Tash nuk është çështja se a mundemi, por a duam

Në këtë mandat, Vetevendosje është subjekti i vetëm në Kosovë i cili qysh me 12 shtator të vitit të kaluar ka kërkuar dorëheqjen e Qeverisë së Kosovës; është sërish subjekti i vetëm në Kosovë i cili me 4 dhjetor të vitit të kaluar ka ndërmarrur nismën për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë.
Në votimin e së enjtes që shkoi, deputetët që votuan për pezullimin e këtij privatizimi i kishin plot 589.911 vota të qytetarëve ndërsa deputetët që ishin kundër pezullimit të tij i kishin gjithsej 363.693 vota të qytetarëve. Diferenca ndërmjet këtyre numrave është 226.218. Kjo diferencë është më e madhe sesa numri i gjithmbarshëm i votave të PDK-së (224.239 vota) me ç’rast e kemi neglizhuar faktin se sa shumë vota të vjedhura janë pikërisht te ky numri i fundit!"
Njëkohësisht, në votimin e së enjtes u dëshmua se si ato 20 ulëset e rezervuara për minoritete e hudhin përtokë edhe çfarëdo demokracie minimale. Pra, Plani i Ahtisaarit si një solucion brutal kundër demokracisë praktikisht është vënë në shërbim edhe të privatizimit brutal të Kosovës.
Në anën tjetër, deputetët që po ndërgjegjësohen duke dalur prej këtij koalicioni qeverisës, i cili Kosovës po i sjell veçse ditë të zeza të mjerimit social dhe rrënimit politik, kanë bërë që numri i deputetëve që e përkrahin këtë Qeveri të jetë më i vogël se 60. Prandaj, po e theksoj sërish, tash nuk është çështja se a mundemi ta rrëzojmë këtë Qeveri por a duam ta rrëzojmë këtë Qeveri. Ne të Lëvizjes VETËVENDOSJE! e kemi ndarë mendjen dhe e kemi të qartë qysh moti që kjo Qeveri duhet të shkojë në mënyrë që Kosova të përparojë. Qëndrimet tona për zgjedhjet e dy presidentëve në shkurt e në prill të vitit të kaluar, njëri me sms-a e tjetra me zarf, u dëshmuan të kenë qenë të drejta. Qëndrimet tona për marrëveshjet partiake jashtë institucioneve për këta dy presidentë po ashtu u dëshmua të kenë qenë të drejta. Pra, qëndrimet tona, si gjithmonë, qëndrojnë, pra janë përnjëmend qëndrime.
Pavarësisht përshtypjeve a motiveve të tjera që mund t’i ketë pasur dikush, qëllimi i marrëveshjes së tre kryetarëve partiakë në prill të vitit të kaluar ishte emri i Presidentes në zarf dhe jo reformat zgjedhore a kushtetuese. Emri i Presidentes ishte letra në zarf kurse reformat ishin letra e zarfit, pra ambalazhi. Nuk mund të merresh vesh me ata që e organizuan vjedhjen e votave për reformë zgjedhore. Votat u vodhën me plan sepse plaçka është interesi i hajnave, ligji u shkel me paramendim sepse shkelësit e ligjit u mobilizuan për të vjedhur. Një ligj i ri nuk i eliminon hajnat e vjetër por i amniston ata. Dhe, aq më pak një ligj i ri në marrëveshje me këta hajna të vjetër. Data e vërtetë e kësaj marrëveshje nuk ishte 6 prilli i vitit 2011 por 1 prilli i cilitdo vit.
Ne të Lëvizjes VETËVENDOSJE! ju bëjmë thirrje edhe njëherë të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës që ta mbështesin nismën tonë përherë aktuale për rrëzimin e kësaj Qeverie, nismë kjo që ne duam ta riaktualizojmë dhe duhet ta riaktualizojmë. Deputetët e opozitës por edhe deputetë të pozitës e dinë që kjo Qeveri po i kushton shumë shtrenjtë Kosovës politikisht, ekonomikisht e moralisht. Një ditë më shumë me këtë Qeveri është një ditë më pak për Kosovën. Secili deputet që e dëgjon mendjen dhe zemrën e vet nuk është për këtë Qeveri. Këtë zë të brendshëm e privat të deputetëve le ta bëjmë zë publik që ta nxjerrim jashtë këtë Qeveri.
Jemi të bindur që Kosova mundet më shumë dhe meriton më tepër. Veçse nevojitet një model tjetër, një program tjetër qeverisës që bazohet në Shtetin Zhvillimor e i cili është edhe Shtet i së Drejtës edhe Shtet Social. Alternativa qeverisëse e Lëvizjes VETËVENDOSJE! është pikërisht e tillë.
