Semiotika e Himnit

Diskutimi për fjalën burrë në Himnin Kombëtar, më kujtoi një ngjarje anekdotike, tridhjetë e kusur vjeçare. Ditën që Niku, im nip u regjistrua në klasë të parë, bëri edhe një zbulim që e mrekulloi. E di? Unë jam beqar!, i thoshte kujtdo që takonte. Fjalën beqar e kish mësuar taze nga certifikata e lindjes, në një çast gati-gati sublim, në takimin e shumëpritur me mësuesen. Ngazëllimi nga fakti që një fëmijë gjashtëvjeçar, qenkësh beqar ngjallte të qeshura te ne të rriturit. E njëjta fjalë, në të njëjtën thënie, e artikuluar nga i njëjti person kryente dy funksione të kundërta: fëmijës i ngjallte përjetime sublime, kurse të rriturit i grishte në viset e komikes.
Natyrisht, përdorimi i fjalës burrë në Himnin Kombëtar nuk mund të diskutohet me lehtësinë e anekdotës. Është problem i ndërlikuar e do diskutuar në disa rrafshe, jo thjesht si semantikë e fjalës apo e tekstit, por edhe si semiotikë e simbolit, madje e një simboli të kthyer në mit.
1. Fjala burrë ndrydh brenda vetes një varg kuptimesh. Në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe shënohen katër syresh: 1. person i rritur i gjinisë mashkullore, 2. bashkëshort, 3. njeri i fortë, trim e i besës, dhe 4. person i shquar. Të gjitha këto kuptime mbarten nga e njëjta bashkësi tingëllore: b+u+ rr+ë. Katër kuptime të strehuara brenda së njëjtës banesë fonetike janë ca si shumë dhe mund të krijojnë ngatërresa. Mundësia për ngatërresa shtohet edhe nga fakti që të gjitha kuptimet në origjinën e tyre kanë buruar nga i pari, janë sadokudo të ngjashëm, si tre vëllezër nga i njëjti baba.
Gjithsesi, të katra kuptimet qëndrojnë më vete, gjatë përdorimit të fjalës shfaqet herë njëri e herë tjetri, duke shuar kuptimet e tjera. Nëse thua p.sh. banjë burrash, ke nxjerrë në sipërfaqe kuptimin gjinor, përftimi i kuptimit në këtë rast mbështetet në opozicioni burrë – grua, banjë për meshkujt dhe jo për femrat. Por nëse thua burrë shteti ke nxjerrë në plan të parë kuptimin person/njeri i shquar, ndërsa kuptimi gjinor është zbehur, e gati-gati është shuar. Me këtë logjikë, vargu Kush është burrë lexohet kush është trim dhe jo kush është mashkull.
Të rrimë shtrembër e të flasim drejt; brenda fjalës burrë shqipja ka gjithsesi ngarkesa seksiste ose, thënë ndryshe, nuanca kuptimore që mbivlerësojnë burrin dhe diskriminojnë gruan. Për ta perceptuar më lehtë marrim një shembull ekstrem. Një grua trime, guximtare e zonja etj. etj. thirret burrëreshë sikur guximi dhe trimëria të ishin atribute të njërës gjini dhe jo të racës njerëzore në tërësi. Për simetri, ky shembull të kujton fjalën gruar që shenjon kuptimin mashkull i dhënë shumë pas grave. Pra burri shihet si burim trimërie e zotësie, gruaja si burim ngasjesh seksuale.
