Frymë të vdekura!

Postuar në 31 Mars, 2023 19:02

Në Tiranë flitet – duhet të ketë ca kohë xhanëm – që janë hapur ato që i quajnë Kurse Vetëbesimi. Për fëmijët.

Çfarë të jetë kjo? Çfarë i mësojnë aty një fëmije nëse kemi të bëjmë literalisht me këtë që na thonë? Sesi të përgjigjen kur u thonë: iiii të ka rënë dhëmbi! Apo sesi të përballojnë stresin post-traumatik të një note të ulët? Një dackë nga shoku, babai, nëna? Një bërtitje? Sesi të rienergjetizojnë veten për të kapur ritmin e të parëve?

Duke kërkuar me fjalën “kurs vetëbesimi” në Google, doli para një thënie që i atribuohet Bukowskit:

Problemi i kësaj bote është se njerëzit inteligjentë janë plot dyshime, kur idiotët janë të mbushur me vetëbesim

Nëse do tregohemi pak cinikë do thoshim se këto kurse u mësojnë fëmijëve dobinë e të qenit idiot. Por populli ynë e ka thënë me kohë këtë: sa të mendohet i mençuri, e kaloi lumin budallai. Ç’është kjo marrëzi që zë vend në mënyrë sezonale xhanëm? Si mundet të nisësh fëmijërinë me kurse e inkubatorë, me parafabrikim social e pedagogjik, ndërkohë që humbja më e madhe e një fëmije është fëmijëria me fëmijët e tjerë?

Të bën përshtypje sesi budallallëku ngjit kaq shumë, bëhet kaq shpejt epidemi. Dëgjon dikush dikë që e “marketon” fëmijën e vet si të realizuar për shkak të një kursi, apo mësuesi dhe të gjithë shndërrohen në beriha të një thashethemi që vjen e bëhet prirje. Të imagjinojmë për një çast përkthimin praktik që një fëmijë u bën leksioneve psikoterapeutike të një kursi të tillë: me gjasë fjalën “Nuk të dua më” e interpretojnë si agresion, mohim, bullizëm madje, ndaj të cilit receta e vetëbesimit është patjetër injorim, shumëzim me zero e faktit dhe kanalizimi i energjive në të ardhmen.

Apo mos vallë ka ndryshuar koha dhe “të dua” është shkelje e privatësisë, një deklaratë për të cilën kërkohen qen që nuhasin ndjenjat e tjetrit dhe i vërsulen sa hap e mbyll sytë? Të kuptohemi, këtu qeni është “një video në Tik-tok”. Racionalizimi radikal i mendjes së një fëmije me formula të tilla përveç asgjëson në fakt nevojën organike të kësaj moshe për pasionin e lojës, ëndërrimin, imagjinatën, përfaqëson në të vërtetë epikrizën e një shoqërie të të rriturve, zengjinëve të rinj që po hyjnë në fazën depresive se mos lënë pas fëmijë të paaftë për një “shoqëri kafshësh”.

Nga kush ruhen këta zengjinë të rinj, që kanë amballazhuar veten edhe si intelektualë, si pakicë e pakicës, si të përzgjedhur në një vend që kutërbon era fekale? 1.5 milionë shqiptarë kanë ikur, po kaq duan të ikin dhe këta që ikin kanë vetëbesimin e dëshpërimit, atë që e kemi sentencën e të qenit të “mosvarur”: kudo është më mirë se në Shqipëri! 

Atëherë këto kurse të pasanikëve hajdutë të kësaj Shqipërie me një njerëzim kaq të shëmtuar, këto viruse mbi trutë e fëmijëve që po sëmuren pa dalë ende në atmosferën e jetës, për çfarë bëhen? E ardhmja jonë është tërësisht jonkonkuruese, tërësisht bosh, e vdekur, pa jetë, kënetë. Sepse vetëbesimi kërkohet në një klimë konkuruese, me sfida? Shqipëria ka mërzinë, përçmimin, urrejtjen, kotësinë, injorancën dhe injorimin si sfidën e vetë të përjetshme. Pasurinë hajdutëve nuk ua prek kush, atë ne e kemi tempullin ku falemi, e ku duam të hyjmë si priftërinjtë e radhës. 

