Shqipëria po nis epokën post-Hoxha

Vëzhgues që merren me Evropën Lindore kanë theksuar shpesh se rëndësia e Shqipërisë nuk ka të bëjë me faktin se çfarë është ajo, por ku është dhe kush e kontrollon. Pozita strategjike e Shqipërisë, 70 kilometra nga Italia nëpër ngushticën e Otrantos, ka qenë historikisht shkaku i pushtimeve të huaja të vendit: në fillim nga romakët, më vonë nga otomanët dhe pastaj nga fashistët italianë dhe nazistët gjermanë gjatë Luftës II Botërore. Enver Hoxha krijoi dhe udhëhoqi drejt fitores përfundimtare lëvizjen nacionalçlirimtare kundër dy pushtimeve të huaja të fundit dhe arriti të jetë udhëheqësi që qëndroi më gjatë në pushtet në një vend komunist. Përgjithësisht u konsiderua udhëheqësi më puritan, më i pamëshirshëm dhe më ksenofob në historinë moderne të Evropës, ai do të hyjë në historinë e Shqipërisë, kryesisht se i dha vendit 40 vjet pavarësi kombëtare, periudha më e gjatë sidoqoftë, një akt heroik që është veçanërisht i rëndësishëm në vend një të tillë ashpërsisht nacionalist si Shqipëria, pavarësisht se ç’gjykime të tjera mund të jepen për të. Kur u zgjodh sekretar i parë i partisë, Ramiz Alia e quajti Enver Hoxhën “figurën më të madhe historike të kombit shqiptar”, duke e vendosur edhe mbi heroin kombëtar të vendit, Skënderbeun.
Që nga fundi i Luftës II Botërore Shqipëria ka pasur tre “mbrojtës” të huaj: Jugosllavinë në vitet 1945-1948, Bashkimin Sovjetik më 1948-1961 dhe Kinën më 1961-1978. Që nga viti 1978 ajo ka qëndruar vetëm, pa padron, duke shpallur si vijë zyrtare mosangazhimin. Vitet e fundit, megjithatë, Shqipëria ka filluar hapjen ndaj botës, kryesisht ndaj disa prej fqinjëve të saj dhe në përgjithësi më shumë ndaj Perëndimit se sa Lindjes. Sfida kryesore e Shqipërisë pa Hoxhën do të jetë vazhdimi i këtij kursi pa trazira të mëdha. Trysnitë nga brenda dhe nga jashtë për të ndryshuar vulën unike të Hoxhës në politikën e brendshme dhe të jashtme do të jenë tejet të forta, të ngjashme me rrjedhën e ngjarjeve në Bashkimin Sovjetik pas Stalinit, në Kinë pas Maos.
Trashëgimia e brendshme e Hoxhës.
Doktori Pol Miliez (Paul Milliez), mjek konsulent francez i Hoxhës dhe mbështetës i flaktë i llojit shqiptar të komunizmit, u takua me Hoxhën në dhjetor [1984] dhe deklaroi në një intervistë në Paris që Hoxha i kishte thënë se ishte përgatitur të vdiste i qetë, sepse ishte zgjidhur çështja e pasardhësit të tij [AP, 11 prill 1985]. Në fakt Hoxha, ndryshe nga diktatorët e tjerë komunistë si Stalini, Titoja, ose Maoja, pothuajse me dorën e vet e kishte fiksuar pasuesin e tij. E realizoi këtë me kërdinë në udhëheqjen shqiptare, për të mos përmendur nivelet më të ulëta të partisë dhe administratës shtetërore. Sikurse eliminoi, aty nga mesi i viteve 1970, gati gjysmën e udhëheqësve të lartë të vendit, duke përfshirë Beqir Ballukun, Abdyl Këllezin, dhe Koço Theodosin. Kjo u pasua me largimin e Hysni Kapos, njeriu i tretë në hierarkinë e pushtetit, i cili vdiq nga shkaqe natyrore në vitin 1979. Në fund të vitit 1981, rrëzimi më spektakolar nga gjithçka kishte ndodhur; vetëvrasja, e njoftuar zyrtarisht si e tillë, e Mehmet Shehut, vazhdoi me denoncimin paranojak të Enver Hoxhës ndaj tij. Largimi i Shehut solli spastrime në shkallë të gjerë duke arritur rangjet më të larta të partisë, dhe në procesin e ndërtimit të shtëpisë pjesa më e madhe që Hoxha kishte ngritur, u shemb. Një ndërtesë e re, thuajse nga hiçi, u ngrit rreth Ramiz Alisë, të cilin Hoxha e kishte zgjedhur personalisht si pasuesin e tij.
