Mall për komisarët
Dje pashë në ResPublica një koment për letrat po që u shkruajnë qytetarët ambasadorëve (Regjimi ambasadoro-kratik na është bërë shumë familjar), ku përmendeshin disa shembuj të kësaj dukurie të çuditshme, mes të cilave edhe një ankim i FRESSH-it, për të cilin kisha lexuar më parë në shtyp. Në fakt, 22 drejtues të FRESSH-it i paskan dërguar një letër ambasadorit të SHBA-së në Tiranë, Alexander Arvizu, kreut të OSBE-së, Eugen Volfarth, ambasadorit të BE-së, Ettore Sequi, ambasadores së Britanisë së Madhe, Fiona Mcllwham, ambasadores gjermane Carola Muller Holtkemper, ambasadores franceze Maryse Daviet, ambasadorit holandez Henk Van Den Dool dhe ambasadorit danez në Tiranë, Karsten Ankjaer Jensen; në letër ata ankohen për vendimin e kreut të PS-së, E. Rama, për ta shkrirë Forumin.
Nuk jam në gjendje të gjykoj për ngjarjen që përshkruhet në letër, por gjesti i këtyre drejtuesve më tërheq vëmendjen, dhe jo për mirë. Pse duhen shqetësuar ambasadorët e Fuqive të Mëdha, për një çështje të brendshme të PS-së dhe të organizatave politike të varura prej saj? I parë prej së largu, një gjest i tillë nuk mund të duket veçse qesharak, me nota të lehta megalomanie.
Megjithatë, që njerëz si këta 22 drejtues, pa dyshim të zotët në punët e tyre dhe të mësuar me kulisat e politikës, ulen t’u shkruajnë letër ankuese ambasadorëve, tregon se ka diçka që nuk shkon në mënyrën si funksionojnë mekanizmat e pushtetit në Shqipëri – në shtet dhe në shoqërinë civile. E them këtë, sepse i vetmi shpjegim racional që mund t’i jepet një ndërmarrjeje të tillë, ka të bëjë me dëshpërimin e të prekurve, përballë mungesës së alternativave.
Problemi është serioz; sepse lë të kuptohet se qytetarët po vijnë duke i perceptuar pushtetet ekzistuese si mure, tek të cilat vetëm mund të përplasin kokën më kot; ose si institucione me të cilat i vetmi raport i mundshëm është nënshtrimi pa kushte.
Qytetarët e kanë vënë re, me fjalë të tjera, se ambasadorët në Tiranë përfaqësojnë të vetmen alternativë reale, autoritare dhe të efektshme ndaj arbitraritetit të pushtetit; dhe me pushtet kam parasysh jo vetëm ekzekutivin, por të gjitha hierarkitë, e të gjitha llojeve, të cilat ndjekin modele që kanë natyrë antropologjike para se të kenë natyrë politike.
Ky pushtet i ambasadorëve vërtet soft, ama tepër i pranishëm në jetën publike shqiptare më kujton, në shumë anë, pushtetin e sekretarëve të PPSh-së dhe të komisarëve në vitet totalitare; i cili ishte po aq soft dhe i tërthortë sa edhe ai i Perëndimit sot në Shqipërinë sovrane, por në mënyrën e vet i kundërvihej ekzekutivit dhe shërbente, për individin e thjeshtë, si alternativë ose ngushëllim, ose edhe iluzion se nuk kishte mbetur i vetëm, përballë shtetit, ligjit dhe diktatit.
Ambasadorët e vendeve të mëdha në Shqipëri, edhe thjesht me praninë e tyre, shërbejnë për të legjitimuar pushtetin dhe klasën që e ka atë; por njëkohësisht përçojnë ideologjinë e integrimit europian dhe të modernizimit të shtetit dhe të shoqërisë shqiptare, duke u imponuar, në mass mediat, si priftërinj të progresit, të liberalizmit, të shtetit ligjor, të globalizimit, të ekonomisë së tregut dhe të shoqërisë së hapur e demokratike.
Është një rol që këtyre burrave dhe grave nga bota e madhe u ka mbetur në dorë pa dashur, ngaqë shteti shqiptar nuk funksionon si duhet, as ua ofron dot qytetarëve mekanizmat e nevojshëm të kompensimit, ose sigurinë e një pushteti alternativ ose të pavarur, i cili do t’i ndihmonte në raste vështirësish ose në përballje me padrejtësitë.
