Pas raportit të Reporterëve pa Kufinj, Ekzekutivi jep leje krijimtarie për analistët me sindromën PAS

Postuar në 04 Maj, 2024 17:00
Shaptilografisti

 

Raporti i fundit i Reporterëve pa Kufinj dhe reagimi i kryeministrit Edi Rama se do të marrë masa, përfaqëson një sinjal se padishahu i Tiranës do ta korrigjojë imazhin e vet edhe në këtë drejtim. Për këtë arsye, parashikohet një ndryshim sjelljeje në raport me gazetarët, ndërkohë sipas burimeve të “Të Kripura”, qejahaji i lajmeve të kryeministrisë, Endri Fuga është urdhëruar të bëjë një lëvizje tjetër propagandistike.

Burimet zyrtare raportojnë se Fuga ka mbledhur në një takim analistë dhe gazetarë të njohur në vend, që janë të pavarur, por për shkak se vuajnë nga sindroma e PAS - Përputhjes Afatgjate dhe Spontane – me qëndrimet e qeverisë, për t’u sugjeruar që të kalojnë disi më në qendër. Është hedhur madje ideja e Javës së Analizave të Lira, ku secili prej këtyre analistëve do të jenë të lirë për të shkruar çfarë mendojnë dhe si e mendojnë për politikën, duke mos i cilësuar ato si opinione përfaqësuese. Burimet shtojnë se titanët e analizës si Minxhozi, Yzeiri, Vangjeli, janë shqetësuar nga ky koncesion i papritur lirie, duke cilësuar në diskutim me qehajain Fuga se kjo është fyese.

Unë lirisht i kam shkruar ato që shkruaj dhe kam thënë

është shprehur një prej të pranishmëve.

Edhe unë

ka vijuar tjetri.

Një situatë surreale për qehajain që nuk po u besonte veshëve pasi nëse liria është ushtruar në analizat e zotërinjve në fjalë, çfarë mund të shkruhet ndryshe në Javën e Analizave të Lira. I vënë në siklet nga kjo situatë Fuga ka sugjeruar se “megjithatë diçka kritike mund të gjendet për qeverinë”, sepse edhe sipas tij, "jo çdo gjë shkon perfekt".

Tregohet Rama shumë i butë me Berishën. Na ka bllokuar rrugën e Salës ai, Doktori

ia priti Yzeiri, një kritikë të cilën Fuga me qetësi sugjeroi ta botonte pak më vonë.

Në takim ka marrë pjesë me skype edhe Laert Vasili, por me opsionin “Mut” të audios, pra vetëm si dëgjues, nisur nga fakti se si aktor ai duhet vetëm ta mësojë skenarin. Takimit i është drejtuar me një letër edhe Fatos Tarifa përmes së cilës protestonte si intelektual për maniera proteksionizmi nga ekzekutivi, për çka siç edhe shprehej do të publikonte së afërmi një shkrim, pasi ta konsultojë me Spartak Ngjelën. Të cilit siç raportohet nuk i është dërguar ftesa për shkak se nuk ka deklaruar adresën. 

Një situatë gati depresive dhe fyese për njerëz që lirinë e kanë të ravijëzuar në antropologjinë e tyre faciale dhe që ilustron arrogancën e pushtetit që duket se nuk po di sesi të gatuajë pakëz paqe në këtë vend.

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Po per padishahun e Kosoves nuk keni gje per te thene? Nuk lini rast pa e vene perballe Edi Rames.Se Kosova ka humbur 19 vende. Dhe zedhenesi i qeverise se liderit te te gjithe shqiptareve Albin Kurti e kishte gjetur ku flinte lepiri. Ne Banjske.
"Rënia e nivelit të lirisë së mediave sipas tij ka ndodhur për shkak të ngjarjeve në veri."
Nuk eshte pak 19 vende nuk justifikohet me nje ngjarje.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.