Pse Withers-i e ka parë të udhës të shkruajë një letër?

Televizioni Top-channel ka marrë ekskluzivitetin e lajmit, që ka lidhje me një letër të ish-ambasadorit amerikan John Withers në adresë të shqiptarëve, dhe është duke e përdorur këtë scoop “në mënyrë torturuese”. Do ta transmetojnë pas edicionit kryesor të lajmeve të orës 19.30. Por thelbi është marrë vesh tanimë. Ish-ambasadori në pension e ka parë të nevojshme të bëjë disa sqarime dhe të merret me “një numër keqperceptimesh që janë duke qarkulluar”. “Një gjë të tillë nuk e bëj më si ambasadori amerikan në Shqipëri, por si një nënshtetas i vendit tim. Por këtë e bëj edhe si një mik i Shqipërisë dhe si dikush që, siç e dini, beson tek e vertëta", shkruan Withers.
Me sa dimë, John Withers është i pari dhe i vetmi ambasador që komenton jehonën e kabllogrameve të dërguara nga ai vetë. Përgjithësisht, diplomatët amerikanë kanë zgjedhur ta injorojnë dukurinë Wikileaks, ndonëse kanë demonstruar se janë jo pak të shqetësuar prej tij. Ndërsa Withers kuturis të flasë. Pse vallë? Ndoshta është ndjerë i lënë pas dore nga të vetët? Ndoshta është ndjerë ligsht në momentin që askush nuk e mori në mbrojtje, teksa kryeministri shqiptar e sulmoi në mënyrë të paprecedent e të paskrupullt?
Në fakt, pritej që ambasada amerikane në Tiranë të reagonte qartë e prerë ndaj guximit të Berishës për t’i skualifikuar qëndrimet e së njëjtës ambasadë në periudhën 2008-2010 si “personale” të ish-ambasadorit, duke hedhur dhe hije dyshimi mbi integritetin moral të këtij të fundit. Në mënyrën më të çuditshme ambasada heshti, duke lënë të besohet spekullimi se Berisha ka folur kundër Withers-it me lejen e ndokujt nga brenda ambasadës. E për këtë arsye, Withers-i mund ta ketë parë të udhës të mbrojë veten.
Ky është një nga interpretimet e mundshme të kësaj letre. Duhet pritur, sidoqoftë, derisa të marrim vesh përmbajtjen e plotë të letrës.
M. Nano
Comments
Ndoshta nuk keni mundur ta

Ndoshta nuk keni mundur ta vini re, por ambasadori aktual reagoi ne mbrojtje te Uidhersit fill pasi Berisha e sulmoi.

Mesa me kujtohet tha pikerisht ate qe deshironi ju, pra "ne flasim dhe veprojme ne emer te Presidentit te SHBA".

Pune te mbare!

Letra e ambasadorit. Të

Letra e ambasadorit.

Të dashur Miq,

Ka kaluar tashmë një vit që kur u largova nga Shqipëria. Jeni ende në mendimet e kujtimet e mia për dashamirësinë e madhe që më keni dhënë dhe për përvojat e pasura që kemi bashkëndarë. Një pjesë e imja do të qëndrojë gjithmonë në Shqipëri.

Gjatë javëve të fundit, në mediat tuaja janë shfaqur kabllograme të pretenduara të Departamentit të Shtetit, të zbuluara nëpërmjet Wikileaks. Ka pasur vazhdimisht spekulime lidhur me këto kabllograme; dhe, për fat të keq, një pjesë e madhe e këtyre spekulimeve ka qenë çorientuese dhe e pasaktë. Tani, ju shkruaj me shpresën për të qartësuar një numër keqperceptimesh që janë duke qarkulluar. Një gjë të tillë nuk e bëj më si ambasadori amerikan në Shqipëri, por si një nënshtetas i vendit tim. Por, këtë e bëj edhe si një mik i Shqipërisë dhe si dikush që, siç e dini, beson tek e vërteta.

Edhe përpara se të largohesha, ka pasur sugjerime se unë paskam pasur një “axhendë personale” gjatë mandatit tim në Shqipëri. Eprorët e mi i kanë quajtur të tilla pohime të gënjeshtërta dhe i kanë refuzuar ato kategorikisht në një komunikim zyrtar, i cili më pas u bë publik, me nivelet më të larta të qeverisë tuaj. I njëjti pretendim ka lindur sërish. Dhe prapë, mbetet i pavërtetë. Ironikisht, asgjë nuk e provon më qartë se sa vetë zbulimet e Wikileaks këtë të pavërtetë. Në mënyrë të pakundërshtueshme, ato tregojnë drejtpeshimin, paanshmërinë, si dhe objektivitetin e raportimit të ambasadës për Shqipërinë gjatë punës time atje. Të gjitha partitë, personazhet dhe veprimet politike i nënshtroheshin të njëjtit shqyrtim dhe çiltërsi. As edhe një vëzhgues i paanshëm nuk do mund të arrinte në një përfundim të ndryshëm.

