Pavarësi me procesverbal

Postuar në 28 Nëntor, 2022 14:57

Meqë jemi të përvjetori i Pavarësisë, datë që është mësuar përmendësh nga të gjithë, por historinë e së cilës e dimë të gjithë nga pak shtrembërt!

Te kjo histori ne na mungon ende sot historia kontekstuale e dokumentit të pavarësisë, në kuptimin e një sqarimi shterues të atij materiali që është i denjë vetëm se është një kopje unike e riprodhuar nga një firmëtar dhe koleksionist më 1937. Aventura e këtij teksti ilustron aventurën e Shqipërisë, sikurse aventura e Formulës së Pagëzimit, ilustron aventurën e Shqipes së (pa)shkruar.

Teksti na thotë fare shkurt se ishte marrë vendimi për ta shpallur Shqipërinë “më vehte, e lirë e e mosvarme”, pas fjalëve që tha Kryetari i Kuvendit, Ismail Qemali, përmes të cilave “tregoi rrezikun e madh në të cilin ndodhet sot Shqipëria”. Dhe në Wikipedia shënohet se dokumenti i Pavarësisë së Shqipërisë është një procesverbal i një mbledhjeje, për të cilën nuk është gjeneruar asnjë dokument shtesë mesa dimë.

Situata është me të vërtetë absurde dhe në kufijtë e të pashpjegueshmes. Pasi p.sh edhe për një dokument tjetër me rëndësi historike, si themelimi i Partisë Komuniste Shqiptare, 29 vjet më vonë, ka një Rezolucion dhe një deklaratë, ndërkohë që ka humbur procesverbali i mbajtur nga Qemal Stafa që ishte në 3 fletore.

Mbledhja e Vlorës përkundrazi, ka qenë fare e shkurtër, aty ka folur vetëm Ismail Qemali dhe në të cilën është vënë në dukje vetëm rreziku i madh që kanoste Shqipërinë, paragraf unik ky me gjasë që e vendos krijimin e shtetit mbi premisa të një koniunkture ushtarake dhe politike, më tepër sesa një punë të menduar mirë.

Procesverbali i Pavarësisë është kështu një tekst historik me mbivlerësim gargantuan, prej nga ku rrjedh një gati hagjiografi e pambarimtë që injoron në fakt përshfaqjen brutale të faktit se pavarësia ishte një gjetje thuajse taktike dhe operative e një elite të inkuadruar në menaxhimin e kaosit.

Nuk kemi një deklaratë mbi parimet e shtetit të ri, nuk kemi një tekst për modelin e tij, referencat, orientimin dhe zgjidhjen e menduar për çështjet e fesë dhe të drejtave. Urgjenca e shpalljes së Pavarësisë është e kuptueshme, amatorizmi i teksti është enigmatik nëse mbajmë parasysh se autorët e një procesverbali, 2/3-at e sipërfaqes së të cilit mbulohet nga firma, ishin njerëz me një karrierë të gjatë administrative dhe shtetërore. Dhe kjo e bën edhe më të pakuptimtë injorimin total të përpilimit të një dokumenti që do të mishëronte vullnetin e një populli dhe delegatëve të vet. Për ta kuptuar mjafton të referojmë Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.

Ajo çfarë mbetet për ta marrë si logjike është se Kuvendi i Vlorës nuk ishte i autorizuar nga askush të bënte më shumë se kaq, pra thjesht njoftim publik dhe ndërkombëtar të një vullneti formal, për arsye se forma e organizimit të shtetit dhe të gjithë drejtimit të tij do të diskutohej nga të tjeër, siç edhe ndodhi më pas kur u kalua nga Principatë nën suzerenitet të Portës, drejt një pavarësie të certifikuar më 29 korrik dhe një monark gjerman që u zgjodh pas të gjitha aventurave të mundshme individuale dhe ndërkombëtare.

Dhe pikërisht për këtë defiçencë historike thelbësore, ai dokument ka rëndësi jo thjesht pse është asgjë më shumë sesa një telegram nga Shqipëria, por sepse na sqaron aneminë organike të një krijese që erdhi në jetë dhe u mbajt në inkubim të gjatë nga të tjerët, të paktën deri më 1920-ën, sikundër vazhdon edhe sot, kur i njëjti i ashtuquajtur shtet firmos e vulos çfarë i thonë.

Sigurisht që për disa gëzimi ka qenë dhe është i madh, por nëse vëmë në balancë kredencialet profesionale dhe personale të atyre që firmosën me cilësinë e dokumentit që na lanë, na duhet të pranojmë se ai tekst është një mjerim i vërtetë historik dhe me gjasë edhe një lloj drame e paradokseve që nuk i ndahen këtij vendi.

s.zaimi

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Sec ke nje deshire te papermbajtshme te peshtysh gjithcka. Nje shkrim plot kunderthenie dhe keqdashje. Mungonte pak qe ti akuzoje se nenshkruesit nuk dinin te perdornin smartfonin.
Nuk mund ti shkeputesh ngjarjet nga konteksti historik. Ne kushtet ku ndodheshin bene cfare munden dhe pikerisht me te miren. Lavdi.

Submitted by redaksia on

Ku eshte deklarata? Se kjo nuk eshte deklarate, eshte procesverbal. Edhe ky i shkruar ne nje leter blloku. Cfare po peshtyjme ketu? 

Nuk dinte rendesine e dokumentit Ismail Qemali, apo Nikolle Kacorri? Nuk kishin kuptuar keta cfare po benin dhe u mbeti pavaresia ne dore? 

Flamurin e sajoi Posio(thone), letren e shkruan aty per aty. Me fal: cfare eshte kjo? 

Kemi ne ndonje dokument nga Lidhja e Prizrenit? Kemi ne dokumentin e mbledhjes themeluese te PKSH? (Procesverbali qe do hidhte drite mbi shumecka ka humbur). 

Kemi ne nje dokument te besueshem per krijimin e PD-se? 

Si mundet qe te ndodhe perhere keshtu xhanem? Dhe prape se kemi problem: Lavdi! 

Asnje lavdi nuk ka ne keto turpe qe jane faj sepse ata qe kane qene aty vetem te paditur nuk ishin. Ose historianet ta sqarojne njehere e mire si eshte puna. Marenglen Kasmi citon ne nje liber te botuar se fundmi Nikolle Kacorrin t'i jete shprehur Esatit se nese do te kishte pushtet do varte Ismail Qemalin, Preng Bib Doden dhe Esatin. Rrufjane politike dhe asgje me shume. Do t'i mbash per heronj, nuk te ndalon kush. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.