Transporti në Tiranë i parë me syzet e blera në Londër (akti III)
Të ecësh në Tiranë me dy valixhe me rrota është një sfidë e vërtetë. Të ecësh në përgjithësi është një sfidë me rrugët gjithë pluhur dhe qentë rrugaçë që vijnë vërdallë, sidomos kur erret, por kur ke valixhe ecja komplikohet nga pllakat e munguara apo të thyera. Shpesh trotuaret janë të zëna nga tezga shitësash dhe karrige lokalesh që të detyrojnë të zbresësh në rrugë ku makinat ecin me mbi 30 km/h edhe në zona rezidenciale, e që parakalojnë edhe në rrugë me dy korsi. Në Londër të vetmet mjete që parakalojnë në rrugë me më pak se katër korsi janë ambulancat dhe policia.
Valixhja që peshon 20 kg duhet të ngrihet peshë çdo 5-10 metra sepse trotuaret janë deri në një pëllëmbë mbi nivelin e rrugës si në hyrje ashtu edhe në dalje. Një djalë në të njëzetat që vjen me entuziazmin e rikthimit në atdhe pas dy vjetësh e gjen forcën për ta bërë këtë, por si ia bëjnë vallë të moshuarit, nënat me fëmijë në karroca, njerëzit me aftësi të kufizuara apo të sëmurë që ecin me karrocë me rrota? Në disa rrugë kryesore ishin bërë disa disheza në fund të trotuarit, çka është pa dyshim shumë pozitive, por për fat të keq në jo pak rate raste edhe ato kishin një pllakë 3-4 centimetra mbi nivelin e rrugës që hidhte poshtë qëllimin fillestar.
Për t’u lavdëruar vendosja e emrave të rrugëve edhe nëpër rrugica lagjesh larg qendrës. Para dy vjetësh në lagjen Don Bosko p.sh. nuk dihej asnjë emër rruge midis rrugëve “Don Bosko”dhe “Jordan Misja”. Këtë herë emrat ishin vënë. Shpesh pa ndonjë lidhje si “Albanopoli” apo pagëzuar me emra futbollistësh (mendoj unë, meqë s`marr vesh nga futbolli, se po të ishin perzonazhe historike, artistike etj. besoj do i njihja) por rëndësi ka që të paktën tani të gjithë e dinë ku e kanë adresën. Te “Don Bosko”, një nga zonat me popullsi më të dendur në Tiranë, nuk ka asnjë park me gjelbërim, asnjë park publik lodrash dhe asnjë fushë publike sporti. Fëmijët luajnë te parkingu i makinave poshtë pallatit, por të paktën tani parkingu ka një emër zyrtar edhe pse njerëzit ende e quajnë “ke parkingu i Gimit”, sipas pronarit të tokës me të njëjtin emër.
Është mëkat që Tirana jonë e vogël të ketë aq shumë makina. Autobuzët që lëvizin brenda lagjeve që kontrollon bashkia janë të shkëlqyer. Bileta të lira, ajër i kondicionuar, autobuzë jo të tejmbushur përjashto mbase ndonjë rast sporadik në orar piku dhe që kalojnë çdo 5-10 minuta. Ka vërtet shumë pak shtete në botë që mund të krahasohen me këtë. E di, tingëllon e pabesueshme që ne të kemi infrastrukturë bashkëkohore, po shërbimi urban në Tiranë është i
tillë. As në shumë qytete perëndimore, përfshi Londrën, autobuzët nuk i kanë të gjitha këto avantazhe. Ka vend për përmirësim patjetër. Mungesa e hartave është kryesorja. Të gjithë presupozojnë se ti duhet ta njohësh Tiranën edhe n.q.s. vjen nga Honoluluja. Natën nuk ka autobuzë, mungesa e biletave ditore apo familjare është një tjetër mangësi, por megjithatë në
total Tirana duhet të jetë krenare për këtë.
Me gjysëm ore të ecur kushdo mund të arrijë gati kudo në kryeqytet. Vapa, pluhuri, përtesa, takat e larta edhe kur del për pazar, boritë e makinave që bien vend e pa vend e bëjnë atë gjysëm ore të duket sa katër orë. Sikur të kisha një qindarkë për çdo herë që kam dëgjuar një bori makine tani do isha bërë milioner. Shoferë kur marrin kthesën “sa për paralajmërim”, shokë që përshëndeten në mes të rrugës, burri që në tre të drekës thërret gruan pasi përton të ngjisë shkallët, apo ta marrë në telefon (kjo e fundit për hir të romanticitetit alla Romeo dhe Zhuljetë edhe mund të pranohej po të mos zgjonte gjithë fëmijët nën 2 vjeç, të cilët nisnin të qanin në kor), të gjithë i bien borisë pa asnjë lloj sikleti. Edhe shumë faj nuk u vë dot se në fakt në gjithë qytetin nuk ka asnjë shenjë rrugore që ta ndalojë këtë. Problemi tjetër që del këtu është fakti që tani askush nuk e kthen më kokën kur bie boria sepse të gjithë i bien kot dhe jo në rast rreziku siç në fakt duhet. Si te ajo përralla me bariun që pasi kishte thirrurr “ujku” disa herë kot, kur ujku erdhi me të vërtetë askush nuk doli t`a ndihmonte. Mbase është faji im dhe i bebeve deri në dy vjeç që s`jemi mësuar me boritë e makinave. Mbase përveç nesh, askush nuk zgjohet më nga gjumi i drekës prej një borie. Kjo do shpjegonte dhe pse askush nuk “zgjohet“ më në atë qytet as kur prishen objekte identiteti të qytetit, as kur minatorë rrinë një muaj në grevë, as kur ligje që kanë të bëjnë me identitetin kombëtar si regjistrimi i popullsisë, miratohen me deputetë fantazëm jo të pranishëm në sallë, as kur hidhet një fshat i tërë në erë, as kur...lista është shumë e gjatë, gati-gati s`u vë dot faj. Bebet shumë shpejt do mësohen, mbetem vetëm unë, dhe unë i vetëm jam i parëndësishëm mes 1 milion banorëve. Unë mund të krijoj një grup në fejsbuk për këtë dhe 17 persona do ta pëlqejnë, mund të shkruaj një artikull dhe dikush le të psherëtijë kur e lexon, por këto s`do shurdhojnë dot askënd, ndryshe nga gjithë boritë e makinave që bien çdo sekondë në Tiranë.
