Yrnek shqiponjash për tollovi helene?
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/7962_1_1088.jpg?itok=n3XGxSWu)
Nga fundi i shtatorit të këtij viti, më bëri përshtypje (sikundër do t’i ketë bërë me siguri edhe shumëkujt) një informacion prej Balkanweb-it, ku citohej Steve Forbes të kish thënë se “e vetmja rrugëdalje nga kriza për Greqinë është të marrë shembullin e Shqipërisë dhe Bullgarisë, duke aplikuar në mënyrë urgjente tatimin e sheshtë.” Më tej, po sipas Balkanëeb-it, Forbes këshillonte: “Receta bazë për Greqinë është: shkurtimi real në sektorin publik, aplikimi i taksës së sheshtë, privatizimi i një numri të madh të aseteve shtetërore si dhe thjeshtimi i procedurave për hapjen e një biznesi të ri, reforma të ngjashme si ato të Shqipërisë fqinje". Gjatë kësaj periudhe të gjithë e pamë edhe fotografinë e jashtëzakonshme të kryeministrit Berisha dhe ekipit të tij me flamurin kuq e zi prapa në ekranin e lartë e gjigant në Time Square të New York-ut, në mbyllje të NASDAQ-ut. Shprehje më triumfale e fytyra më të qeshura, rrëzëllitëse e krenare zor të kem parë ndonjëherë (Pëlcastë zilie opozita shemër!) Çast fatlum, përnjimend!
Qysh atëhere, më shumë ujë se ç’mendohej ka rrjedhur për Europën që zhytet në krizë keq e më keq. Brenda pak javësh marramendëse, e sidomos këto ditë nëntori, Greqinë e kemi parë si një aeroplan motorr-prishur, i cili pavarësisht përpjekjeve të pilotëve, duket se vijon t’i afrohet pandalshëm e kryengulthi cepave e kreshtave të maleve. E në këto kushte, jo modeli i Shqipërisë (nëse Shqipëria vërtet e paska një të tillë për të ofruar), por sikurse s’është më sekret, asnjë model në botë, madje as edhe sikur vetë Zeusi të zbriste nga Olimpi me gjedhë çudibërëse në tryezë, nuk do të mund ta ndalte katastrofën, sepse Greqia për fat të keq eshtë tani në gjendje komatoze – edhe çështja zor se mund të shtrohet më në formën: “A ka ky vend vullnet, kurajo, vetëdije e karakter për të bërë atë që duhet?”. Përkundrazi shtrohet në formën e pyetjes: “A ka realisht mundësi, fuqi, kapacitet, burime e mjete për të mbledhur veten? Likuiditet për të shlyer borxhet e shpëtuar veten?” Edhe përgjigjja është: Jo, dëshpërimisht nuk ka!
Lëngata e Greqisë sa ç’është e organizmit të saj të rrënuar, aq është edhe simptomë serioze e një sistemi të shprishur, e një Europe të sëmurë financiarisht, e një Europe të zënë peng në modelin difektoz të eurozonës. Në këtë pikturë dramatike e katrahurë ekonomike, imëcakja e shumëvuajtuara Shqipëriza jonë, e Ballkanit kokëkrisur, nuk ka natyrisht ndonjë gjë për të ofruar, veç rrugëtimit të saj çalë-çalë përmes korrupsionit, polarizimit ekonomik, sëmundjeve sociale, gjithnjë e udhëhequr prej elitës së vet politike që për tru ka intrigë e grykësi dhe për gjuhë helm e vrer stomaku. E megjithatë e vockla, hirushja-Shqipërushja jonë, të cilën tani po e detyrojnë të përgatitet për ballo e të mbathë me pompozitet (si Miss i vërtetë) petkat e stolitë e festës për 100 vjetorin e pavarësisë, në vend që ndoshta ta mbrojnë e ruajnë sa më shumë nga shpenzimet e luksit të tepërt, është megjithatë tragjikomikisht me fat në këto kohë plot tallaze për mëmën plakë Europë. Pse? Sepse natyrisht s’kish si të ishte e fatmirësisht s’është e s’mund të jetë në eurozonë – pellgun tashmë toksik - sado që ta ketë lakmuar e ëndërruar një gjë të tillë. Madje për shkak të sjelljes tonë prej çetash para-adoleshentësh që gjuajnë me llastiqe njëra-tjetrën, s’na shohin të denjë madje as të na qasin brenda Bashkimit Europian.
