Yhiyeh tov, Palestine!

Postuar në 01 Tetor, 2011 03:10
Dionis Thano

Kryeministri Shqiptar ndryshoi qëndrim në lidhje me kërkesën e Palestinës për t’u njohur si shtet në sesionin e 66 të Asamblesë së Përgjithshme te Kombeve të Bashkuara që nisi më 20 Shtator 2011 në Nju Jork. Arsyetimi që ai dha ishte i çastit dhe i shkonte pas atij të presidentit amerikan Obama, nën vështrimin e të cilit  njohja e shtetit të Palestinës duhej të vinte si pasojë negociatash të drejtpërdrejta me Izraelin, e jo nëpërmjet rrugë-kalimesh te shkurtra e të tërthorta rezolutash. Të dy titullarët i përmbysën shpejt qëndrimet e tyre të fundit në lidhje me çeshtjen palestineze, pjesërisht për arsye të përbashkëta por tërësisht për interesa të kundërta. Më 4 Qershor 2009, presidenti amerikan Obama u shpreh në një nga kryeqendrat e botës arabe, Kairo (Egjipt),  se “zgjidhja e vetme për aspiratat e të dy palëve (Izraelit e Palestinës) janë dy shtete, ku izraelitët e palestinezët të jetojnë në paqe e siguri” (lexo The Cairo Speech). Në Maj 2011, ai veçoi se pikënisja e një marrëveshje paqeje ishin kufijtë e para-1967-ës, si dhe shkëmbim territoresh mes dy palëve. Ky qëndrim i presidentit Obama e hidhëroi qeverinë izraelite. Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, pati një telefonatë të sertë me Sekretaren e Shtetit Hillari Klinton. Ai madje i kërkoi asaj që të hiqej nga fjalimi i presidentit Obama referenca mbi kufijtë e 1967-ës (lexo Mark Landler and Steven Lee Myers, “Obama sees ’67 borders as starting point for Peace Deal”, New York Times, 19 May 2011). Qëndrimin e derivonë amerikan e reflektoi dhe kryeministri shqiptar në takimin me ministrin e jashtëm të Izraelit, Avigdor Lieberman, më 29 Qershor 2011 në Tiranë. Kryeministri i Shqipërisë, iu përgjigj atij në harmoni me qëndrimin amerikan e ndërkombëtar për një zgjidhje “dy-shtetesh të pavarur, krahë për krahë njëri –tjetrit”, kur ky i fundit erdhi në Tiranë për të lobuar kundër njohjes së shtetit palestinez (lexo faqen e Këshillit të Ministrave, 29 Qershor 2011). Madje, në lidhje me njohjen e pavarësisë së Kosovës, Lieberman u shpreh se Izraeli do ta njihte pavaresinë e Kosovës vetëm pasi ta njihnin të pesë shtetet europiane që ende nuk e kanë njohur atë. Një formë eufemike e një jo-je të gjatë!

Arsyet shqiptare për mos-njohjen e shtetit palestinez, irracionalisht, nuk kanë të bëjnë fare me çështjen palestineze. Në logjikë, premisat false prodhojnë vetëm argumente të pavlefshme. Në një nga intervistat pranë zyrave të OKB-së, kryeministri shqiptar paraqiti për mediat shqiptare e më gjerë qëndrimin pasues ndaj atij amerikan për Palestinën. Paradoksalisht, e paralel me këtë qëndrim,  kryeministri po lobonte për një njohje më të gjerë të pavarësisë së Kosovës. Me gjithë dallueshmëritë specifike brenda analogjisë, e përbashkëta thelbësore mes Kosovës dhe Palestinës është vetvendosja, jo ajo partiake e Albin Kurtit, por ajo që vjen si rend natyror pasi të drejtat e njeriut dhunohen sistematikisht, e që mandej detyrojnë shkëputjen në entitete të reja. Nisur nga këto premisa, e me dëshirën e parashprehur për mosnjohjen e shtetit palestinez, kryeministri sapo ka bërë një faux pas.

