Shqipëria, skenar si Ukraina!?

Postuar në 06 Shkurt, 2014 04:41
Alfred Çako

Para dy ditësh dëgjuam një deputet të PD dhe ish- ministër në kohën e qeverisjes së fundit të kësaj force politike, i cili bëri një deklarim në lidhje me mungesën e funksionimit të sistemit tonë politik dhe posaçërisht me dobësimin e funksioneve të Kuvendit për të kontrolluar qeverinë, duke lënë të nënkuptuar se Shqipëria ishte kthyer nga një Republikë Parlamentare në një Republikë Qeveritare dhe, kësisoj, kishte premisa që vendi të rrëshqiste në autoritarizëm dhe autokraci të krahut qeverisës. Ky deputet shfrytëzoi një pretendim të opozitës në lidhje me kushtet e vëna prej demokratëve për një bashkëpunim me maxhorancën, për disa çështje, sidomos me rastin e reformës në ndarjen administrative të pushtetit vendor. Ky pretendim i ligjshëm i demokratëve për bashkëpunim ndodh përpara zgjedhjeve lokale të pritshme të radhës, të cilën e ka shpallur maxhoranca, objektiv i cili është përkrahur në parim edhe nga z.Arvizu, ambasador i SHBA-ve në Tiranë. Por ish-ministri demokrat paralajmëroi një stuhi të madhe në vend, të ngjashme me atë të Ukrainës, në rast se maxhoranca nuk merrte parasysh disa kushte të demokratëve për bashkëpunim. Paralelja me Ukrainën duket se krahas kërcënimit ndaj qeverisë, shkonte më tepër në drejtim të SHBA-ve dhe Perëndimit dhe nënkuptimi i këtij kërcënimi të demokratëve ishte se "Nëse nuk pranoni kushtet tona, ne lëvizim drejt Moskës", pasi maxhoranca është dukshëm në aleancë me Perëndimin për nevojën e kësaj reforme dhe thelbi i ngjarjeve në Ukrainë është orientimi, lindja apo Perëndimi. Por ky kërcënim, që po të realizohej do të shkaktonte një furtunë në thelbin e shoqërisë shqiptare, në fakt duket se është kryekreje një stuhi në gotë dhe, për të thënë të vërtetën, shumë naiv. Përse? Këtë do e shpjegojmë më poshtë, në pika B.
A - Në fakt, ka kohë që Shqipëria është kthyer në një Republikë Qeveritare, por jo sipas standardit dhe kuptimit të deklaratës së ish-ministrit demokrat, por sipas një standarti tjetër. Në fakt, si parantezë, duhet të themi se funksioni kryesor apo i vetëm i Kuvendit si trupa përfaqësuese e sovranit nuk është atributi i kontrollit parlamentar të qeverisë në lidhje me arkëtimin monetar dhe shpenzimet e buxhetit prej saj. Ky është njëri nga funksionet, mund ta quanim të dytin, pasi funksioni i parë dhe më i rëndësishëm i Kuvendit është hartimi i legjislacionit dhe më pas vijnë detyrat e tij për të ruajtur sistemin, pavarësinë e pushteteve të tjera dhe të institucioneve të pavarura. Pra, shkurt, Kuvendi i krijon vetes nëpërmjet ligjit hapësira për të kontrolluar, si gardian, nevojat e legjislacionit të shtetit ligjor dhe më pas realizon shtetin e së drejtës, pra zbatimin dhe respektimin e ligjeve. E theksojmë, ndryshe nga anëtari në fjalë i Kuvendit, detyrën kryesore të Kuvendit dhe anëtarëve të tij si edhe faktin e kthimit të Shqipërisë në një Republikë Qeveritare prej shumë vitesh, për shkak se nuk shohim iniciativa ligjvënëse të anëtarëve tanë të Kuvendit. Nëse do të shihnim statistikat e iniciativave ligjore për të hartuar drafte nga ana e deputetëve, në raport me draftet e pafundme të sjella nga Qeveria për miratim në Kuvend, raporti do të ishte skandaloz në krahasim me vendet e tjera demokratike. Sepse dihet që, me Kushtetutën e Shqipërisë, iniciativën për të çuar projektligje në Kuvend e kanë Qeveria, anëtarët e Kuvendit dhe një numër i caktuar zgjedhësish me referendum (20 mijë firma).
Pra, siç e thashë, ka shumë pak projektligje të hartuara nga deputetët në këto vitet e fundit, të çuara në Kuvend për të ndjekur procedurat e kalimit në ligj. Përse ka ndodhur një fakt i tillë, kur dihet se është detyra e deputetëve, sidomos atyre të opozitës, që të hartojnë projektligje në favor të qytetarëve dhe të shtetit ligjor? Është detyrë e maxhorancës që t'u japë, sa herë të jetë e nevojshme, konsensus ligjeve të dobishme që sjell opozita. Mendoj se kjo mungesë produktiviteti e deputetëve të opozitës ndër vite ka ardhur nga dy arsye: a) së pari ata s'kanë staf të përkushtuar e të përgatitur, sidomos në Kuvend, dhe b) së dyti, ata vetë nuk janë profesionistë në fusha të caktuara, çka do të thotë se në Kuvend, për shkak të drejtimit të keq të politikës nga liderët