Si e “pastruam” Zvicrën

Postuar në 10 Shkurt, 2015 15:43
Alqi Koçiko

Siç ndodh rëndom, gjithçka nisi nga një “bilbilfryrës”, nëse do pranonim përkthimin e çuditshëm shqip të njeriut të brendshëm që furnizon me dokumente sekrete publikun. Dhe në rastin e HSBC-së dhe skandalit SwissLeaks, ai është Herve Falciani, ish punonjës i filialit zviceran të kësaj banke britanike (inicialet e Hong-Kong and Shanghai Banking Coorporation), që ia dorëzoi të dhënat mbi evazorët fiskalë qeverisë franceze në vitin 2008.

Një ose dy llogari shqiptare (të boshatisura)

Autoritetet fiskale franceze nisën një investigim, ndërkohë që e përditshmja Le Monde shtiu në dorë një version të të dhënave, që mbulon llogaritë e mbi 100 mijë klientëve nga mbi 200 vende. Gazeta i ndau të dhënat me ICIJ, Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarisë Investigative me seli në Uashington, me marrëveshjen për të mbledhur një ekip global gazetarësh për të hulumtuar të dhënat dhe prodhuar këtë raportim.

Shumëkush në Shqipëri mund të jetë çuditur sesi ndonjë paralli shqiptar, person misterioz apo figurë publike, nuk figuron mes shumë e shumë emrave të ekspozuar nga ky investigim. Në fakt, përmendet një llogari bankare nën emër shqiptar, por ajo është zbrazur në vitin 2007. (Në versionin italisht në databasën e ICIJ dalin madje dy llogari bankare me shtetas shqiptarë, tashmë të boshatisura).

Atëherë a ka rëndësi praktike dhe konkrete për publikun shqiptar ky skandal i ri (dhe i vjetër), që në fakt nuk tregon gjë tjetër veç faktit që njerëzit më të pasur të globit bëjnë të pamundurën për t’i kthyer sa më pak nga pasuria e tyre përmes taksave, vendit ku e kanë arritur këtë pasuri dhe popullit të atij vendi?

Sigurisht që ka…

Së pari, duhet të kemi parasysh mjedisin në të cilin “kyçja e parave në Zvicër” u bë një metodë jo më aq e preferuar nga pasanikët e shumë vendeve të botës. Pas sulmeve terroriste në SHBA e aq më shumë pasi filloi të konturohej kriza ekonomike e financiare e vitit 2008, Shtetet e Bashkuara e shtuan shumë presionin ndaj bankave të mbyllura e misterioze zvicerane, për t’u hapur dhe bërë më transparente. Financimet e terrorit, evazioni fiskal por edhe trafiqet e mëdha dhe hajdutëritë shqeto, po krijonin një kosto që nuk mund të përballohej më. Bankat zvicerane sigurisht që nisën të reformoheshin. Klientët e fuqishëm e ndjenë baticën dhe filluan të tërheqin paratë e tyre në masë. Një ilustrim të dhënash sa për të krijuar idenë sesi ndryshoi situata në vitin 2014, e jep swissinfo.ch: Kryqëzata globale kundër evazionit fiskal që shkatërroi disa banka dhe poshtëroi gjigandë si UBS dhe Credit Suisse, është vlerësuar nga studio të famshme vlerësimi si PricewaterhouseCoopers (PwC) Switzerland dhe KPMG, se kanë ‘avulluar’ nga llogaritë e këtyre bankave mbi 650 miliardë USD që nga 2008-ta. Sa për krahasim, paratë e pataksuara që strehoheshin në Zvicër në vitin 2008 ishin 800 miliardë franga, ndërsa kjo shifër sot tani është reduktuar në 200 miliardë.

Atëherë ku janë?

Atëherë ku janë paratë e pandershme të disa shqiptarëve? Apo mos vallë po e ekzagjerojmë dhe cilatdo shuma të përfituara nga trafiku i influencës, kontrabandës, korrupsionit etj etj, në Shqipëri apo nga shqiptarët nëpër botë, janë investuar në vend dhe nuk ka tepruar gjë për t’u krahasuar gjigandët globalë? Për pyetjen e dytë përgjigja ka ardhur me kohë (në vitin 2013), nga organizata me qendër në SHBA, “Global Financial Integrity”. Sipas saj, vetëm gjatë viteve 2011-2012, pushtetarët shqiptarë kanë kaluar përtej kufirit për t’i fshehur në bankat e huaja rreth 100 milionë euro, para korrupsioni. Ndërsa në pesë vitet e fundit (2008-13) kanë dalë nga Shqipëria gjithsej 1.3 miliardë. Dhe vijmë tek pyetja e dytë, ku? Po sipas këtij instituti, fshehja e parave nga ish-ministra dhe zyrtarë të djeshëm e të sotëm të pushtetit, është kryer më së shumti në Qipro. Zvicra nuk ishte më një parajsë e denjë fiskale për ta merituar këtë emër.

