Të jesh apo të mos jesh me Edi Ramën
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/2493_zamira_cavo.jpg?itok=1uKvkQNt)
Në vorbullën e thashethemeve, por edhe të qëndrimeve të ndryshme ndaj veprimeve të qeverisjes “Rama”, ndjek me vëmendje qarkullimin e shpejtë të perceptimit popullor, por edhe intelektual. Çfarë po ndodh realisht në qeverisje që e bën kaq të fortë dyshimin e shprehur në titullin e këtij shkrimi? A duhet besuar, e për rrjedhojë dhe ndjekur e punuar për Edi Ramën, apo dukja çon në qasje demagogjie dhe i jep udhë perceptimit se “Rama po na çon drejt një krize të përgjithshme?”. Në rastin e dytë, do duhet të ndalemi e të pyesim veten se çfarë duhet të bëjmë për të ndryshuar. Në biseda mes miqsh sot, kjo dilemë duket se po fryhet me thashethemin e radhës apo dhe me perceptimin personal, sipas interesit. Le të analizojmë realisht çfarë po ndodh me politikat qeverisëse.
Jam e bindur se vullneti politik për të ndryshuar gjërat në këtë Shqipërinë tonë të bërë plagë nga keqqeverisja 24-vjeçare, nga qeveria “Rama”, nuk mungon. Kjo duket pothuaj në çdo fushë të nivelit të prekshëm nga sytë e mendja e gjithkujt. Aksioni “Lazarat”, aksioni “INUK”, aksioni “Energji elektrike”, aksioni “Arsim”, aksioni “Restaurim e gjelbërim” etj., etj., tregojnë synimin e qeverisë për të sjellë te qytetarët mendimin e ndryshimit të vizionit dhe të vendosjes së një shteti sa më afër qytetarit. Ky është një realitet që, përveç disa të indoktrinuarve apo militantëve fanatikë të Berishës, të gjithë e pranojnë. Është një model qeverisjeje që jep shpresë e që ngjall besim për ta ndjekur Ramën në rrugëtimin e tij qeverisës. Brenda vetëm pak ditëve kam takuar disa miq që jetojnë e punojnë prej vitesh jashtë vendit. U habita kur të gjithë shprehnin në mënyrën e tyre po të njëjtin mendim: “Rama duhet mbështetur, sepse vendi ka filluar ndryshimin pozitiv”. Natyrisht, është e kuptueshme që shqiptarët që jetojnë jashtë vendit janë disa herë më të ndjeshëm ndaj çështjeve madhore që e bëjnë të dukshëm e të pranueshëm vendin në opinionin ndërkombëtar. Kjo lidhet me jetën e tyre në vende të huaja. Ata duan të ndihen krenarë për emrin shqiptar dhe këtë e ndiejnë kur të huajt flasin mirë për Shqipërinë. Ndoshta ky imazh ndërkombëtar ka filluar një tendencë pozitive. Kjo është vërtet një shenjë e mirë. Ndaj qeverisja duhet nxitur që këtë imazh ta përmirësojë e ta bëjë të krahasueshëm edhe me vende të tjera që, edhe pse jo fort të zhvilluara, kanë shtetin e tyre të qëndrueshëm!
Nga ana tjetër, shteti ka nxjerrë “thonjtë” e tij për zbatimin e ligjit. Të çmësuar me forcën e shtetit dhe të ligjit, një pjesë e njerëzve nuk i pranojnë dot dënimet apo dhe prangat. Deri më sot jemi ankuar se nuk e kemi pasur shtetin që të zbatojë ligjet, por kemi pasur pushtetin që i ka mësuar njerëzit me amnisti ndaj shkeljes së ligjit. Tani që shteti po vepron me dorën e fortë, e akuzojmë pse vepron kështu. Çdo njeri që ka qenë korrekt me zbatimin e ligjit e ka dëshiruar dhe e ka votuar qeverisjen “Rama” pikërisht për këtë gjë. Është qesharake të ngresh opinionin kundër qeverisë se po kërkon zbatimin e ligjit. Por kur është kjo situatë, si ka mundësi që dilema të jesh apo të mos jesh me Ramën është e pranishme në biseda?
