Debatikas 2030

Postuar në 12 Shtator, 2024 19:00

Kohët kalojnë dhe çdokush që hyn në politikë, ose që e marrin si rekuzitë për teatrin politik merr formën dhe nis e mendon në mënyrë reflektive sipas shefit. Shikoni nënkryetarin e Grupit Parlamentar të PS-së, Toni Gogu. 

Për parantezë, i duhet kërkuar ndjesë Taulant Ballës që aq shumë e kemi tallur e stigmatizuar, pasi në fund të fundit, edhe duke bërë papagallin e kryetarit, ka 20 vjet në Parlament dhe detyrën e drejtimit të grupit parlamentar edhe i takon ta marrë. Toni Gogu? Nënkryetar? Ngjan si Lenka Çuko dhe Pali Miska pas pastrimit të gardës së vjetër!

Do të ishte e dobishme nëse prurje të tilla do të pasuronin edhe ligjërimin politik, pse jo të kishte edhe ide të reja. Por njeriu sheh se çfarë rraqesh janë të gjithë në atë kanape ku kryetari i merr e i vërvit si leckat e bojatisura pas një pikture të shkuar keq. Duke folur sot për Aktin e ri Normativ që lidhet me Shëndetësinë, personi në fjalë, ka deklaruar ndër të tjera ka thënë:

Ndryshimet që ne propozojmë nuk janë rregullore abstrakte; ato janë përgjigje ndaj dhimbjes dhe tradhtisë së përjetuar nga këta qytetarë.

Duke zbatuar rregulla të qarta për punësimin e dyfishtë dhe transparencën në ndërveprimet mjek-pacient, jo vetëm do të parandalojmë konfliktet e interesit që kanë pllakosur sistemin tonë shëndetësor, por do të rindërtojmë edhe besimin e humbur.

Ne duhet të krijojmë një regjistër publik ku çdo mjek të jetë përgjegjës, ku çdo qytetar të shohë se kush është përgjegjës për kujdesin e tij dhe ku nuk ka vend për monopole apo shfrytëzim.

Skandali te Onkologjiku duhet të jetë një pikë kthese, një thirrje zgjimi që na detyron të veprojmë - jo më vonë, jo pasi të jetë bërë më shumë dëm - por tani. Urgjenca është e qartë. Nevoja është e pamohueshme. Le t'i kalojmë këto ndryshime jo thjesht si një detyrim ligjor, por si një imperativ moral.

Qytetarët e Shqipërisë po shikojnë dhe kanë besim tek ne për të ofruar sistemin e kujdesit shëndetësor që meritojnë – transparent, të përgjegjshëm dhe gjithmonë në shërbim të mirëqenies së tyre

u shpreh Gogu.

Këtu ka një problem shumë serioz që shkon deri në kufinjtë e talljes cinike me njerëzit. Zoti Gogu na thotë se ndërhyrjet legjislative kanë ardhur si ndjeshmëri dhe reagim ndaj një skandali të denoncuar nga Prokuroria në spitalin onkologjik. Ndërkohë që për 11 vjet në pushtet, shumica ku ai aderon ka folur për “ndryshime epokale” në sistemin shëndetësor, për transformime të jashtëzakonshme. Vetëm për shërbimet e koncesionuara, z. Rama ka deklaruar disa herë se “mbaroi tortura e njerëzve”, apo për digjitalizimin e shërbimeve se i dha fund radhëve.

Si vallë sot flitet për tradhëti ndaj njerëzve? Si vallë reformat epokale precipituan kaq shpejt në sisteme të kapura? Dhe si vallë këto na u zgjidhkan me ndryshime për Urdhërin e Mjekut? Ështe e njëjta shumicë që injoron në mënyrë të vazhdueshme auditet e KLSH-së, të cilin po do ta çmontojë si institucion. U desh hetime penal, shpërthimi “si skandal” që qeveria të preket e të veprojë. Sepse në fund të fundit, çështja është vetëm politike: sa kohë që nuk bien në sy, lëre të vazhdojë në rënie të lirë. Kjo optikë e detyroi kryeministrin të fliste në Asamblenë e PS-së për ngjarjen e Pogradecit: pikërisht sepse krijon sensibilitet social. Nga ana tjetër, mënyra sesi flasin zyrtarët socialistë përfshirë si z. Gogu është shumë skematike, shumë sipëfaqësore dhe nuk lidhet në asnjë drejtim me realitetin e sektorëve që është shumë më kompleks. 

Kur pacientët që tashmë po luftojnë për jetën e tyre përballen me sisteme korruptive dhe praktika shfrytëzuese, bëhet e qartë se ne i kemi dështuar në mënyrën më themelore. Dhe është detyra jonë morale të sigurojmë që dështime të tilla të mos ndodhin më kurrë

shprehet Gogu ndër të tjera.

Si na e siguron këtë “Kurrë” ne ky zyrtari socialist? Sepse edhe në shkencë “Kurrë” nuk ekziston. Detyra e politikës është të ndërtojë sisteme funksionale, të cilat korrigjohen në ekseset e tyre rrugës. Por nuk mund të premtosh se kurrë më nuk do ndodhin gjëra të tilla. Absolutizmi me të cilin shfaqen këta njerëz është kaq i përsëritur dhe kaq shpesh i përgënjeshtruar, saqë do të ishte logjike dhe disi serioze që të ndryshohej gjuha e komunikimit, e cila do të lidhej me besimin kur politika penale të zbatohej pastër, qartë dhe pa asnjë tolerim.

Nuk mund të ketë “Kurrë” nga një sallë ku pakkush e di se nuk po hetohet ende. Njeriu merr zotim ultimativ në emër personal dhe të një ideali, por nuk mund të garantojë sterilizim shkeljesh dhe problemesh në një ekip. D.m.th njeriu duhet t’ia kursejë vetes të qenit kaq pak serioz vazhdimisht. Zoti Gogu duhet të kujtohet se ka ikur nga ekipi i Zdromsit të Bashkisë ku çdo gjë është perfekt.

s.zaimi

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Ky u nis ti shërbejë Zotit e bitisi ti shërbejë shefit. Ndoshta e sheh shefin si Mesia. Kështu shkoi kjo punë, dikush e sheh si Skënderbeu, dikush si Zot ndërkohë që ai vetë u frymëzua nga Ismail Qemali. Gjithë kjo përkujdesje për fasadën se punë këta as kanë bërë e as nuk dinë të bëjnë. Këta kanë lindur veç për të dhënë mend e për të vjedhur.

Submitted by Anonymous (not verified) on

I ke rene ne koke. Fiks sic shkruan.
Kjo eshte Rilindja e Ali Babes me 40 hajdute. Gogu i bekon si Pastor qe eshte.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.