Zoti Kryeministër, mos na e fusni shpirtin në gjynah
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/8219_varreza.jpg?itok=DF5zn1fw)
Dje mu desh të përcillja në botën e përtejmë një njeri të dashur, të lidhur ngushtësisht me fëmijërinë time. Në mes lotëve të fëmijëve të saj dhe dhimbjes të së gjithëve, pyeta nëse kishin gjetur vend për në atë botë, e më thanë që e ndjera e kishte blerë prej kohësh, atëherë kur sëmundja i kish ardhur rrufeshëm. U lehtësova dhe kjo, pas lajmeve që të dy varrezat e Sharrës e Tufinës nuk kanë më vende e që sot praktikisht janë të mbyllura. Shtrirë sa s’ka ku vete më, thuajse rrëzë Dajtit, varrezat e Tufinës, ishin transformuar, tej mbushur. Vendi ku do prehej e ndjera, ishte në parcelat e vjetra. Miqtë e familjarët pas ritit fetar të kryer në një nga rrugicat e ngushta, (sepse brenda parcelës ishte e pamundur), të cilat ishin tkurrur edhe më shumë nga hapja e kanaleve kulluese, u drejtuan për ti hedhur një grusht dhé. Pati një hezitim masiv. Para nesh dukej si fushë e mbuluar nga barëra të këqij, por në fakt ato ishin varre foshnjash të vogla. Njerëzit nuk dinin nga të shkonin, s’dinin ku të ecnin... mbi varre s’mund të shkelnim. E kështu krijuam dy rrugica për të mbërritur atje... e këto rrugica ishin sërish mbi varre. Ecnim gjithë siklet, duke parë poshtë, duke ndjerë në trupat tanë, “zhurma kockash të njoma që thyheshin”, duke “dëgjuar britma dhimbjesh nga bota e përtejme”. “Zot na fal”, përshpërisnim, kur këmbët preknin ndonjë pllakat ku shkruhej; Bebe xxx. Ja shihini fotot Zoti Kryeministër, shihini varret e mbuluara nga barërat e këqij, imagjinojeni përzierjen e nëndheshme. Mos na e fusni shpirtin në gjynah, mos e fusni shpirtin tuaj në gjynah Zoti Kryeministër. Varret s’mund të shkelen as të përdhosen. Dhe e gjitha kjo për çfarë??? Për çfarë duhet të ecim mbi të tjerë për të përcjellë njerëzit tanë? Si qytetare e Tiranës, në emër dhe të mijëra të tjerëve, ju kërkoj Ju, të zgjedhurit të vendit tim si drejtues i yni, të zhbllokoni buxhetin për varrezat e kryeqytetit, që të hapen parcela normale, për të kryer ceremoni mortore dinjitoze. Që prej muajit shkurt buxheti i Bashkisë së Tiranës është në dorën Tuaj, në dorën e Prefektit dhe Këshillit Bashkiak ku ju keni shumicën. Jam dakord që çdo vit s’mund të bëhen shpronësime e duhet menduar një zgjidhje alternative për të ndjerët, por pa paratë e buxhetit dhe ato varre murale që nisën të ndërtohen në Tufinë kanë mbetur ashtu, pa përfunduar, thjesht skelete betoni. Ju e dini mirë situatën, sepse keni drejtuar Tiranën për 11 vjet. Dhe Juve ashtu jua bllokonin dikur buxhetin e bënit apel që me të vdekurit s’mund të luhet. Ndaj sido që të jetë, luftë politike, ngërç, parregullsi, jepini çfarë emri të doni, por lëshoni pé, lëshoni pé, që të zgjidhet ky problem. Lehtësojani dhimbjen atyre që humbin të afërmit, që të mos mendojnë më se ku do t’i varrosin, ka apo s’ka vend, që enden për të gjetur pronarin e tokës i cili s’është kompensuar ende dhe për ti dhënë nën dorë para duke paguar dyfish vendin. Lërini të prehen aty ku janë edhe ata të shkretë, pa ndjerë peshën e këmbëve të të tjerëve mbi vete. Mos na e fut shpirtin në gjynah, ne, dhe, vetes tënde.
Gazeta Shqiptare
Add new comment