhapur në dy krahët e ekuatorit. Rrafshnaltat pa fund të Ecuadorit mes kreshtash vullkanike që piketonin për bukuri yllësitë e qarta, krijonin kushte perfekte për gjetjen e saktë dhe matjen e Ekuatorit nga një ekspeditë studiuesish francezë e spanjollë (astronomë e gjeografë) dërguar nga Akademia Franceze me lejën e Mbretit të  Spanjës në 1736. Misioni u zgjat e u përsërit gjatë shekullit në vazhdim. Jo vetëm përmasat e Tokës dhe Ekuatorit u saktësuan nga kjo ekspeditë, por që aty edhe u formësua njësia e metrit dhe tërë sistemi metrik. Gradualisht u zbuluan kudo nëpër Ecuador gurë astronomikë dhe kalendarë e matës kohe kompleksë diellorë prehistorikë, orientimi i të cilëve mes Diellit, yjeve dhe kulmeve vullkanike, parashikonte në mënyrë precize të gjitha dukuritë astronomike e fizike që lidhen me vijën ekuatoriale, sido që një e tillë nuk u imagjinua dhe as u mat në civilizimet shumë shekuj para inkasve. Por monumenti i 1830 që përkujton studiuesit e Akademisë Franceze dhe që është provë absolute se atë vijën që quhet ekuator, ti ke pasur fatin e rrallë ta shohësh, ta shkelësh e ta fusësh mes këmbëve, i tërheq dashamirët e fotove, shumë më fort sesa zbulimet e parainkasve të panjohur.

