Të shkruash për atë që nuk je, është të eksplorosh se kush je
Një nga avantazhet e epokës postmoderne të rrjeteve sociale është dhe njohja me njerëz, që jetojnë në kontinente krejt të largëta, si Australia, që në imagjinatën time ndërlidhet me imazhe filmash e dokumentarësh me kangurë, krokodilë e peshkaqenë, krahas ndërtesave futuriste e zhvillimit teknologjik të vendit. M’u desh të kontrolloja disa herë mesazhin e fundit me Miranda Xhilagën, për t’u siguruar që ora 10:00 në zonën europiane korrespondonte me orën 20:00 të darkës në Melburn të Australisë. Miranda u shfaq në kamera me një bluzë shumë të hollë, e bezdisur pak nga vapa australiane, ndërsa unë e mbështjellë mirë nga i ftohti konstant i Belgjikës. Për ndjekësit e Mirandës, Miranda njihet kryesisht si poete, disa e njohin edhe si përkthyese, kurse profesioni i saj i vërtetë, ai i ish-mjekes dhe tashmë hulumtueses shkencore ngjan sikur i përket të njohurve dhe miqve të saj më të afërt.
***
Nga Shqipëria në Melburn. Melburni është kryeqyteti bregdetar i shtetit Viktoria në Australi dhe qyteti i dytë më i mbipopulluar i vendit, por dhe qendër e rëndësishme historike e kulturore e aborigjenëve australianë të etnisë së kulinëve. Si do të prezantohej një dibrane kontinentale në një vend oqeanik?
Kjo është bukuria e të jetuarit në këtë vend. Nuk ekziston asnjë parakusht - prezantohesh si vetvetja. Në Australi jetojnë mbi 270 nacionalitete. Mund të them me siguri të plotë se nuk më është dashur kurrë të pretendoj të jem dikush tjetër. Australianët janë të interesuar për çdo gjë: historinë, kulturën, gjuhën, sistemin politik, kuzhinën. Janë të gjendur dhe të dashur.
Më vijnë ndërmend imazhet e plazhistëve australianë me kapuçet e kuqe të babagjyshit, që transmentohen në ekranin e televizorit, në prag të festave të fundvitit. Gjithmonë më ka ngacmuar mendimin ky ndryshim stinor në festimin e jubileut të Vitit të Ri anembanë globit. Si e keni përjetuar këtë atmosferë diametralikisht të ndryshme me atmosferën alpine ku u rritët dhe shpirtin e përrallave të Andersenit?
I çuditshëm, i palezetçëm, anormal, i trishtë, nuk di ç’fjalë tjetër të përshtatshme të gjej për të ilustruar trishtimin, që më kaplon. Sa shumë më mungon dëbora në dhjetor dhe festat e fundvitit ne Shqipëri! Pothuajse nuk e mendoj më: blejmë dhurata, zbukurojmë pemën, pjekim prodhime deti në zgarë për Krishtlindje, dhe kaq. “Dhjetori Australian”, quhet në mënyrë humoristike “Christmas in July” (Krishtlindje në korrik). Shumë australianë festojnë më tepër fundin e dimrit, se sa ndërrimin e vitit. Nata e Vitit të Ri, nuk përbën festë të madhe familjare në Australi. Familjet festojnë më së shumti Krishtlindjet. Ndërrimi i vitit festohet kryesisht me një spektakël fishekzjarresh për të cilin punohet gjithë vitin. Pjesa më e madhe e australianëve mblidhen në qendër të qytetit, për të festuar së bashku ardhjen e Vitit të Ri (the countdown).
Para se të largoheshit për në Australi, ju kishit një karrierë të ngritur si mjeke në Shqipëri. Çfarë ju shtyu të linit profesionin e mjekes dhe të orientoheni drejt hulumtimit shkencor?
Një histori tepër e gjatë. U bënë gati 30 vite, që jetoj në këtë vend. Në Shqipëri kam punuar si mjeke e përgjithshme (Peshkopi, 1989-1992) dhe si Drejtoreshë e Qendrës Rehabilituese Balneare (Llixhave të Peshkopisë, 1992-1994). Në të vërtetë, pas specializimit në drejtimin e institucioneve shëndetësore në Francë, në 1993, punoja më tepër si drejtuese, se sa si mjeke. Ideja ishte, që pas specializimit të udhëhiqja transformimin e Qendrës në një institucion modern të parametrave europianë, çka kërkonte investime të konsiderueshme dhe një mendësi krejt tjetër nga ajo ekzistuese. Me pak fjalë, specializimi im ishte i parakohshëm për periudhën në fjalë. Kishte një konflikt të jashtëzakonshëm mes pronarëve të tokës, pushtetit lokal dhe Ministrisë së Shëndetësisë (Qendra Balneare ishte në varësi të kësaj të fundit), çka e bënte të pamundur ndërmarrjen dhe realizimin e çdo iniciative nga ana ime. Do të kisha dashur shumë të bëja diçka për qytetin tim, por nuk qe e mundur. E kujtoj me nostalgji këtë pjesë të karrierës sime.