Në fakt, raportimi nga ambasada në Tiranë jo vetëm ka përmbushur standardet më të larta të Departamentit të Shtetit – kabllogramet tona merrnin rregullisht lëvdata në Uashington – por edhe ka qenë tërësisht në përuthje me të gjitha ambasadat anembanë botës. Edhe të tjera ambasada, ashtu si ne, ofronin vlerësime të sinqerta të njerëzve dhe rrethanave në fushat e tyre të përgjegjësive. Sado trazuese apo të sikletshme që mund të jenë ato vlerësime për ndokënd, e vërteta është që asnjë ambasadë amerikane apo ambasador amerikan nuk ka kurrfarë “axhende private.” Ne jemi përfaqësuesit personalë të Presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe i përkushtohemi vetëm shërbimit për interesat e popullit amerikan. Shqip dhe shkoqur, axhenda jonë është axhenda e tyre. Cilido që sugjeron ndryshe nuk dëmton dhe aq një individ si unë, por pikërisht postin e shquar që aq shumë amerikanë të zotë kanë pasur privilegjin ta mbajnë, si dhe dëmton edhe më tej ata që na e kanë besuar neve atë post.

Si një ish-diplomat po aq sa edhe si qytetar i vendit tim, jam thellësisht i keqardhur për fenomenin Wikileaks. Aftësia e diplomatëve për të folur haptas dhe në mirëbesim me njëri-tjetrin është dhe ka qenë një element thelbësor i profesionit tonë që nga fillimet e tij. Informacioni ynë, përfshi edhe ai mbi Shqipërinë, mblidhet nga një gamë jashtëzakonisht e gjerë burimesh, përfshi edhe nivelet më të larta të qeverisjes. Çfarëdo veprimi që cënon aftësinë e një diplomati për të bashkëndarë informacion në këtë mënyrë apo për të punuar me diplomatë të tjerë për të mirën e përbashkët është një veprim i dënueshëm. Prandaj, teksa i lexoni materiale të tilla, sado të njollosura, ju nxis të mos hutoheni nga pohimet e ndryshme sensacionale, por në vend të kësaj të ngulni sytë në një fakt thelbësor dhe të pakundërshtueshëm që gjendet aty: ambasadat amerikane thonë të vërtetën.

Ky është dhe do të jetë gjithmonë parimi më i parë dhe më i lartë i diplomacisë amerikane. Sado i keq të jetë lajmi apo sado e sikletshme të jetë një rrethanë, një ambasadë amerikane raporton të vërtetën, edhe për një aleat të ngushtë si Shqipëria. Nëse zgjedhjet janë të dyshimta, ne e themi këtë. Nëse autoritetet qeveritare kërcënojnë pavarësinë e institucioneve demokratike të vendit dhe median, ne e themi këtë. Nëse besnikëria partiake pengon qeverisjen e vendit; nëse korrupsioni i kudogjendur minon zhvillimin e mirëfilltë ekonomik; nëse përparësia e udhëheqësve është të rendin me këmbëngulje drejt pushtetit në vend që të rendin për t’i shërbyer popullit, ne e themi këtë. Dhe nëse parimet universale të demokracisë vazhdojnë të lihen mënjanë dhe vetë demokracia bën prapa – ne e themi këtë dhe do vazhdojmë ta themi këtë deri sa të rifillojë përparimi i vërtetë. Kjo është detyra parësore e një diplomati amerikan, dhe një detyrë e tillë do të përmbushet patjetër.

Unë nuk jam më në shërbim të qeverisë, por një gjë e di: mund t’i besoni ambasadës amerikane. Mund të mos ju pëlqejë çdo gjë që ajo thotë, por mund të keni besim që diplomatët tanë bëjnë çdo përpjekje për të arritur standardet më të larta të ndershmërisë dhe objektivitetit. Nuk ka material që rrjedh nga Wikileaks; nuk ka editorial, sado pasionant; nuk ka shfrime, sado të çjerra, që mund ta ndryshojnë këtë.

Në mbyllje, më lejoni t’ju uroj, miqtë e mi shqiptarë, gjithë sukseset dhe lumturinë e mundshme. Jeni një popull i veçantë dhe vendi juaj është një vend i veçantë. Ruaj admirim të madh për talentin tuaj të jashtëzakonshëm dhe kam shpresat më të larta të mundshme për të ardhmen tuaj. Ju dërgoj përshëndetjet më të përzemërta.

Miku juaj,

John L. Withers II

Add new comment