Për t’u kthyer te Greqia: Sipas specialistëve, midis të cilëve sidomos ekonomistit grek Yanis Varoufakis (ish-këshilltar i Papandreut gjatë viteve 2004-2007), ajo mund të nisë të gjejë shpëtim vetëm nëse eurozona shpërbëhet në tërësi (jo thjesht duke dëbuar vetëm Greqinë prej saj, sepse kështu do ta dënonin me vetëvrasje), gjë që ndoshta edhe mund të ndodhë (sado e padëshiruar një gjë e tillë) poqese mbretëreshës ekonomike të Europës, Gjermanisë me suficit buxhetor, e së bashku me të e për shkak të saj edhe motrave të veta të pasura, do t’u mbushej mendja të braktisnin euron e paqëndrueshme për t’u kthyer serish te marka e monedhat e tyre të vjetra.
E ndërsa një gjë e tillë tani për tani nuk dihet e mbetet ende për t’u parë, populli grek e ka thikën në kockë. Mbi të gjitha ndihet i çmerituar, sidomos e para së gjithash i çveshur lakuriq prej çka tek e fundit ka fundamentalisht më të çmuar një njeri a popull: dinjiteti. Mbi trup ka plagë e vraga e mbi shpinë e shpirt mban pështyma turpi e epitete ofenduese. Nga njëra anë ato përnjimend ia ka ngjitur e shkaktuar elita e vet qeverisëse, por nga ana tjetër ato s’kanë si të mos shihen edhe si pasoja dhe shenja të gangrenës së përgjithshme të sistemit europian ku Greqia bën pjesë. Në këtë kuptim Greqia s’është veçse hallka më e dobët e sistemit ose ndoshta “kurbani” i Europës plot tallaze e halle për të ndrequr. Në fund të fundit s’do harruar se Gjermania ka lulëzuar edhe sepse Greqia ka qenë një nga tregjet thithëse të mallrave gjermane. Parë kësisoj, kjo e keqe, ky ortek i madh, origjina e së cilit sipas ekonomistëve do kërkuar në politikat e keq-ngjizura të Europës veriore (me rrënjët sidomos në sistemet bankare gjermane e franceze) e te mungesa e lidërshipit europian, po të mos zinte Greqinë, do të kish zënë një shtet tjetër. Në fakt, sikurse dihet në darën e këtij kërcënimi gjenden sot në limbo edhe shtete të tjera me peshë edhe më të madhe ekonomike në Europë sesa Greqia, sikurse Italia, Spanja, Portugalia dhe Irlanda – trena që ose kanë dalë ose seriozisht rrezikojnë të dalin jashtë shinave.
Në këtë situatë, ndërsa i sheh në sy tutorët e saj të Bashkimit Europian pothuaj si qeni i bindur të zotin, mirë është që Shqipëria të vëzhgojë e të këqyrë me vemendje atë që po ndodh në Greqinë fqinje për të mësuar. Para pak ditësh prej internetit ndoqa një program në TV Klan, “Kriza greke dhe ndikimi në Shqipëri” të Blendi Fevziut. Por më shumë se te analiza e krizës greke mua m’u duk se një pjesë e panelistëve e kishin mendjen gjetiu - ose ta shfrytëzonin fatkeqësinë greke si oportunitet në ekran për të bërë karshillëqe të tipit PD/PS me të cilat tashmë nervat e shqiptarëve janë mësuar si narkomanët me narkotikët, ose për t’u grindur e shkëmbyer me njeri-tjetrin romuze dylekëshe, ose për të nxjerrë në vitrinë suksesin shqiptar, i cili sipas tyre do të ishte edhe më shkëlqimtar po të mos na qenkesh kriza greke!