Qendra kishte një personel të shkëlqyer prej 48 punonjësish, infermierë, terapistë, masazhierë, personel drejtues e mirëmbajtës dhe personel të hotelerisë e kuzhinës (ky i fundit, njihej si më i miri i qytetit). Për arsye personale, në shkurt të 1994-s u largova për në Australi.
Si ka qenë eksperienca e viteve të para në Australi?
Kur mbërrita në Australi, kisha avantazhin e mbështetjes emocionale dhe ekonomike. Por, pavarësisht kësaj, integrimi ishte i vështirë, pasi gjuhët që zotëroja, shqipja dhe frengjishtja, nuk i hynin në punë kurrkujt në një vend anglishtfolës. Gjithashtu, tridhjetë vjet më parë, mjekët e huaj shiheshin me sy tjetër (sot ka ndryshuar gjithçka, mjekët e huaj i gjen kudo, edhe ata shqiptarë). Konvertimi i diplomës ishte hapi i parë. Njohja e diplomës, më jepte të drejtën të ndiqja studime pasuniversitare. Detyra ime ishte të mësoja gjuhën shkëlqyeshëm për nëntë muaj e pastaj të aplikoja. U pranova në kursin e Imunologjisë Teorike e Klinike në Universitetin Monash të Melburnit. Pjesë e këtij kursi, ishte mbrojtja e një teze të vogël 60 faqëshe rreth një studimi krahasues mes dy metodave mbi diagnozën e infeksionit nga virusi i Sida-s. Atë ditë takova një grua (profesore dhe specialiste sëmundjesh infektive në spitalin qendror publik të Melburnit), e cila do të bëhej një figurë e rëndësishme në jetën time profesionale dhe një mikeshë e shkëlqyer.
Doktoraturën e përfundova në laboratorin e saj, në një nga institutet më të njohura në botë për hulumtime shkencore në këtë fushë. Me mbështetjen financiare të qeverisë australiane, m’u mundësua specializimi në Francë (Strasbourg, 2000) dhe në USA (Bethesda, Washington DC, 2002-2004). Dy dekadat e fundit kam punuar në fushën e kancerit, si drejtoreshë e programeve shkencore për një organizatë jo-qeveritare dhe që në maj të 2020-s, punoj në një nga organizatat më të njohura në botë, që është në vijën e parë të luftës kundër diabetit të tipit I (diabetes mellitus). Hulumtimet shkencore, sidomos për mua që kam studiuar mjekësi, janë fusha më e bukur, më dinamike e eksituese, që mund të kisha zgjedhur. Në të vërtetë më zgjodhi, u përfshiva në atë valë përpjekjesh nga një ekip i jashtëzakonshëm dhe mbeta aty.
Pas një përvoje të gjatë në disa vende të botës, cilat janë ndryshimet kryesore mes sistemit shëndetësor të Australisë, Europës e SHBA-ve?
Ka një ndryshim thelbësor mes sistemit shëndetësor amerikan dhe atij australian: sistemi shëndetësor amerikan ngrihet mbi përfitimin dhë punësimin, duke lënë jashtë një përqindje të konsiderueshme të popullsisë (të papunët); ndërsa sistemi shëndetësor australian, i quajtur Medicare, është publik dhe mbulon gjithë popullsinë. Mund të sigurohesh privatisht në Australi, por nuk është e detyrueshme. Sistemi privat të jep të drejtën të zgjedhesh mjekun, kohën e ndërhyrjes kirurgjikale, të marrësh një dhomë të mirë, etj,. Franca, që e njoh më mirë nga vendet e tjera të Bashkimit Europian, ofron gjithashtu kujdes shëndetësor publik për gjithë popullsinë, por mendoj se nuk gjendet një sistem shëndetësor në botë krejt falas, për të mbuluar të gjitha shpenzimet; gjithnjë diçka, i mbetet pacientit. Ndërsa cilësia e shërbimit mjekësor dhe e teknologjisë, në të tre kontinentet, Shtetet e Bashkuara, Australi dhe në shumë vende të Europës, është optimale.
Përsa i përket sektorit shëndetësor në Shqipëri, çfarë mendoni se duhet të ndryshojë, përtej përmirësimit të kushteve dhe nivelit të shërbimit në spitalet e vendit?