Sikur Hoxha të mos arrinte dot të hiqte qafe klikën e Shehut, ndoshta nuk do të kishte vdekur i qetë, sikurse citon Miliezi. Prania e Shehut në udhëheqje faktikisht me siguri do të krijonte situatë shpërthyese në vend, si në parti ashtu dhe në opinionin publik, pasi, nëse Hoxha është quajtur Stalini i Shqipërisë, mund të thuhet se Shehu ishte Beria i Shqipërisë. Nën sundimin e tij, Shqipëria do të shkonte me shpejtësi drejt trazirash të mëdha të brendshme.
Hoxha mund të kenë qenë i kënaqur duke zgjedhur Alinë si pasardhësin e tij kompetent, sikurse ka thënë Miliezi, por sfida reale e temperamentit politik të Alisë vetëm sapo ka filluar. Udhëheqësi i ri 59-vjeçar ka në favor kredencialet e paqortueshme si partiak dhe se ka dhënë shenja si burrë shteti që nga viti 1982. Nuk konsiderohet njeri mizor, madje edhe kundërshtarët e regjimit komunist priren t'i japin pikë të larta për tolerancë. Megjithatë, Alia nuk ka as karizmën, as prestigjin e pararendësit të tij. Ai nuk është në gjendje të eliminojë kundërshtarët e tij sikurse e bënte këtë gjë me shpejtësi dhe efiçencë Hoxha. Për arsye personale dhe politike ai thjesht nuk mund “të likuidojë” kryeministrin apo bashkëpunëtorët duke qëndruar gjatë në pushtet apo të dërgojë ndihmësit e tij më të afërt në kampet e punës. Mbetet çështje spekulimi nëse Alia do të jetë në gjendje të mbijetojë me stilin e tij të sundimit, stil që është më tepër human.
Pa dyshim anëtarët e thjeshtë të Partisë së Punës së Shqipërisë janë ende të hutuar pas vdekjes së njeriut që ishte udhëheqësi i tyre për kaq shumë vite. Ndonëse shumë njerëz mund të kenë qenë të sinqertë në ditët e zisë, gjithsesi ka dhe një ndjenjë të përgjithshme lehtësimi dhe shprese për një të ardhme më pak të ashpër. E ardhmja, sigurisht, është e pasigurt. Viktimat e së kaluarës pa dyshim do të fillojnë të bëjnë ankesat e tyre, dhe ata janë të shumtë. Gegët në veri do të flasin më hapur, duke qenë pak a shumë të shpërfillur në vite. Në vitet e tij të fundit Hoxha u përpoq t’i kushtojë pak më tepër vëmendje veriut – të dy, Alia dhe kryeministri Adil Çarçani, janë gegë [Çarçani nuk ishte geg, por nga Gjirokastra, ndërkohë në të vërtetë pas çlirimit ka drejtuar komitetin e PPSH në Shkodër. Sh.R] - dhe Shkodra, qendër e rëndësishme e veriut dhe e kaq shumë e lënë pas dore në të kaluarën, është marrë më shumë në konsideratë. Ende, toskët e jugut vazhdojnë të mbizotërojnë në Tiranë; mund të shpërthejë zhgënjimi në mbarë veriun. Duhet të kihen parasysh mijëra viktimat e drejtpërdrejta dhe të tërthorta të spastrimeve të përgjakshme të shumta në të kaluarën, që do të formojnë grup tjetër presioni. Slogani aktual “parti, popull, unitet” u drejtohet atyre, pakënaqësia e cilëve mund të kërcënojë udhëheqjen e re.