Nuk po ndalem të përmend shifrat e rritjes ekonomike që u diskutuan aty me gjoks-rrahjen tonë karakteristike, sepse ndërsa i kujtoj mendja më shkon te pensionistët e të moshuarit në gjendje ekonomike të turpshme, te shëndetësia dhe spitalet që do të përbënin arsyen numër një për t’ia mbathur nga ai vend, te polarizimi ekonomik dhe akuzat e korrupsionit që rëndojnë mbi elitën politiko-administrative, te parlamenti si shesh gangsterësh gjatë viteve të fundit, të mjedisi i shkatërruar e betonizimi i vijës bregdetare. E më në fund si mund të mos më shkojë mendja edhe te rrenat e freskëta mbi të cilat lartohet ligji i plehrave… Po prit, dale pak… “Po, jo! Jo, kështu!”, do të më thoshte krye-parlamentarja Topalli: “Gabim! Quhet ‘Ligji i Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve të Ngurta’!”, duke më sjellë kështu vetiu në mend personazhin Tony Soprano, kryemafiozin, që përndryshe e paraqiste veten si Konsulent i Menaxhimit të Plehrave/Mbetjeve (Waste Management Consultant)…
Greqia s’ka nevojë të kërkojë të ndjekë modele të tipit Tony Soprano, ashtu sikurse edhe Shqipëria të tilla modele duhet të përpiqet të mos i qasë kurrë. Duke rrezikuar të më quajnë “moraliste patetike”, mendoj se modeli që u duhet të dy vendeve, pavarësisht se jo në situata të njëjta, është ai i ndershmërisë dhe i të parit të së vërtetës në sy. Greqia s’ka ç’shembull të marrë nga Shqipëria. Përkundrazi, Greqia, siç sugjeron ekonomisti grek Varoufakis, duhet t’i thotë Merkel-it e nëpërmjet saj popullit punëtor e taksapagues gjerman: “Mos na jepni hua, peshën e të cilave shpatullat tona s’e mbajnë dot më e që doemos do të përfundojnë të gëlltitura prej vrimës së zezë të bankava tona të korruptuara!” Më tej, po të ndiqej “Propozimi Modest për Kapërcimin e Eurokrizës” i mbështetur mbi tri shtylla që ofron po ky ekonomist dhe kolegu i tij Stuart Holland mund të shtohet: “Shpëtoni Europën, e kësisoj edhe Greqinë, (1) duke rikapitalizuar e unifikuar sistemin bankar që vuan nga mungesa e autoritetit fiskal me anë të Fondit Europian të Stabilitetit Financiar (EFSF/ESM), (2) duke mirë-menaxhuar e kontrolluar rreptësisht borxhin me anë të Bankës Qendrore Europiane (ECB), edhe (3) duke mirë-investuar suficitin buxhetor (budget surplus) gjerman nëpërmjet Bankës Europiane të Investimeve (EIB) në sektorët më të shëndetshëm e me të mirë-studiuar financiarisht me qëllim rimëkëmbjen dhe përshëndoshjen ekonomike të Europës në recesion”.
Vetëm kështu, e vetëm duke konsideruar sa më sipër si kushte të nevojshme në rang global e rajonal, POR jo të mjaftueshme – sepse shumëçka do të varej më pas në rang lokal pikërisht nga vetë-disiplinimi dhe zotimi serioz grek ende për t’u vërtetuar, ka shpresë për shpëtimin e shërimin e Greqisë e të Europës.
Sa për Shqipërinë, kjo të ketë kujdes e të mbajë nën frerë shpenzimet buxhetore, të mbajë nën kontroll e mundësisht të zvogëlojë borxhin publik, të mbajë politizimin larg nga bankat e t’i lërë ato të bëjnë profesionalisht e me përgjegjshmëri punën e vet, të mendojë si të kompensojë për zvogëlimin e remitancave nga emigrantët, e ç’të bëjë me emigrantët që mund të kthehen nga Greqia e Italia.
Së fundmi, Shqipëria, në vend që të japë, bën mirë të marrë mend, modestisht të dëgjojë mirë, të nxërë mësime prej ç’ndodh rreth saj edhe sa të mundet t’i përdori si ilaçe të vlefshme e profilaktike për organizmin e vet të brishtë ekonomik e politik që lundron dimrit të pabesë në ujrat e paqeta të Europës së krizës!
Comments
A ka mundesi te me spjegoje

