Qytetarë me kohë të pjesshme ---

Postuar në 31 Maj, 2012 01:29
Evis Plaku

E ardhmja është e trishtë atëherë kur e përditshmja është e paralizuar nga kotësira, dogma pa aksion, apo vetë-kënaqësi hipokrite. Asgjë e mirë nuk do të ndodhë nëse jemi solidarë vetëm në raste tragjedish; patriotë në ditë festash; apo qytetarë të përgjegjshëm vetëm sa për fasadë. Pa 'Carpe Diem' si zor që të bjerë bukë nga qielli.         
Po përpiqem ta shtjelloj idenë që sintetizova më sipër.

Është disi e 'sikletshme' t'ia përplasësh disa të vërteta në fytyrë vetes dhe qytetarëve të këtij vendi në një kohë kur në shumicën e rasteve njerëzit janë viktima të një sistemi të kalbur social-politik-ekonomik që i rrënon dita-ditës. Mirëpo paradoksalisht, këtë piramidë që quhet shtet e kemi ndërtuar po ne, ditë pas dite.

Shumë rrallë qytetarët flasin në vetë të parë kur është fjala për të pasur një angazhim të qartë publik. Problemet tona si shoqëri i klasifikojmë si probleme të tjetrit. Mirëpo ato nuk zgjidhen duke postuar për to në ndonjë rrjet social. As duke i dhënë mbështetje virtuale kujtdo që i lufton problemet. Larg dogmave, duhet aksion konkret. Gjithësecili prej nesh është thirrur për të qënë në vijën e parë, në front të betejës. Asnjë pozicion tjetër nuk e çon përpara shoqërinë. Roli i sehirxhiut, rehatuar në kolltukun e shtëpisë, që bën sikur ndryshon gjithçka me pultin e televizorit është tërësisht i dëmshëm.

Vetëm në çfarë ka ndodhur javët e fundit mund të marrrësh shembuj që dëshmojnë qartë disa probleme serioze të shoqërisë sonë. Më konkretisht:

Në ditën e tragjedisë së Himarës u bombarduam me mesazhe solidariteti nga të gjitha anët. Dhe shumë mirë që ndodhi kështu. Vlerat dhe urtësia e një kombi dallohen në reagimin e tij në kohë të vështira. Por kjo nuk është mjaft. Dhurimi i gjakut vetëm në ditë të bujshme është tejet hipokrit në një kohë që Shqipëria ka të paktën 1000 talasemikë që e kanë nevojën për gjak domosdoshmërisht jetësore dhe të përhershme. Si ata, edhe qindra të sëmurë të tjerë, apo të aksidentuar. E thënë ndryshe, tragjedia e Himarës ndodh çdo ditë në vendin tonë. E ne si qytetarë paskemi luksin që të qëndrojmë indiferentë? Madje më shumë se sa kaq, ndihemi të përmbushur e të vetë-kënaqur më atë çka bëjmë në ditë të bujshme tragjedish, por tragjikisht dështojmë ta bëjmë për çdo ditë.

Shembulli i universiteteve është gjithashtu tipik. E lemë mënjanë faktin që u desh një italian 'i famshëm' për të ngritur një debat të gjerë e shumë të dobishëm publik. Por kjo nuk mjafton. Duhen masa konkrete. Hetim jo vetëm ndaj universitetit në fjalë, por më gjerë se sa aq. Por kjo është pjesa e organeve përkatëse. Pjesa jonë si qytetarë konsiston së paku në dy drejtime. Së pari, të nxisim e të bëjmë presion me sa mundemi që hetimi të ndodhë. Dhe së dyti, të mos e ushqejmë një sistem të tillë. Ato universitete janë të mbushur plot me studentë shqiptarë që edhe pse publikisht hiqen si ndjekës puritanë të dijes e drejtësisë, privatisht janë dashnorë të diplomave false e gëzojnë përftimet që vijnë prej tyre. Shembuj analogë ka në çdo fushë. Për shembull, që nga rryshfetet e vogla që i japim mjekut, policit, mësuesit, punënjësit të administratës etj., e për të vazhduar me aferat korruptive më të mëdha për të cilat lexojmë nëpër gazeta.

E ndërkohë që flasim, para syve tanë spektatorialë zhvillohet telenovela presidenciale. E pamoralshme. Si një lojë e shëmtuar pokeri ku gjithkush përpiqet të mbajë një 'As' nën mëngë. Një lojë kukafshehti plot kurthe e intriga. Si e gjithë politika jonë.

Kështu që meqënëse arritëm këtu kemi dy mundësi. E para, të drejtojmë gishtin drejt politikës e ta shpallim atë fajtore. Dhe nuk do të ishim shumë të gabuar, për hir të së vërtetës. Por ama ndërsa drejtojmë gishtin drejt saj, harrojmë që gishtat e tjerë janë të drejtuar nga ne, qytetarët. Ndaj, mundësia e dytë është që ne të mos jemi qytetarë me kohë të pjesshme, apo spektatorë virtualë, por të bëjmë pjesën tonë. Sado e vogël qoftë. 

Nuk duhet të biem në grackën e të menduarit se pa-anësia apo largësia jonë ndaj gjithë kësaj është mjaft. Sepse nuk është. Aq me tepër në këto kohë të vështira. Edhe kur i demonizojmë ata që na drejtojnë, na duhet të bëjmë kujdes. Portretizimi i tyre si Hitlerë të kohës sonë mbart rrezikun që gabimet tona të relativizohen aq shumë sa të bëhen në dukje inekzistentë. E kështu gënjejmë veten se kemi bërë mjaft e notojmë në një lloj pezulltie të rrezikshme. Notojmë në një lloj vetë-kënaqsie që na jep luksin e të qënit indiferentë ndaj problemeve që ka shoqëria sot. Kjo është vrastare. Një gënjeshtër tragjike ndaj vetes.

Ne duhet të bëjmë pjesën tonë. Që përveç të tjerash do të thotë: nëse nuk e duam korrupsionin atëherë nuk duhet ta ushqejmë ata, as kur përftojmë prej tij; nëse nuk na pëlqen politika amorale, atëherë të mos bashkohemi me ata që janë të tillë; nëse duam që gjërat të ndryshojnë atëherë të largohemi nga rehatia e spektatorit. Të jesh qytetar me kohë të pjesshme është komode. Por e rrezikshme për të gjithë ne. Gjërat nuk do të ndryshojnë vetëvetiu dhe kotmëkot. Duhet të kuptojmë se ekselenca nuk është shprehje e çastit, por rezultat i përpjekjeve të përditshme (rutinore).     

Mua nuk më gënjen mendja të gjej receta të përgjithshme se çfarë duhet të bëjmë. Por ama e di që indiferenca nuk e shfajësoi Ponc Pilatin. Për të perifrazuar Edmond Burke “Gjithçka duhet që e keqja të triumfojë është që njerëzit (e mirë) të mos bëjnë asnjë gjë”. Ndërgjegja jonë e di cila është rruga e duhur. Pyetja është: A jemi gati të durojmë kostot në aspektin personal, në favor të së mirës së përbashkët?!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.