Në mendimin tim, ka disa gjëra të tjera që ngrenë pikëpyetje për qeverisjen “Rama” e që po amplifikohen nga opozita inekzistente. Së pari, është puna në administratën publike. Pavarësisht vullnetit politik, burokracia ka rolin e vet të rëndësishëm në qeverisje. Realisht, administrata publike është fytyra e shtetit. Kjo fytyrë lë ende shumë për të dëshiruar. Nëse do të ndjekim qoftë edhe një aksion të vetëm të qeverisë, me siguri do të shikojmë më shumë Kryeministrin që qartëson situatën apo që tregon rëndësinë se sa specialistët apo ministrat. Kjo e bën të dukshme faktin që administrata jonë është ende larg kuptimit të asaj ç’ka në vizion qeverisja. Kjo bën që strategjitë të mbështeten në aksione apo “operacione” të cilat, nëse nuk krijojnë kulturën e realizimit, ka shumë mundësi ta rikthejnë gjendjen si më parë. Kështu ndodhi me kazinotë, kështu po ndodh me zënien e hapësirave publike (u prishën vetratat e u zëvendësuan me çadra), kështu ndodhi me disa universitete, që u mbyllën dhe u çelën sërish në kohë rekord, kështu po ndodh me kutitë e emergjencës në makina etj., etj.. Administrata publike jo rrallë prodhon praktika që kundërshtojnë njëra-tjetrën, ose që nuk përputhen me atë çka thuhet nga Kryeministri. Kjo tregon se paaftësia e atyre që kanë zënë pozicionet e para në administratë ka shumë mundësi të çojë drejt një stopimi të strategjive qeverisëse, ose dhe në keqinterpretimin e tyre. Dikush mund të thotë se konkurset në administratën publike janë shumë korrekte, por njerëzit e shikojnë se cilët punësohen dhe si. Kjo është në mendimin tim një pikë e “nxehtë” e dyshimit ndaj qeverisjes aktuale. Nga ana tjetër, dalja e z. Rama për çdo aksion të qeverisjes, i ka lënë në hije institucionet. Këto të fundit, ca nga paaftësia, ca nga mungesa e eksperiencës dhe ca nga fakti që “u del zot punëve të tyre vetë Kryeministri” kanë shumë mundësi të “mpaken” e të humbasin rolin e tyre në një demokraci funksionale. Kjo, me fjalë të tjera, do të thotë më pak liri e më pak përgjegjshmëri. Qeverisja e mirë synon stabilitet dhe qëndrueshmëri. Nëse administrata nuk është në gjendje t’i përgjigjet kësaj qëndrueshmërie, por kërkon vazhdimisht “mendjen e z. Rama”, e ardhmja vihet në pikëpyetje.
Raporti i qeverisjes me elektoratin e vet është padyshim një forcë e madhe inkurajuese. Por, me kalimin e kohës, qeverisja “Rama” po i largon “sytë” nga elektorati i vet. Partia Socialiste është pothuaj inekzistente, por hallet e saj janë ekzistenciale për të. Nëse kjo qeverisje harron elementin njerëzor mbështetës, ka shumë mundësi që të dështojë në synimet e saj të afërta dhe të largëta. Kriza ekonomike, politikat qeverisëse që synojnë me plot të drejtë t’i japin fund informalitetit, kanë çuar gjithnjë e më shumë në vështirësi dhjetëra familje shqiptare, sigurisht dhe ato socialiste. Ndaj vëmendja e qeverisë, e ministrave dhe zyrtarëve të tjerë të lartë, do të duhet të fokusohet shumë ndaj problemeve jetësore, punës dhe shëndetit. Takimet e ministrave me njerëzit gjithnjë e më shumë po bëhen të pamundura, por dhe kritikat e njerëzve ndaj qeverisë gjithnjë e më të pamirëpritura. Personalisht ende besoj në një ndryshim të qëndrueshëm, jo sipërfaqësor, jo thjesht për imazh, por që t’u garantojë shqiptarëve një jetë më të mirë. Por gjithkush e di se besimi duhet ushqyer me realitet. E nëse kjo nuk ndodh, dilema zgjidhet në rastin e dytë. Besoj se, pas një viti qeverisje, ndarja me kohën e “Berishës” duhet të marrë fund, si në praktikë ashtu edhe në krahasime.
Së fundmi, dilema e titullit ndoshta vjen edhe për shkak të një qëndrimi refraktar të Kryeministrit ndaj kritikave apo vërejtjeve publike. Nëse përpiqemi të ndërtojmë shtetin e shqiptarëve të ndershëm dhe jo shtetin partiak (sepse me këtë slogan Partia Socialiste është larguar nga vëmendja e qeverisë), atëherë duhet ta demonstrojmë gjithkund këtë. Në mendimin tim personal, dalja e znj. Xhuvani në një foltore të qeverisë e me Kryeministrin në krah dëshmon tërësisht për të kundërtën. Dhe ky është një fakt që të vë në mendime. Por kur dëgjon Kryeministrin që thotë se këtë veprim do ta bënte sërish edhe pas kritikave që publiku i ka bërë, mendimet shumëfishohen. Gjithsesi, mungesa e një opozite serioze është një plus i madh për qeverinë “Rama”, por një minus i pallogaritshëm për popullin e që duhet të mbushet nga opinioni i shëndetshëm, i cili nuk tenton pushtetin, por ama e kërkon funksionimin e tij sipas të gjitha parametrave europianë!
"SHQIP"
Comments
une jam me ate qe ben shtet
<p>une jam me ate qe ben shtet ligjor dhe demokratik.ed rama nuk ka eksp. te bej shtet . keto 25 vjet eshte bere nje anarshi, qe vetem nje plan marshall mund te kete drit shprese per shqipetaret e ndershem.</p>
Nje dite do e kuptoj pse
<p>Nje dite do e kuptoj pse kesaj i botohen keto shkrime per fillore, po deri atehere besoj se do jem thinjur. </p>
Ne fakt , une mendoj se
<p>Ne fakt , une mendoj se autorja nuk shkruan keq, e kam fjalen per stilin ,pra nuk shkon te thuash - shkruan per fillore ; nderkohe thelbi i shkrimit shtruar permes dilemes hamletiane ...eshte nje hallakatje e autores, qe kete hallakatje deshiron tia percjell edhe lexuesit ....Sipas meje , qe e kam lexuar autoren edhe here te tjera, ajo nuk del dot nga zhgualli i saj si socialiste e vjeter nanoiste ....Kjo i krijon asaj edhe aberracione ne kendveshtrimin analitik te saj ....e te tjera .... e te tjera !</p>
Add new comment