Shqipëria, vendi që ia jep shansin çdo budallai!

Postuar në 17 Shtator, 2024 15:05

Dy prej intelektualëve më të shquar të kohës sonë, Blendi Fevziu dhe Ylli Rakipi, diskutonin dje për një temë shumë aktuale dhe të dukshme: servilizmi dhe nënshtrimi gati reflektiv i të rinjve të sotshëm. Të shkolluar jashtë, të rritur në kushte shumë të mira dhe të paprivuar nga liritë dhe të drejtat , këta të rinj shpalosin një kulturë që të lë gojëhapur.

Edi Rama është 10 hapa para. Ai mendon më shumë për Shqipërinë sesa për vete. Edi Rama nuk ka asnjë të metë.

Ja disa deklarata të rinjsh me emrat Ilda, Roi apo Helena për kryeministrin. Të dy intelektualët e pavarur ishin të çmeritur nga ky lloj manifestimi, duhet thënë i neveritshëm.  Me këtë rast Fevizu u bëri një thirrje të rinjve: Mos u servilosni, por përkushtohuni në profesion! Patjetër, nën shembullin e tij.

Çështja në fjalë është shumë e rëndësishme: si shpjegohet që kjo kulturë të ketë vend dhe të frymojë sot? Kaq hapur, kaq çlirët dhe shpenguar, mes njerëzve që duhet të kishin kuptuar se fati i ka privilegjuar me Lirinë. Por edhe Mirëqenien! Këta të rinj nuk janë naivë. Ata e dinë shumë mirë se çfarë po thonë dhe pse. Ata po investojnë për rrugën e shkurtër, karrierën e lehtë, qylin që është kultura jonë kryesore.

Po çfarë ka këtu për t’u habitur? Dikur Konica fliste për Levantinin në Shqipëri. Na dukej diçka e largët dhe argëtuese, por Levantini është formacioni kryesor psikologjik në këtë vend. Shqipëria e Enver Hoxhës gëlonte nga tipa levantinë në llojin e tyre dhe megjithë propagandën e bërë, ata triumfuan. Fëmijët e Bllokut ishin ca të tillë, një kiç në mes të Shqipërisë.

Pse duhet të befasohemi atëherë kur shohim të njëjtën gjë? A nuk e quajmë mes nesh, në biseda dhe diskutime, si zgjuarësi të qenit i futur, marifetçiun, hileqarin, mashtruesin e kështu me radhë? Pse servilizmi qenka më keq se këto? Vetë Edi Rama është shembulli i servilit, njeriut me komplekse që arriti majën e pushtetit. Ka video mjaftueshëm ku ai shfaqet si manari i Ilir Metës, kur i shkon me lule në spital Fatos Nanos, kur i shmangej si djalli temjanit Edi Palokës, kur lutej për titra lajmesh, apo kur hynte e dilte kokëulur si gjynahqar nga zyra e Gramoz Ruçit.

E kemi parë videon e Ogerta Manastirliut adoleshente sesi i servilosej publikisht Edi Ramës? Po ç’mund të themi për Elisa Spiropalin, apo atë ministren e Sipërmarrjes?! Po këta “burrat” që i rrinë vërdallë? I kemi parë të gjithë sesi shtrëngohen kur hyn kryetari se helbete, ai u ka në dorë të ardhmen e ndritur.

Ku qëndron pra e reja? Edhe Edi Rama hyn te njerëzit me familje të privilegjuar në kohën e Hoxhës. Kjo nuk e pengoi të jetë një nga lëpirësit më antioksidues që ka patur politika. Po Mirela Kumbaro? Ministresha që qesh vesh më vesh. Një jetë në fakultet, e me fondacionin “Soros”, sërish hosananë e ka tabiat të lindur.

Të mos habitemi pra fare. Liria nuk ka vend në Atdheun e Shqiponjave. Kjo është propagandë, është Mit. Personaliteti dhe Dinjiteti, janë mall që shiten në kosto mes nesh. Kështu që ta lëmë mendjen të lirë nga imagjinata e induktuar në shkollë se jemi shoqëri me cilësi e të tjera e të zbresim në tokë. Në baltën tonë, aty ku harbon dhe gjallon në mënyrë vitale, shushunja, këpusha dhe miza e buallit. Pa dilema dhe keqardhje. Ta shohim veten në sy e ta themi: Shqipëria, vendi që ia jep shansin çdo budallai!

s.zaimi

Comments

Submitted by uh ah (not verified) on

budallalleku aty eshte ne kufijte superiore.
dhe se si e hap kete shkrim me kete fjali : Dy prej intelektualëve më të shquar të kohës sonë, Blendi Fevziu dhe Ylli Rakipi,
tregon qe je pjese e atij yci, qe hapet e mbyllet nga kjo ushtri budallejsh.
nuk e lexova artikullin se qe kur lexova fjaline e pare (duhet te jesh vertet i shkare ta mendosh se keta dy gomare jane intelektuale) e lashe se keta te dy jane fiks mere njerin e perplase pas tjetrit.
eh ja kjo eshte sad state of affairs ne shqiperi ...

Submitted by Ngjala per te gjithe (not verified) on

Google.com mund t’ju ndihmoje po te kerkoni kuptimin e fjales “ironi”. Pastaj, nqs arrini te kuptoni shpjegimin e fjales, rikthehuni dhe lexoni artikullon.

Submitted by X (not verified) on

Kjo rini e sotme eshte rreziku me i madh per vendin neser! Eshte rini parazite e pasinqerte, e ulet dhe shume e demshme! Rama po e josh dhe ushqen kete lloj monstre qe do shkaterroje edhe ato pak gjera pozitive qe kane ngelur ne vendin tone!

Submitted by Anonymous (not verified) on

Mirë këta të rinjtë se ndoshta ëndërrojnë për të ardhmen po unë nuk kuptoj servilosjen e një profesoreshe si Luljeta Bozo së cilës nuk i mungonte asgjë e madje një pensioniste e nderuar e prapëseprapë pranoi të bëhej maskotë fushate.

Submitted by TopeTope (not verified) on

Skerdilajdo, me thuj qe e ka me ironi fjaline e pare se ndryshe me rregull treshi i bi te kesh shans dhe ti.

Submitted by Miau Miau (not verified) on

Seksist Skerdilajd.
Shpresojme qe dy intelektualet me te shquara te shoqerise sone amorfe dhe pa spine znjsh Erla Mehilli dhe Grida Duma pse Jo edhe Rudina Magjistari te mos kene lexuar shkrimin tend. Se Arian Cani dhe Denis Dyrnjaja nuk e ruajne fare pasi jane qose

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.