Por paska edhe kurse për “menaxhimin e sjelljes së fëmijëve”. Në kushte të caktuara, me një fëmijë "problematik" të mësojnë sesi duhet të sillesh si baba, nënë, gjyshe, gjysh, dajo e teze, me gjasë një formë simulimi teatror i “komunitetit” që ravijëzon kufijtë etikë për një “çamarrok” të pandreqshëm. Dhe këtë e mëson në kurse. "Sa keq! Ne ia plotësuam të gjitha, nuk u mungon asgjë dhe shih si sillet"! Ja një konstatim prindëror në Shqipërinë e sotme krahas shumë të tjerëve që tradhëton idenë e ngulitur se pasuria është zgjidhja. Po fëmijët vetë do mësojnë gjë?

Tani megjithë respektin, se fundi i fundit secili paratë të vetat i ka, të presim ditën kur të hapen kurse ku mësohet sesi bëhet fëmijë, pasi për t’i edukuar po e shohim që tregu është i zënë. E kemi fjalën për tregun e pasigurisë së një brezi që ka humbur çdo busull morale, që nuk ka asnjë qëllim veç të hajë e të zhgërryhet në një luks që nuk ka pikë takimi me asgjë reale, që nuk e di çfarë të bëjë më as me pasurinë, as me kohën që ka pa hesap, veçse të mburret e të shtiret në një kotësi vrastare që kriminalizon perspektivën.

Bashkë me përhumbjen kolektive pas shfaqjes kryesore a - politike si Big Brother ku ndrin fanari i radhës, Luizi, një askush që befas neuroza e një shoqërie frymësh të vdekura të tërë e ngjiti në majën e një fame që parlajmëron shndërrime serioze në të gjithë hierarkitë dhe vlerat e shoqërisë që po thotë se kodet në fuqi nuk veprojnë më për asgjë.

s.zaimi 

Comments

Submitted by dori (not verified) on

Duke qene dakord me shkrimin e zoti Zaimi, me ngacmoi permendja e Luizit te BB, megjithate. Gjithe c'ka di per BB dhe Luizin e tij, i kam pikerisht nga keto permendje ne shkrimet e gazetareve serioze, te cilat i lexoj. Une nuk kam pare asnje episod, as nje permbledhje te tij, asnje cike te cfaredolloj forme si te thuash... e megjithate di kaq shume fale ketyre permendjeve! Nuk kam pare, jo se kam alergji, sic thone autoret e ketyre permendjeve, ndaj banaliteteve te tilla, por se nuk me terheqin aspak; thjeshte nuk kam asnje terheqjeje te cfaredolloji ndaj tyre.
Me vjen keq tek verej gazetare, analiste apo edhe intelektuale, qe perndryshe i vleresoj, qe ndihen kaq te frustruar nga banalitetet e nje shfaqjeje argetuese televizive, qe me perkufizim eshte banalitet!
Me vjen keq, sepse, nuk jane banalitet problemet e nje shoqerie, duke qene vete ato ne njefare menyre, perditshmeria e saj; qe dmth vete perditshmeria e nje shoqeri, apo e cfaredolloj shoqerie, eshte me perkufizim, ta themi prape, banalitet. Problemi, ta themi keshtu ne kontekstin e ketij argumenti, eshte alergjia qe ata qe do te duhej t'i jepnin dicka jo-banale kesaj shoqerie, ne vend te kesaj ( mbase, ne pamundesi), i hakerrehen banalitetit!
Shkurt, nuk mundet banaliteti duke i'u hakerryer atij, duke e treguar me gisht, duke e akuzuar si banalitet! Eshte thjeshte e pamundur; eshte njesoj si te luftosh me natyren njerezore. E vetmja menyre per ta luftuar ate, eshte te shikosh vreshtin tend intelektual, zoteri; te punosh vreshtin tend intelektual dhe te japesh, me aq mundesi sa ke, produktin tend intelektual. Te gjithe ata qe e kane bere dhe e bejne nje gje te tille, e dine shume mire sesa e kote dhe e panevojshme eshte te merresh banalitetin.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.