Ç’është ky shteti zhvillimor dhe cilat janë parimet themelore të tij? Shteti Zhvillimor thotë që zhvillimi nis nga brenda e ndihmohet më pas prej jashtë. Investimet e huaja janë pasojë dhe jo shkak i zhvillimit. Investuesit e huaj shkojnë aty ku ka zhvillim ekonomik, dhe jo aty ku ai zhvillim duhet nxitur. 90% të investimeve të huaja direkte në botë shkojnë në vende tashmë të zhvilluara. Duhet të fillosh të zhvillohesh me forcat tuaja që të bëhesh serioz dhe të të respektojnë. Investimet e huaja duhet të jenë në funksion të zhvillimit ekonomik, dhe jo zhvillimi ekonomik në shërbim të investimeve të huaja. Shtetet e fuqishme sot mu kështu kanë bërë dikur.
Me Shtetin Zhvillimor shteti nuk është më spektator por bëhet akter dhe faktor. Ai nuk e kontrollon zhvillimin por merr pjesë në të, nxit orientime të caktuara që dihet se janë të levërdishme, koordinon e mbështet iniciativa të ndryshme, promovon eksportin dhe përpiqet të bëjë zëvendësimin e importeve. Shteti Zhvillimor nuk e shet sektorin publik dhe konsiston te politikat e përzgjedhura industriale. Intenca e industrializimit sjell më pastaj zhvillimin, modernizimin dhe punësimin. Industria duhet lidhur me bujqësinë. Ekonomia që bazohet vetëm në shërbime e financa nuk mund të jetë e suksesshme për neve. Këto janë degë të rëndësishme të ekonomisë porse kurrsesi të mjaftueshme.
Jo shoqëria të jetë në funksion të ekonomisë dhe ekonomia në funksion të tregut, por tregu në funksion të ekonomisë dhe ekonomia në funksion të shoqërisë. E keni parë qysh deputetë e ministra, kryeministri e zyrtarë të tjerë të lartë, thonë ‘ekonomia e lirë e tregut’ dhe jo ‘ekonomia e tregut të lirë’. Pra, nuk dinë as t’i thonë. Kjo ‘ekonomia e lirë e tregut’ po i kushton shumë shtrenjtë qytetarëve të Kosovës.
Shteti Zhvillimor e lidh Arsimin me Zhvillimin Ekonomik dhe Universitetin me Prodhimin. Mirëpo, gjithnjë për një Shtet që është edhe Shtet Social: Shtet universal dhe shtet solidar – universal sepse të gjithë paguajnë për të mirën e përgjithshme, dhe solidar sepse ata që kanë të ardhura më të larta paguajnë më shumë për të mirën e përgjithshme.
Ky shtet social i kushton vëmendje të posaçme punëtorit dhe të drejtave të tij. E keni parë si thonë që ky politikan e shtroi këtë autostradë e ai pushtetar e ndërtoi atë shkollë. Po punëtorët, çfarë bën ata?! Janë punëtorët ata që e ndërtuan dhe po e ndërtojnë Kosovën dhe kjo bëhet edhe me mjetet e buxhetit të Kosovës që është buxheti i të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Neve na akuzojnë duke shpifur dhe na sulmojnë duke gënjyer. Por, ju duhet ta kuptoni se nuk ka pasur mundësi tjetër: regjimi dhe njerëzit e tij nuk kanë armë e mënyra të së vërtetës. Shpifja e gënjeshtra janë krejt çfarë kanë. Dhe, shpifja e gënjeshtra janë krejt çfarë janë. Pra, njerëzit e regjimit nuk janë vetëm njerëz të gënjyer që shpifin por edhe njerëz të shpifur që gënjejnë. E megjithatë ne nuk i urrejmë ata personalisht. Ne e urrejmë politikën e tyre që ata i shërbejnë: politikën e negociatave të vazhdueshme me Serbinë që e ka ndërprerë shtetndërtimin e Kosovës, dhe politikën e privatizimit të egër që e ka pamundësuar zhvillimin ekonomik.
E vërteta dhe e drejta janë në anën tonë. Prandaj ne do të fitojmë. Kjo do të thotë se as ne nuk do të fitojmë pse jemi ne, por pse jemi në rrugë të drejtë – jo pse kemi emrat që kemi e pse jemi këta njerëz të përveçëm, por pse ideja udhërrëfyese dhe koncepti bazë janë universal kurse programi politik më i miri dhe më i duhuri për popullin dhe vendin tonë.
Duhet të punojmë edhe më shumë se deri më tash, pa e humbur durimin. Dhe, duhet të jemi edhe më aktivë se deri më tash, duke u bërë gjithnjë e më shumë bashkë.
Add new comment