Qoftë 500, qoftë 5 fëmijë, nuk janë gurë!

Postuar në 06 Shtator, 2013 05:36
Artur Lazebeu

“Së bashku ne do t’i gjejmë ata.” Ky është slogani që përsëritet çdo 25 maj, përcaktuar si Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve të Zhdukur. Sot nuk është ajo datë, por fëmijët e zhdukur nuk bëjnë apel vetëm në përkujtimoret e tyre. Çështja “Agia Varvara” u risoll vrullshëm në median shqiptare. Vrullshëm për ta rimbyllur, apo vrullshëm për ta rihapur? Kjo është pyetja! Përgjegjësit kanë synuar prej kohësh ta trajtojnë si një gur të hedhur në lum nga një OJF, në një lum, ku i pari “budalla” që u hodh ishte Ombudsmani. Një raportim nga Athina mbi kazusin e mbi 500 fëmijëve të zhdukur atje nga viti 1998-2002, rierdhi në vëmendjen publike për një arsye të thjeshtë. Ashtu si Shqipëria, edhe Greqia raportoi këtë vit në kuadër të Pasqyrës Periodike Universale para Komitetit të të Drejtave të Njeriut pranë OKB-së, në Gjenevë. Një ndër rekomandimet e kahershme të parealizuara ishte edhe ai lidhur me ndodhinë në “Agia Varvara” apo “Shën Barbara”. Një problem për shtetin grek, ai ndikon në raportin jo vetëm midis dy shteteve, por edhe të shtetit shqiptar me shtetasit e vet. Mblodha buzët kur dëgjova një raportues nga Athina, kur komentoi se kjo çështje “doli flluskë sapuni” dhe se Ombudsmani grek na paskësh prishur imazhin e vendit të tij. Kështu citohej të kish thënë një ministër a përfaqësues i qeverisë greke, reagim klasik i qeverive të papërgjegjshme, pavarësisht nacionalitetit, të cilat sa herë që dikush brenda vendit denoncon mangësi në mirëqeverisje, i kanë të gatshme akuzat për “antikombëtarizëm”. Por nuk më shqetëson shumë fati i Ombudsmanit grek, sesa nxitimi për të mbyllur një çështje që dukshëm i ka ardhur në majë të hundës shtetit fqinj. Opinioni publik zakonisht solidarizohet me denoncuesit e papushtetshëm, jo me të denoncuarit e pushtetshëm, por kjo është histori e gjatë filozofie, jo drejtësie. Pozitiv është fakti se Greqia detyrohet t’i rikthehet një rekomandimi të përsëritur, ngritur këtu e 5 vite të shkuara. Për të nuk është gjë e re dhe e papritur. Patosi që shpërtheu nga media, përkundrazi, ishte edhe më i madh sesa dikur në vitin 2004, kur e përditshmja shqiptare “Shekulli” botoi një raport, apo kur ish Ombudsmani Ermir Dobjani nisi komunikimin me homologun e tij grek, Nikiforos Diamandouros, sot Ombudsman i Bashkimit Europian. Avokati i Popullit në Shqipëri e xhiroi dhe e komentoi botërisht raportin e zyrës greke, instancë pas instance, derisa kori i OKB-së e detyroi shtetin grek të hapte një hetim, pjesë e të cilit do të ishte domosdoshmërish edhe shteti shqiptar. Shqipëria ngriti zyrën e koordinatorit kombëtar të antitrafikut. Prokuroria greke hapi çështje penale dhe demarshet e bashkëpunimit me autoritetet shqiptare. Për përfaqësimin në gjyq u angazhua të ndihmonte edhe organizata “Greek Helsinki Monitor”. Palës shqiptare i mbetej detyra e gjetjes së paku e dy ish të strehuarve në “Agia Varvara”, të cilët do të duhej të dëshmonin. Në moshë tashmë të rritur dhe jo të mitur, dy syresh u gjetën. Sot duhej shtruar pyetja, se cili ishte përfundimi i gjyqit, por qartazi duket se kjo nuk ka ndodhur dhe arsyet për këtë nuk kanë përse të mos jenë pjesë e një hetimi për mosveprim. Sepse mosveprimi mund t’i lejohet ligjërisht një zyre Ombudsmani, dhe kjo për mungesë kompetence ligjore, por jo autoriteteve të ekzekutivit apo të drejtësisë. Përfundimisht dhe përciptazi, sa pozitiv është sensibilizimi ndërshtetëror, aq negativ është edhe rezultati i deritanishëm, madje edhe ai i pritshëm. “Ku shkuan ata fëmijë, qofshin 5, qofshin 50 apo 500?” Kjo është pyetja njëmilionëshe, por edhe fatale