kryesorë në këta 23 vjet, cilësia e Kuvendit jo vetëm që ka ardhur duke rënë profesionalisht e moralisht, por ai edhe është kriminalizuar nga legjislacioni në legjislacion. Përsa i përket pikës së parë, mungesa e stafit të përkushtuar në Kuvend, kjo ndodh sepse specialistët e Kuvendit janë njerëz të lidhur me politikën dhe të vendosur nga kryetari i Kuvendit të radhës dhe forca e tij politike dhe specialistët nuk kanë zell të punojnë për të hartuar teknikisht me frymën e deputetit të opozitës, projektligje që shkojnë ndesh me parimet e forcës politike që e ka punësuar dhe ai e minon bashkëpunimin efektiv. Duke mos pasur aftësi personale dhe staf, edhe ndonjë deputet i përgjegjshëm që dëshiron të plotësojë ose amendojë kuadrin ligjor, e ka të pamundur ta realizojë një objektiv të tillë, duke u lëshuar në një pasivitet dhe duke pranuar që Shqipëria të ngelet një Republikë Qeveritare në kuptimin e iniciativave ligjore.
B - Pjesa kryesore e deklaratës së ish-ministrit demokrat, sigurisht që ishte kërcënimi i nënkuptuar "Mos na detyroni të adoptojmë skenarin e Ukrainës". Kjo mund të jetë një lajthitje e qëllimshme e ish- ministrit, e cila mund të ketë kaluar fatkeqësisht pa u vëne re dhe pa ndjesë nga z.Basha dhe PD. Por mund të jetë edhe një zell i tepruar për protagonizëm i politikanit të PD, sidomos tani në prag të zgjedhjeve të strukturave të larta në kongresin blu. Kur e dëgjova këtë kërcënim, m'u kujtua një shprehje e Çërçillit për politikën ballkanike, kur ai thoshte se në Ballkan konsumohet më tepër politikë se sa i mban stomaku i vogël. Pra, paralelja e Ukrainës me Shqipërinë është plotësisht e pagjasa dhe shumë qesharake. Kjo nuk ndodh kurrë, pasi shoqëria politike shqiptare nuk ka dilema orientimi siç ndodh sot në Ukrainë. Qysh me Kongresin e Manastirit, Mbretërinë e Zogut, me apogjeun e orientimit dhe sistemit të Ballit Kombëtar dhe sidomos pas rikthimit të fundit 23- vjeçar të demokracisë, një dilemë e tillë, që ishte ngjallur pa natyrshmëri dhe kundër instinktit të mbijetesës për 45 vjet nga komunizmi dhe marrëveshjet e mëdha të Fuqive fituese të luftës për pozicionimin lindor të Shqipërisë pas ngritjes së Perdes së Hekurt, ekziston një konsensus i gjerë i të gjitha forcave, një detantë e përhershme në lidhje me orientimin, aleancat dhe prioritetet e vendit në lidhje me politikën e jashtme. Të gjithë shqiptarët, para se të jenë nga Shqipëria politike, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, para se të jenë demokratë, socialistë, lësëistë, demokratë të Frymës së Re a çamë, janë perëndimoristë. E gjithë shoqëria shqiptare në rrafshin ballkanik si edhe të gjithë refugjatët shqiptarë kudo nëpër botë e dinë mirë nga eksperienca e këtij shekulli të krijimit të shteteve kombëtare, se Lindje do të thotë sllavizëm, dezintegrim, pogrom ndaj racës sonë, ortodoksi në kuptimin e gjerë të fjalës në lidhje me zjarritjen e qendrave vendimmarrëse lindore për zgjidhjen finale në eliminimin e popullit shqiptar dhe gjuhës shqipe, kurse aleanca me Perëndimin tashmë është firmosur gjatë Luftës për Çlirimin e Kosovës dhe gjatë ngritjes së cilësisë së sigurisë sonë nga anëtarësimi në forcën më të madhe ushtarake, NATO.
C - Ndërsa shoqëria ukrainase ka dilema të forta dhe, ajo ka mungesë kohezioni duke qenë si rezultat, prej 10 vjetësh, shumë e përçarë në lidhje me orientimin dhe prioritetet e saj në politikën e jashtme. Pikërisht kjo dilemë dhe kushtet e raporti i forcave mund të çojë në një luftë civile (a e kishte parasysh këtë ish-ministri kur bëri deklaratën naive?!) në Ukrainë dhe në një ndarje të saj. Dihet se në Ukrainë ka rreth 6-7 milionë rusë dhe një popullsi në Lindje, në kufi me Rusinë, simpatizuese të Rusisë dhe skenari më i mundshëm i Ukrainës është ndarja e saj sipas kësaj vije etnike e sjelljeje politike. Kurse nga modeli që do të sjellë Ukraina, për shtetet etnike, do të ndodhë e kundërta me shqiptarët në Ballkan. Efekti domino i kësaj zgjidhjeje sipas vijës etnike në Ukrainë do të ishte ndarja e Maqedonisë dhe bashkimi i shqiptarëve në një shtet natyror, etnik.
Prandaj këtë deklaratë të ish-ministrit e quaj një gafë të tij dhe të partisë së vet, sepse ishte një deklaratë me shkrim dhe jo një lapsus i momentit nga një pyetje e rastit që e gjeti atë të papërgatitur.