Në anën tjetër, fjalimi i presidentit Obama në OKB kishte 120 fjalë përkushtuar vuajtjeve të Izraelit, duke përmendur edhe Holokaustin, por as edhe nje fjalë për vuajtet palestineze. Negociatat e ndërsjellta, të sugjeruara si çelësi i mëvetësimit të Palestinës, kanë zgjatur pa rezultat për 63 vite me radhë ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve. Ngjarje tejet të dhunshme e të dhimbshme kanë ndodhur në të dy anët, por më fatale në anën palestineze. Amnesty International ka vlerësuar se ndërmjet viteve 1967 – 2003, Izraeli ka shkatërruar më shumë se 10,000 shtëpi palestinezësh në Bregun Perëndimor dhe Gaza (sipas Danny Rubinstein, “Roads, Fences and Outposts Maintain Control in the Territories”, Ha’aretz, 12 gusht 2003). Marrëveshja e Oslos së vitit 1993 është injoruar disa herë nga Izraeli dhe po ashtu Kuarteti për Lindjen e Mesme (SHBA, OKB, EU dhe Federata Ruse), i kryesuar prej Toni Blair-it, ka lëshuar vetëm tinguj nën ujë ndaj veprimeve të njëanëshme të Izraelit, pa qenë i aftë të emetojë sinjale frenuese ndaj akteve që kundërshtojnë ligjin ndërkombëtar. Për këtë, si Këshilli i Sigurimit ashtu dhe Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka bërë më shumë se 100 rezoluta kundër Shtetit të Izraelit prej vitit 1948 – 2008, në lidhje me veprimet e tij të njëanëshme në terren me pasojë humbje jetësh njerëzish si dhe shpërngulje masive popullate palestineze.

Shqipëria prej shumë dekadash  ka histori miqësore me të dy kombet, hebre dhe atë arab palestinez. Njëri lloj i raportit duket se është antropologjikisht i lidhur me tiparin e shumëpërfolur shqiptar të mikpritjes (hebrenjtë  që gjetën mbrojtjen e merituar në Shqipëri prej përndjekjes naziste); dhe tjetri i lidhur me protagonizmin ideologjik (marrëdheniet e mira me Organizatën për Çlirim të Palestinës, mes të tjerash si kundërshtar i bllokut perëndimor në epokën e atëhershme). Për referencë të shkëputur nga tema, por jo nga konteksti, s’duhet harruar që Shqipëria Komuniste në 1960-ën bëri të mundur, nëpërmjet një rezolute në OKB, njohjen e Kinës Komuniste si shtet anëtar me të drejta të plota (që njihet deri më tani si Republika Popullore e Kinës), duke rrëzuar nga anëtarësia Kinën pro-perëndimore të Chang Kai-shek (ose Çan Kaishisë, siç njihej në Shqipëri) që përfaqësonte Republikën e Kinës!

Ndryshimi radikal i kursit të diplomacisë amerikane ndaj mos-njohjes së shtetit palestinez në OKB, vjen një vit përpara zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Ndërsa ndryshimi i qëndrimit qeveritar shqiptar vjen dy vjet para zgjedhjeve parlamentare të 2013. Komiteti Amerikano-Izraelit për Çështjet Publike (AIPAC), në anën tjetër të diskursit, ka një traditë të gjatë ndikimi të jashtëzakonshëm në politikën e brendshme amerikane. Bursa e forcës politike në Amerikë lidhet ngushtë me tipologjinë e marrëdhënies së kandidatëve presidencialë me AIPAC. Vetëm në këtë fazë para-përgatitore gare presidenciale në SHBA, disa republikanë, fushatën anti-Obama e kanë bazuar në një anti-semitizëm të supozuar duke “u shpërndarë emaila të çuditshëm qytetarëve në Florida e Nju Xhersi e duke i paralajmëruar se Presidenti Obama synon ta shkatërrojë Izraelin” (sipas MJ Rosenberg, “On Israel and Palestine, Obama is Rick Perry”, Huffingtonpost, 24 September 2011). Ndërsa në Shqipëri, bursa e forcës politike lidhet ngushtësisht me rafinimin e  imazhit sa më miqësor me SHBA-të për synime populiste nga partitë politike. Kryeministri Shqiptar në një takim disaminutësh në këmbë me Sekretaren e Shtetit Hillari Klinton në vizitën e tij të fundit në OKB, i ka folur asaj për ekonominë shqiptare imune nga recesioni e po ashtu në rritje. Në media u qarkullua dhe një foto përqafimi me të. Nuk dihet sa mbresëlënëse mund të jenë pohimet kryeministrore për prosperitet ndaj kryediplomates amerikane kur shteti i saj dhe kontinenti fqinj, Europa, po përballen me një sulm ekzistencial ekonomik prej recesionit global. Gjithashtu, ftesës për vizitë në Shqipëri, znj. Klinton iu përgjigj pozitivisht duke lënë shpresë për të ardhur në Tiranë në muajt që vijnë. Nëse realizohet, kjo vizitë duket se do përmbushë një ëndërr jo të vogël me kapital të gjerë elektoral për forcën politike në pushtet.

