Dhjami, ose "Gjama e Arbrit"
Lezha përkujtoi në një mënyrë të veçantë 557-vjetorin e vdekjes së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skëndërbeu. Autoritetet lokale dhe përfaqësues të klerit katolik inskenuan pranë memorialit të Gjergj Kastriotit, 'Gjamën e Burrave
Ky status të del para në Facebook shoqëruar një videoje ku shihen disa burra që nderojnë atë që duket të jetë Gjergj Kastrioti i vdekur. Aktiviteti është zhvilluar në Lezhë në janar të këtij viti dhe ideja është e qartë: Skënderbeu të kujtohet me një element karakteristik të zonës. Deri këtu asgjë e keqe. Mirëpo ceremonitë është mirë të jenë orgainzuar sa më mirë që edhe të mbeten, e pse jo të bëhen traditë, ose të paktën të dëshmojnë një respekt real.
Nëse sheh videon, burrat e “Gjamës së Burrave” janë të gjithë njerëz me probleme shëndeti: barku nuk i lë të ulen mirë dhe të përshtaten me natyrën olimpike të valles luftarake. Është dhjami i mirëqenies së tranzicionit që nuk të lë të nderosh si duhet heroin. Që për ters ka qenë edhe Atlet i Krishtit!
Heroi ka vdekur por nëse shpirti i tij sillet aty vërdallë me siguri që po sheh i çuditur këpucët e valltarëve; një palë nuk i ngjan tjetrës. Shembull i qartë se te ne Ansamblet krijohen në muhabet e sipër në lokal. Mjafton të shohësh muzikantët e Bashkisë Tiranë kur dalin rrugëve për të kuptuar se e mysëta dhe e lugëta vendosen kaq keq pranë njëra – tjetrës saqë vetëm sfondi karakteristik i të grurtës së flokëve të djegur retushon efektin gjeometrik duke dhënë një stinë më vete estetike. Ndodh vetëm këtu e askund tjetër.
E megjithatë ne kemi patur një traditë të mirë në këto punë: valltarët që dilnin dikur ishin shqiponjë që ngërthenin skenën dhe i jepnin dinjitet profesional punës së tyre dhe respekt ngjarjes apo figurës. Si shkuam nga shpiponja te gici? Askush nuk e di mirë, por një përgjigje është se nuk ka ndodhur ky kalim. Thjesht të gjithë bëjnë punën që nuk duhet ta bënin. P.sh ky që duket në foto me shpinë, ka futur celularin nga pas, se me siguri po pret një thirrje urgjente. Ta ketë vënë me dridhje thua! Apo zile? Pikëpyetje serioze është. Megjithatë sikur ta linte me ekran nga jashtë do dukej edhe kush e merrte! T’ia ketë numrin Muzaka këtij? Apo Arianiti? Noshta edhe ia ka.
Ky është vetëm një episod i kamzalizimit të çdo gjëje në këtë vend. Një vend që zakone ka patur. Edhe tradita. Dhe zakone jo të këqija, me përmbajtje dhe hierarki. Dhe zakonet nëse ndiqen, ndiqen siç duhet. Përndryshe nuk quhen më të tilla.
Me zakone të reja na vijnë tashmë edhe dasmat, vdekjet e gjithçka dhe as gëzim në dasma nuk ka, as hidhërim në vdekje! Ka vetëm sëkëlldi dhe një detyrim për t’u hequr qafësh dhe shpenzime. Shumë shpenzime! Padashur kjo rrëpirë morale u shndërrua në kulturë dhe me kulturën do përshtatesh se ku jeton, këtu jeton! Ja,të qeshësh është shenjë përshtatjeje, jo talljeje! Një hap i parë sigurisht!
s.zaimi
Comments
Kuku bre si ka harru Marin
Kuku bre si ka harru Marin Mena me na ba nji emision per " gjamen e burrave"?
Eshte dashur me e fut ene te tifozet e kombetares. Kur perfaqsuesja jone te humbe, tifozet me ne krie Marini duhet me qajne me ksi lloj gjame.
Add new comment