Ambasadorokracia vjen kësisoj edhe si efekt anësor i paralizës ose mosfunksionimit të institucioneve më elementare të një shoqërie liberale demokratike – duke filluar që me ndarjen e pushteteve, e më tej me rrugët e përftimit të feedback-ut nga qytetarët dhe të komunikimit nga poshtë-lart.
Në një shoqëri perëndimore moderne, drejtuesit e një forumi rinor të shkrirë qoftë edhe arbitrarisht nga kryetari i Partisë do t’u drejtoheshin për ndihmë organizmave të brendshëm të Partisë vetë; një kryebashkiak që e ndien veten të sabotuar nga prefekti i qarkut do t'i drejtohej ministrit përkatës ose gjykatës; një komunitet biznesi organizmit që përfaqëson biznesin në shkallë kombëtare ose mass mediave, e kështu me radhë.
Që kjo nuk ndodh në Shqipëri, faji i mbetet mendësisë me të cilën i kemi përvetësuar format institucionale që kemi huazuar prej shoqërish dhe kulturash të ndryshme nga jona. Forma të tilla parakuptojnë ndarjen e pushteteve, demokracinë e brendshme, pavarësinë e mediave dhe pluralizmin institucional; por kur ato shtihen në dorë nga një klasë njerëzish të cilët e konceptojnë dhe e organizojnë pushtetin e tyre në trajta vertikale, autoritare dhe asfiksuese, atëherë qytetarët e dëshpëruar do të kërkojnë alternativa të çuditshme.
Misioni kryesor i ambasadorit, në vendin mikpritës, është të mbrojë interesat e vendit dhe të shtetit që e ka dërguar atje; mirëpo në Shqipëri ambasadorëve po u kërkohet të sillen si komisarë, dhe të ndërmjetësojnë midis qytetarëve poshtë dhe komandantëve lart; teksa ua legjitimojnë, dashur pa dashur, këtyre të fundit pushtetin dhe ambiciet.
Se si reagojnë ambasadorët vetë, ndaj kësaj trysnie që u bëhet për t’i futur në valle, kjo varet nga urdhrat dhe udhëzimet që marrin prej shteteve përkatëse. Ndërkohë, shumë qytetarë dhe institucione të shoqërisë civile, në Shqipëri, besojnë se pa ndërhyrjen aktive të ambasadorëve në çështje të brendshme të politikës dhe të jetës publike, situata politike do të ishte shumë më e keqe; dhe se komandantët e sotëm në Tiranë nuk mund të lihen kurrsesi të veprojnë jashtë kontrollit të komisarëve nga Europa, ShBA dhe organizmat ndërkombëtarë. Mund të jetë kështu, por një vend e një shoqëri që u jep ambasadorëve kaq shumë hapësirë dhe pushtet zor se mund të gëzojë respektin e atyre shteteve, prej të cilave varen ambasadorët vetë.
Dilemat janë reale dhe, me sa duken bathët, loja që po luhet është më shumë negative (negative sum game, ose lojë ku të gjithë lojtarët humbasin), për sa u takon qytetarëve të Republikës Shqiptare.
Comments
Nuk jane komisare por
<p>Nuk jane komisare por ndermjetes ose mediatore ne nje situate komunikimi te pamundur mes palesh.</p>
Turpi qe juve me te drejte e
<p>Turpi qe juve me te drejte e ngrini ketu nuk fillon pikerisht ketu, fillon ca me heret, pikerisht tek "kokat" e kombit qe per çdo problem "ankohen" tek komisaret qe duket se i ka hyre edhe atyre per qejf "ky zanat" aq sa perveshin menget njeri, tjetri behet turist e na viziton keshtjellat rrethuese te Tiranes e veshtron me dylbi zgjedhjet si Skenderbeu ne rrethimet e Krujes e tjetri s'dihet ne ç'dheme hoteli ka qene... Mnedoj se per sa kohe neve shqiptareve "do na i laje breket" diplomacia e huaj, per sakohe nuk do jemi te afte te jemi zot ne shtepine tone, nuk mund te kemi shtetin tone e per rrjedhim demokraci, nuk di po me duket na pelqen pak diktature ne shiqptareve e kjo ska asnje rendesi se kush na e ushtron, jemi mazokiste:(</p>
Add new comment