Por këto ngarkesa seksiste i takojnë më shumë rrafshit të fjalëformimit dhe shkojnë thellë në histori, në kuptimin që janë konstruktuar shumë kohë më parë. Natyrisht, në fillimet e tyre kanë qenë figura ekspresive. Në origjinë p.sh. fjala burrëreshë është ndërtuar mbi krahasimin grua e zonja/trime si burrë, por ky krahasim vështirë se perceptohet më, nga që metafora është shuar. Nëse poezia thotë nofullat e kujtimeve u lodhën, lexuesi i jep sens duke bërë krahasimin kujtimet si ripërtypja/kafshët ripërtypëse. Metafora këtu është aktive, vë në punë edhe lexuesin. Në rastin e metaforës së shuar burrëreshë apo të metonimisë së shuar burrë për njeri trim, i besës etj. lexuesi nuk ka nevojë të bëjë krahasime a lidhje logjike të pashprehura. Kuptimi i ri është fiksuar dhe gjallon më vete. Natyrisht, përdorimi i së njëjtës bashkësi tingëllore (burrë) e përcjell sadokudo një perceptim seksist, por tejet të zbehtë.
Si rregull, ngarkesa seksiste në gjuhë është rezultat i ndikimit të një modeli kulturor, një ideali të shoqërisë patriarkale: burri i takon luftës dhe aktivitetit shoqëror, kurse gruaja – shtëpisë dhe aktivitetit familjar, burri trim e i çartur – gruaja e ndruajtur e kokulur. Në fakt, ky nuk është mëkat vetëm i shqipes. Seksizmi etimologjik është dukuri e hasur në shumë gjuhë, dukuri gati-gati universale. Për të mos u zgjatur, kujtojmë se gjithë ndërkombëtarizmat që kanë për rrënjë fjalën human rezultojnë seksiste në origjinë, ngaqë burojnë prej latinishtes humanus, trajtë mbiemërore e emrit homo që për kuptim të parë ka burrë. Do të ishte punë prej sizifi që, për të shmangur seksizmin të rekomandoje ndryshimin a modifikimin e të gjitha fjalëve që kanë për rrënjë human. Më anë tjetër, do të ishte edhe mundim i kotë, prej shekujsh rrënja human krahas kuptimit të parë ka zhvilluar edhe kuptime të tjera, si njerëzor, bamirës, i kultivuar etj.
2. Në një tekst koherent siç është Himni Kombëtar kuptimet përftohen jo nga fjalët e veçanta, por nga teksti. Ky faktor e zbeh edhe më shumë ngarkesën seksiste që po diskutojmë.
Vargu Kush është burrë nuk frikohet nuk lë asnjë shteg që ta kuptosh kush është mashkull/nuk është grua. E mbyll çdo shteg duke shtënë në punë dy instrumente semantike. E para, sintagma është burrë ka prirjen që të jetë përgjithësisht frazeologjike, d.m.th. një strukturë e ngurtësuar dhe me ngarkesë metaforike. Nëse thua se Mbreti Gent ishte burrë nënkupton se ishte trim, i zoti etj. dhe jo se ishte mashkull. Gjinia është shënuar që kur kemi thënë mbreti. Do të ishte proliksitet i papërligjur që në një fjali me katër fjalë, tri të shënonin gjininë. Fjala frikohet e përforcon edhe më perceptimin se vargu flet për trima e jo për meshkuj.
Po të dalim tej vargut e ta perceptojmë fjalën burrë si pjesë e gjithë tekstit, gjasat për ngarkesë seksiste zerohen. Profesor Jorgo Bulo, në një prononcim televiziv sillte në vëmendje se dorëshkrimi i Asdrenit dëshmon që varianti fillestar i vargut Rreth flamurit të përbashkuar ka qenë Flamurit pranë të bashkuar. Zëvendësimin e fjalës të bashkuar me të përbashkuar Asdreni duket se nuk e ka bërë vetëm për hir të ritmit, por sidomos për të nxjerrë në pah domosdonë e bashkimit. Kombi është bashkim koheziv jo vetëm i burrave, por i të gjithëve: burra, gra, pleq, fëmijë etj. Kështu shihej përgjithësisht në kohën kur u shkrua Himni, e kështu duket se është perceptuar edhe nga vetë Asdreni.
