Rënia e Shtetit

Postuar në 21 Prill, 2012 05:06
Sokol Kondi

Pak ditë më parë, gjatë një vizite të tijën në Bruksel, Kryeministri i Shqipërisë lëshoi një deklaratë, e cila për çudi nuk u trajtua nga opozitarë e analistë të mprehtë anti-qeveritarë. I gjendur përballë insistimit profesional të korrespondentes së Top Channel-it në Belgjikë lidhur me pandëshkueshmërinë e korrupsionit elitar, Kryeministri dha një evidencë të tijën për ta rrëzuar poshtë këtë prezumim. Ai theksoi se ndryshe nga viti 2005, kur ai erdhi në pushtet dhe gjeti nëpër burgjet e Shqipërisë 1300 të dënuar, sot numri i të burgosurve ka shkuar në plot 5 mijë. I mësuar që të trajtojë çdo gjë si arritje qeveritare, nga fenomeni i evoluimit teknologjik në shkallë botërore i  internetit, e deri te ullinjtë e arroret që janë ende vetëm në letër, Kryeministri e cilësoi si një progres kthimin e shtetit shqiptar në një shtet penal, në një shtet në të cilin nuk parandalohet, por dënohet.

Në fakt, rritja e të dënuarve është tregues vetëm i trendit të krimit në rritje. Ajo dëshmon për një rritje të pasigurisë së jetesës nëpër rrugët e qyteteve e fshatrave tona. E megjithatë Kryeministri i lavdëroi së tepërmi Gjykatat, të cilat, sipas tij, kanë patur pavarësi të plotë të godasin korrupsionin, ndaj edhe ka ardhur në rritje numri i të burgosurve. Por më tepër se pavarësi e gjykatave, kjo rritje e të dënuarve për të cilët kryeministri flet, vetëm sa e legjitimon më tepër hipotezën se që prej vitit 2005, korrupsioni dhe krimi janë kthyer në një fenomen shoqëror gjithëpërfshirës. Jo se më parë nuk ekzistonin, përkundrazi, por kriza ekonomike globale dhe papunësia në rritje, bashkangjitur me shembullin frymëzues që buron nga elita e korruptuar se mund të zhvatësh e vrasësh e të mbetesh me nder, ka bërë që burgjet të mbipopullohen e Kryeministri të rrahë gjoksin për këtë. Sa për pavarësinë e drejtësisë, kohët e fundit në shumë çështje, si në rastin e arrestimit të mikut të një ministri të përfolur, apo të gardistëve të qeverisë, ajo ka treguar se është zemërgjerë, ndërsa për kriminelët anonimë dhe ordinerë është shtrënguese dhe e rreptë, çka shfaq qartë se sistemi i drejtësisë është selektiv dhe se parimi që shkruhet me të madhe nëpër sallat e gjykatave se “të gjithë janë të barabartë përpara ligjit” përveçse është vetëm një utopi, do të ishte mirë të rikonceptohej e të shkruhej në këtë formë: “të gjithë janë të barabartë përpara ligjit, përveç politikanëve” sa për të qenë koherentë me vendimet që jepen në ato salla.

Një tjetër shashkë e Kryeministrit e padëgjuar nga veshët tashmë të shurdhuar të opinionit publik prej shashkave të shumta me një ndotje të lartë akustike ishte ajo e kapur nga kamerat e fshehta opozitare, ku ai ulëriste se ishte gati të përsëriste një 21 janar të dytë. Jo se deputetët opozitarë dhe publiku nuk e dëgjoi këtë, por aq i rrahur dhe i pafuqishëm ndihet opinioni përballë idesë se 21 janari ishte plotësisht vepër e Kryeministrit dhe se përballë këtij realiteti nuk mund të bëhet asgjë, sa që, në të vetmin rast kur Kryeministri e pranoi publikisht se është përgjegjës apo se ka dijeni për krimet e 21 janarit, reagimet në rrugë ligjore ishin inekzistente. Kryeministri në deklaratat e tij publike ka qenë gjithnjë mohues lidhur me krimet e 21 janarit. Ai gjithnjë ka ndjekur linjën e komplotit, pra të idesë se element dashakeqë brenda protestuesve i kanë vrarë këta të fundit për të krijuar destabilitet politik në vend. Ai ka përjashtuar gjithnjë Gardën nga përgjegjësia e krimeve dhe i ka dalë në mbrojtje ekstreme këtij institucioni. Në një shtet normal ligjor, në rast se Kryeministri do të deklaronte se do të përsëriste një ngjarje të dytë kriminale, si ajo ku kanë humbur jetën 4 qytetarë të pafajshëm dhe të pambrojtur, të vrarë nga vetë dora e shtetit, minimumi që mund të bëhej do të ishte që shefi i ekzekutivit të thërritej nga organet kompetente për t’i kërkuar sqarime ose dëshmi lidhur me këtë. Prokuroria e Përgjithshme duhet të vihej menjëherë në lëvizje dhe t’i kërkonte Parlamentit që Kryeministri të linte mandatin për t’u hetuar lidhur me deklaratën se ai do të përsëritë një 21 janar të dytë, nga e cila nënkuptohet se ai ka organizuar ose ka dijeni për 21 janarin e parë. Edhe vetë familjarët e viktimave mund t’u drejtohen Gjykatës për deklaratën e Kryeministrit dhe të kërkojnë që ai të gjykohet. Opozita në ktë rast duhet të bënte opozitën, pra detyrën e saj, gjë e cila nuk ndodhi. Jo se kam iluzionin se një nismë e tillë do të sillte ndryshime epokale. Por edhe një dorëzim dhe një plogështi e tillë nga ana e subjekteve të pavarura publike është me të vërtetë rrëqethëse dhe është shembulli më i mirë se shteti ka rënë nën thundrën e Kryeministrit.

Comments

Submitted by Zapbone (not verified) on

<p>Ne shqiperi, privilegjin e Palles se Ariut e kane vetem politikanet. Te mos besh asgje, asgje dhe te jesh i nderuar kjo ndodh vetem ne shqiperi. Politika eshte i vetmi zanat qe nuk kerkon arsim politik apo arsim te cfar do lloj tjeter! A nuk eshte kjo nje paradize &ndash; Palle Ariu. Te jesh politikan ne shqiperi ke lindur me kmishe, je i dashmi Zotit.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.