Të porosisësh veten për të thënë "budallallëqe"
Dikur, në kohët kur Lëvizja Socialiste për Integrim, sapo kishte dalë nga shpërgejtë e PS-së, Petrit Vasili, alter egoja e Ilir Metës në parti, do të komentonte kështu gjatë një debati televiziv disa qëndrime të Pandeli Majkos. “Ky më kujton Shvejkun që thoshte ‘ç’më duhet mua se çfarë them unë’”. Replika e gazetarit: “Po flisni për ish-kryeministrin e Shqipërisë. Si mund ta krahasoni me Shvejkun!?” Ja pra një rebus plazhi: çfarë kreditesh inteligjence t’i japim ish-kryeministrave si Majko, që kanë thënë kaq shumë gjëra “që bien në sy”, saqë nuk kanë nevojë të prezantohen as tek ata që kanë lindur në vitin 2005.
Një tjetër “histori” me Majkon që së fundmi po sillet si parimor dhe po synon karrigen e Bujar Nishanit, me bindjen se “i takon”: Në vitin 2005, kur PS-ja ndodhej në një krizë rotacioni dhe ishte e goditur nga humbja e zgjedhjeve, kishte paqartësi të madhe. Nuk kishte ndodhur ende divorci mes Fatos Nanos dhe Gramoz Ruçit që i hapi rrugën përfundimisht Edi Ramës për të marrë drejtimin e PS-së, e që duhet thënë se ishte i vetmi që kishte shpallur ambicien dhe dëshirën për të marrë kryesimin. Në këtë periudhë tranzicioni delikat, sytë natyrshëm u kthyen nga njerëz me përvojë drejtimi, si Majko, Gramoz Ruçi, Namik Dokle, Kastriot Islami etj., të cilët duhet t’i jepnin drejtim punës. Meqenëse Majko ishte më i ri dhe shihej si një njeri “i zemrës së PS-së” pyetjet për qëndrimin e tij ishin jo të pakta. Por si i përgjigjej ky ish-kryeministër kërkesave të kolegëve për të marrë vendim? “Të shohim se çfarë do të bëhet”, - kjo ishte përgjigja e tij, ndërkohë që konfirmonte edhe njëherë gënjeshtrën e madhe të “engjëllit të pafajshëm”, ikona e preferuar e Pandit në politikë.
“Të shohim se çfarë do të bëhet”, është një fjali tipike atij që shton peshë nën hijen e të tjerëve. Është simptomë karakteriale e dikujt që nuk di të marrë vendime dhe që nuk mund t’i besohen vendime. Këtë e dinë shumë mirë ata në PS. Këtë e di edhe Pandi, që sot predikon “përplasjen e qytetërimeve”. Sot shkëlqesia e tij, një alternativë kompromisi e përhershme në një PS në konflikt të brendshëm sektar, i sugjeron shqiptarëve se kjo që po bën PD-ja, kjo rezistencë e saj ndaj vettingut nga ndërkombëtarët është “udhëtimi drejt askundit si alternativë…”. Udhëtimin drejt askundit shqiptarëve ua mësoi edhe vetë Majko me taksën e tij të famshme për rrugën Durrës –Kukës e cila nuk dihet se ku përfundoi. Refuzimi i PD-së – kujdes, Majko është i vëmendshëm të mos përmendë Berishën në statuset e veta që marrin dhenë në mediat pranë qeverisë – vlerësohet si rrugë drejt askundit me një argument që i shkon shumë një parlamentari alla Majko, apo alla Taulant Balla.
“Letra e ambasadorit Lu është e paprecedentë për mënyrën se si politika amerikane vendos raportet me një çështje në pamje të jashtme si “çështje e brendshme” e një vendi”.
Pra PD-ja nuk ka se çfarë të thotë pse Donald Lu ka shkruar një letër. Kjo është deklarata për shtyp e Pandit, që mund të jetë njëherazi edhe analiza e një ish-kryeministri. I cili njësoj si eprori i tij që e quante rrugën Durrës - Kukës si rrugë e kurrkundit, e sheh aktin e sotshëm të PD-së si akt vetëvrasjeje dhe si katalizues të një rryme antiperëndimore në Shqipëri. “Ka pak njerëz, por ka edhe në Partinë Demokratike që e kuptojnë “kodin” e saj. Kjo parti u krijua si aspiratë ndaj perëndimit e shoqërisë shqiptare përpara 25 viteve. Ky është fakt. “Shqipëria aktualisht rrezikon të përfshihet në një spirale anti-perëndimore. Ky është një rrezik real...Është e tepërt që letra e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të shikohet e lidhur edhe me “refuzimin” e Edi Ramës për dialog. Ky i fundit, në këtë fazë të reformës, nuk ka çfarë “të negociojë” edhe po të dojë ta bëjë këtë”, vijon Pandi, duke mbrojtur shefin e tij.
