Një karikaturë e autokratit frikacak e të tredhur që nuk pëlqen të vërtetën*
Ngjarja që po komentohet fort këto ditë është skandali i Edi Ramës me fotografinë e Obamës. Të gjithë janë në të drejtën e tyre që ta komentojnë atë gjest të Edi Ramës. Ka të drejtë Fatos Lubonja, ka të drejtë Lulëzim Basha dhe opozita. Të gjithë kanë të drejtë ta komentojnë, ta gjykojnë dhe ta fyejnë Edi Ramën për atë veprim që ka bërë, sepse, në një farë mënyrë, ai vetë u ka dhënë të drejtë të gjithëve. Por Edi Rama nuk ka të drejtë të fyejë gazetarët dhe të gënjejë ata. Në këtë pikë ai po sillet si Sali Berisha dhe po vijon me shpejtësi të arrijë të gjithë rekordet e zeza të tij. Po le të kthehemi te ngjarja. Skandalin e 80 mijë dollarëve e paraqiti para publikut agjencia BIRN. Ky rrjet gazetarësh ka disa kohë që janë bërë një medium i rëndësishëm e serioz që raportojnë në mënyrë të kualifikuar për shumë ngjarje të cilat kanë brenda korrupsion, deformim dhe tregojnë se si interesi i publikut shkelet në mënyrë të përsëritur.
Ajo i paraqiti publikut gjyqin që po bëhet në SHBA ndaj shtetasit shqiptaro-amerikan Bilal Shehu, i cili u akuzua tre vjet më parë se kishte përdorur para të marra nga jashtë Amerikës për të siguruar një mundësi fotografimi mes Edi Ramës dhe Barak Obamës. Raportimi i BIRN i datës 30 qershor thotë se “Sipas Reuters dhe mediave të tjera amerikane, Shehu pranoi fajësinë duke deklaruar se në shtator 2012 ai mori një transfertë bankare prej 80 mijë dollarësh “nga një burim i huaj” me dijeni të plotë se këto para do të përdoreshin për të paguar pjesëmarrjen në një aktivitet për mbledhje fondesh për fushatën e Obamës”, përfundon raportimi i BIRN. Pra kjo është ngjarja. Reagimi i Edi Ramës ishte një retorikë e mbushur me patosin e kapadaiut dhe me fjalorin e shpëlarë të baltës që po hidhet mbi të. Tani cilët janë ata që po hedhin baltën? Institucionet e drejtësisë amerikane? Edi Rama është vënë në garë me Sali Berishën për të sunduar në këtë vend me të njëjtat metoda.
Retorika e ndyrë dhe ligjërimi barbar e makabër që përdor sidomos Berisha ndaj Edi Ramës, në një masë jo të vogël, frymëzohet nga veprimet e Edi Ramës. Ky njeri edhe përballë raportimit serioz të një agjencie serioze nuk denjon të ulë kokën dhe të tregojë të vërtetën. Ky “kokëderr” siç thotë me përkëdheli Pandeli Majko është një karikaturë e autokratit frikacak e të tredhur që nuk pëlqen të vërtetën.
Le ta analizojmë në një plan tjetër ngjarjen. Do të kishte qenë në nderin e Edi Ramës që të tregonte me sinqeritet se po, unë, në vitin 2012, ndërmora një aksion për të përfituar nga fushata presidenciale amerikane dhe përmes një shqiptaro-amerikani doja që të përfitoja në mënyrë të drejtë një përparësi dhe të fotografohesha me Barak Obamën. Në fund të fundit po kërkoja të identifikohesha me presidentin e vendit që është jo vetëm kampion i demokracisë, por edhe kampion i mbrojtjes së shqiptarëve. Në reagimin që ai ka shpërndarë pranon se është takuar me Bilalin, por nuk pranon se ka paguar para. Përgjigjja e tij është kaq e mjerë dhe kaq e pagjetur sa edhe një fëmijë i klasës së tretë nuk mund të gënjejë ashtu. Edi Ramën nuk e akuzon Sali Berisha që ai e quan prodhues të baltës. E akuzon Bilal Shehu, i cili para gjykatës ka pranuar se ka marrë një transfertë parash për t’u derdhur në fondin e mbështetjes për Barak Obamën në mënyrë që të krijonte mundësinë për një fotografim të shqiptarit Edi Rama me presidentin e SHBA-ve.
Edhe Zëri i Amerikës e botoi të plotë seancën gjyqësore në ngarkim të Bilal Shehut dhe edhe aty u pa se ngjarja është e vërtetë, pra se Edi Rama i ka paguar 80 mijë dollarë Bilal Shehut që të përfitojë një takim dhe një fotografi me Barak Obamën. Nëse do të jemi pak më të hapur këtu nuk ka asgjë të keqe. E keqja qëndron te karakteri i Edi Ramës.
