Veriu i Kosovës: Shkëputje apo vendim i njëanshëm i qeverisë së Kosovës?

Ngjarjet e fundit në Mitrovicë tregojnë qartë kompleksitetin e problemit dhe urgjencën me të cilën duhet të ndërhyhet. Por në cfarë pozita gjendet qeveria e Kosovës, dhe cilat do të jenë zhvillimet e ardhshme?
Situata e ditëve të fundit në Mitrovicë e gjen qeverinë e Kosovës shumë të papërgatitur dhe të pafuqishme për të reaguar. Tensionet ndëretnike kanë shënuar rritje dhe situata mund të eskalojë. Familjet shqiptare ne pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës janë të pambrojtura përballë dhunës së strukturave paralele serbe dhe elementëve të armatosur të financuar nga Serbia. Por çfarë mund të bëjë dhe çfarë nuk mundet qeveria e Kosovës përballë kësaj situate? Ndërkohë që për integrimin dhe shtrirjen e plot të sovranitetit në veriun e Kosovës e cila përbën rreth 20 perqind të territorit nuk janë shuar të gjitha shpresat, i takon qeverisë së Kosovës të hedhë hapin e parë.
- Kjo nënkupton që kuvendi i Kosovës të autorizojë qeverinë që të bëhen të gjitha përgatitjet për dërgimin e forcave speciale të policisë në pjesën veriore të kontrolluar nga strukturat paralele. Qeveria e Kosovës duhet ta marrë në konsideratë seriozisht këtë mundësi pasi është një e drejtë kushtetuese e pa konsumuar deri më tani. Por siç duket, kjo ka pak mundësi të ndodhë. Së pari legjitimiteti i qeverisë së Prishtinës buron drejtpërdrejt nga zyrtarët ndërkombëtarë dhe një vendim i një anshëm nuk do të jetë i lehtë për t’u marrë.
- Por çfarë do të ndodhte në rast se Prishtina merr një vendim të njëanshëm? Jo rastësisht Kosovës i është mohuar krijimi i kapaciteteve institucionale të cilat do të garantonin sovranitetin dhe integritetin territorial të saj – ushtrisë kombëtare, sepse në çdo rast të rritjes së tensioneve ndëretnike, të jenë ndërkombëtarët ata të cilët duhet ta zgjidhin situatën dhe jo Kosova si shtet sovran. Andaj në rastin më të mirë ndërhyrja duhet të bëhet me anë të forcave speciale të policies, të cilat nuk janë të përgatitura për një mësymje të tillë, dhe aq më pak për ndonjë ballafaqim të mundshëm me elementët e armatosur serb apo me forcat e sigurisë së Serbisë.
- Nëse do të ndërrmirej një aksion i njëanshëm Kosova do të humbte menjëherë mbështetjen ndërkombëtare dhe sidomos atë të Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian; qeveria dhe asnjë parti e cila do të merrte pushtetin në të ardhmen nuk do të merrnin lehtë një vendim të tillë. Si duket deklaratat e fundit të zyrtarëve të qeverisë se së shpejti mund të pasojë një ndërhyrje e policisë më shumë janë për efekt manipulimi dhe hutimi të opinionit publik, se sa kanë të bëjnë me ndonjë paralajmërim serioz.
- Mundësia e dytë e integrimit do të vinte nga një presion i shtuar i Brukselit ndaj Beogradit për të ndërprerë financimin e strukturave paralele kriminale dhe për ta normalizuar gjendjen e tensionuar në këmbim të integrimeve evropiane. Por edhe kjo ka shumë pak mundësi të ndodhë. Beogradi zyrtar ka deklaruar shumë herë se nuk do ta pranojë presionin ndërkombëtar dhe këtë e ka dëshmuar vazhdimisht duke financuar strukturat paralele dhe duke prodhuar e rritur tensionet ndëretnike vetëm për të pamundësuar zhvilimin e shteti të Kosovës.
- Mundësia e tretë do të ishte një marrëveshje e shumëpërfolur në mes Kosovës dhe Serbisë e cila më në fund do të arrinte pajtimin mes dy kombeve dhe do të pasohej me një traktat paqeje dhe do t’i paraprinte njohjes reciproke mes dy vendeve pas një kohe. Edhe opsionin e tretë, i cili do të mundësonte integrimin e komunitetit serb dhe fuknsionimin normal të shtetit të Kosovës e bëjnë pothuajse të pamundur shumë faktorë. Së pari Serbia nuk e njeh shtetin e pavarësinë e Kosovës dhe nuk do të pranonte bisedime të këtij niveli dhe të kësaj natyre me qeverinë e Hashim Thaçit. Duke marrë parasysh pretendimet territoriale dhe përpjekjet e vazhdueshme serbe për ta paraqitur Kosovën si pjesë të saj, kjo marrëveshje nuk duket as në horizont. Për më tepër për një gjë të tillë Tadiçi para disa kohësh pati kërkuar të bisedonte me Tiranën.
Siç dihet në atë zonë mungojnë autoritetet shtetërore Kosovare: policia, gjykatat dhe shërbimet tjera publike dhe mbulohet plotësisht nga strukturat paralele serbe. Serbia investon rreth 500 milionë euro në vit, duke financuar të gjitha strukturat paralele. Ajo pjesë sot është bërë një oaz e kontrabandës dhe e krimit të organizuar, duke i mundësuar levizje të lirë thyersve të ligjit.