Tekstet letrare nuk lexohen vetëm nga perspektiva e autorit, por edhe nga perspektiva e lexuesit, d.m.th. jo thjesht ç’ka dashur të thotë autori, por çfarë percepton lexuesi. Nëse kjo është e vërtetë për tekstet letrare në përgjithësi, për një tekst si Himni Kombëtar, që s’është vetëm fjalë dhe muzikë, por edhe mjet ceremonial, perceptimi i lexuesit bëhet mbizotërues dhe shpesh e vetmja mënyrë leximi. Me fjalë të tjera Himni interpretohet duke përdorur optikën e lexuesit apo qasjen receptive. Është e tepërt të themi se lexuesi i dy-tre brezave të fundit bashkimin kombëtar e percepton si bashkim të të gjithëve, pa dallim seksi, moshe, feje, krahine, ideje etj.
Vijmë kështu te leximi i Himnit Kombëtar në rrafsh semiotik, lexim që s’lë asnjë shteg për ngarkesa seksiste dhe, ç’është më e rëndësishme, të bind se s’ia vlen barra qiranë të ndërhysh në kode semiologjike për interesa politike të ditës.
3. Himni është simbol kombëtar i të njëjtit grup si flamuri, shqiponja dykrenore, stema etj. Të gjitha këto kanë prirje të kthehen në mite, natyrisht jo në rrëfenja për ndodhi të mbinatyrshme me perëndi, heronj etj. etj., por në mite moderne, thënë me një koncept të Roland Bartit. Shndërrimi i shenjës/simbolit në mit ka diçka nga procesi i mumifikimit.
Si rregull, simboli ka prirjen t’u largohet referencave origjinare. Shqiponja e flamurit p.sh. nuk është shpendi që jeton në male, që ka ngjyrë të murrme, sqep të kthyer etj. etj. Po qe se e kundrojmë në këtë aspekt, nuk është fare shqiponjë: nuk hasim ndonjë shpend me dy kokë, as në male e as në fusha, madje as në laborator. Dykrenarja jonë është një shqiponjë që ka prirje t’i ikë shqiponjës e të shenjojë gjëra të tjera. P.sh. gjuhët aq të gjata që dalin nga dy kokat të kujtojnë jo shpendët, por rrëshqanorët e tipit dragua. S’mjafton me kaq, por gjuhët janë konceptuar të gjata e qendërikëse për të qenë në harmoni me ndjesinë e vrullit/fluturimit që përcjellin stilizimet e krahëve, bishtit, kthetrave etj.
Gjithsesi, gjatë ceremonive të ndryshme nuk na shkon mendja të perceptojmë hollësi të tilla, të lektisemi në këtë lojë kuptimesh. Aq më pak mund të na shkojë mendja te kuptimet origjinare, d.m.th. te fakti që bizantinët dhe gjermanikët me dy krenat simbolizonin shekullaren dhe religjiozen, perandorin në tokë dhe Zotin në qiell etj. Vështirë se ky kuptim mund të gjendet te flamuri ynë. Ceremonitë kërkojnë qasje emocionale dhe jo logjike, kërkojnë përjetim dhe jo meditim. Për ta arritur këtë, imazhi i dykrerëshes, d.m.th. forma e saj grafike, ikën nga referencat fillestare dhe bëhet formë që shënon një kuptim të ri: shqiptarësinë. Në terma semiologjikë do ta thoshim shkurt dhe lehtë: shenja bëhet shenjues që sjell një kuptim të ri të rrafshit të konotacionit ose mitit.
Nëse shqiponjën e flamurit e lexojmë si mit, d.m.th si një imazh që qëndron për shqiptarësinë, edhe Himnin mund ta perceptojmë në të njëjtën mënyrë: si një shenjë unike, që shërben për të shenjuar jo veten, por diçka tjetër, jo atë që thonë fjalët apo vargjet e veçanta, por një ide të përgjithësuar: bashkimin e gjithë shqiptarëve rreth flamurit. Po të aplikonim optikën e Bartit do të thoshim se në rrjedhën e viteve Himni Kombëtar, ka patur një prirje konstante t’u largohet kuptimeve origjinare, të kthehet në formë, d.m.th. në një enë që bart një kuptim të ri: bashkim nën flamur dhe për flamur. Miti, thoshte semiologu i mprehtë, përcaktohet jo aq nga kuptimi i tij literal se sa nga qëllimi d.m.th. nga ajo që synon të thotë. Për ta realizuar këtë, miti synon të jetë i ngrirë, i purifikuar, i përjetësuar, i shkëputur nga kuptimi literal.