Mentaliteti. Niveli ekzistues i korrupsionit e bën të vështirë ndryshimin.
Po të marrim parasysh që “truri i vendit” kërkon vazhdimisht shtigje jetese e punësimi në vende më të zhvilluara, si mund të plotësohet kjo “zbrazëti qualitative” në një sektor vital, siç është ai i shëndetësisë?
Lipset një strategji shumëplanëshe, si përmirësimi i kushteve dhe i pagave për mjekët e personelin mjekësor ndihmës, investimi në edukimin dhe trajnimin e tyre të vazhdueshëm, bashkëpunimi më i mirë, sigurimi i një të ardhmeje më solide për mjekët e rinj, që duan të bëjnë karrierë në Shqipëri etj,. Shumica e këtyre strategjive janë të njohura, por vetëm ndryshimi i mentalitetit dhe ulja e korrupsionit, do të mundësonin ndryshimin. Mendoj gjithashtu, se diaspora mund të ndihmojë në këtë drejtim, duke ofruar eksperiencën e mjekëve të huaj e shqiptarë, që jetojnë jashtë, leksione, kurse trajnimi, bashkëpunime me spitale europiane në fushën e provave klinike mbi sëmundje te ndryshme, etj,. Por, kjo është një temë mjaft e gjatë.
Përveçse mjeke dhe kërkuese shkencore tashmë, ju jeni afirmuar në poezinë shqipe përmes dy vëllimeve poetike “Kjo dhimbje është e imja” dhe “Lilith”. Nëse do të përmbysnim rolet, poezia është ekzaminuesja dhe ju pacientja e saj. Sa shpesh ju viziton poezia?
Është intuitive: më mbërthen vetëm, kur kam vërtetë nevojë të “shkarkohem”. Pastaj, më rri larg, si për të më thënë se jam shëruar e nuk kam nevojë më për të. Në të vërtetë, unë kam nevojë gjithnjë për të, për “kujdesin e saj”. Për fat të keq (ose të mirë), është një lidhje në të cilën pushtetin e ka ajo.
“Dhimbja ime është një pemë, mos e trazo” është vargu i parë i poezisë “Kjo dhimbje është imja”, nga libri me të njëjtin titull. Duket sikur përemri përkatës “imja” e përjashton në mënyrë absolute shumësin dhe ndarjen e dhimbjes; ndërkohë që kjo dhimbje nuk është më e jotja, bëhet “e jona”, që nga momenti që sheh dritën e botimit. Poezia e merr kalanë nga brenda? Ju ngjall ndonjëherë frikë ky revansh i indit tuaj poetik ndaj unit tuaj publik?
Në të vërtetë titulli rreket të pronësojë, duke u nisur nga teoria se çdo krijim është një dhimbje, pak a shumë si ato të lindjes. Por vargu vetvetiu, bëhet edhe dhimbja e lexuesit, sepse bashkëbisedon me krijuesin. Shpresoj, që disa nga poezitë e mia të mos rezonojnë dhimbjen te lexuesi, ashtu siç është ndijuar nga unë. Është ky momenti kur i trembem revanshit poetik.
“Foshnjat e mia të shtrenjta, bulëza mikroskopike/gjaku im i mpiksur/qenie të brishta/që kurrë nuk u bëtë fytyra të çiltra me sy vezullues/buzëqeshje të ëmbla/gojë të njelmëta/duar të trëndafilta/”. Sa ngadhnjyese kjo poezi në dhimbjen e tragjizmin e saj! Si përfaqësuese e një shkence të tillë si mjekësia, ku tokësorja sfidon hyjnoren, jeni përsiatur ndonjëherë për frymën rimishëruese/riinkarnuese të poezive tuaja?
Poeti përsiatet pothuajse gjithnjë, dhe kur bëhet fjalë për poezinë, kufijtë mes hyjnores dhe tokësores janë të brishtë; janë ato fije të padukshme, të cilat shpesh i veshin poezisë petkun mistik. Dua të them, se në momentin që shkruaj, jam vetëm një individ që shkruan, paçka se sigurisht formimi profesional në mënyrë pothuajse të padukshme, subkoshiente, ndikon në krijimtari.
Te poezia “Net shkurti” ndihet frymëzimi nga rrëfenjat aborigjenëve vendas. I referoheni periudhës së errët të Australisë, që njihet si “Stolen Generations?”
