Mund të bëhej më mirë

Postuar në 12 Tetor, 2024 18:55
Skerdilajd Zaimi

 

Një kartolinë me një fotografi të vjetër të Durrësit – stampuar në Terni të Italisë – të nxjerr para syve qytetin bregdetar të Shqipërisë të viteve ’30. Ndonëse e padatuar, koha mund të hamendësohet nga prania në të e Vilës së Zogut, në kodrën dominuese anës detit. Në pamje të parë, Durrësi i kësaj fotoje të jep idenë e një fshati modest të shekullit të 20-të ose edhe të “19-të i palakmueshëm pë ndonjë gjë.

Këtë Durrës nuk do ta njihnin me gjasë as banorët antikë të “Tavernës së Adriatikut”, nuk e njohim edhe ne sot. Antikët nuk do ta njihnin qoftë duke u nisur nga rrënojat që trashëgohen dhe ilustrojnë shtrirjen e një qyteti që më vonë mori rëndësi ushtarake dhe gjeopolitik edhe për Bizantin, por nuk e njohim dot edhe ne sot. Një kodër e butë anës detit, e gjelbëruar dhe me shtëpi të mbajtura mirë nga sa duket, nuk ka asgjë të përbashkët me Gazën e sotme në anë të Adriatikut.

Filozofia e urbanizimit nën drejtimin e logjikës së shërbimit dhe bizneseve të argëtimit ka sjellë atë që kemi sot në Durrës, por edhe në Vlorë apo Shëngjin. Por nuk fillon këtu. Ndoshta zë fill te ajo psikologjia e uzurpimit që ka dikush të cilit i hapet rruga drejt qytetit. Të ashtuquajturat qytete shqiptare të sotme nuk kanë asgjë të përbashkët apo që të të kujtojë qytetet bregdetare të Mesjetës në këtë territor, që si kudo organizoheshin rreth kështjellave, portit me lidhje organike me prapatokën. Qytete që krijuan hierarki, ose do krijonin.

Qytetet tona sot nisën nën parimin organizues të kapanonit dhe përfunduan nën prirejn për të komercializuar çdo hapësirë. Me koston e mbulimit, apo shkatërrimit të së shkuarës.

Nuk është e sotme. Është e hershme. Dikush tregonte një histori sesi dekada më parë, Medar Shtylla, një njeri i arsimuar apo jetuar jashtë, i propozoi Enver Hoxhës prishjen e pazarit të vjetër në Korçë, propozim që me gjasë nuk u pëlqye nga Hoxha që kërkoi në atë rast formalisht mendimin e Gani Strazimirit. Që e ndaloi prishjen. Të imagjinojmë Medar Shtyllën si një Edi Rama që ndërton të renë duke imituar vërdallë dhe shkatërruar të vjetrën: në vend të pazarit një mapo “moderne”. Fati e solli që E Vjetra të riafirmohej në Korçë, përkundër eksperimentit të mësipërm që ilustron se çfarë gjymtimi estetik kanë shijet tona që vjedhin nga të mundin dhe sesa pa koordinatë është etika jonë për të shkuarën dhe të ardhmen.

Pak ditë më parë në COD në kryeministri, universiteti “Polis” organizoi një aktivitet për arkitektiurën në ditët tona, zgjidhjet “e reja” që jepen e kështu me radhë. Përmes punës së një arkitekteje franceze mund të shihje se eksperimentet e disa individëve në Europë, janë implantuar në indin urbanistik të Tiranës, pikërisht në zbatim të asaj marrëdhënies okulte që vepron përherë.

Ironikja ishte se ky demonstim “i së resë” zhvillohej në një sallë ku ekspozoheshin veprat e Ansastas Konstandinit, që frymëzohen dhe ushqejnë admirimin për Pogradecin, jetën e atyshme, liqenin, të gjithë atë modesti ujërash dhe hëne që mban gjallë një të bukur të shqyer nga zilia e kafkave të të pangopurve dhe zorrëve të palidhura ende nga buka dhe mishi. Një modesti e fisnikëruar nga guri i mureve, tjegullave, varkave, nën tiraninë e përjetshme dhe fatlume të një horizonti që përkëdhel çdo kohë. Atë album natyror që kaq shumë përçmohet nga "arkitektura e re" që mund ta quajmë më mirë "arkitektura e materialeve të reja".

Sigurisht që e reja do të duhet të triumfojë, por nëse do ta kërkonim të Renë tek ai Durrës i nemitur i fotos në fjalë, ku vallë do ta gjenim sot?

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Eshte vetem nje pjese e qytetit, po si fshat nuk duket...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.