Simbolet kombëtare si shqiponja, flamuri, himni etj. nuk përdoren vetëm për të përcjellë mesazhe, por kanë edhe një funksion praktik, janë instrumente për organizim ceremonish. Ky funksion utilitar bën që simbolet kombëtare të marrin më lehtë trajtën e miteve. Kjo, ngaqë funksioni themelor i miteve moderne është natyralizimi ose thënë ndryshe kthimi i historisë në natyrë. Gjërat që mitizohen, zhvishen nga ngarkesat historike, ideologjike etj. dhe paraqiten si produkte të natyrës.
Me fjalë të tjera, procesi i natyralizmit të një miti si Himni Kombëtar ka prirjen ta paraqesë atë si natyrë e jo si kulturë dhe rrjedhimisht të na shtyjë ta pranojmë siç pranojmë ajrin, ujin apo dheun. Kjo mund të shpjegojë pse Himni ka mbijetuar edhe përkundër faktit që teksti është poezi e dobët, kurse muzika – e krijuar nga një kompozitor i huaj, edhe përkundër tri mësymjesh për ta zëvendësuar, mësymje shtetërore, me konkurse, juri e para.
Po të lëmë rrafshin semiologjik e të kalojmë në atë politik, mund të thoshim se përpjekjet për ta zëvendësuar apo modifikuar Himnin janë joproduktive. Nuk është se jemi zengjinë me ikona të motshme të kombit, që të tregohemi dorëlëshuar e disa prej tyre t’i ndryshojmë apo restaurojmë. Sendet e lyera me vernik i gjen në shitoret e cilësisë së ulët dhe jo në muze. Panteonit i ka hije vjetërsia, qoftë edhe arkaike.
P.S.
Diskutimi për Himnin mori shkas nga një prononcim televiziv i Avokatit të Popullit. Gjithë sa ka bërë z. Totozani gjatë pak muajve të veprimtarisë në këtë post krijojnë respekt dhe simpati. Me nisma të zgjuara e efikase ka ravijëzuar një profil bashkëkohor e karizmatik, por propozimi për Himnin duket se qe i nxituar. Përtej emrave të përveçëm diskutimi për Himnin rinxjerr në pah një shqetësim: ligjërimi ynë mediatik ka prirjen që gjithçka ta shndërrojë në politikë, gjithçka ta analizojë në optikë politike, gjithçka ta instrumentalizojë për qëllime të ngushta politike. Kjo prirje dëshmon varfëri intelektuale dhe të sjell ndër mend atë bejten: lyer, ngjer me këna / barku vetëm trahana. (Mapo)
Comments
Nje shkrim qe nuk gjen dot
<p>Nje shkrim qe nuk gjen dot nje fjale per ta kritikuar, asnje presje per ti hequr e shtuar; nje shkrim qe te meson shume gjera. Kishim kohe qe nuk lexonim gjera te tilla! Faleminderit autorit dhe Respublikes!</p>
Nuk eshte hera e pare qe
<p>Nuk eshte hera e pare qe diskutohet per ndryshimin e hymnit kombetar. U perpoqen edhe ne kohen e diktatures per ta ndryshuar, dhe me nje te rene te kalemit edhe mund te ndryshohej pasi dihej urdheri i Zeusit nuk mund te mos zbatohej, poa edhe Ai nuk kishte guximin te dilte mbi popullin. Keta te rinj, qe nuk thellohen perpara se te nxjerrin fjalen nga goja, ne pergjithesi e bejne per tu treguar avanguarde te mendimit. Dhe sigurisht qe nxjerrin mbrochkulla. Interpretimi per hymnin, sich eshte edhe ky shkrim i prof. Gjokutaj, eshte i justifikuar, por mbi te gjitha shihet nje llogjike persa i perket anes se