Tirana e parë me syzet e blera në Londër (akti 1)

Postuar në 19 Gusht, 2011 01:52
Endrit Avdullari

U ktheva në Shqipëri pas 2 vjetësh mungesë. E lashë atëherë kur opozita nisi të bojkotojë parlamentin - dmth vota ime pasi u vodh nga pozita nisi edhe të injorohohet nga opozita – dhe kur një rrugë e pagëzuar padrejtësisht si “e kombit” u nis pa projekt dhe tejkaloi disa herë buxhetin derisa arriti puna tek marrja e kredisë te bankat tregtare. Marrja e kredive nga bankat tregtare ishte një sinjal i fortë i mungesës së besueshmërisë së shtetit. Logjika dhe praktika sugjerojnë që bankat dhe investitorë të tjerë t`i japin kredi shtetit nëpërmjet bonove të thesarit që është një instrument i cilësuar “i sigurtë po aq sa shteti” dhe ka normalisht sigurinë më të madhe të mundshme të një letre me vlerë në atë shtet. Bankat ia japin këto fonde qeverisë sipas kushteve që vendos kjo e fundit. Me marrjen e kredisë nga bankat tregtare, shteti heq dorë nga kjo e drejtë dhe i merr fondet sipas kushteve që bankat i vendosin shtetit. Një fenomen ky shumë paradoksal. Në një vend pa parlament funksional, kjo tregon që nuk e ka pushtetin populli (dmth parlamenti), e as qeveria, por ata që kanë para. E kupton që ka diçka që s`shkon në një vend kur banka botërore, një organizëm që ka si funksion parësor dhënien e ndihmës për vendet në zhvillim, tërhiqet nga projekte të caktuara (i.e. “Rruga e Kombit”) apo kërkon falje pasi është e përfshirë në skandale korruptive (si në Jalë). Kur pas këtyre ngjarjeve kryeministri apo ministri përkatës në vend që të kërkojnë falje, i shpjegojnë vërejtjet si të ardhura nga segmente mafioze brenda këtyre organizmave dhe pasi institucione ndërkombëtare si FMN-ja mbyllin zyrën e tyre në vend, atëherë unë vendosa të mos i dorëzoj më paratë e mia, që më merreshin në formën e taksave, në shtet meqë ato nuk po shpenzoheshin për të mirën e atdheut apo popullit tim por për atë të individëve të veçantë.

 

Edhe pas dy vjetësh, çështjet e rëndësishme gjyqësore ose shtyheshin pambarimisht si p.sh. “Gërdeci”, ose ishin mbyllur për çështje afatesh sepse ishin shtyrë pambarimisht, si çështja “Basha”.  Ndërkohë ishin shtuar edhe çështje të tjera të sikletshme për qeverinë si përgjimi “Meta”, nafta “Virgin”, ndërhyrja në çështjet e brendshme të Kosovës pa miratimin e saj raportuar në Wikileaks, minatorët, piramida, ndërrimi i rregullave në mes të zgjedhjeve por mbi të gjitha 21 Janari me nënçështjet e tij. Doktori i ushtarakut që gënjen për llogari të kryeministrit, prokuroria që nuk arreston dot gardistët, provat  që shpallen të pavlefshme dhe merren në mbrojtje nga ambasada amerikane (i.e amb. amerikane i mbron ato nga ndërhyrja e shtetit), letra shpjeguese e ministrisë së jashtme drejtuar ambasadave në vend e shkruar keq që tregonte se pse kishte probleme me rendin ende para se problemet të nisnin.

Lajmet mbi 21-Janarin patën mbulim në të gjitha mediat e rëndësishme. BBC, France 24, Russia Today, CNN kudo që të ndodheshe në botë ishte një TV që fliste për ne. Al-Jazeera madje bëri një speciale mbi Shqipërinë ku një tip nga Maqedonia tha dhe të vërtetën e hidhur se në ballkan nuk ka institucione të vërteta, ato janë të gjitha fasada të lidhura me politikën. Vetëm pak muaj më vonë në zgjedhjet vendore kjo frazë u rikonfirmua dhe çdo shpresë e imja që brezi im do ta çonte Shqipërinë drejt Evropës, siç këndonte Elton Deda në vitet ‘90, u shua. Gjëja e parë që bëra ishte fshirja e kësaj kënge nga faqja ime në Spotify. Fundja ku merr vesh Eltoni nga Evropa. Ai vetë iku në Amerikë! Meqë isha, hoqa dhe këngën e Aurelës të Eurovizionit se më bezdiste anglishtja me theks vlonjat. Gjëja e dytë që bëra ishte prerja e biletës. Udhëtimin në Shqipëri nuk do e shtyja dot përgjithmonë dhe mund të them paraprakisht se jeta ime gjatë qëndrimit aty nuk u kërcënua në asnjë moment ashtu siç kisha frikë.