A ka mundesi te me spjegoje kush se çka don te thote fjala "Yrnek" ?

Yrnek do te thote femije

Yrnek do te thote femije mistrec --Ja kjo qe ka bere kete artikullin eshte nje Yrnek

Shqiperia nuk ka ca shembulli t e mari nga Greqia , sepse Greqia eshte nje shtet i deshtuar qe udhehiqet nga politkane tejet te pa afte dhe qe jane te mberthyer nga Jingizmi --

Perkundrazi Greqia duhet t e mari shembull Shqiperine --------sepse ato reforma qe ka bere Shqiperia do ti duhet ti beje tani Greqia

Ne fakt Greqia kishte kohe 40 vjet ti bente ato refroma , dhe do e kalonte shume lehte , sepse Europa po i jepte fonde me shumice --Mirpo drejtuesit e poltikes kaure ne Greqi bashke me specialsitet e tyre qesharake , nuk e ksihin haberin fare se c'duhej t e benin dhe i harxhonin fondet e Europes vetem per ritjen e pagave buxhetore dhe te pensioneve

Greqia nuk i harxhonte ato fonde per t e ndertuar sektore manifaktural industrial me t e cilet do t e kishte mundesi t e paguante borxhin -sic ka Italia psh Sektorin Industrial ne Veri te saj i cili do jete ndihma e Italise ne ket kohe te veshtire --por qe Italia do e kaloje shume lehte pikerisht per shkak t e ketij sektori te fuqishem industrial --------Ndersa Greqioa do haje dynjane

Dhe tani erdhi koha ta paguajne ate borxh qe eshte 78% e GDP -se Greqise --Kjo do shkaktoje papunesi te medha dhe kriza ne shoqerine greke --Mireqenia e tyre do ulet , spese deri tani ata kishin nje mireqenie fiktive , te rreme

Edhe New York Times thoshte qe Greqia duhet te beje Privatizim te ndermarjeve shteterore , te shkurtoje vendet e punes s e buxhetoreve dhe pagat e tyre ne menrye drastike,te shkurtoje pensionet ne menyre drastike etj - dhe keto i duhet ti beje sa me shpejt , brenda dy -tre vjeteve ---Kjo do beje qe Greqia te behet hale fare

-------Pra Greku duhet te beje te njejten gje qe ka bere Shqiperia ne reformen ekonomike --ndaj i duhet te ndjeke shembullin e Shiqperise , por ti mos u prek per kete fakt , se nuk eshte ndonje qamet i madh

Nje dicka do shtoja qe borxh te jashtem kane te gjitha vendet edhe Franca e Gjermania , por ato kane nje industri shume te zhvilluar qe e shlyejne borxhin ndersa Greqia mund ta shlyeje borxhin duke perdoru leshte e mij looooooooool

Dhe sa per ate qe Greqia paska ndihmuar ekonomine gjermane duke blere mallrat gjermane --kjo eshte gjeja me qesharake qe mund te thuhet ------Spese tregu grek eshte nje treg qesharak ,pra teper i vogel per mallrat e fuqishme dhe te shumta te Gjermanise

-Tregu me i madh i Gjermanise sot eshte Kina, atje gjermanet kane ndertuar filialet e tyre te makinave

--Ndaj ben mire qe kur flet ti moj Athinaqis te lexosh njecike me shume

Z.Tedescchini, Ne se doni nje

Z.Tedescchini,

Ne se doni nje shembull, sipas meje, ju jeni nje ..."YRNEK" !!!

