Qyqanat

Postuar në 23 Janar, 2013 08:44
Imer Mushkolaj

Me siguri kanë menduar se po bëjnë vepra patriotike dhe e konsiderojnë veten patriotë, por ata që dëmtuan varre serbësh gjithandej Kosovës dhe të tjerë që shkatërruan me eskavator përmendoren partizane në Viti nuk janë asgjë më shumë se qyqanë. Njerëz të dobët, të cilët mendojnë se po i bëjnë një argat të mirë Kosovës dhe qytetarëve të saj, por që i bëjnë vetëm dëm.

Si përgjigje ndaj shtetit serb, që hoqi lapidarin nga qendra e Preshevës, këta tipa zgjodhën të marrin ligjin në dorë dhe të shfaqen më trima se kurrë. Zgjodhën të merren me të vdekurit, në vend se me të gjallët dhe epshet e tyre i shfrynë në gurë varresh e përmendoresh, për të treguar gjithë ligësinë prej njerëzish që trimërinë e tyre nuk e tregojnë aty ku duhet - gjithë qyqarllëkun dhe budallallëkun prej njerëzve të frustruar që vetëm vendit shërbim s’i bëjnë në këtë mënyrë.

Përmendorja në Viti tregonte për një kohë të shkuar - kohën kur qytetarë të kësaj ane ishin rreshtuar në anën e drejtë – në luftë kundër fashizmit e nazizmit. Ajo iu ishte kushtuar partizanëve, atyre që rrokën armët për të luftuar, njësoj sikurse këta që luftuan gjysmë shekulli më vonë, por që tash shkatërrojnë përmendore, duke mos iu ardhur ndërmend se mbase dekada më vonë dikush do t’ua shkatërrojë këtyre përmendoret.

Duke e marrë rastin e Preshevës si shkas, veteranët vitias zhdukën një pjesë të historisë, sepse mendja ua thotë se historia nis me ta. Por, u shënuan në histori edhe si autorë të një akti vandal, që tregoi më së miri mendësinë dhe kulturën e këtyre njerëzve.

E kuptueshme: më lehtë është të rrënohen përmendore të braktisura, sesa të mbrohen nga rrënimi të atilla si ajo e Preshevës.

Nëse kanë dashur të tregojnë trimëri, atëherë pse ata dhe tjerë që shesin patriotizëm çdo ditë nuk shkuan të mbrojnë lapidarin në Preshevë?

Nëse duan të tregojnë trimëri, atëherë pse nuk kanë kundërshtuar ngritjen e përmendoreve nga serbët në Kosovë, në të cilat ata cilësohen terroristë?

Nëse duan të shesin mend, atëherë pse nuk i kanë ndaluar së funksionuari institucionet paralele serbe në komunën e Vitisë dhe në vende të tjera të Kosovës?

Nuk kanë guxuar, andaj edhe nuk e kanë bërë. I janë sulur një përmendoreje të gurtë me qëllimin “fisnik” për ta mbrojtur Preshevën! Në mënyrë qyqare – ashtu si dhe Beogradi që hoqi lapidarin atje, “për ta mbrojtur shtetin”. Në mënyrë qyqare - ashtu si ata që shkatërrojnë gurë varresh të serbëve nëpër Kosovë, duke shënuar kështu aktet më të pështira që mund t’i vijnë dikujt ndërmend. Ashtu si ata që yshtin fëmijë të mblidhen e protestojnë në Prishtinë “në mbrojtje të Preshevës”.

* * *

Lapidari në Preshevë u hoq nga shteti. Ashtu siç edhe ishte paralajmëruar. Politikanët shqiptarë të atjeshëm kishin premtuar se ai nuk do të lëvizte vendi, por nuk ndodhi ashtu. As ata, e as ndonjëri nga qytetarët, nga ata mijëra që u panë të hënën në protestë nuk ndërmorën asgjë mëngjesin kur lapidari u hoq.

Para se të protestojnë për heqjen e tij, qytetarët e Luginës do të duhej të kërkojnë llogari nga përfaqësuesit e tyre politikë, të cilët rrihnin gjoks se lapidari nuk do të largohej.

A i kishin menduar ata, kur e vendosën lapidarin, edhe pasojat e mundshme? A e kishin menduar se, një lapidar që lartëson kujtimin për ata që ranë në luftime me forcat serbe, duhet edhe të mbrohet po që se dikush provon ta largojë? Apo, me papërgjegjësinë dhe mendjelehtësinë që i karakterizon thuajse të gjithë liderët shqiptarë vepruan pa i bërë mirë llogaritë, për t’u treguar të pafuqishëm në fund? Për t’u treguar qyqana.

* * *

Hiq më pak të tillë nuk u shfaqën as politikanët e Prishtinës dhe Tiranës. Vetëm pak javë pasi çirreshin me tone folklorike në Shkup, Prishtinë e Tiranë për bashkimin e të gjithë shqiptarëve dhe të gjitha trojeve shqiptare, ata “dënuan ashpër” atë që ndodhi në Preshevë. Me fjalë, jo me veprime. Përderisa Qeveria Thaçi përmendi “urrejtjen ndaj shqiptarëve”, ajo Berisha u mor me “albanofobinë”.

Hashim Thaçi e Sali Berisha duket t’i kenë bërë mirë llogaritë e të mos u ketë dalë hesapi. Përndryshe, po që se duan të reagojnë si duhet, më e pakta që do të mund të kishin bërë me këtë rast do të ishte suspendimi nga ana e Prishtinës i dialogut me Beogradin dhe tërheqja e ambasadorit shqiptar në Beograd nga ana e Tiranës.

Kështu si kanë zgjedhur të veprojnë, dy kryeministrave s’iu mbetet tjetër veç ta ndjekin shembullin e Gjergj Dedajt dhe të japin deklarata të tipit se janë të gatshëm t’i veshin çizmet dhe uniformën e UÇPMB’së, për të luftuar në mbrojtje të Luginës. E atëherë qyqarllëku dhe budallallëku nuk do të kishin skaj.

 

Gazeta Express

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.