Tirana është ndër të paktët kryeqytete në Evropë, mos qoftë i vetmi, që nuk ka trena apo metro urbane. Shërbimi interurban i trenave është gjithashtu i papërdorshëm. Çudi që pas gjithë këtyre investimeve në ndërtimin e rrugëve nëpër gjithë Shqipërinë, askush nuk kujtohet për një shërbim kaq thelbësor, siç është transporti publik i cili ka shumë gjasa që të mund t`i paguajë mbrapsht të gjitha kostot nëse manaxhohet si duhet. Askush nuk kujtohet për njerëzit që nuk kanë makinë, si lëvizin ata nën mëshirën e furgonave të paliçensuar jashtë qytetit? Njerëzit pa makinë nuk mund t`i bien borisë, atyre nuk u degjohet zëri, as në Tiranë e jo më jashtë saj.
Taksia kushton 4-500 lekë brenda Tiranës. Nëpër rrethe akoma dhe më lirë. Shumë njerëz kaq fitojnë për një ditë pune. Shtrenjtë, por taksitë janë shtrenjtë kudo, të paktën në Tiranë e fikson çmimin sipas distancës. Më mirë kështu sepse jashtë shtetit tarifa varet zakonisht nga koha që shpenzohet deri në të mbërritur duke të tarifuar kështu edhe për trafikun e rënduar. Shpesh taksitë janë tip Mercedez, relativisht të reja dhe të rehatshme. Së fundmi kishin afishuar edhe tarifa duke ndaluar kështu – të paktën shpresoj – abuzimin ndaj turistëve të huaj. Pakkush do ankohet ndonjëherë për taksitë sepse ato merren shumë rrallë nga njeriu i zakonshëm. Shoferët do bëjnë aty-këtu ndonjë protestë para bashkisë për të hequr ata që veprojnë pa
liçenca. por ty si qytetar pak të bëhet vonë, edhe n.q.s ata i bien borive ndaj së cilave ti dhe pushteti tashmë jeni imunizuar.
Taksitë janë shtrenjtë, trena nuk ka, ecja është e bezdisshme në Tiranën e nxehtë dhe autobuzët nuk kanë harta që të të tregojnë ku të ndalosh, por pavarësisht të gjitha këtyre nuk duhet kurrë, dhe theksoj kurrë, të qarkullosh me biçikletë n.q.s. nuk je mësuar me Tiranën. Askush nuk i respekton biçikletat në trafik. Makinat u presin rrugën, u hapin dyert papritur përpara timonit, nuk u lënë vend në semafor. Vendet për ta lidhur janë gati inegzistente ndaj duhet të përshtatesh duke e lidhur në ndonjë shtyllë. Në shumicën e rrugëve s`ka as hapësirë e jo më korsi për biçikleta. Makinat pretendojnë t`u hapësh rrugën sepse mendojnë që ato kanë më shumë të drejtë se çiklistat për të qënë në rrugën e ngushtë dhe i bien borisë
(sërish) që të ndalosh dhe të ngjitesh në trotuar kur nuk hap dot krahun. Në rastet kur trotuarët janë ndarë me hapësirë për biçikletat si në bulevardin “Zhan D`Ark”, duhet të përballesh me këmbësorët të cilët ecin lirshëm aty dhe lëvizin vetëm n.q.s ti i bie ziles (që as nuk krahasohet me boritë). Një nismë shumë e mirë për dhënien e biçikletave me qera kishte nisur me ca stacione tek parku “7 xhuxhat” apo tek ai “Rinia”, por me ç`dukej askush s`i
përdorte për arsye të përmendura më lart dhe të tjera. Mungojnë dhe politikat e gjelbra apo shembulli i një kryetari minibashkie, deputeti etj. për t`i promovuar këto nisma sepse ATA lëvizin me makina. Me makina që gjithashtu kanë probleme me parkimin e munguar, me petrolin e shtrenjtë, më fëmijët gangsterë që ua gërvishtin dyert n.q.s. nuk paguhen kur parkon në vende parkimi që janë pronë e bashkisë(?!), me shenjat rrugore që nuk respektohen etj, por të paktën makina tregon që ti je lart në hierarkinë e shoqërisë. Kur ti ecën me këmbë apo biçikletë ti je askush pavarësisht se nga vjen apo me çfarë merresh. Bëj si bëj dhe blije një makinë. Fundja mbaje pa larë, pa letra dhe pa siguracion se s`do jesh i vetmi, por të paktën kështu do kesh mundësi t`i biesh edhe ti borisë!
Tirana është e gjallë dhe lëviz shpejt, por për fat të keq ti nuk lëviz dot me të njëjtën shpejtësi në atë nxehtësi, dhe këtu s`është fjala vetëm për motin. Siç këndonin dikur Kastro Zizo me atë “çunin dhe atë gocën tjetër: “Ne ecim ngadalë/ ne ecim të etur/ qiellin duke prekur”… Këta e këndonin dhe “Ia ke fut plako”?
Comments
Shume shkrim i bukur Endri,
<p>Shume shkrim i bukur Endri, komplimente!</p>
Add new comment