Ushtria vazhdon të luajë rol vendimtar. Dy spastrimet e fundit të mëdha, në vitin 1975 dhe në 1981-1982, prekën mbi të gjitha sektorin ushtarak të vendit. Në përpjekje për të neutralizuar çdo sfidë nga garda e vjetër e ushtrisë, Hoxha caktoi një udhëheqje ushtarake pothuajse tërësisht të ndryshuar dhe me moshë më të re. Është e diskutueshme nëse Alia qëllimisht civil (kohët e fundit janë bërë përpjekje për të krijuar një imazh më ushtarak të tij duke ekzagjeruar rolin e tij si ushtarak gjatë kohës së luftës) mund të kontrollojë efektivisht sektorin e ushtrisë që thuhet se po shfaq disa shenja mosbindjeje. Është fakt që Partia e Punës e Shqipërisë tradicionalisht nuk i ka zënë besë ushtrisë. Pas rënies së Shehut dhe Kadri Hazbiut (në atë kohë ministri i Mbrojtjes), udhëheqja shqiptare vendosi njeriun më të dobët, që mund të gjendej, në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, Prokop Murrën, njeri joushtarak, duke qenë vetëm kandidat për anëtar i Byrosë Politike.
Mosbesimi i partisë [ndaj ushtrisë] u theksua edhe një herë kohët e fundit kur Tirana përkujtoi 70-vjetorin e lindjes së Hysni Kapos, ish-oficer udhëheqës politik e ushtarak. Folës kryesor në këtë rast ishte Alia, ndërsa të përditshmet shqiptare botuan edhe dy shkrime të gjata nga Adil Çarçani dhe zyrtari veteran i partisë, Pilo Peristeri. Të tre theksonin rolin udhëheqës të partisë në forcat e armatosura. Sipas Alisë, para se të zbulohej komploti i organizuar nga Shehu dhe Hazbiu, Hoxha paralajmëroi se nuk ka çështje të rëndësishme ushtarake për t’u trajtuar pa pjesëmarrjen e Kapos. Alia citoi Hoxhën të ketë thënë: “Në ushtri të mos krijohet mendimi se vetëm një njeri i di çështjet e Ministrisë së Mbrojtjes. Kudo është Partia” [Zëri i popullit, 5 mars 1985]. Çarçani shkroi të njëjtën gjë, duke pohuar se Hoxha i kishte thënë Kapos:
“Ushtria duhet të të shohë, duhet të takohet shpesh me komisarin e saj të lartë ... Prandaj ata duhet të të shohin ty, qysh kur je komisar i lartë i ushtrisë, populli duhet të dijë se është partia që komandon ushtrinë” [Ibid., 3 mars 1985].
Peristeri shkruante se Kapoja kishte luftuar me vendosmëri “për rritjen e rolit udhëheqës të Partisë në ushtri” [Bashkimi, 4 mars 1985]. Mbetet për t’u parë nëse Alia ka staturën dhe forcën për të komanduar ushtrinë. Për momentin duket se Alisë i mungon karizma të merret me atë që mund të jetë një rrymë nënujore në rritje e zhgënjimit në ushtri.
Në udhëheqjen e e sotme të partisë në Shqipëri, e përbërë nga nëntë anëtarë të Byrosë Politike dhe pesë kandidatë të saj, vetëm katër i përkasin të gardës së vjetër: Ramiz Alia, Adil Çarçani, Rita Marko, dhe Manush Myftiu. Dy të fundit mbajnë edhe poste administrative të dorës së dytë. Përveç këtyre, një numër ish-anëtarësh të Byrosë Politike vazhdojnë të mbajnë pozita minore si anëtarë të Komitetit Qendror. Ata janë Spiro Koleka, Haki Toska, dhe Pilo Peristeri. Shumica e tyre ishin të pranishëm gjatë funeraleve. Për më tepër, e veja e Hoxhës me shumë ndikim, 64-vjeçarja Nexhmije Hoxha, e cila drejton Komitetin Qendror, është mjaft aktive dhe ka luajtur rol në promovimin e Alisë në udhëheqje. Aktive është edhe e veja e Kapos, Vito Kapo, që është anëtare e Komitetit Qendror dhe ka një post ministror.