përballë pamundësisë apo paaftësisë së shtetit grek, por edhe atij shqiptar, të cilët nuk i dhanë dum këtij problemi, ndonëse “përpjekjet formalisht janë bërë”. Letrat gjithmonë janë në rregull, këtë e kemi merak vetë, edhe kur vjedhim, edhe kur na vjedhin. Konkretisht hetimet e Ombudsmanit grek patën konfirmuar se “një numër i madh fëmijësh kishin ikur apo ishin marrë nga institucioni kujdestar ‘Agia Varvara’ në Athinë, ku ata ishin vendosur gjatë periudhës 1998-2002”. Pas kësaj, qeveritë e të dyja vendeve firmosën (në 2006) një marrëveshje për të rregulluar çështjet që kishin të bënin me fëmijët e braktisur, viktima të trafikimit që eventualisht gjendeshin në Greqi, të cilët duheshin rikthyer të sigurt në Shqipëri apo të sistemoheshin në vende të sigurta në Greqi. Kjo marrëveshje është ratifikuar nga Kuvendi i Shqipërisë me Ligjin nr. 9544 datë 29.05.2006. Atëbotë, Avokati i Popullit citonte një referencë zyrtare, sipas së cilës “mbi 4000 fëmijë shqiptarë rezultonin të larguar në emigracion, të pashoqëruar nga prindërit”. Nuk mund të kishte gjah më të përshtatshëm për trafikantët se ky kontingjent, lëndë e parë për mekanizmin e skllavërisë moderne. Ky ka qenë shqetësimi që ulte dhe ngrinte vazhdimisht në të gjitha tryezat kombëtare dhe ndërkombëtare Avokati i Popullit. Falënderonim ndershmërisht edhe homologët grekë, punën e të cilëve faktikisht po e përdornim për të bërë atë që realisht diplomacia nuk kish dëshmuar këllqe se mund ta bënte. Më 16 janar 2003, Ombudsmanit të Greqisë i ishin përcjellë faktet e botuara në gazetën britanike “The Independent”, me të cilat publiku shqiptar ishte njohur, sikurse thashë, përmes “Shekullit” të z. Kokëdhima, të datës 13 janar 2003. Raporti ishte përpiluar nga Fondacioni “The Swiss Terre Des Hommes”, me degë edhe në Greqi. Sipas tij, posedoheshin “të dhëna mbi neglizhencën dhe korrupsionin e institucioneve greke, të ngritura për të ndihmuar fëmijët shqiptarë, të trafikuar ilegalisht dhe të detyruar me forcë për të punuar në Greqi”. Po sipas raportit, në qendrën “Agia Varvara” të Athinës, ku grumbulloheshin fëmijët shqiptarë, rreth 75 për qind e tyre ishin zhdukur brenda viteve 1998-2001. Vini re, nuk bëhet fjalë për “spastrimin e rrugëve” në prag të lojërave olimpike. Këto do të zhvilloheshin pas tre vjetësh, kështu që kjo alibi rrëzohet lehtësisht. Por, edhe sikur të përkonte në kohë, ajo përsëri nuk mund të qëndronte, pasi edhe nëse mund të vlerësohej fakti i grumbullimit në “qendër kujdesi”, nuk justifikohej shkujdesi. Sipas përfaqësuesit të organizatës, z.Pierre Philippe, “në ‘Agia Varvara’, 487 nga 644 fëmijë të pranuar ishin zhdukur pa adresë”. Raporti shkruante se “trafikantët paguanin rreth 500 euro për të fituar pronësinë mbi fëmijët, të cilët më pas zhdukeshin, duke u bërë objekt prostitucioni, shfrytëzimi apo burim për donacione organesh”. Shumë e rëndë, por duhet thënë se ky pohim “nuk rezultonte i faktuar”, sipas hetimit të Ombudsmanit grek. Qoftë për të mos shikuar vetëm anën e zezë të fenomenit, qoftë për faktin se si institucion kishim përcaktuar si objektiv rritjen e besimit të qytetarit te shteti, ishim bërë pjesë e teatralitetit mediatik, por duke denoncuar tashmë nga skena atë që diplomacia dhe politika e largonte nga vetja si patate të nxehtë. Më 6 maj 2004, zyra e Ombudsmanit grek dërgon shkresën e protokolluar me numër 2202.2/2003, ku afirmonte se “zhdukja e fëmijëve ka ndodhur” gjatë zbatimit të projektit “Mbrojtja dhe kujdesi social i fëmijëve të rrugës”, ndërmarrë bashkërisht nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministria e Rendit Publik. Synimi natyrisht që ish-arsyetuar pozitivisht “për t’i siguruar strehim, kujdes dhe