Nga "Gazeta Shqiptare"

Comments

Submitted by tekniku (not verified) on

Komentet e Halimit dhe halimeve te tjere te Pd vijne nga njerez qe mendojne se populli shqiptar eshte nje vegel ne duart e politikes se Berishes,ketij zjarrevenesi te pandreqshem.Jane keta njerez qe po u ngushtohet laku me poshtersite qe i kane bere atij vendi dhe atij populli te shumevuajtur dhe te pafat.Provoje b..then Halim sa te vlen se me siguri do te marresh ate qe po kerkon ti dhe te tjeret.Iku koha e qorrave qe ju ndiqnin pas me ura zjarri ne dore dhe ne maje te tankeve per te shkaterruar  kryeministrine e lepurit Nano.

Submitted by PA.B (not verified) on

Ky pretendim i ligjshëm i demokratëve për bashkëpunim ndodh përpara zgjedhjeve lokale të pritshme të radhës, të cilën e ka shpallur maxhoranca, objektiv i cili është përkrahur në parim edhe nga z.Arvizu, ambasador i SHBA [artikulli]

Do ishte shume me interes te sqarohej per lexuesit, se c'kupton ''Bota'' me bashkepunim??

Se jemi pak te paqarte...

1) Ndoshta z Arvizu, e ka fjalen per dashurine Rep-Dem, qe pak jave me pare gati paralizoi shtetin?

2) Perfaqesuesit e nderuar te EU, mund ta kene  per:  a) Shembullin Belg, meqe kane bazen ne Bruksel, ku permbi 500 dite, "pozite-opozite'' deshtuan te krijoje nje qeveri. b) Apo harmonine pan-europiane ne vendim-marrje...

3) Si eshte krijuar  kjo ide sot nga Demokratet ( e dje nga socialistet) qe u dashka konsensus, e miratime te nje pale qe tjetra te qeverise ne harmoni?

..ose perndryshe do kemi cadra ne bulevard (si dje) a skenar Ukrainas, neser?

Bota kerkon nga ne ate qe vete se kane, ne kerkojme nga Vetja dicka qe nuk ekziston, si do zgjidhet kjo pune?

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.