Mes brezit të ri të liderëve ka rivalë të grupit të tanishëm politik në pushtet, i cili mund të pësojë zhvillime. Ata janë Simon Stefani, Lenka Çuko, Hekuran Isai, Hajredin Çeliku, Muho Asllani, Pali Miska, Foto Çami, Besnik Bekteshi, Qirjako Mihali dhe Llambi Gegprifti. Duhet vënë në dukje, megjithatë, që praktikisht të gjithë këta udhëheqës të rinj janë zgjedhur nga vetë Hoxha. Mbetet për t’u parë nëse mes tyre do të ketë ndonjë që do të guxojë të shpallet rival i çfarë ka ka mbetur nga garda e vjetër. Kongresi i ardhshëm i partisë në vitin 1986 mund të jetë rasti për disa ndryshime në qeveri dhe që mund të precipitojë në luftë për pushtet, sikurse ka pak gjasa të duket tani.
Një politikë e re e jashtme? Deklaratat dhe veprimet e para më të rëndësishme politike të bëra në Tiranë me rastin e vdekjes së Hoxhës ngjanin të ishin tregues të faktit se udhëheqja e re po shkonte drejt ruajtjes së izolimit të vendit ose të paktën paraqitjes së tij, por në epokën Alia nuk do të duket të ketë shumë orientime të mundshme për t’u ndërmarrë nga Shqipëria: të vazhdojë politikën e saj izolacioniste; t’i rikthehet ndonjë forme bashkëpunimi me Jugosllavinë; të vazhdojë zgjerimin e marrëdhënieve me botën e tretë; të kërkojë rimëkëmbjen e miqësisë me Kinën; të kthehet në orbitën sovjetike; apo të kthehet drejt Perëndimit për ndihmë ekonomike dhe masë mbrojtjeje politike. Drejtimi më bindës ose i zbatueshëm për Shqipërinë e sotme duket të jetë një kombinim i disa prej këtyre alternativave. Është e vështirë të imagjinohet që Shqipëra ka mbetur e izoluar pa afat.
Rivendosja e marrëdhënieve me Kinën duket e mundshme, sidomos në dritën e reagimit të paduruar të Kinës për vdekjen e Hoxhës. Në Pekin gazeta e partisë botoi një foto të Hoxhës rrethuar me një shirit të zi në faqen e parë. Udhëheqësit kinezë i dërgoi një mesazh Tiranës, duke e quajtur Hoxhën “shok” dhe duke shprehur ngushëllime të thella. Për më tepër, zëvendëskryeministri kinez Li Pen i tha ambasadës shqiptare në Pekin se kinezët “u tronditën” kur mësuan vdekjen e Hoxhës. Liu u tha gjithashtu shqiptarëve se kinezët janë të gatshëm të përmirësojnë lidhjet me Shqipërinë. (Hsinhua, 15 prill 1985)
Këto gjeste miqësore nuk do të shkojnë dëm në udhëheqjen shqiptare. Të dy vendet ruajnë marrëdhënie të plota diplomatike, dhe vetëm muajin e kaluar në Tiranë u nënshkrua një marrëveshje tregtare për vitin 1985. Dihet, Shqipëria ka nevojë për pjesë këmbimi dhe makineri për fabrikat që kinezët ndërtuan në Shqipëri gjatë viteve 1960 dhe gjysmës së parë të viteve 1970. Udhëheqjes së re shqiptare do t’i duhet të vendosë të modifikojë politikën e saj të jashtme izolacioniste. Kina do të ishte kandidate e mundshëm për një formë bashkëpunimi më të ngushtë. Megjithatë, edhe pse marrëdhëniet janë përmirësuar disi që nga ndarja, dhe toni i shqiptarëve kundër “revizionizmit” kinez është zbutur dukshëm, vështirë të imagjinohet një kthim në lidhjet e viteve para 1978-ës. Kina e Tenit ka objektiva dhe perspektiva të ndryshme nga Kina e Maos, dhe Tirana nuk ka nevojë të skajshme për Pekinin si në vitin 1961, kur ekonomia e saj ishte shumë më primitive.