rehabilitim numrit në rritje të fëmijëve në zonat urbane të Greqisë, kryesisht Athinë, të ekspozuar ndaj formave të ndryshme të rrezikimit dhe shfrytëzimit”. Procedura e hetimit, përfundimet dhe propozimet e Ombudsmanit grek, u janë paraqitur autoriteteve greke, përgjegjëse për zbatimin e politikave dhe masave për kujdesin e mbrojtjen e grupeve të veçanta, përfshirë fëmijët. Hetimet kishin konfirmuar se “një numër i madh fëmijësh kanë ikur nga institucioni kujdestar ‘Agia Varbara’ dhe zyrtarisht quhen të ‘zhdukur’, sepse atyre nuk u dihet vendndodhja as nga policia, as nga autoritetet e tjera. Faktorët që kanë çuar në zhdukjen e tyre lidhen me faktin se zbatimi i një programi ambicioz që synonte sigurimin e strehimit dhe kujdesit ndaj viktimave të trafikimit dhe shfrytëzimit, u krye pa përmbushjen e standardeve minimale të nevojshme për arritjen e qëllimeve të tij”. Planifikimi i burimeve njerëzore dhe financiare rezultonte i munguar. Ndërkohë, asnjë zyrtar shtetëror i përfshirë në program nuk kishte marrë përgjegjësinë për zbatimin e këtij projekti hap pas hapi. Fëmijët në fjalë, shumë prej të cilëve shqiptarë, “nuk u vendosën në një institucion të posaçëm”, por në një strehëz ekzistuese për vajza, problemet dhe nevojat e të cilave ndryshonin dukshëm nga ato të “fëmijëve të rrugës”, që ishin në qendër të programit. Stafit nuk iu sigurua asnjë trajnim i specializuar për të trajtuar nevojat e tyre. “Nuk kishte përkthyes për të lehtësuar komunikimin midis personelit dhe fëmijëve.” Imagjinoni tani identifikimin e fëmijëve të pashkolluar, se si do të jenë shqiptuar emrat, si do të jenë dëgjuar emrat dhe si do të jenë shkruar emrat e tyre nga regjistruesit grekë! Më tej shkresa përcjellëse thoshte se “pavarësisht se kishte një angazhim paraprak të Ministrisë së Rendit Publik për t’i siguruar mbrojtje policore, kjo nuk u sigurua”. Si pasojë, pjesa më e madhe e fëmijëve nuk patën mundësi të përshtaten dhe një numër i madh i tyre ikën menjëherë, disa u riatdhesuan, por “asnjë procedurë nuk u ndoq dhe asnjë masë nuk u mor për të garantuar kthimin e tyre të sigurt në mjedisin familjar”. Duhet thënë se hetimet e Ombudsmanit grek “nuk prodhuan asnjë provë të transaksioneve ekonomike midis personelit kujdestar dhe palëve të treta ose të ndonjë forme tjetër korrupsioni”. Kaq! Më shumë se kaq nuk mund të bëjë një zyrë Ombudsmani! Më shumë se kaq, ka në dosjen përkatëse pranë Avokatit të Popullit, të cilën mund ta konsultojë edhe Ministria e Brendshme, edhe Prokuroria, qoftë greke, qoftë shqiptare! Edhe diçka: Ombudsmani grek njoftonte se, pas botimit të Raportit, “autoritetet greke, konkretisht zv.ministri i Shëndetësisë dhe Solidaritetit Social, z. Costantopulos, ka shprehur publikisht mirënjohje institucionale ndaj Ombudsmanit.” Sikurse shihet, e njëjta zyrë, për të njëjtën çështje, herë falënderohet publikisht, herë kritikohet publikisht! Ndërkohë, e vërteta nuk ka ndryshuar. Ka ndryshuar qëndrimi ndaj saj! Arsyet duhen kërkuar te mbyllja e këtij kazusi, që të gjitha palëve duket se iu paska ardhur në majë të hundës! Le të mbyllet, por JO pa i dhënë përgjigje pyetjes “Ku u zhdukën ata fëmijë?”. Le të mbyllet, por JO pa i dhënë përgjigje pyetjes “A u bë drejtësi?” Përgjigje kërkon edhe pafajësia e fëmijëve që fati ua bën jetën malore, por edhe paaftësia dhe papërgjegjshmëria greke dhe shqiptare, që kazusin “Agia Varvara” po e reduktojnë si të ishte një gur i hedhur në lum nga një a disa të marrë… Mbylleni! “Së bashku, ne do t’i gjejmë ata”. Kjo është logoja që përsëritet çdo 25 maj, përcaktuar si Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve të Zhdukur.

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.