Po. "Brezi i Vjedhur" me rrëmbimet e fëmijëve të aborigjenëve prej të bardhëve për disa shekuj, është ndoshta një nga plagët shoqërore, që do të vazhdojë të rrjedhë në këtë kontinent për shumë kohë. Kolonializmi ka fytyrë të vrazhdë e bëma të paharrueshme, pasojat e të cilave ndjekin pas gjenerata të tëra
“Nuk është e lehtë të shkruash për atë që nuk je”, shkruani në vëllimin tuaj të fundit poetik “Lilith” (Botimet Lena, Prishtinë, 2022). Sa e vështirë është të shkruash për atë që je? Duke mikluar të vërtetën lakuriqe në të vërtetë letrare, a nuk shkruajmë në njëfarë mënyre edhe për atë që s’do deshëm të ishim a të tregonim?
Të shkruash për atë që nuk je, është të eksplorosh se kush je. Të shkruaj për atë që jam, nga një anë është krejt e thjeshtë, por në këtë proces përballem me limitet e njohjes së vetes, ndaj shkruaj, që ta shtyj këtë limit gjer ne kufijtë e mbramë. Poeti është në kërkim të vetes, prandaj procesi krijues është shpesh i dhimbshëm.
“Të njohësh e rinjohësh atë që qëndron pas emrit/është një lloj impenjimi/[…] çfarë do të ndodhte vërtet sikur/të të ndryshoja ty emri im në Lilith/Lilith të të bëja…”. Na përcakton apo e përcaktojmë emrin?
Emrat tanë janë identiteti ynë në lindje. Na thërrasin në rrugë, kthejmë kokën. Lilith këtu është përdorur si simbol i gruas së parë të Adamit. Sipas mitologjisë, ndryshe nga Eva, ajo u krijua nga pluhuri e toka, çka e bëri të barabartë me burrin.
Ju jeni gjithashtu përkthyesja e një përmbledhjeje poezish në anglisht ("Bantam", Austin Macauley, London) dhe e librit të Luan Ramës “Epistolari i Zaratës (Zaratha’s Epistolary, Arcadia, Melbourne). Ngaqë numri i përkthyesve nga shqipja në anglisht është më i paktë në krahasim me atë të përkthyesve në gjuhë të tjera, si italishtja, gjermanishtja, frëngjishtja, greqishtja, etj., përkthimi i autorëve shqiptarë në anglisht është i një rëndësie të veçantë, për shkak të primatit të anglishtes. Keni hasur vështirësi specifike gjatë procesit përkthimor?
Përkthimi i poezisë nga shqipja në anglisht ishte një proces i gjatë, disi i vështirë por edhe mjaft i këndshëm. Poezia (mendoj), në më të shumtën e rasteve, është një përshtatje. Nuk shprehem pothuajse asnjëherë “kam përkthyer nje poezi”. “Epistolari”, nga ana tjetër, ishte një eksperiencë e mrekullueshme.
Së pari sepse, sa i përket temës, ky është një libër krejt i veçantë, të cilin e kam lexuar me një frymë. Si përkthyese, ndoshta dakortësoheni me mua në atë që, në shumicën e rasteve, përkthejmë libra të cilët na kanë lënë mbresa. Së dyti, stili me të cilën është shkruar është i pakomplikuar dhe ngase është në formën e letrave, shpesh pjesë të tyre përmbajnë dialogje, çka e bën më të thjeshtë përkthimin, edhe në rastin kur përshtatja kërkon përdorimin e një idiome, e cila s’ka të bëjë aspak me atë çka është shkruar tekstualisht në shqip.
Një nga elementet, që mund ta kishte bërë të vështirë përkthimin, ishin fragmentet e shkëputura nga “Komedia Hyjnore” e Dante Aligerit, por ky problem u zgjidh, duke përdorur e cituar një nga përkthimet ekzistuese në anglisht të Dantes. Së treti, autori dhe editorja e librit (Luan Rama dhe Elizabeth Wade) janë që të dy miq të mi të ngushtë, çka e lehtësoi komunikimin, shkëmbimin e mendimeve e për pasojë bëri të mundur një punë të një cilësie të mirë (ose të paktën kështu shpresoj).
Australia konsiderohet si kontinenti më i largët i botës. Ç’trajta merr Shqipëria në një largësi kaq të madhe gjeografike?
Shqipërinë e kam gjithnjë me vete. Jam shqiptare çdo çast, në gjithçka: në ind, në mendim, në zemër.
Çfarë gjërash merrni me vete kur largoheni nga Shqipëria?
Në çantën e dorës kam libra. Mbi supe marr përqafimet dhe bekimet e njerëzve të mi.
Comments
Më pëlqeu shumë intervista
Më pëlqeu shumë intervista.Pyetjet,përgjigjet ,gjithçka e ndërtuar shumë mirë.Çka më shtyn të kërkoj intervistat e tjera.Pothuajse nuk i njohim bashkatdhetarët tanë,të cilët kanë karrierë profesionale të suksesshme jashtë Shqipërisë.Përgëzime!
Add new comment