Mund të përjashtohet plotësisht ndonjë vendosje lidhjesh të supozuara me jugosllavët. Tradicionalisht, shqiptarët kanë vënë shenjën e barazimit mes Jugosllavisë dhe serbëve, më të urryerit dhe të rrezikshmit nga të gjithë armiqtë të tyre të supozuar. Prishja e Shqipërisë me Moskën dhe Beogradin dhe izolimi i saj i mëvonshëm dhe beteja pa kompromis kundër “revizionizmit” lidhen drejtpërdrejtë me drojën tradicionale të Tiranës nga dominimi serb. Për më tepër, vitet e fundit, konflikti për Kosovën ka dalë sërish në sipërfaqe. Raporti i Shqipërisë me Jugosllavi, në fakt, ka ndryshuar ndjeshëm, kryesisht për shkak të kontestit të saj mbi Kosovën. Për shumë vite Shqipëria e ka qëndruar në pozita mbrojtëse përballë fqinjit të saj më të fuqishëm, por tani, për shkak të ndryshimeve në Kosovë dhe pasigurive të mëdha me të cilat ballafaqohet Jugosllavia në tërësi, Tirana ka marrë një qëndrim më ofensiv. Madje edhe funerali i Hoxhës i fryu çështjes përvëluese të Kosovës. Duke vendosur një flamur kombëtar mbi trupin e Hoxhës, e veja e Hoxhës tha: “Enver, unë po të vë këtë flamur në zemër nga ana kosovarëve, sepse ashtu siç i kishe Ti në zemër, gjithë kosovarët dhe shqiptarët e tjerë, ashtu edhe ata të kanë Ty” (ATSH, 15 prill 1985).
Beogradi thjesht sa përsëriti formulën standarde se Jugosllavia ishte në favor të marrëdhënieve të mira. Më shumë gjasa, të dy palët kundërshtare do të mbajnë një qëndrim tërhiq-e-mos-e-këput për momentin duke iu përmbajtur propagandës së tyre të njohur. Në disa pika, megjithatë, Beogradi pa dyshim do të testojë qëllimet e Alisë ndaj Jugosllavisë. Kthimi drejt botës së tretë, gjithashtu, vetëm sa duket alternativë e papërshtatshme. Një rritje e dukshme në tregtinë me vendet në zhvillim mund të kombinohet me opsione të tjera, por kjo kurrë nuk mund të jete kurrë më tepër se iniciativa të tjera të huaja shtesë.
Për sa i përket Bashkimit Sovjetik, duke gjykuar nga sulmet e Tiranës, duket se ka pak gjasa për ndonjë kthesë në marrëdhëniet me Moskën. Është më shumë e mundshme që sovjetikët do të vazhdojnë të tundojnë elementët pro-sovjetikë në Shqipëri. Po të tundë prapë shkopin e Hoxhës, fillimisht Alia do të jetë i cenueshëm, diçka që Moska pa dyshim do të përpiqet ta shfrytëzojë. Nga kthimi i Shqipërisë në Traktatin e Varshavës do të përfitonte dukshëm Bashkimi Sovjetik. Rivendosja eventuale e ndikimit sovjetik në Shqipëri do t’i krijonte Moskës mundësi për t’i bërë presion Jugosllavisë, duke shfrytëzuar konfliktin në Kosovë. Lojaliteti i Greqisë ndaj NATO-s, i zbehur tashmë nga konflikti i saj me Turqinë, do të dobësohet gjithashtu. Porti kaq i lakmuar i Vlorës do të hapej për flotën sovjetike. Aneksimi i Shqipërisë, për më tepër, do t’i lejonte forcat sovjetike të vendosnin pajisje vëzhgimi elektronik kundër shumë vendeve të rajonit të Mesdheut.