Ndërkaq, nuk duhet harruar se kanë ekzistuar, mirë apo keq, edhe “bilbilfryrësit” tanë. As më pak e as më shumë, deputeti Vangjel Tavo pat deklaruar në një intervistë për revistën Mapo në maj 2009, se

“të paktën pesë anëtarë të kabinetit qeveritar kanë hapur llogari bankare të dyshimta në Itali, Qipro dhe Hollandë. Ne disponojmë shifrat ekzakte të derdhura që shkojnë në miliona euro, emrat e bankave dhe datat kur janë bërë derdhjet ilegale. Në mos sot nesër, në mos drejtësia dhe Berisha sot, do t´i tregojmë ne nesër me gisht këta individë”.

Konkretisht, tha Tavo, Banca di Roma në Itali, Banka Arabe në Qipro dhe një bankë në Roterdam, Holandë. Që nga ajo kohë kanë rrjedhur shumë ujëra dhe sot e kësaj dite nuk dimë si i ka vajtur filli këtij denoncimi. Më saktë, e dimë. Nuk ka ndodhur asgjë. Askush nuk po i fryn më askujt.

Po pse Qipro?

Edhe pse anëtar i BE-së, Qipro ishte vërtet një parajsë fiskale. “Çuditërisht”, protektorat britanik për shumë kohë edhe ky ishull grek (me një minoritet turk të shkëputur në një shtet më vete) i Mesdheut lindor. Së pari, pozicioni gjeografik i vendit si udhëkryq i trafiqeve të armëve me Lindjen e Mesme dhe shumë paligjshmërive të tjera, e bëri atë rezidencë të shumë kompanive e individëve me peshë në sektor. Akumulimi i parave ishte thjesht diçka e pritshme. Dhe për shumë kohë, ato para ishin të sigurta, ndërkohë që jo pak kompani fantazmë përmes të cilave qarkulluan paratë e dyshimta të disa skandaleve shqiptare, kishin seli pikërisht në Qipro. Nëse e mbani mend, Damir Fazlliç transferoi pikërisht në Qipro 1.7 milionë USD nga Shqipëria, për të cilat autoritetet e ishullit nuk denjuan t’i japin asnjë shpjegim hetimit shqiptar (supozojmë që prokuroria jonë kishte dashur realisht të hetonte). Efraim Diveroli, djaloshi amerikan i kompanisë AEY që lidhej me tragjedinë e Gërdecit, gjithashtu kishte lidhje me një trafikant zviceran dhe kompaninë e tij qipriote. Për t’u rikthyer tek “bilbilfryrësit”, edhe deputeti socialist Taulant Balla pat akuzuar ministrin e Inovacionit, Genc Pollo, për abuzim me detyrën, marrje ryshfeti dhe favorizim në dhënien e lejeve për fibrat optike në vend. Balla ka deklaruar në parlament më 20 tetor 2011, se Pollo ka fshehur edhe 1.2 milionë euro në Qipro… në një bankë arabe.

Akuzat mbetën akuza

Akuzat mbetën akuza, por Qipro nuk mbeti dhe aq e sigurtë sa më parë. Një kolaps i shpejtë financiar që kishte lidhje me krizën europiane, mbërtheu vendin duke tronditur edhe pushtetarët shqiptarë e këdo tjetër që kishte depozituar para në bankat e Qipros. Ishulli nuk ishte më oaz i sigurtë për pasuritë e paligjshme dhe lavatriçe e pastrimit të parave. Një vendim i Bashkimit Evropian për të mos siguruar depozitat në bankat e Qipros, i zuri pa mendje klientët. Ishte rruga e vetme që vendi të mos kalonte në regjim menaxhimi ndërkombëtar si Greqia, por të merrte një paketë ndihme prej 10 miliardë eurosh. Ministrat e Financave të Eurozonës deklaruan se nuk mund të garantojnë asnjë depozitë mbi 100 mijë euro në Qipro. Shënjestra e qartë ishin klientët në shumicë rusë, që pësuan humbje deri në 40% të pasurisë së tyre. Por me këtë rast, e pësuan edhe “rusët” tanë. Si të thuash, një tërheqje veshi nga providenca hyjnore: Nuk donit të taksoheshit me 20% për çfarë vodhët në 8 vjet? Jua marrim ne dyfishin!

Ndërkaq, investigimi…

Ndërkaq, edhe me investigimin, apo më saktë me mënyrën e publikimit të të dhënave të skandalit të fundit nga ICIJ, ka shumë të pakënaqur. Njerëz nga gjithë bota, kërkojnë në seksionin e komenteve në sitin e konsorciumit që të publikohen të gjitha të dhënat dhe shifrat, pa bërë seleksionim. “Filtrimi juaj tregon se dikë mbroni”, thotë dikush. “Nxirrini të gjitha”, thotë dikush tjetër. Ka edhe një koment shqiptar: “Po për Shqipërinë, vendin më të korruptuar të Europës?”

Epo, sido që të jetë, të paktën kësaj rradhe në sytë e zviceranëve jemi të pastër…

 

DITA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.