Ramazan Spahia, Sali Berisha, Robert Mugabe…

Kur lindi Sali Berisha, Ramazan Spahia ishte 7 vjeç. Dhe jetët e atyre vogëlushëve morën rrugë krejt të kundërta qysh nga ai moment. Sepse vogëlushi Ramazan kishte bërë një “faj të pafalshëm” – kishte ardhur në jetë nga një baba që nuk e pranoi ardhjen e komunistëve në pushtet dhe që u vra duke luftuar me armë në dorë kundër tyre. Ndërsa babai i Berishës e përkrahu ardhjen e komunistëve në pushtet dhe, eventualisht, e dërgoi të birin e tij me një valixhe druri në Tiranë, për të filluar ngjitjen meteorike në karierën mjeksore dhe në aktivitetin në rradhët e Partisë së Punës.
Kur Sali Berisha voziste me varkë në Drilon të Pogradecit me të birin e Enver Hoxhës, Ramazani u arrestua në Klosin e Burrelit sepse kishte sharë këtë të fundit. Dhe në 23 muajt që pasuan, ai u torturua çnjerzisht në hetuesinë e Peshkopisë, për të treguar nëse kishte ndonjë bashkëpuntor në “aktivitetin armiqësor” të tij. Pasi hetuesit u bindën për të kundërtën, Ramazanin e dërguan në burgun e Spaçit për të vuajtur dënimin që i dha partia ku Saliu militonte.
Në vitin 1992, rrugët e jetës së Saliut dhe Ramazanit u takuan më së fundi. Saliu, pasi ishte larguar nga partia e babait të shokut të tij të vozitjeve në Drilon, kishte dalë në krye të Partisë Demokratike dhe, gjatë fushatës zgjedhore të atij viti, e takoi në Ramazanin në Klos. Që prej atij viti e deri në 2009-ën, Ramazani votoi rregullisht për Partinë Demokratike, sepse, nga shtrëngimi i dorës që kishte bërë me ish-komunistin Berisha, kishte krijuar një bindje të brendshme se ishte penduar sinqerisht për militimin në partinë që i kishte shkatërruar jetën atij dhe mijra bashkëvuajtësve të tjerë.
Por zvarritjet e pafundme pas zgjedhjeve të 2009-ës, për të marrë këstet e dëmshpërblimit të premtuara nga Saliu para zgjedhjeve, e bindën më së fundi Ramazanin se atij i interesonte vetëm vota e të burgosurve politikë dhe jo dëmshpërblimi dinjitoz i tyre. Dhe kur mori vesh se bashkëvuajtësit e tij ishin futur në grevë urie në Tiranë, Ramazani hipi në një furgon dhe shkoi e u ngujua edhe ai me ta.
Dhe vijmë kështu tek dita e djeshme. Dje Saliu festoi me nipër e mbesa datëlindjen e tij, ndërsa Ramazanin kishin ardhur ta vizitonin nipërit dhe mbesat, por policia nuk i lejoi të futeshin në çadrën e grevës… Saliu gëzon shëndet të plotë, ndërsa Ramazanin 45-kilësh deshin ta dërgonin dje mjekët në spital, por ai refuzoi të dilte nga greva…
Dhe ironia nuk mbaron me kaq. Në ditën kur Ramazani u deklaroi mjekëve se do të vetëflijohej, Saliu u deklaroi deputetëve të tij, me rastin e datëlindjes së vet, se do të jetojë edhe 34 vjet të tjera dhe se do të qeverisë edhe kaq vjet sa ka qeverisur… Dhe kjo deklaratë e Saliut na çon 10 mijë kilometra në jug të Shqipërisë, ku 88-vjeçari i rrjedhur nga trutë Mugabe po garon për t’u rizgjedhur për të n-tën herë president i Zimbabues…
Shënim: Në foton shoqëruese, Ramazan Spahia është në cepin e poshtëm, djathtas.
Comments
E ke qendisur artikullin. BRV
<p>E ke qendisur artikullin. BRV</p>
Te lumte Zaloshnja. Nje
<p>Te lumte Zaloshnja. Nje preqasje mjaft e bukur dhe realiste.</p>
Add new comment