Në demokracitë liberale, reduktimi i individualizmit e prish vetëdijen objektive. Me votën e saj pro-shtetit palestinez, Shqipëria nuk humbet asgjë ndaj partnerit të saj më të rëndësishëm trans-atlantik, SHBA-ve. Shqipëria vetëm do të shtonte larminë e qëndrimeve brenda koalicionit perëndimor liberal, në të cilin bën pjesë, nën frymën universaliste të kombeve për vetëvendosje dhe bashkëjetesë të paqëshme me fqinjët.  Presidenti francez Nikolas Sarkozi propozoi në po atë sesion në OKB që Palestina të ketë një ngritje në status, nga ai i vëzhguesit që e mban aktualisht, në atë të ngjashëm me Vatikanin, ku Palestina rrjedhimisht fiton të drejtën e angazhimit direkt në një sërë agjensish të Kombeve të Bashkuara. Nëse për 63 vite me rradhë negociatat nuk kanë patur rezultat ndërmjet Izraelit e Palestinës, a nuk do të ishte njohja e shtetit Palestinez në OKB premisa më e vërtetë për rifillim negociatash serioze e marrje përgjegjësish me zemër e jo me gojë? Askush nga aktorët relevantë nuk ka shpjeguar se përse prishen perspektivat e dialogut izraelito-palestinez me njohjen e shtetit të këtyre të fundit në OKB!

Të Premten e 23 Shtatorit 2011,  President i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abas, i paraqiti Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të bashkuara, Ban Ki-moon, kërkesë-aplikimin për njohjen e shtetit të Palestinës. Ky aplikim do të kalojë për shqyrtim në Këshillin e Sigurimit (KS) e mandej në Asamblenë e Përgjithshme, ku votohet me shumicë të thjeshtë nga të 193 anëtarët e saj. Këshilli i Sigurimit përbëhet prej 15 anëtarësh, prej të cilëve 5 janë anëtarë të përhershëm (SHBA, Kinë, Francë, Federata Ruse, Mbretëria e Bashkuar) e 10 jo-të përhershëm me mandat një vjeçar. KS-ja do ta shqyrtojë kërkesë-aplikimin për një periudhë dy javore, në pritje të të cilit është gjithë diplomacia botërore. E kështu në pritje, po huazoj shprehjen hebraisht të një publicisti hebre, “Yhiyeh Tov, Palestine!” (Për hajër, Palestinë!).

Comments

Submitted by andoni (not verified) on

cfare e ka adrian thanon e Shekullit ky?? Jo per gj, po do jete me siguri pjesetar i celules antiamerikane... hahahaaaa :)

seriozisht, kjo puna e antiamerikanizmit eshte nje skifo e re e  rregjimit kesaj here ne gojen e z.Arvizu.

Me siguri u kane terhequr veshin per kete rritje te antiamerikanizmit dhe popullin me filoamerikan  ne bote dhe keta plehrat e rregjimit te Tiranes jane duke investuar qe tja faturojne edhe kete pasoje te veprimeve te tyre, "opozites", "henes blu", "celulave me 100 euro shkrimi nga Artur Zheji" etj..

Kerkojeni o burra fajin te vetja dhe korigjphuni, behuni me te miren, me te drejten, me POPULLIN! Mundeni? Nese jo, vazhdoni sajoni intriga shfajesuese ne vilat tuaja luskoze bashke me fevzinjte qe bonifikojne ujrat e zeza te ketij vendi

Submitted by arnaut (not verified) on

Falenderoj Z Thano dhe Respublicen per terheqjen e vemendjes ndaj kesaj teme te rendesishme jo vetem moralisht, por edhe kombetarisht. Eshte vertet e turpshme qe kryeministri yne, per te cilin gjithkush sa vjen e humbet respektin, del para OKBse dhe ne te njejtin fjalim ku kerkon njohjen e pavaresise se Kosoves, nje akt ky i njeanshem i shqiptareve te Kosoves pas deshtimit te negociatave me Serbet, refuzon njohjen e Palestines si shtet, pse? se nuk ben te merren hapa "te njeanshem" ... hajde lider hajde... po pse duhej me e permend Palestinen njehere... kush te detyroi or vlla??? apo jemi ne faktor boteror politik e gjithe bota po pret te njohe opinionin e Shqiperise mbi Palestinen? po rri o Berishe urte e mos dil hipokrit lakuriq para gjithe botes te pakten...

Submitted by Elton (not verified) on

O Andoni, kot per kuriozitet, c'lidhje kishte ky komenti jot me artikullin? Perndryshe, artikull i mire, i qarte dhe me sens humori prej zotnie. T'i dhashe pese yje sa na lejon sistemi. Free Palestine!

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.