Shqiperia eshte si puna ime:

Shqiperia eshte si puna ime: Ka nje pasaporte me foto dhe me emer. Pra kemi nje tablo se si dukemi ,per foton e kam fjalen, dhe si jemi, per gjeneralitetet e kam fjalen. Ne sot me shume rendesi i kushtojme se si dukemi ne sy te botes, pra me "surratin", dhe merremi kaq shume me te sa e kemi " patinuar" ne ate fare mase, qe po na humb dhe ndonje tipar dallues ne distance. Vecse surrati nuk na identifikon se kush jemi, pasi per "zbukurimin" e tij perdorim te gjitha mjetet moderne ''te bukurise'' se shtirur, qe na sherben vetem per syte e botes, sepse ata na e shohin "surratin", ndersa ne nuk e shohim vetveten nga frika mos pesojme "atak kardiak". Por ne nuk jemi "dukja", "ambalazhi" , jemi realisht ''shpirti'' , ai qe qendron ne te dhenat biometrike te pasaportes tone, te cilin mundohemi t'a fshehim nga cdokush ne cdo menyre, sepse eshte ''flete analiza" e identitetit si "jam", si "jemi"...Kjo eshte nje torture vrastare e sistemit qe po kultivojme midis "dukjes" dhe "padukjes"...ndaj dhe "statistikat qeveritare e nderkombetare" na portretizojne si "bukurane'' , dhe kur perpiqemi te qahemi per dhimbjet e perditshmerise torturuese, "ambasadoret" na i marrin si qarje "femijesh" qe duan te lozin e pijne me shume nga padurueshmeria...Por, po te lexojme ate qe jemi vetvetja, emer mbiemer, puna, te ardhurat, shpenzimet, borxhet, etj. etj. "lumi qe s'na merr".

Mbase filozofova paksa, thjeshte per te kuptuar, se ne po vuajme nga "surrati" i bukur qe po na ekspozon qeveria kudo ku i jepet rasti sipas mentalitetit te para eres demokratike, dhe po harrojme "gjeneralitetet" e atij "surrati" , pra kush jemi realisht...Dhe derisa ta zgjidhim drejt kete raport, kam frike se diku do kemi "rene"...Vetvetja eshte si puna e ajzbergut: Surrati eshte pjesa e dukshme per fotografi e tij.Ajo e padukshmja, e fshehur nen "ujin" biometrik, me tremb, me le pagjume...Dicka e tille u ndodhi dhe komshijve tane, ku nuk kuptoje se kush duhet te mesoje nga njeri tjetri...

z. Tedeschini, nuk është ky

z. Tedeschini, nuk është ky vendi për të bërë pyetje idiote si kjo më lart.

E kam vënë re edhe herë të tjera, që synimi yt është t’i prishësh komentet, për t’i devijuar diskutimet atje ku të intereson ti: anti-islamizmi.

Artikulli trajton një temë me rëndësi të madhe për ekonominë shqiptare dhe mënyrës si iu qaset administrata problemeve.

Dhe e trajton mirë, dhe në një mënyrë që nuk është ndeshur gjëkundi në mediat më parë.

Duke komentuar kuturu, ti e zhvlerëson artikullin dhe sulmon faqen vetë.

Si dashamirës i kësaj faqeje, do t’i rekomandoja z. Nano t’i bllokonte përfundimisht komentet e tua prej trolli, të cilat nuk shtojnë asgjë; por veç irritojnë dhe provokojnë.

Hap një blog tëndin dhe zhvilloje atje luftën kundër turkut. Ashtu do t’u bësh nder të madh lexuesve të kësaj faqeje, për çka të falënderoj paraprakisht.

"yrnek-u" -

"yrnek-u" - gjethe,model,moster ose jane njesoj , nuk kane ndryshim njeri nga tjetri...

Z. Yzedin, komentit tuej jo

Z. Yzedin,

komentit tuej jo qe nuk i heq as edhe nji presje, por kisha per t'i shtue edhe sugjerimin dashamires Z. Paul qe ne rast se nuk i tingllon mire versioni Pal i emrit dhe versioni Gjermani i mbiemrit, mundet me zane me shkruejt ne ndonjanen prej gjuheve europiane te cilat me gjase e paskeshin biresue. Nuk po me duket se asht tuj i qa zemra per gegnishten sa kohe qe gegnishten e ka bjerre nga emri i bukur shqip Pal per ta zevendesue me versionin e saksonishtes Paul.

Add new comment