Avantazhet janë kaq të dukshme sa që kjo çështje duhet të jetë marrë në shqyrtim nga rrethi i ngushtë i partisë dhe drejtuesve ushtarakë sovjetikë. Për momentin, gjithsesi nuk vërehet treguesi më i vogël i ngrohjes së Shqipërisë me Moskën. Bashkimi Sovjetik pati refuzimin më armiqësor për ngushëllime që ka dërguar në një vend ndonjëherë [nga 11 marsi 1985 sekretari i përgjithshëm i KQ të PKBS ishte M. Gorbaçov]. Një zëdhënës i ambasadës së Shqipërisë në Vjenë deklaroi se mesazhi sovjetik u kthye mbrapsht si “i papranueshëm”. Polonia e konsideroi refuzimin e shqiptarëve ndaj sovjetikëve një gjest “të pasjellshëm”. Megjithatë ngërçet e befasishme në marrëdhëniet midis shteteve komuniste nuk janë pa precedent. Marrëdhëniet jugosllave-sovjetike dhe jugosllave-kineze janë dy raste të tilla. Një përmbysje në Tiranë ndoshta mund të rezultojë në një ngërç të tillë, gjithsesi shenjat në këtë moment, nuk flasin për anim nga sovjetikët. Ka mundësi që sovjetikët të përpiqen të bindin Shqipërinë të kthehet sërish në vathë, pa marrë parasysh se sa të vështirë ua bën Alia këtë gjë.
Në mënyrë të ngjashme, do të jetë e vështirë të parashikohet ndonjë afrim me SHBA, sepse, sipas propagandës së Tiranës, afrimi me amerikanët do të jetë po aq i rrezikshëm sa ai me sovjetikët. Nuk është befasi që Departamenti amerikan i Shtetit ka reaguar në mënyrë mjaft lakonike për lajmin e vdekjes së Hoxhës, duke deklaruar se SHBA është e gatshme të thotë po nëse Tirana do të dëshirojë rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike.
Për sa u përket gjasave që Shqipëria të hapet ndaj Perëndimit, qëndrimi i saj ndaj vendeve të Evropës Perëndimore ka ndryshuar kohët e fundit. Ka sulme, por toni është më pak i ashpër. Më e rëndësishme, janë bërë gjeste të vogla, që mund të jenë tregues i një dëshirë për marrëdhënie më të mira. Të tre vendet më të rëndësishme në këtë kontekst janë Franca, Italia, dhe Republika Federale e Gjermanisë. Tregtia me të tre vendet është rritur, dhe janë ndërmarrë hapa të tjerë pozitivë. Reagimi perëndimor ka qenë gjithashtu pozitiv. Janë vendosur kontakte me Bonin që kanë për qëllim rifillimin e marrëdhënieve diplomatike. Një nga shumë mesazhet e ngushëllimit të dërguara nga vendet e huaja ishte dhe ai nga presidenti francez Fransua Miterran (Francois Mitterrand), në të cilin ai shprehte dëshirën për përmirësimin marrëdhënieve shqiptaro-franceze. Kryeministri italian Betino Kraksi [Bettino Craxi] në mesazhin e tij e quajti Hoxhën “protagonist kryesor (sic) i historisë së re të vendit të tij”. Një zëdhënës i ministrisë së jashtme britanike deklaroi se Britania ishte “e gatshme për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë pa kushte”. Shumica e vendeve perëndimore kanë gjykuar me sa duket se është më mirë të bëhen përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet me Shqipërinë. Ata janë të ndërgjegjshëm për rëndësinë strategjike të Shqipërisë në Ballkan.
Pothuajse të gjitha komentet e huaja për vdekjen e Enver Hoxhës e përmendnin si stalinistin e fundit që u largua nga skena politike. Problemi ndërlikohet po të kihet parasysh se Shqipëria tani po hyn në një epokë pasigurie. Një stalinist i vetëshpallur, Hoxha ishte edhe Lenini i Shqipërisë që brumosi formën e komunizmit shqiptar. Mund të ndryshohen eventualisht tiparet trashanike të tipit stalinist të sundimit të vendit, por motoja politike e Hoxhës do të mbetet.
Përgatiti: Idriz Tafa
Comments
Nje miku i im e pyeti ne
<p>Nje miku i im e pyeti ne vitet `90 Kadarene, kur po pinte me te nje kafe ne Paris: Ke shajt Fishten!? Dhe ai pergjigjet: po, e kam share, po me mire ta shashe se sa te harrohej e te humbte. E tjer e tjer. Dhe ky artikull seshte gje tjeter vetem nje homazh per diktatorin vetm per ta kujtuar.....</p>
Add new comment