Cila është spiralja antiperëndimore? PD-ja ka në kandarin e vet qeverisës krime, vjedhje, shkelje, pabesi, por ka edhe një axhendë të palëkundur filoperëndimore. Që ka kurorëzimet e veta të pamohueshme. Siç mund ta dijë mirë ish-kryeministri qeveria e PD-së dhe ish-kryeministri i saj që Majko kujdeset të mos e mërzisë, loboi që ai të caktohej në funksionin e lartë në OKB për të cilin shpalli ambicien një vit para zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2013. Mund të këtë shumë arsye pse Majko nuk u zgjodh, por ndoshta e ka pyetur veten mos vallë ka luajtur rol fakti se vinte nga parti që mezi u pranua në Internacionalen Socialiste?!
Majko flet për historinë pasi i pëlqen aureola e kryeministrit të luftës së Kosovës, por në historinë e hipkorizisë ai zë një vend nderi. Pasi është ndër të rrallët që ka ditur që të paketojë me fytyrën dhe zërin e vet, me mimikën dhe gjestikulacionin origjinal, çdo budallallëk të mundshëm, për t’i dhënë edhe kësaj kategorie një koniunkturë. Për ta bërë edhe budallallëkun një lloj akti politik jo aq të pafajshëm, një llogari, një shteg ku çahet falë mëkatit të indiferencës që nxit shpesh “engjëlli i pafajshëm”. Është padyshim i vetmi që porosit veten për të këputur nga këto që lexojmë periodikisht. Nuk do të meritonte ky njeri asnjë rresht nëse nuk do të kishte patur ato detyra që i dimë. Nuk do të meritonte vendi koston e buzqëqeshjeve dhe hakërrimeve të tij patriotike, po të mos qe për ndikikimin diabolik që orkestron ky lubrifikues i krizave personale politike të Edi Ramës.
Reforma në drejtësi është padyshim një domosdoshmëri, por politkanët e vërtetë, ata që e njohin historinë, do të ishte mirë që të rrëfenin sinqeritet e të fillonin shembullin nga vetja. Sovraniteti i korrupsionit për të cilin na flet Majko, mund të nisë e të goditet nga qeveria, te njerëzit e saj, që po rezultojnë kudo si dorëzgjatur profesionistë. Një korrupsion që po ble së fundmi edhe të ardhmen e partisë, po ekzekuton çdo alternativë, sado e mekur. Me ndihmën e statuseve si këto të Pandi Majkos, këtij shoqëruesi të parë të çdo kryetari PS-je.
“Shqipëria është shteti më i sabotuar në historinë europiane”, shkruan Pandi. Nuk dihet si do ta lexojë historia një Pandeli Majko President, si sabotim të Shqipërisë apo si një shaka nga ato që mund të na i dhurojë – edhe për argëtimin e vet – një shakaxhi i Përparimit si Edi Rama. I cili meqë ra fjala, ka shkuar më tutje në kontesktin e kësaj sentence majkiste – është i aftë që të lejojë sabotimin. Pasi kështu fsheh më mirë paaftësisë. Ja pra sa thelbëore është fasada. Njësoj si buzëqeshja e Majkos. Meqë zotëria ka merakun e linjës antiperëndimore, por sjellim këtu atë që thoshte para disa kohësh në Parlament, kur u kujtonte “shokëve të idealeve të dhjetorit” se po prishnin godinën që kishin ndërtuar për kaq vite. E çuditshme si u shfaq kështu rruga e askundit.
Shaptilografisti
Comments
Shapti e ke mire....
Krejt dakord, ketij personi, qe pa shih, pa shih ka qene edhe keryeminister i Shqiperise, edhe budallalleku i vjen kaq natyrshem saqe mezi vihet re. Pa dyshim qe eshte me budallai nder ish-kryeministrat e Shqiperise, perfshire edhe kete palluqen e shakave me perparim. Nuk e di vetem a ia merr apo jo Adil Carcani pak ashtu sa per te mos e lene ne vend te pare.
Add new comment