Votë e frikshme

Megjithëse kuti pa numëruar ka ende, rezultati tashmë duket i qartë, një fitore e madhe e së majtës, mbi të djathtën dhe mbi kodin që nuk lejonte fitore të thellë. Duket një votë e ashpër dhe e mllefosur e shqiptarëve mbi qeverinë dhe mbi vetë Sali Berishën.
Një dëshirë nga skaji në skaj të vendit për të ndryshuar, për të provuar, për të përfituar, apo për t’u çliruar. Ndoshta një votë kundër Berishës, nuk është domosdo votë pro Ramës, por në fund llogaritë dalin pikërisht për këtë të fundit.
Për këtë fitore ai u ngrit kundër moralistëve, reagoi ndaj qëndrestarëve, reflektoi ndaj Ramës së 2009, nuk kurseu në ide e në këshilla, harxhoi gjithë ngjyrat e mundshme deri në “marrëveshje” me natyrën për një Hënë të plotë rozë.
Një Ramë që këtë rradhë nuk la asgjë pas dore, nuk i besoi askujt pa e prekur vetë, nuk përqeshi njeri që nesër t’i kthehej në bumerang, vlerësoi çdo votë, e cila mund t’i vinte nga majat e thepisura deri në bregdet.
Me shpinën e sigurtë nga Ilir Meta, njeriu që vendos prej vitit 2005 se kush fiton në Shqipëri, në zgjedhje vendore, apo të përgjithshme, Edi Rama tashmë mund të tundë flamurin e fitores së kërkuar me aq mund, sakrifica, humbje dhe baltë, të hedhur mbi të dhe mbi çka përfaqësonte ai personalisht, apo politikisht. Fitimtari sot nuk mund të gjykohet.
Por pesha e kësaj vote shqiptarësh është e rëndë, shumë e rëndë. Duket si një votë dëshpërimi kur nuk shihet më rrugëdalje, si përpjekja e fundit për të mos u mbytur përfundimisht. Nëse Rama e çon dëm këtë shpresë, atëherë ajo gjeneratë që ai reklamonte se do të shpëtonte, mund të quhet përfundimisht e humbur dhe besimi i shqiptarëve do të jetë përfundimisht i vrarë.
I takon Ramës të reflektojë edhe njëherë, se çfarë kanë dashur shqiptarët të thonë me këtë votë. Shqiptarët i kanë ngarkuar Ramës një peshë të rëndë, jo Rilindjen siç mëton Rama, por rimëkëmbjen. Shqiptarëve nuk u duhet një poet, apo një piktor për të rilindur, as një Jezu Krisht për t’u ringjallur, por një administrator për t’u rimëkëmbur.
Rimëkëmbje, dhe jo Rilindje. Kjo pritet nga Rama. Kjo është barra e rëndë që i vënë shqiptarët në shpinë Edi Ramës. Entuziazmi i fitores duhet të shuhet shpejt dhe po aq shpejt duhen vënë pikat mbi “i” për rimëkëmbjen e ekonomisë.
Dhe kjo vetëm për ekonominë, sepse një pikëpyetje e madhe është edhe për drejtësinë ku “kulari” që mund t’i lidhet shpejt në këmbë Ramës është 21 Janari. Dhe mbi gjithçka, mbi Ramën rëndon përgjegjësia e madhe; të mos luajë me pushtetin që po i jepet në duar.
Nuk ishte i vetëm në këtë fitore. Një vendim i Ilir Metës për t’iu bashkuar ish-familjes me familjen e tij të krijuar prej 2004, ishte si një eliksir për të gjallëruar dhe trimëruar të majtët. Nëse mbi Ramën bie pesha e rëndë që të bëjë jetësore ato çka u premtoi shqiptarëve, mbi Metën bie një përgjegjësi akoma dhe më e rëndë.
Të mos lejojë që Rama të ecë në rrugën e atyre shqiptarëve që vijnë në krye të këtij shteti. Të mos kthehet në një njeri autoritarist. Shteti nuk mund të jetë PS-ja. Shqiptarët duket se janë lodhur duke i besuar gjithçka vetëm një njeriu. Këtë rradhë zgjodhën dy. Njëri për të drejtuar karrocën e dërrmuar shqiptare, tjetri për të mos e lënë ta çojë pranë ndonjë gremine tjetër. Kjo detyrë duket se i takon Ilir Metës.
Sali Berisha duhet vlerësuar për këto dy ditë, për aq sa i takon që mund të bënte, që shumë kishin frikë se mos e bënte dhe që nuk e bëri. Përtej incidenteve, që nuk mund të shmangeshin as këtë rradhë në një militantizëm ekstrem (fatkeqësisht me një viktimë ditën e votimeve) dita e parë e numërimeve, ajo që të gjithë i trembeshin, ka kaluar relativisht e qetë, e pagjasë në Shqipëri.
E në mos Berisha ka marrë ndonjë sinjal jashtëzakonisht të fortë, s’dihet se ku, kjo është fitorja e vogël e tij. Zgjedhje “jo si të Berishës”. Një njollë që ia kishin ngjitur prej 1996, e që nuk kishte mundur dot ta shqiste nga kostumi i tij politik. Ndoshta këtë rradhë as presionet, as administrata, as ofertat, e as shiritat nuk mund t’i kundërviheshin një mase të pamatë që kërkonin ndryshim.
Berisha ka në dorë të administrojë humbjen, ashtu siç pati në dorë në administronte rezultatet e para, duke mos dalë asnjëherë në ekrane për të lajmëruar fitoren. Një tërheqje dinjitoze pas çertifikimit përfundimtar do t’i japë atij edhe mundësinë për t’iu rikthyer analizës së humbjes.
Sepse ndoshta, në kundërshtim nga ajo që presin shumë, humbja e Berishës, nuk është ikja e tij nga politika. Ndoshta Berisha nuk do të jetë më në majë të pushtetit të Shqipërisë, por edhe ai ka një detyrë të madhe. Të lejojë Partinë Demokratike të rimëkëmbet.
Një largim i menjëhershëm i tij, mund të sjellë një çarje në disa pjesë të asaj partie, çka me pak fjalë do të thoshte një mbretërim të gjatë të së majtës, pra një rikthim të vendit aty ku u nis. Berisha duhet të punojë, apo të lejojë një riformatim të PD-së, qoftë edhe duke qenë vetë garant. Sepse Shqipërisë i duhet opozitë, madje pas këtyre zgjedhjeve me këtë numër deputetësh, i duhet një opozitë shumë e fortë.
Shqiptarja.com
Comments
Analistet gjate dy viteve te