Mes njerëzve

E dija që vija në një vend të varfër, me rreth 40% të popullsisë 14-milionëshe nën kufirin e varfërisë. Por doli më i pashëm dhe i civilizuar sesa e prisja. Quito-ja kryeqyteti i vendit, shtrihet tejet i dendur e i betonuar, në një luginë të gjatë e të mbyllur nën vullkane madhështorë aktivë dhe të shuar, në mënyrë po aq të marrë e të rrezikshme sa edhe Napoli nën Vezuv. Vetëm se Quito nuk ka det ku të çlirojë tymrat e makinave për gati dy milionë banorët e vet, ndaj smogu të mbyt më keq sesa në rrugët e Tiranës. Interesant sa pak rëndësi i venë jetës dhe ruajtjes së saj kulturat e varfëra kudo që janë: duket sikur i gëzohen aq fort asaj në çastin që jetojnë, por janë gati ta flakin tutje si gjënë më pa vlerë nëse duhet menduar për nesër. Më bëri përshtypje që nuk pashë lypës, sido që qartësisht njerëz të varfër kishte ngado. Dhe, ndryshe nga Tirana jonë, qendra e qytetit në Quito, është një perlë e rrallë e ruajtur me rrugët e ngushta dhe ndërtesat karakteristike e të bardha të periudhës së kolonizimit spanjoll, mbrojtur me mend, shije dhe fanatizëm në një gjendje me të cilën shumë gra e burra të mençur të Ecuadorit, krenohen fort. Parqet janë disi të lënë pas dore, sido që jo më shumë sesa ndër ne. Sidoqoftë, përdoren nga masa të mëdha njerëzish që duket se i shfrytëzojnë plotësisht jo për gjumin e drekës kur s’shkojnë dot në hotel, por për të shijuar ca rreze dielli, për të dëgjuar këmbanat e kishës kundruall, për t’u shlodhur dhjetë minuta nëpër stola, apo për të këqyrur ndërtesat bukuroshe e vjetarake rreth e rrotull, pas të cilave qartësisht dallohet vija e maleve dhe kodrave përreth. Një natë qëlloi që po jepej një koncert publik me këngë e valle ekuadoriane tamam para një parku. Mileti pa dallim seksi, moshe, klase apo krahine ia ka nisur një kërcimi total e masiv, që të kënaqte shpirtin. Miq vendas më kishin thënë shpesh se duhet të ruaja xhepat, çantën dhe të mos shëtisja vetëm. Kuptohet që shëtita vetëm, kudo e në çdo orë. Shëtitja në grup nuk më le kurrë të shijoj ato që shoh si e sa dua. Por jo vetëm që asgjë e keqe nuk ndodhi, por hasa kudo dashamirësi dhe ngrohtësi njerëzish. Shpesh kam të njëjtën ndjesi në Shqipëri: flasim e themi plot për rreziqet që të kanosen nga pjesa e varfër e jona. Në fakt besoj se jemi një ndër vendet më të sigurta ku kam bredhur. E keqja dhe rreziqet tona nuk vijnë nga mileti që s’ka të hajë, por nga ata që kanë xhepat plot dhe karriget kryesore të pushtetit. Atje e ka shtëpinë krimi. Fytyrat e njerëzve të zakonshëm rrugës nëpër Ecuador, janë më të qeta sesa ato të shqiptarëve. Imshoq, që edhe na njeh edhe s’na njeh aq mirë ne shqiptarëve, më thotë gjithnjë se njerëzit në Shqipëri kanë fytyra të tensionuara dhe sikur janë nën një stres ekstrem edhe kur janë duke ecur në një park apo në një rrugë çfarëdo të kryeqytetit. Nuk isha fort dakord. Por kësaj vere kur po shihnim disa foto tufash njerëzish të Martin Parr-it në Galerinë e Arteve Figurative në Tiranë, fotografuar në Tiranën e vitit 1990, vumë re të dy fare qartë tiparet e secilit individ në foto, gjithnjë të tendosura, të lodhura e në kërkim të diçkaje që s’duket të vijë. Ecuadorianët janë më fytyrëhapur e të qetë, sido që më duken përgjithësisht më të varfër sesa jemi ne në këtë moment. Ndoshta supat vegjetale dhe ceviche-t që kanë si traditë, u bëjnë më mirë për shëndetin mendor e shpirtëror; ndoshta janë ngjyrat vibrante dhe kostumet tradicionale që veshin rregullisht në ditët e zakonshme. Më bën përshtypje larmia dhe harmonia racore përreth, dhe pulsi paqësor, së paku në dukje, nën të cilin ecin e funksionojnë njerëz si mizëri. Më duket sikur popullsia e Quitos nuk paraqet vetëm 25% popullsi indigjene, siç thuhet zyrtarisht, por së paku 80 a 85%. Ndoshta nuk i dalloj dot ata që quhen “mestizo” ose popullsi e përzierë mes indianëve indigjenë dhe kolonizuesve të bardhë, e që janë pjesa dërrmuese e Ecuadorit, dhe i marr të gjithë për indianë. Burrat me poncho prej Alpake dhe gratë e ngjeshura e të fuqishme me shalle shumëngjyrësh ku shtrëngojnë fëmijë që duket se i lindin gjatë gjithë moshave të imagjinueshme, të rrethojnë në çdo pikë. Në krye mbajnë të gjithë, gra e burra, kapele karakteristike, disi si kapelet tona të republikës, që nuk shkojnë aspak me veshjet e qepura me dorë e me ngjyrat e fundeve të gjera. Është interesante sidomos popullsia me origjinë afrikane që ende ruan disa nga gjuhët më të vjetra kreole të kontinentit. Origjinalisht janë skllevër që, pasi spanjollët e parë i sollën nga Afrika në Ecuador rreth viteve 1500, u arratisën nga kampet, dhe formuan koloni të tëra që jetuan relativisht të izoluara deri para pak dekadash, duke lëvizur nga zonat amazoniane nëpër gjeografi të tjera të sigurta e mbrojtëse të Ecuadorit. Sot mbajnë ende mirë traditat folklorike, ushqimore, gjuhën dhe muzikën e kërcimet Marimba me vegla ritmike membranofone. Të dhemb të mendosh se, sado të përziera qofshin popullsitë dhe racat e një vendi, kudo prodhohen kasta e stigmatizohet nja grup apo një popullsi, dhe  vendosen hierarki racore aq jonjerëzore. Në Ecuador, tamam ky një milionësh afro-ekuadorianësh, vendoset në fund të kësaj hierarkie absurde, dhe popullsia me prejardhje afrikane konsiderohet si më poshtë sesa “kreolët” me gjak “të pastër” spanjoll,   mestizët e përzierë, apo emigrantët europianë ardhur gjatë shekullit të 19-të në Ecuador. Nga ana tjetër, Ecuadori, mes qindra universiteteve këpurdhore dhe pa fort vlerë, ka së paku katër universitete të një niveli shumë më të mirë sesa Universiteti më i mirë i yni në Tiranë, në të cilët profesorë nga e gjithë bota luftojnë të gjejnë vende pune. Gjithnjë i besoj idesë se një vend me universitete të mira, ka shanse të ecë më mirë e më shumë sesa ai që ka biznesmenë të thekur. Ndaj edhe ende jam për Obamën dhe përpjekjet e tij të dëshpëruara. Por, nëse klima universitare dhe aktivizmi i theksuar civil i intelektualëve akademikë ekuadorianë, nuk më kujtojnë Shqipërinë, peizazhi kudo malor më sjell prapë tek ndjesitë që kam gjatë një udhëtimi në Shqipëri. Nëpër rrëpirat vertikale të Andeve ekuadoriane, shoh toka të mbjella. Nuk e kam idenë se si ia dalin. Ndoshta fakti që kanë shira të shumta lejon lagështi edhe në pikat më të larta të parcelave. Po ashtu nëpër qytetet e mëdha, tymrat e pakontroll të automjeteve dhe rendja njerëzore për të shpëtuar kokën kur duhet të kalosh rrugët ku semaforët nuk kanë asnjë vlerë, më jep një drithërimë të fortë tiranase. Vendasit këtu më tregojnë histori komplekse përpjekjesh për të marrë një vizë amerikane apo europiane, dhe më duket sikur në këtë pikë shqiptarët, sido që jo shumë ndryshe, janë më të avancuar sesa ekuadorianët e pafat.

