Rënia e medias derisa oksigjenin e mban qeveria

Liria e shtypit në Shqipëri bën përsëri hapa mbrapa. Jemi të parafundit në rajon, duke lënë vetëm Maqedoninë poshtë nesh. Konstatimi bëhet nga raporti më i ri i organizatës Freedom House. Parë nga larg, kjo renditje në honin e lirive të shtypit në Ballkan duket një paradoks: Shqipëria, Tirana, zien me media televizive dhe shtyp të shkruar. Të bësh një shëtitje në rrugët kryesore të kryeqytetit shqiptar, makinat me logot e televizioneve, ia kalojnë në numër çdo biznesi tjetër privat. Nuk sheh të tilla as për akullore, as për banka, as për prodhime farmaceutike…
Një ditë shiu, në sheshin “Italia”, qëndronin të parkuara në pritje të një lajmi 5 makina të televizioneve të ndryshme. Çfarë po bën Shqipëria? Prodhon kaq shumë lajm? Ka kaq shumë gazetarë? Të bësh një kalim të shpejtë në Tv me telekomandë dhe të ndalesh në një kioskë që shet gazeta vë re një lulëzim të paparë. Por kjo nuk është shenjë e lirisë së shtypit, apo e kërkesës së tregut për informacion. Kjo situatë është rezultat i ushqimit financiar nga ana e pushtetit dhe më konkretisht nga ana e Qeverisë të shumicës së mediave.
Gjendja mediatike në vend është qesharake: Çdo biznesmen me akses në politikë dhe përmes saj me akses në kreditimin pa fund në disa banka shqiptare, ka një grup mediatik. Nuk ka rëndësi nëse si profesion ka atë të përgatitjes së qofteve, apo të prodhimit të patateve, jo, nëse gjendet çelësi i kreditimit përmes favoreve politike, atëherë transformohet kollaj dhe në “perandor” mediatik.
Politika po ushqen shumë media në dukje të pasura, të cilat qëndrojnë në ajër si flluska sapuni. Qëllimi i vetëm është shërbimi ndaj pushtetit kur ky i fundit të ketë nevojë: në raste zgjedhjesh, situatash si 21 janari apo kur transparenca e veprimeve qeverisëse vihet në shënjestër. Kështu politika mban financiarisht disa media dhe media i përkushtohet në momentin që pushteti rrezikon të diskretitohet. Nëse qeveria do të hiqte dorë papritur nga mbështetja flagrante që u bën shumicës së mediave, ekzistenca e shumë prej tyre do të vihej në lëkundje në pak muaj. Varësia financiare e mediave shqiptare ka bërë që shumë prej tyre ta shesin lirinë profesionale. Pikërisht për këtë arsye organizata Freedom House na rendit në vendet e fundit.
Comments
Kot shqetsoheni dhe ju. Fakti
<p>Kot shqetsoheni dhe ju. Fakti qe ka shume media, nuk do te thote qe te gjitha ndiqen. Shumica jane thjesht per numer.</p>
seriozisht kur ankohen dhe ne
<p>seriozisht kur ankohen dhe ne shqiperi per presion ndaj medias eshte pataksi! eshte i vetmi (ne mos nder te vetmit) vend ne bote ku media shkruan e thote ca te doje e smban asnje pergjegjesi. Ti zonje/zonjush nuk vlen te qurravitesh duke abuzuar me parime demokracie sic eshte liria e medias. Sa here nuk te pelqen ty media u dhunoka, ndersa sa here thua ti pallavra media qeka ne rregulle. Mos ngaterro median e pavarur me median partizane! </p>
Analiza eshte e drejte, por
<p>Analiza eshte e drejte, por flitet shume pergjithshem.</p>
Add new comment