Të gjithë e kanë një plan; përveç Ramës
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/default_images/no-photo_0.jpg?itok=QGFmpan5)
Pritet dështimi i raundit të parë. Edhe nëse do të ketë një kandidat, nuk do të ketë 84 vota. Kur u caktua 30 maji si datë e e votimit të parë, proçesi për gjetjen e presidentit, ishte zhvilluar pa pjesëmarrjen e Partisë Demokratike, ndaj vendimi unanim i kryesisë së Kuvendit u duk i nxituar. Berisha zgjodhi ta niste garën për zgjedhjen e presidentit në datën zyrtare megjithëse ishte i fundit. Nano, Rama, Meta, Dule, Mediu dhe Idrizi kishin bërë disa takime, ndërsa Berisha vetëm një përcjellje për Nanon. Dy partitë e së majtës, PS dhe LSI dukej se e kishin marrë në dorë situatën për ta vënë Berishën në pozitën e vështirë të tërheqjes për të pranuar kandidatin konsensual. Hera e parë që kryetari i PS në opozitë kishte ndërmarrë një iniciativë të mbështetur fort dhe hapur nga ndërkombëtarët. Berisha nisej i fundit në garë, me pafuqinë për të zgjedhur presidentin e Partisë Demokratike.
Takimet e së premtes, me aleatët në qeverisje, krijuan një përshtypje se kryeministri ishte i gatshëm të hiqte dorë nga kandidati i PD-së. Lajmi “argëtues” se Berisha nuk donte të takonte Ramën, u shndërrua në fakt në thelbin e dështimit të parë. Takimi PD-PS në nivel negociatorësh u realizua me shumë vështirësi dhe në kushtet e dështimit të paralajmëruar. Kryetari i PS, nëpërmjet një editoriali të shpërndarë në të gjithë shtypin, publikoi një qëndrim krejt tjetër nga ai që kishte mbajtur që në hyrje të majit. Nuk bëhej fjalë për president, por për paketë, ndaj nuk mjaftonin negociatorët, por duheshin kryetarët. Këtë editorial lexuan negociatorët e PS në takimin dypalësh, ndaj Meta i bëri thirrje Ramës që mos t’i shndërronte negociatorët në korrierë. Takimi PD-PS pritej të dështonte. Prej një muaji dukej qartë që nuk kishte qëndrime të përafërta mes dy partive. Por, nëse deri të dielën, gishti ishte drejtuar nga PD, pas takimit u rrotullua 180 gradë. PS, krejt papritur, futi një paketë që e kushtëzonte zgjedhjen e presidentit, madje e nxirrte atë pikën e katërt të axhendës. Pikërisht kur kronometri për zgjedhjen e presidentit kishte filluar numërimin, dhe kryeministri ishte nisur i fundit, kryetari i Partisë Socialiste po bënte i vetmuar xhirot e prapambetura të reformës zgjedhore dhe parlamentare. Ndoshta ngaqë garën për presidentin e filloi përpara të tjerëve, me takime të nevojshme dhe të panevojshme, e filloi kur po skadonte koha për reformën zgjedhore dhe parlamentare.
Paketa e re e PS nuk doli nga forumet se nuk u mblodhën, nuk doli nga takimi Rama – Meta, se kryetari i LSI-së e kundërshtoi, doli vetëm nga Rama. Paketa ishte e pafatë. U hodh poshtë menjëherë nga Partia Demokratike, por edhe nga LSI, jo vetëm për shkak të vendlindjes, por edhe për shkak të kohëlindjes. Nuk është hera e parë që paketat e Ramës flaken pa kokëçarje nga maxhoranca. Kështu ka ndodhur me bojkotin 2009-2010, kur opozita u kthye pa kushte në Parlament, kështu ka ndodhur me grevën e urisë që u mbyll pa asnjë zgjidhje, kështu vazhdon të ndodhë, jo për meritë të Berishës dhe as për të drejtën e tij. Duke përjashtuar mundësinë e një takimi të drejtpërdrejtë me kreun e opozitës, kryeministri ia arriti qëllimit. Rama doli nga pista kryesore. Nxorri nga kopjuteri lojën e preferuar, fantapolitikën dhe filloi të luante vetëm. I fshiu takimet e zhvilluara për një muaj për proçesin e zgjedhjes së presidentit, e fshiu darkën në gjirin e Lalzit, letrën për kryetarët e partive parlamentare ku kërkohej të flitej vetëm për proçesin e presidentit. Nga e diela loja kishte katër nivele dhe duhet të varej prej tij.
Jashtë kompjuterit të Ramës gjërat ndodhën ndryshe. Meta, i angazhuar bashkë me Ramën për një proçes konensual deklaroi se nuk mund të synohet kriza kur flitet për konsensus dhe i shtyu pikat e Ramës pas zgjedhjes së presidentit. Berisha e shfrytëzoi paketën katërpikëshe të shoqëruar me premtimin për një kryeministër të ri, pa zgjedhje, për të treguar se PS nuk do të zgjedhë president konseunsual, por të bllokojë parlamentin për të rrëzuar qeverinë. Befas Partia Socialiste shihet si pengesa kryesore në proçesin për zgjedhjen e presidentit.
Pas raundit të parë, kuptohet që Berisha kërkon të fajësojë opozitën dhe të zgjedhë presidentin e tij, LSI kërkon të përfitojë sa më shumë nga votat për presidentin, pavarësisht nga emri apo krahu i propozuesit, PBDNJ preferon Nanon si kandidat konsensual, PR dhe PDIU do të mbështesin kandidatin e PD-së. PS-së i ka mbetur në dorë paketa e kryetarit.
(Shkrimi u botua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
Comments
Shqiptareve u duhen me shume

Shqiptareve u duhen me shume artikuj te pa anshem si ky. Tellalleve partiake te tipit Lorenc Vangjeli u duhet mbyllur goja dhe dera te shkruajne ne forume te pavarura. Po te kene qef te bejne tellallin kane gazetat partiake per ate pune dhe te mos konfuzojne njerezit me "pavaresine" e tyre

Edhe une mendoj qe e ka

Edhe une mendoj qe e ka shkruar mire. I ka rene shkurt dhe sakte.

Shkrimi me i perkryer qe kam

Shkrimi me i perkryer qe kam lexuar deri me sot ne shtypin Shqiptar .

Bravo Enton Abilekaj !!

Futja kot, tirr e tirr e ngel

Futja kot, tirr e tirr e ngel po ne vend ky artikull.

Pse? Te thuash qe opozita

Pse? Te thuash qe opozita perseri po ben nje vrime ne uje me keto llafet e saj si ne 2007 qenka e gabuar?

Tir e tir o Abilekaj rreth "

Tir e tir o Abilekaj rreth " furkes " se Edi Rames , sikur presidenti te varej prej tij ; ashtu si dhe per dy vjet edhe kete vit te trete pas 2009 , pabesine , hajduterine dhe intrasigjencen e Berishes , ju e cilesoni si paaftesi te E.Rames ; gjithe " pusht analistet " e dites i bien fyellit ne nje "vrime" . Si qytetar i zakonshem , une mendoj se BE apo nderkombetaret e kerkojne konsensusin kete radhe nga Berisha dhe jo nga Rama ... gjykoj se ne mungese te konsensusit, pavaresisht si do e perdridhni ju gjuhen , BE nuk do e jap per here te trete statusin e vendit kandidat ... Po mire or i dashur , po pse per te tri heret E.Rama e paska patur fajin !?

Add new comment