Ç’punë keni me gratë e huaja?

Postuar në 04 Gusht, 2016 13:18
h. Sulejman ef. Rexhepi*

Allahu xh.sh. nuk gjykon sipas trupit dhe pamjes së juaj, Ai shikon në zemrat dhe veprat e juaja (hadis)

Mysafirllëku ynë në këtë botë është shumë i shkurtër, por gjurmët nga ai mysafirllëk mund të zgjatin shumë. Pa asnjë dyshim, jeta është një udhëtim i stërmbushur me të panjohura dhe me vështirësi, por gjëja më e vështirë dhe më fatkeqe është kur njeriu nuk di të jetojë.
Në udhëkryqet e jetës asnjëherë nuk ka pasur dhe nuk do të ketë tabela orientuese, andaj ato tabela njeriu i ka krijuar vetë në formë të principeve dhe botëkuptimeve. Për muslimanët, tabelat orientuese janë urdhërat e Zotit, është Kur’ani.
Por, me që “nuk ka detyrim në fe”, çdo njeriu i është dhënë mundësia që vetë të vendosë se si do jetojë. Në Islam nuk ekziston ndërmjetësues mes njeriut dhe Allahut i cili është Gjykatësi i vetëm që do vlerësojë e do gjykojë për veprat tona.Sëkëndejmi, ne, qofshim edhe predikues fetarë, nuk kemi të drejtë të akuzojmë e të vlerësojmë cilindo njeri, nuk kemi të drejtë të bëjmë klasifikime e selektime të “muslimanëve të mirë” dhe” muslimanëve të këqinjë”. Sepse, ndër “muslimanët e këqinjë” mund të ketë shumë muslimanë të mirë, ndërkohë që te “muslimanët e mirë” mund të ketë muslimanë shumë të këqinjë,të jeni të sigurtë. Dhe, duke i selektuar e duke i kategorizuar njerëzit, ne rrezikojmë të bëjmë iftira, që është njëri nga veset më të uryera te Allahu xh.sh.

Mos e bëni fenë cirk dhe gogol

Islami është fe e shpallur për të gjithë njerëzit dhe për të gjitha kohërat. Por, duke qenë fe e një pjese shumë të madhe të popullatës botërore e duke u zhvilluar ndër shekuj, ai ka arritur të shndërrohet edhe në civilizim i cili ka botëkuptimet e veta dhe normat e veta shoqërore.
Sot, gjashtëmbëdhjetë shekuj pas zbritjes të Kur’anit Famëlartë, jam i sigurtë që nuk ekziston një njeri me emër muslimani që nuk i njeh bazat e fesë dhe civilizimit të vetë. Kjo posaçërisht për arrsye se koha në të cilën po jetojmë është kohë e informatikës dhe elektronikës, është kohë në të cilën çdo njeri, qoftë edhe analfabet, e ka mundësinë të mësojë e të kuptojë më shumë për gjërat që e interesojnë lidhur me fenë e vetë.
Mjerisht, pikërisht sot kur me një fjalë të butë, me qasje vëllazërore e miqësore ndaj njerëzve të cilët qëndrojnë pakë më largë fesë, mund të ndikojmë në afrimin e tyre, po paraqiten fenomene shume shqetësuese të cilat po e trazojnë trungun e shoqërisë muslimane, pra edhe atë shqiptare.
Kam folur e kam shkruar shpeshë për terrorizmin që thirret në emër të Islamit e që po e rrënon skajshmërisht imazhin dhe perspektivën e muslimanëve ku do qofshin ata. Këtu dua t’i qasem terrorizimit që shqiptarëve po ua bëjnë individë të caktuar duke imponuar në opinion si provokim disa çështje dytësore për Islamin dhe muslimanët.

Jam tej mase i prekur nga vrazhdësia dhe lehtësia e padurueshme me të cilën disa “predikues të Islamit” po i qasen gruas në përgjithësi. Është e pafalshme të vlerësosh si gra të përdala nënat, gratë, motrat dhe bijat e hallkut. Ato gra kanë baballarë, vëllezër, burra e djem, pra për ato ka kush të përkujdeset. Besa,duke e njohur mentalitetin tonë, ka edhe kush e shkrepë armën për ato gra.
Më të moshuarve do ju kujtohet me siguri se çfarë i ndodhi ish-liderit komunist kosovar Fadil Hoxha kur e tha një fjalë goje për gratë serbe, andaj po habitem se si dikush që i thotë vetes hoxhë merr guximin dhe aq lehtas prekë në nderin e gruas shqiptare. Mos të harrojmë, nga shtatë milionë shqiptarë, tre milionë e gjysmë janë femra, por në këtë rast është ofenduar edhe pjesa mashkullore e kombit shqiptarë. Iritimi i grave shqiptare dhe i burrave të tyre, mjerisht mund të reflektojë me krijimin e rezervave ndaj Islamit, jo ndaj njeriut që nuk e kontrollon gojën e vetë.
Kujtoj se muslimanët shqiptarë si edhe të gjithë muslimanët tjerë, kanë para vetes sfida shumë më të mëdha e më të rëndësishme se problem i grave që i marrin vetullat, se gratë që shkojnë në det, se gratë që veshin pantollona, se robëreshat e seksit që po ju takuakan muslimanëve në luftë. Po ashtu, nuk më duket ndonjë gjë qenësore se sa gra mund të merr muslimani dhe” a mund të merr më shumë se katër sepse Pejgamberi Muhamed a.s. paska pasur më shumë” !?