Ky njeri, ashtu si Sali Berisha, është gatuar me shkollën otomane të të qeverisurit, sipas së cilës politikani luan gjithmonë me dy të vërteta. Ai i fsheh veprimet e tij pas interesave të popullit. Nëse në Shqipëri komunistët dhe Enver Hoxha kryen krime makabre, ata gjithmonë bënin kujdes që e vërteta ose kronologjia e ngjarjeve të fshihej. P.sh, nëse tharja e kënetës së Maliqit ishte një vepër e madhe, sepse përfitohej një tokë fushë dhe shmangeshin mjaft të këqija të ekosistemit, ajo, në të njëjtën kohë, ishte edhe një betejë që komunistët e shfrytëzuan për të kryer dy vepra. Aty u dërrmuan në punë të rënda dhe çnjerëzore të burgosurit politikë, por narracioni komunist nuk foli kurrë për ta. As letërsia e realizmit socialist nuk i përmendi kurrë. Pse? Sepse kjo e vërtetë ishte vetëm për konsum komunist dhe këto ngjarje duhet të mos tregoheshin në publik, sepse popullit i tregohej vetëm ana e ndritur, jo ana e errët.
Këtë vetëdije e pati edhe Sali Berisha gjatë qeverisjes së tij. Ai vrau, vodhi e qeverisi si një ish-komunist autokrat me dy standarte dhe gjithmonë i tregonte publikut vetëm një të vërtetë. Të njëjtën gjë po bën edhe Edi Rama. Media e ka akuzuar hapur për favorizimet që ai ka bërë në fushë të koncesioneve apo për favorizmin skandaloz të chek-up-it që i bëri Vilma Nushit, por ai asnjëherë nuk e pranoi të vërtetën dhe publikut i servirte vetëm atë të vërtetë që i shërbente atij të mbulonte anën e errët të mentalitetit otoman që ai ka. Edhe në këtë rast, Edi Rama e fsheh të vërtetën sepse, sipas mentalitetit të tij, ngjarjet e errëta janë pjesë e performancës së politikanit, janë art i politikës, janë konspiracion pozitiv. Është kjo arsyeja që Edi Rama sot nuk ka asnjë zë të opinionit publik që ta mbështesë. I vetmi zë që e mbështet dhe e justifikon është vetëdija e tij prej frikacaku dhe politikani të tredhur që natën kur është vetëm dhe pa gjumë, bën plane se si të fshehë të vërtetën ditën kur të dalë në publik dhe kur të rrotullojë sytë në eter për të gjetur pikën e errët të mashtrimit.
"Shqip"
*Titulli origjinal: Edi Rama fyen gazetarët
Comments
Ylli bravo per shkrimin real,
Ylli bravo per shkrimin real, po nuk arrij akoma te kuptoje nje gje; duket sikur kini rene dakort te gjithe, qe kur te kapet me presh ne duar Edi Rama(dhe kjo gje po ndodh kohet e fundit ne menyre gati te perditeshme), ta qelloni me pambuk! Dhe nuk kam lexuar deri me sot nje shkrim kunder Edi Rames qe te mos permendet qofte edhe nje here te vetme Saliu. Duket sikur te gjitha shkrimet qe botohen ne shtyp i redakton Erion Braçe.
Eshte nje nga gjerat qe bejne
Eshte nje nga gjerat qe bejne me mire. Sido qe te ndodhe e kurdo qe te ndodhe nuk duhet kurre krijuar ideja se shpetimi nga Rama eshte kthimi te Berisha.
Edi Rama eshte nje kombinim i
Edi Rama eshte nje kombinim i peshtire i ballkanasit te pagdhendur e te paedukate me piktorin pseudomodern patalent , i otomanit ne kocke e katolikut ne farse . Eshte produkt realizmi socialist dhe i pamundesise per te qene perendimor, Nje Berishian besnik e Sorosian qesharak. Nje gje eshte e sigurte. Do te largohet me turp . Madje me i turpuruar se Berisha sepse me i paafte e me i paburre.
Je dobet Ilir, shume dobet.
Je dobet Ilir, shume dobet. Nuk cuditem qe Respublica te publikon sepse ka kohe qe eshte kthyer ne nje "sopate" per kedo qe e "dredh bishtin"; por ky shkrim eshte pambuk ne nje ane dhe kercu nga ana tjeter. Thjesht bie ere interesash te prishura. Nejse, koha e tregon. Shpresoj qe me mire te gabohem une(qe nuk jam njeri publik)......
Ps. Flm Respublica qe na sjell opinione,
Add new comment