vjetersise se mendimit ashtu edhe asaj te re te saj. Me nje, fjale eshte nje interpretim brilant, dhe nuk mund ta kundershtoje asnje. Per kete interpretim jam mbeshtetes per hymnin qe shkroi autori, rilindasi i shquar i popullit tone Asdreni. Dhe pavaresisht, nga ana teknike dobesia e teksit dhe muzika nga autor i huaj, eshte nje hymn me te cilin ne jemi njohur ne mbare boten. Njekohesisht, ka treguar edhe nivelin e ulet qe kemi patur si popull per te bere, organizuar dhe egzekutuar shtetformimin. Kjo i perket kohes se pavaresise. Por, eshte per te qare hallin, se edhe pas 100 vjetesh, kemi ende probleme ne shtetorganizim dhe shtetegzekutim. Le ta leme hymnin sich eshte shkruar, pasi mendoj se nuk ka asgje diskriminuese, as ndaj sekseve, ku dihen ne shoqerine njerezore, jane vetem dy, mashkull dhe femer, por as edhe ne perdorimin e fjaleve, pasi dihet perdorimi metaforik i tyre. Shpjegimet e profesorit nuk lene asnje rast ndryshimi. Ta falenderojme dhe ti lutemi qe te shkruaje vazhdimisht.</p>
Dakord me profesor Gjokutajn.
<p>Dakord me profesor Gjokutajn. Vetem se profesori dhe disa te tjere qe jane prononcuar rreh kesaj teme kane kendveshtrime kush gjuhesore, kush historike. Kam pershtypjen se Avokati i Popullit ka bere nje perqasje ligjore. Kendveshtrimet jane te ndryshme, por te gjitha te drejta. Profesori shef tek himni semiotiken, Kadareja si shkrimtar sheh "marrosje", nje artist sheh te Himni morrnicat ne kurriz, nje avokat sheh probleme te barazise gjinore. Nuk perjashtojne njera tjetren por njeherazi nuk mjaftojne per te rrezuar njera tjetren. Une jam me Totozanin: himni ka probleme te barazise gjinore qe cke me te. Perfytyroni nje grua duke e kenduar pershembull :)</p>
Une them jo vetem himni, por
<p>Une them jo vetem himni, por edhe flamuri ka probleme. Bile probleme te dyfishta. Sic dihet, simboli i flamurit tone eshte shqiponja. Vine re mbaresen: Shqiponj-a. Femerore. Po shqiponja mashkull, ose shqiponji (shkurt shqipo) ku eshte. Dhe probleme behet i dyfishte kur mendojme qe shqiponja jone eshte nje shqiponje e dyzyar me dy koka dhe te dyja femra. A nuk eshte padrejtesi ne katror kjo. Ndaj une propozoj qe njeres shqipnj urgjentisht ti varen nje pale hallate ne njeren ane, qe edhe ne burrat me ne fund te nderojme flamurin pa u ndier te diskretituar ne maskulinitetin tone.</p>
Bravo pf, i ke rene ceshtjes
<p>Bravo pf, i ke rene ceshtjes ne koke (hahahhahahaaaaa)</p>
p.f. esht e kote qe perpiqeni
<p>p.f. esht e kote qe perpiqeni ta banalizoni cdo gje. Ka probleme dhe pike. Te mos behemi fanatike, lexoni Mosmarreveshjen e Kadarese dhe ndricohuni pak</p>
Lereni Kadarene ne france, te
<p>Lereni Kadarene ne france, te mbaroj ditarin e jeteshkrishkimin e tij, dhe lexojeni e kuptojeni mire prof. Gjokutajn. Sa per Iglin mendoj se edhe vendin e kryetarit te nje shoqate qeveritare e ka teper, si i lexuar e shkolluar tej mase qe eshte. Une kam punuar me te dhe e njoh shume mire.</p>
Add new comment