Siguri apo mallkim

Postuar në 13 Shkurt, 2012 01:57
Dedë Shkurti

Kujtdo që hyn në Tiranë nëpërmes  rrugës së Durrësit, ose del prej andej, i  bie në sy rëndom që, i gjithë segmenti, nga korsitë hyrëse tek mbikalimi i Kamzës e deri tek Zogu i Zi,  është i mbushur me kokrriza xhamash të thyer,  me copa frexhosh, stopash plastikë, të kuqe, të verdha, blu e të zeza. Ky është bilanci i dhjetra “përplasjeve të vogla” të automjeteve,  të cilat nxitojnë qendrën e metropolit, por, që nga dendësia e trafikut, janë të detyruara të ecin në rreshta paralele dhe ku normalisht , dikton një temp të ulët shpejtësie.

Raste të padëshiruara më kanë bërë të jem i pranishëm në të tilla përplasje të cilat, në shumicën e rasteve, kalojnë në  sherre e deri në përleshje fizike. Është e kuptueshme e deri në një farë mase e përligjshme ngarkesa psikologjike dhe nervore që shfaqet tek pjesëmarrësit e drejpërdrejtë në këto”xing-e”, por është e pafalshme, skandaloze ; fjalori rrugaç, kanosjet me mjete të forta “rrethanore” e sidomos ultimatumet financiare të tipit:  “Kaq qindmijëshe –cash- ose , ja ku i ke çelesat dhe, nuk lëviz i gjallë prej këtij vendi!”.

Banalitetin e skenës e shton prania e policit rrugor, i cili, kur nuk ka lëndime në njerëz (në shumicën e rasteve këto përplasje janë pa lëndim), me një qetësi dhe indiferencë totale u thotë  të përplasurve:

-Rregullohuni me njëri-tjetrin!,  dhe vazhdon avazin e tij, të bëjë shenja me tabelë për të vazhduar lëvizja.

Kur këto pamje shfaqen jo më larg, por  vetëm dy-tre kilometra nga Sheshi Skënderbej, në prani të shefave, “task force-ve”, dhe kamerave, mund të merret me mend se, çfarë mund të ndodhë diku më tutje, në periferi, apo në provincë e rrugë rurale.

Mendoj se vlen t’i mëshohet fort këtij argumenti për të nxjerrë në pah dy probleme tepër të mprehta që shoqërojnë  aktualitetin tonë jovetëm rrugor;

E para: këto mikrondodhi në dukje janë zanafilla e batërdisë në aksidentet e trafikut rrugor e deri tek zënia e pusive dhe e hakmarrjeve me armë. Vetëm duke iu referuar statistikave zyrtare, vdekjet nga aksidentet rrugore, që duhen cilësuar si  “vrasje rrugore”, (ligjvënësit italianë e kanë futur së fundmi këtë cilësim në kodin e tyre penal), janë sa katërmbëdhjetë  “Gërdecë” apo njëqind “21 Janarë”.

E dyta: Në Shqipëri, duke filluar së pari nga INSIG-u, kemi të paktën tetë kompani të mëdha sigurimesh.Kjo do të thotë që, në aspektin ligjor,  ne  e kemi të siguruar jetën, shëndetin dhe pasurinë. Prej këndej, nuk ka asnjë arsye t’i hakërrehemi njëri-tjetrit kur thyejmë fenerët, stopat apo pasqyrat e makinave. Meqenëse panorama në rrugë, jashtë saj, por edhe në zyra, shfaqet krejt tjetër, ia vlen që  ky problem të analizohet pak më gjërësisht.

Ligji nr.10076, dt.12.02.2009 sanksionon  “Sigurimin e Detyrueshëm të Mbajtësve të Mjeteve për Përgjegjësinë Ndaj Palëve të Treta” .

Për këtë  është përpiluar dhe miratuar një Policë unike me cilësinë e një letre me vlerë të cilën duhet ta mbajë çdo automjet që qarkullon në rrugët e Republikës së Shqipërisë. Vlera e kësaj Police varion nga 11 mijë lekë për autoveturat deri në 40 mijë lekë për autobusët e shërbimit të udhëtarëve.

Zoti, fati dhe shteti, jo zotësia, puna dhe përkushtimi, çojnë çdo vit në xhepin e Kompanive të Sigurimeve shuma maramendëse parash, pa i luajtur të ndenjurat nga karrikja. Ligji i cituar më sipër parashikon, që çdo i  dëmtuar,  posedues i një fuqie motorike të shpërblehet, pavarësisht se gjendet fajtor apo jo në kohën e përplasjes. Këtu fillon loja shkatërruese e nervave.