Coca, cocaina dhe fobitë njerëzore

Më dhemb pa pushim koka: 24 orë në ditë më zhurmon dhe godet në pika të ndryshme, ose “më buçet”, siç thoshte gjyshja ime. Natën nuk fle derisa e ndiej krejt të mpirë. Dhe pastaj bëj një si gjumë gjysmak. Më thonë që e kam nga lartësia. Hoteli ku rri është gati 3000 m mbi nivelin e detit. Mikesha ime dhe organizatorja e konferencës që po ndjek, e ka të shoqin mjek. Edhe ai është pedagog mjekësie si ajo. Më këshillojnë të dy të pi çaj nga bima ‘coca’, po ajo bimë e pafajshme, aq e rëndësishme dhe kuruese në kulturat indigjene të Andeve, nga e cila krijohet edhe famëkeqja kokainë. Mendoj në shqip se çaji i ‘kokës’ bëka shumë mirë për ‘kokën’, dhe qesh me vete. I dua shumë të dy, Marleen-ën dhe Fernandon. Dhe jo vetëm se janë të zgjuar, mendjehapur, të ditur e gjithë zemër e dritë, por edhe sepse çdo verë shkojnë bashkë nëpër pllajat e maleve ku jetojnë popullsi Kiçua (‘Quichua’ e jo‘Quechua’, sepse jemi në Ecuador këtu) si dhe zona të tjera indigjene me popullsi të varfëra, dhe shpërndajnë mjete contraceptive për të ndihmuar gratë që të planifikojnë zgjerimin e familjes së vet. Më thonë se vendi i tyre ka nevojë imediate për masa të tilla kontrolli, që të mund të luftojë varfërinë dhe të rrisë nivelin e jetesës së pjesës më të varfër të popullsisë. Pastaj u bëjnë kurse edukimi burrave e grave që grumbullojnë nëpër fshatra. Këto i bëjnë, pa qenë pjesë e asnjë organizate, por me paratë e rrogave, dhe pa qenë të pasur. Pra Marleen dhe Fernando më këshillojnë të pi çaj me gjethe të bimës Koka. Më thonë se do më sjellin nesër një paketë. Të nesërmen shkojmë në një eskursion të gjatë dhe shëtisim gjysmën e Ecuadorit. Kur kthehemi vonë, vonë, më japin çajin. Kur arrij në hotel hap pakon me çaj ‘koka’. Pi një paketë me çajin gjelbërush me aromë të lehtë barishtesh para se të bie në shtrat. Çuditërisht fle më mirë. Nuk e di nëse ishte ‘coca’ apo fakti që isha tejet e këputur, apo ndoshta që, pas gjashtë ditësh në atë lartësi, trupi mësoi të sillej ndryshe. Por u zgjova për herë të parë pas shumë netësh, me ndjesinë që kisha fjetur. Ishte mëngjesi kur do nisesha për në shtëpinë time. Tina, një mikesha ime angleze që e pa kur Marleen më dhuroi pakon me çaj, më tha duke qeshur: jam kurioze të di se si shijon çaji i ‘cocës’. I dhashë gjysmën e paketave. Pastaj u përqafova me të, dhe miq të tjerë që kisha njohur ato ditë. Po udhëtoja për t’u kthyer në shtëpinë time në ShBA, tamam më 11 shtator, pa dyshim një ditë jo fort e përshtatshme për udhëtime me avion, sidomos në ShBA. Pas lloj-lloj kontrollesh e sigurimesh, më në fund jam në avion. Pata shumë frikë se nuk do ia dilja të arrija në kohë në portën time të nisjes, kur pashë disa herë rresht rreshtat pa fund të pasagjerëve që prisnin t’u kontrolloheshin dokumentat, çantat, trupat. Por më në fund jam në avion. Motorët nisin të ushtojnë. Bëj gati një tufë me provime që kam për të korrigjuar. Por rrotat e avionit nuk lëvizin. Një nga stuardesat vjen në krye të korridorit me një ushtarak dhe po bëhet gati të njoftojë diçka. “Eda Derhemi të paraqitet bashkë me pasaportën”. Nuk më kanë bërë veshët. Fus provimet në çantë: ato janë tepër private dhe nuk duhet t’i shohë kush, se diskutimi apo shfaqja e një provimi, në Amerikë bën të të fluturojë vendi i punës. Pastaj nisem ngadalë drejt dy figurave që presin. Pasagjerët 11-shtatoristë më shohin me një lloj bezdie, por më shumë me frikë e siklet. Në fillim mendova se kam harruar ndonjë çantë a gjësend diku në aeroport. Nuk do ishte hera e parë. Ushtaraku më thotë ta ndjek. E pyeta: si është puna e përse duhet të vij me ju. Më tha: ndoshta asgjë me rëndësi, vetëm se qentë e kanë ndarë valixhen tuaj si një objekt që bart drogë. O zot! U kujtova për çajin që e kisha futur në valixhe. Nisa të qeshja në fillim me vete, pastaj me zë të lartë. Oficeri më pyeti çfarë kisha. I thashë se e dija çfarë kishin nuhatur qentë. Dikush më thotë se mua nuk më gjejnë trazirat, por jam unë që i kërkoj ato në mënyrë konsistente. Qeshja me budallallëkun tim këtë 11 shtator, por e dija që s’do ish i fundit. Dhe mendoja për Tinën, mikeshën time të mjerë që pas disa orësh duhej të nisej për në Angli e që do kalonte siklete të ngjashme. Pas dy ditësh ajo më tha se valixhja e tyre qe zhdukur krejt, bashkë me çajin dhe me katërqind zbukurimet indiane të blera në Tregun e Otavalos. E kishin gjetur pas një jave në Portugali?! Kur u ktheva në avionin që më priste ende, mes vështrimeve kureshtare e të bezdisura, e kisha shpirtin të lehtë: kisha luftuar që çaji të mbetej në valixhe si substancë krejt legale dhe se gjethet kuruese të gëmushës Erythroxylum Coca, nuk mund të ndëshkoheshin sepse diku dikush prodhonte prej tyre kokainën famëkeqe. Ky është një lloj racizmi vegjetal: pse Mohammed Atta polli aktin terrorist të 11 shtatorit 2001, nuk mund të ndëshkohen foshnjet që lindin në Arabinë Saudite edhe sot, pas 10 vjetësh. Dhe, ma lanë çajin tim politik. Tani që po shkruaj, po pi një gotë.