 

(vijon javën e ardhshme)

Comments

Submitted by Jo anonim: Luani (not verified) on

Iu shtua edhe nje komunist a bir komunisti ResPublika-zeri i komunisteve dhe vullnetareve te Enverit. Ti nuk e shikon Shqiperine, vendin tend,me syzat e blera ne Angli, por me syzat e Dulles.Mireseardhe, mik. Hiqi syzat e erreta dhe shiko e krahaso Shqiperine e sotme me ate geton e Dulles. Shqiperia nuk eshte parajse dhe ka gabime me thes(te gjitha te keqijat na vijne nga komunistet: Gjinushi, Ruçi, Sala, Tosi, Edi(ne Angli me kane thene u ngjane tamam si Hitleri, bile kane bere edhe nje pikture edo-hitler, po ate s'ta kane pare syte) e kush i numeron ne te majte e ne te djathte.Po Shqiperine e popullin shqiptar mos e lerosni me katranin e ferrit komunist...Rrugen e kombit, zoteri, e ngre ne apogje çdo shqiptar qe vjen nga Amerika apo Europa dhe krenohen me te, gje qe e kane deklaruar me force edhe ne televizionet tuaja, kur pseudogazetaret e pavarur jane perpjekur t'ua shformojne me ato te tyret. Vetem komunistet dhe pjellat e tyre e shajne çdo arritje ne Shqiperi, atdheun e te gjithe shqiptareve, siç shante Dulla SHBA-ne. E mbani mend: sa me lart Amerika, aq me shume e poshteronin tellalet e detyruar te tij, se per te paguar u fuste l... ne goje. U zgjata i detyruar dhe me vjen habi se ku i gjen gjithe keta bastarde ky M. Nano. Apo e gjejne vete ata ResPubliken?...

Submitted by Leonardo (not verified) on

Për fat të keqë në një popull ka dhe njërë të tillë por të thuash apo të shkruash të vërtetën fatkeqsishtë do marësh epitetin komunist apo tradhtarë e njëjta menyrë si para 20 vjetësh në qoftëse thoshe të vertetën dënoheshe por të kthehemi sotë të propogandosh me të malle se kemi ecur përpara sepse u futëm në nato dhe se kemi ndërtuar një rugë kombëtare me parametrat e sotëme teknologjike dhe normale por bejmë një gabimë të madh sepse më kujtonë një histori para 45 vjetësh kur sistemi i atershëm propogandojë me të madhe për një vepër të madhe që zuri goxha sipërfaqe toksore dhe jo shume vjetë më vonë Suedezët dhanë mendmin e tyre që ishte bërë një idjotësi e madhe si për sipërfaqen toksore ashtu dhe për teknologjinë pandajë sotë duhetë mendohemi shumë mirë për çfardo vepër që të ndërtojmë të shikojmë efikasitetin dhe ekonominë e sajë iku koha që çfardo që të bëjmë ti mbulojmë politikë faleminderit për shkrimin

Submitted by A.G (not verified) on

Iluministet ,idealistet,patriotet,nacionalistet etj gjithmone atmemedheu yne jashte kufijve i ka patur,sepse objektivi duket me qarte nga distanca,si puna e tokes nga hena...Bere mire qe i fshive te gjitha kenget e tua rinore,por te lutem kengen e Mentor Xhemalit ruaje,mbase do te te duhet ndonje dite...

Submitted by emigrantja (not verified) on

Shumica jone qe jemi jashte, (te pakten shqipetaret me te cilet une kam folur)njejme nje keqeardhje te madhe se si vendet e tjera te ballkanit na e kane kaluar si nga ana ekonomike por dhe nga ana e zbatimit te lirive dhe te drejtave te njeriut. Kur une u largova nga Shqiperia ika me mendimin se pas 5-10 vitesh do kthehesha perseri prane te afermve te mi. U ben 15 vjet dhe akoma kjo enderr nuk eshte bere realitet. Ne c'vend mund te kthehesh kur ne pune futen militantet e partive (si ka ardhur puna ne Shqiperi, cdo familje duhet te kete nje pjestar te sajin me partine demokratike dhe nje me partine socialiste qe kushdo qe te jete ne pushtet mos ta heqi nga puna).
Nuk u hoq kurre mentaliteti i "partia mbi te gjitha" pasi c'do gje qe shkruhet vishet me petkun e nje partie te caktur qofte verejtje ose levdate. Nuk e kuptoj perse gjithcka duhet te jete bardhe e zi. Asnje parti apo politikan nuk eshte i persosur prandaj gabimet dhe disfatat duhen permendur mandje me ze te larte.
Fatkeqesia qendron ne faktin qe Shqiperia jone e dashur edhe pas 20 viteve demokraci nuk ka hecur me ato rritme qe duhej te kishte ecur. Bijte dhe bijat e saj vazhdojne te presin castin e duhur per tu kthyer por mjafton 2-4 jave pushimesh ne atdhe per te kuptuar se caasti eshte po aq i larget sa dita kur u larguan nga vendi nene.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.