Është përpiluar një procedurë e stërgjatur veprimesh; deklaratash, fotografimesh, procesverbalesh  e dëshmish,  ku veprimi  i  policisë është evaziv dhe çuditërisht u mëshohet raporteve miqësore (kjo nuk ndodh kurrë ose fare rrallë në mjedisin shqiptar). Përfundimisht, në një përplasje të vogël, pa lëndime njerëzore;  ai që ka shpatulla më të dobëta detyrohet t’i paguajë cash  “të fortit” aq sa ia cakton ai vlerën e dëmit. Ndërsa dëmin që i është shkaktuar automjetit të vet, për të cilin i ka paguar kompanisë së sigurimeve ai nuk e merr kurrë . Për të mos e absolutizuar “kurrën “, ai  mund të marrë një pjesë të vogël të shumës, pasi të jetë sorollatur me muaj të tërë dhe të shpenzojë sërish disa fishin e atyre që merr.

Pohimin e mësipërm e kam qindpërqind të vërtetuar në praktikën e Kompanisë Europiane në të cilën punoj si Inxhinier-Specialist Automjetesh. Kjo Kompani disponon dhjetra automjete të reja, të marra me qera, për të cilat u paguan Kompanive të Sigurimeve edhe Policën e zakonëshme, T.P.L., por edhe siguracionin special “Kasko”. Në rastet e karamboleve dhe të dëmtimeve të tjera, raportet me këto kompani janë tepër të komplikuara, nervagricëse, dhe kur kjo ndodh “institucionalisht me një kompani që ka vënë të zotin e punës”,  merreni me mend se ç’mund të bëjë një fakir shofer që “e ka zënë nata jashtë”.

E kam theksuar edhe në një shkrim të mëparshëm për sigurinë rrugore, se bota e qytetëruar drejt së cilës jemi nisur të shkojmë ka modele ligjore të përsosura, me një zbatueshmëri praktike tepër të thjeshtë. Ngul këmbë se modeli amerikan është më i miri, për të cilin kam një histori personale dhe, në funksion të argumentit , po e paraqes shkurtimisht, pa kaluar në mërzi:

…Më duhej të ndërprisja një rrugë kryesore për t’u kthyer majtas. Pasi përdoruesit e rrugës kryesore u ndaluan dhe më dhanë të drejtë të kaloja, në korsinë e mesit, të kufizuar me vijë të verdhë , një zonjushe vjen me shpejtesi dhe perplaset fort me mua. Në çast dëgjoj duartrokitje  dhe shoh të dilnin nga makinat e të vinin drejt nesh shumë drejtues mjetesh të ndaluar, të cilët na përqafonin duke thënë: -Lavdi Zotit! Shpëtuat për mrekulli! Për një moment e ndjeva veten komplet fajtor dhe kërkova të komunikoja diçka me vajzën e cila qante në makinën e saj dhe po i telefononte dikujt. Dy përdoruesit që më kishin dhënë të drejtë kalimi u afruan tek unë dhe më thanë të mos shqetësohesha se, ata do të dëshmonin vetë për atë çka panë,  përpara oficerit polic. Në këtë kohë policët kishin mbërritur dhe pasi na uruan që në pamje të parë kishim shpëtuar pa pasoja, na pyetën se a kishim nevojë për ndihmë mjekësore dhe nëse jo, a ishim në gjendje të qëndronim diku, derisa të bënin egzaminimet. Trafikun e zhbllokuan pa patur nevojë për ne. Pas më pak se një gjysëm ore na thanë se raportin përfundimtar do ta merrnim pas pesë ditësh pranë gjykatës së Distriktit. Na pyetën se, a ishim në gjendje të shkonim vetë ne shtëpi apo duhej të na shoqëronin dhe, a mund t’i lëviznim vetë makinat, apo këtë punë ta bënte policia.

Pas pesë ditësh, kur u paraqita në gjykatë për të marrë raportin, u lumturova se nuk isha unë fajtori, por  zonjusha që kishte shpërdoruar korsinë e qendrës,që në Amerikë shërben si korsi emergjence. Në shtëpi, në kutinë time postare gjej një zarf të dërguar nga Shoqëria e Sigurimeve në të cilin kishte një Çek Pagese prej  pesëqind U S D. Kjo përkonte me shumën vjetore  të pagesës që kisha bërë unë për siguracionin e makinës. Mësova gjithashtu se zonjushës, e cila u përplas me mua, dhe dispononte një Ford të ri, ia zevendësuan makinën me të njejtën gjendje derisa Dealer-i t’i riparonte makinën e saj.