Comments

Submitted by dikush (not verified) on

<p>Te mos kesh botekuptim perendimor nuk do te thote te jesh i pacivilizuar. Keto jane pallavra qe thuheshin ne shek. XIX per te justifikuar ngritjen e perandorive koloniale. Prandaj ai konstatimi se te dolen me te civilizuar se sa e prisje eshte shume ofendues dhe pa vend.</p>

Submitted by Eda Derhemi (not verified) on

<p>teorikisht eshte verejtje e sakte, Dikush! Por&nbsp; pritshmeria ime, qe qellon te jete e vertete kesaj radhe (por mund edhe te mos ishte), nuk lidhet me mungesen ose jo te botekuptimit perendimor, por me shkallen e varferise se gjate te vendit. Dhe ajo qe doja te thoja kur e nenvizova mosperputhjen mes paragjykimit dhe realitetit, eshte se varferia gjithsesi ka lejuar nje trajtim me respekt te qytetit, shtresave te uleta, indigjeneve etj. Gje qe nuk ka ndodhur ne shumicen e vendeve qe njoh, perfshire vendin tim.</p>

Submitted by Arra Gunge (not verified) on

<p>&nbsp;&nbsp;&nbsp;&nbsp;&nbsp;&nbsp;&nbsp;&nbsp; Znj.Derhemi,Ju faleminderit per c&#39;ka me lart.Ju me te vertete keni paraqitur fare mire&nbsp; ndjenjat e nje poeti,edhe te nje piktori,edhe te nje muzikanti.Per mua nje pjese e ketij globi &quot;global&quot; te panjohur,por qe nga logografia juaj,qe nuk u shpeton asnje vijez,asnje ngjyrez,asnje melodiz e asaj natyre,ambienti,shoqerie behet kaq e prekshme per mua me nje qartesi te mahnitshme dhe te paharueshme.Jane nderthurur te gjitha mjetet artistike e pakez filozofike ne menyre e qartesi mahnitese.Pershtypja fillestare,reflektimi vjen me pas...Respekte!!!</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.