Makinacionet e Beogradit që të prodhojnë qështjen e problemit të veriut kanë qenë shumë të sukseshme. Kërcënimi i vazhdueshëm i qytetarëve shqiptarë nga grupe kriminale të financuara mirë dhe me mbështetje të fort politike, spastrimi etnik, refuzimi për të pranuar autoritetin legjitim dhe aktet e fundit kriminale kanë vënë të gjithë para aktit të kryer. Në fakt kjo ishte e tëra çfarë kërkonte Beogradi; nëpërmjet incidenteve në Mitrovicën veriore do të tentohet të arrihet efekt i dyfishtë. Në njërën anë Beogradi kërkon me ngulm që Kosovën ta paraqesë si shtet të dështuar dhe jo funksional dhe të pengojë zhvillimin e mëtutjeshëm, ndërsa në anën tjetër tentohen negociatat të cilat do të përcaktojnë fatin e pjesës veriore të Kosovës. Gjithmonë e më shumë kanë filluar të dalin zëra që paralajmërojnë fillimin e dialogut, gjë e cila së fundmi u konfirmua edhe nga ambasadori i ShBA-ve, Dell, dhe profesori i Universitetit John Hopkins, Daniel Server.
Pozita shumë e dobët e qeverisë së Kosovës përbën anën më të shëmtuar të kësaj çështjeje. Meqenëse problemi i veriut të Kosovës është një problem ndërkombëtar me aktor si Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara ka shumë të ngjarë që qeveria e Prishtinës të jetë vetëm spektatore dhë në fund të japë firmën formale. Kjo padyshim që nuk do të jetë risi, sepse gjatë gjithë këtyre 13 viteve të gjitha institucioneve dhe qeverive u është mohuar e drejta që të bëhen palë vendimmarrëse në këtë qështje.
Por cila mund të jetë e ardhmja e veriut të Kosovës? Në Ballkan janë provuar po thuajse të gjitha format e zgjidhjes së konflikteve etnike si: gjenocidi, transferimet në masë të popullsive, ndarja, integrimi ose asimilimi pastaj kontrolli hegjemonik, ndërhyrja e palës së tretë intervenuese etj. Por shumë nga këto metoda kanë dështuar, apo kanë prodhuar tensione dhe konflikte pas shumë kohësh. Ngjarjet e fundit në veri të Kosovës dhe pozita e dobët e qeverisë së Kosovës do të shtynë Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara që të imponojnë njërën nga këto zgjedhjet e mëposhtme:
- Një zonë me identitet të veçantë kulturor dhe fetar
- Autonomi jo territoriale
- Autonomi substanciale
- Secesion
Katër opsionet e paraqitura më lart kanë një emërues të përbashkët; Kosova humb një pjesë të madhe të territorit. Gjithashtu është shumë e rëndësishme të theksohet se cili do nga tri opsionet e para që arrihet nga bisedimet për veriun Serbia do të përgatisë shtegun për opsionin e katërt pas një kohe, apo në një mënyrë apo tjetër ajo do të mundohet ta paraqesë si të domosdoshme atë.
- Të gjitha qeveritë e Kosovës, që nga ajo e para e 2004-ës kanë qenë thjesht spektatore sa i përket zhvillimive në veri. Atyre vazhdimisht u është mohuar të marrin vendime sovrane për shtrirjen e sovranitetit dhe kanë qenë me qasje mjaftë të kufizuar. Si duket kjo ka qenë shumë e qëllimshme dhe është bërë vetëm për të mos e penguar eksperimentin e bashkësisë ndërkombëtare të shtetndërtimit të Kosovës dhe projektit të saj multietnik. Pra është ruajtur një zonë e veçantë, de facto jo nën administrimin e institucioneve të Kosovës, që në çdo rast të dështimit të integrimit të mund të hapen negociata të reja dhe të bëhet një zgjidhje tjetër. Pra nëse ky eksperimenti do të dështon atëherë do të fillohet me planin B, dialogu për statusin e ardhshëm të veriut.
Siç dihet i tërë projekti politik i Kosovës bazohet në shtetin multietnik – shtetin e barabartë për të gjitha komunitetetet. Por nëse shteti multietnik është baza e projektit politik të Kosovës si shtet sovran dhe i njohur ndërkombëtarisht, sa rrezikohet ky projekt nëse veriu i Kosovës merr një status special politik? Ne do të jemi dëshmitarë se idetë naive se çdo tentativë për shkëputjen e veriut do të nënkuptonte automatikisht bashkim me Shqipërinë nuk do të dalin të sakta. Shumë lehtë bashkësia ndërkombëtare mund ta ridimensionojë shtetin e Kosovës dhe ta imponojë një Kosovë pa pjesën veriore të saj. Kjo për shkak se në Kosovë qeverisin elita të përdorshme dhe servile të cilat duket se nuk janë të gatshme t’i bëjnë ballë presioneve të mëdha ndërkombëtare. Çdo lloj statusi special për veriun, i cili nuk nënkupton shkëputjen e plot të saj, do t’i mjaftojë faktorit ndërkombëtar që ta detyrojë qeverinë e Kosovës që ta pranojë atë pa asnjë kusht. Edhe nëse veriut i jepet status special si p.sh autonomia, kjo nuk do të përbënte ndryshim kufijsh (edhe pse nëse kjo ndodh, atëherë veriu do të funksionojë më shumë si shtet i pavarur se sa si pjesë e Kosovës), dhe përfundimisht nuk do të rihapeshin kartat për Ballkanin ku mund të diskutohej ndonjë shkëmbim i mundshëm territoresh.
Elitës politike në Kosovë i duhet të mendojë për sfidat e ardshme të cilat do të jenë humbja e pjesës veriore të vendit, apo marrja e vendimeve të një anshme për dërgimin e forcave speciale të policisë të cilat do të bënin të mundur shtrirjen e sovranitetit.
Add new comment