Dhe, puna e grave nuk përfundon këtu. Predikuesit tanë që kanë marrë rolin e “policëve moralë” po mbajnë edhe ligjërata se sa qenka sevap me i marrë gratë e shehidëve. Personalisht, nuk kam dëgjuar që ndonjëri nga këta sevapbërës të ketë marrë ndonjë grua shehidi që ka pesëdhjetë e kusur vjetë, që nuk është e bukur e që ka plotë fëmijë. Të marrësh një grua të atillë, po se do ishte një sevap i madh. Pejgamberi Muahmed a.s. ka thënë: “Allahu nuk është i mëshirshëm për ata që nuk kanë mëshirë për të tjerët”.

Për të rrumbullakësuar muhabetin për gratë, po dëgjoj se policët moralë paskan filluar të arsyetojnë nëpër do farë ligjëratash se muslimani lirisht mund të martohet me vajzën e axhës, të dajës, të hallës e të tezes. Thua ti se i paskemi rregulluar të gjitha punët e tjera dhe vetëm na paska mbetur të martohemi me vajzat që tradicionalisht, së paku ne shqiptarët, gjithmonë i kemi konsideruar në vend të motrave. Një martesë e këtillë nuk është dëgjuar të ketë ndodhur ndër shqiptarë, sa e di unë. E di se në raste të veçanta një gjë e këtillë mund edhe të lejohet, por po më intereson se pse këta që po i predikojnë këto gjëra nuk po martohen brënda familjeve të tyre? Sepse, populli do i bënte rezil, sepse këtu ndër ne edhe traditat tona janë inkorporuar në civilizimn islam dhe ne i respektojmë ato. Sepse, sipas traditës, shqiptarët bile hezitojnë të marrin gra nga fshati ku jetojnë dhe përpiqen që miqësitë t’i lidhin sa më largë që është e mundur. Sepse, martesën me të afërmit, shqiptarët e konsiderojnë incest dhe tipat që përhapin ide të këtilla i quajnë tipa incestuozë. Sepse, e këtillë është tradita jonë.

Esenca, jo forma

O vëllezër e motra, o njerëz të mirë!
Dy decenie e gjysmë nga rrënimi i sistemit komunist, elementet e shëndosha islame në Maqedoni po bëjnë përpjekje mbinjerëzore për t’i rikuperuar dëmet materiale e shpirtërore që iu shkaktuan muslimanëve për gjysëm shekulli. Bashkësia Islame e Maqedonisë, tani e dy decenie e gjysëm po tenton të krijojë miq e të afrojë njerëz, po bën të pa mundurën për të faktorizuar veten dhe të merr në shoqëri vendin e merituar si institucion me traditë disa shekullore.
Të goditur vazhdimisht nga anë të ndryshme, të padrejtësuar e të diskriminuar nga shteti, të sabotuar edhe nga elemente të maskuara me velon e Islamit, ne po arrijmë të tubojmë pranë vetes gjithnjë e më tepër dashamirë, si nga vendi, ashtu edhe nga jashtë. Dhe, këtë po e bëjmë duke rrezatuar dashuri e mirëkuptim pikësëpari ndaj njerëzve tanë. Ne jemi të vetëdijshëm se nuk kemi luksin që të humbim as edhe një individ që ndonjëherë e ka shqiptuar shehadetin.
Ne, miq të nderuar, e kemi të qartë se se civilizimi islam e ka humbur në masë të madhe shkëlqimin e vetë gjatë shekujve për shkaqe dhe arsye që i dënon edhe Zoti. Shkenca, arritjet teknologjike e kulturore dhe zhvillimi ekonomik po e anashkalojnë botën islame dhe po reflektojnë fuqishëm edhe te ne.

Andaj, ne nuk dëshirojmë të thellojmë divergjencat në trungun tonë, duke i frikësuar e distancuar njerëzit me çështje të formës e duke i haruar gjërat esenciale. Ne e duam muslimanin të vetëdijshëm e krenar për përkatësinë e vetë fetare, e duam të edukuar, të arsimuar e të kulturuar, e duam muslimanin që do jetë i sukseshëm në jetë e që do mund t’i prezantohet botës me të arritura shkencore e kulturore të niveleve më të larta.Vetëm i atillë, muslimani do të kontribuojë për ringjalljen e vlerave të vërteta fetare e civilizuese islame.
Ne, miq, nuk dëshirojmë të provokojmë vëllezërit e motrat tona që ndoshta janë pak më largë nga parimet tona fetare. Ne dëshirojmë të vejmë baraspeshë në shoqëri, jo duke i ofenduar e duke i sharë ata që mendojnë ndoshta më ndryshe se ne. Ne duam të dialogojmë, të ballafaqojmë argumentet. Dhe, këto duam t’i bëjmë në mënyrë civilizuese.

Ne, të nderuar, nuk i vlerësojmë muslimanët nga fakti a bëjnë iftar me hurma ose jo, a e kanë mjekrat dy apo tre gishta të gjata dhe a i kanë ato të ngjyrosura, a kanë një a më shumë gra. Ne ftojmë në mirëkuptim dhe krijim të një mentaliteti sipas të cilit do të jetë gjë e nëkuptueshme që dikush të jetë musliman i devotshëm. Ne jemi kundër mentalitetit sipas të cilit do e shprehim përkatësinë tonë fetare me aparencë dhe eksponim prapa të cilit do i fshehim frustracionet, paaftësinë dhe djallëzinë.
Islami, vëllezër e motra, nuk është as cirk e as gogol. Islami është fe e dritës, paqes, miqësisë, vëllazërisë, dashurisë.

(Autori është Reisul Ulema i BFI në RM)

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Mire e ke ti hoxhe, po a te kuptojne ata zullumqaret qe predikojne martesat me kushurira??? Nuk e besoj, se qoftlargu ua ka trullosur trurin!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.