Çfarë vështirësie ka që një praktikë e tillë të zbatohet  edhe në Shqiperi? Kur do të marrë fund dukuria e shëmtuar që polici rrugor ndërhyn vetëm kur të shikon nga xhepat ose kur të pret fletën e gjobës?!

Për Kompanitë e Sigurimeve flitet shumë në botë. Për to ka shumë teori të ngritura konspiracioni, legjenda urbane e anekdota provincash. Unë nuk jam ithtar e as besues i tyre. Kjo gjë nuk më pengon të kem dyshime të forta, sidomos për transparencën e tyre. Thonë se ka një Byro Sigurimesh si biçim enti rregullator, por ky efekt rregullues dhe kontrollues nuk duket gjëkundi.Përdoruesit e automjeteve paguajnë siguracionin e detyruar dhe njëkohësisht , në prani e me ndërmjetësi të policit, mbahen peng dhe paguajnë gjobën e dëmit të shkaktuar, kur për të e ka paguar Kompaninë Siguruese.

Kjo nuk është siguri, ky është mallkim.

Comments

Submitted by Bujar (not verified) on

Ketu nuk ka Shoqeri Sigurimesh, por ka "shoqeri hajdutesh te sigurimeve". Po permend disa:

E para, shoqerite nuk te kompensojne, por te "rregullojne" makinen ne serviset e tyre, megjithese makinen mund ta kesh blere te nje shoqeri e autorizuar. P.Sh. nje rregullim i parakolpit te nje makine ne nje firme qe shet makina te reja kushton 60 000 leke, ndersa shoqerite e sigurimit te "rregullojne" te demtuaren per 5000 leke. Pra, "mashtrim" me servisin,

E dyta, ne Shqiperi nuk te kompenson shoqeria e sigurimeve qe ti ke zgjedhur dhe qe e ke paguar, por shoqeria e atij qe eshte shpallur fajtor per aksidentin. Dmth, pasi ke dite qe je sorollatur sa ne komisariate e sa ne shoqeri, kur te besh dokumentat gati perballesh me punonjesen e sigurimeve: Ah more djale, sikur ta kishe bere sigurimin te ne, do e kishe marre kompenismin brenda dites.

E treta, ketu duhet perjashtuar "me ligj" pjesemarrja e policit rrugor ne rastet e aksidenteve, pasi ata qe ndodhen ne vendngjarje, jo vetem qe ndihmojne ne "fallsifikimin" e provave, por edhe te deshmive. Nje i njohuri i im u shpall fajtor, pasi polici ne kryqezim favorizoi shkaktuesin e aksidentit... pasi ai ishte polic me nje makine me targa te huaja...

dhe numerimi vazhdon pa ia gjetur fundin...

Submitted by zeneli (not verified) on

Pergezime o Ded per artikullin.

Shqetsime Reale te perditshme te nje qytetari  te pergjegjshem.

Te lumte!

Lindin shum pyetje nga ky shkrim.

Po them njeren.

Ku shkojne ky lum makinash ne aksin qe permend z Ded?

Aq te domosdoshme e kane kte sulm te perditshem  drejt Tiranes e qendres keta qindra mijra burra e gra e kalamaj me Makina!

Ku ne te sëmes shkojne?

Submitted by Daja (not verified) on

Zenel je nxituar pak ne pergjigje.

Shkrimi eshte shume interesant, sepse ngre nje problem qe prek thuajse te gjithe shqiptaret.

Shoqerite e sigurimit te marrin paratae dhe me pas nuk marrin asnje pergjegjesi ndaj klientit.

Eshte nje nga shkaqet kryesore te konflikteve te qytetareve shqiptare!

Veç kesaj shoqerite e sigurimeve thuajse jane pale me shtetin dhe nuk ndihen fare qe ta ngrejne zerin per kushtet mizerabel te trafikut ne Shqiperi.

Ndersa rritja e qarkullimit te mjeteve eshte zhvillim dhe nese krijohen pengesa ne trafik keto vijne nga mungesa e nje strategjie te shtetit per t'ju paraprire zhvillimeve.

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.