Analistet gjate dy viteve te ardhshme do te duhet te shpjegojne misterin e 4 fishimit te LSI. Rrjedhja e votave nga PD drejt LSI, nderkohe qe PS ka ngelur pothuaj ne vend numero, eshte dicka jashte çdo logjike matematikore. Nje parti super e korruptuar nuk mundet te kete 16 deputete per shkak te votes popullore. Nje mekanizem i perbindshem ka funksionuar per te deformuar vullnetin e qytetareve, dhe ky mekanizem duhet zhbere nese PS do te mbaje primatin e se majtes ne kete vend.

E frikshme eshte vertet, se

E frikshme eshte vertet, se PS me gjithe rilindjen e saj nuk arriti te shtonte elektorat e as mandate, kurse Ilir Meta arriti te merrte 17 mandate e t'i siguronte Edit pushtetin per te cilin lufton prej vitesh.

Nje gje na u be e qarte: Qe PS dhe lakejte e saj e keshilluese (Zaloshnja e Muc Nano mes tyre) i kishin bere mire llogarite dhe e dinin qe pa Ilir Meten Rama nuk kishte per t'i fituar zgjedhjet. Por edhe nje gje tjeter na u be e qarte: qe Ilir Meta eshte ai qe ben ligjin ne qeverine e Rames. Rama eshte thjesht nje imazh.

Nuk ka zgjidhje pa daljen ne

Nuk ka zgjidhje pa daljen ne pension te atij qe duhet te binte demokracine ne Shqiperi dhe pruri mort e vdekje.

Add new comment