Qeveritë në Kukës. Të shkojnë edhe tek “Shtëpia e Verdhë”!
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/6829_gjate-mbledhjes-se-dy-qeverive-ne-prizren-foto-agim-dobi-atsh.jpg?itok=Ke8zJfZg)
E kishin menduar mirë. Dy Qeveritë tona- kjo e Prishtinës dhe ajo e Tiranës. Të tuboheshin në Kukës, në thepat malore të vendit të shqipeve ku para 15 vitesh sytë e planetit ishin drejtuar dhe me drithërim vështronin një prej dramave të mëdha njerëzore: gologotën moderne të gadi shfarosjes e gjithsesi zhvendosjes së një kombi.
I ngjet një mrekullie sesi me ndërhyrjen ushtarake të Aleancës Verio-Perëndimore dhe me postulatin habermasian (“Intervenim ushtarak për qëllime humanitare”) u arrit që pjesa e popullit shqiptar të Kosovës nga Kukësi por edhe viset tjera të Ballkanit- Bllaca në Maqedoni a Rozhaja në Mal të Zi, të kthehej në vendin e të parëve. Dhe të fillonte ta gëzojë këtë liri që sot e ka. Së bashku me pjesët tjera të kombit shqiptar në Gadishull, shqiptarët, edhepse të shkapërderdhur sidomos nga Çlirimi i Kosovës kanë arritur atë për të cilën me shekuj e shekuj kishin ëndërruar: lirinë e lëvizjes nëpër krejt tokat tona, shkëmbimet politike, ekonomike, financiare, kulturore, turistike, sportive e deri tek ato martesore si asnjëherë më parë prejse dijnë për veten e tyre. Por të mos mashtrohemi: do të duhen edhe dekada e dekada të tëra derisa të ngjajë ajo njohja që do të mund ta quanim edhe normalitet.
Natyrisht që është një lajm i mirë që si Prishtinës ashtu edhe Tiranës i është kujtuar të gjejnë këtë pikëtakimi i cili shënon një metaforë të përvuajtjes dhe poshtërimit të një kombi!
Sepse, dhe kjo duhet thënë, poqese do të ishim të Zotët e vetvetes (shih Kroatët!), që sidomos në Kosovë por edhe në Shqipërinë e posadalur nga kthetrat e një regjimi barbar, nuk do kishim nevojë për ndihmën ushtarake e humanitare të perëndimit. Dhe nuk do ta kishim mbi kokë “këtë” apo “atë” superfuqi e cila apo të cilat vazhdojnë që politikës shqiptare t’ia diktojnë kur duhet të zgjohen nga gjumi apo pse duhet ta thonë këtë apo atë fjalë. Shqiptarët janë komb i vogël. Vetes i thonë që janë krenarë por në fakt kur para vetes kanë perandoritë dhe fuqitë jo vetëm që palohen por edhe vazhdojnë të përshtaten në çdo rrethanë dhe situatë. Pa ndonjë pietet dhe para së gjithash pa shikuar për projeksionet që në situata të caktuara krijohen me pasoja të paparashikueshme për të tashmen e ardhmen e kombit.
Kjo duhet thënë sepse nëse shohim të gjitha përbetimet e bëra si atbotë ashtu edhe sot të elitave politike, akademike, ekonomike e kulturore shqiptare në Ballkan, për atë që jemi “një”, del që në fakt vazhdojmë të jemi të mbërthyer me të njejtat probleme: imazh katastrofik dhe paragjykime të tmerrshme gjithandej në oksident. Dosje me të dhëna për ekonomi informale, korrupsion, krim, brutalitet. Si në institucione ashtu edhe jashta tyre. Një komb me perspektivë për rritje por larg të qenmit i civilizuar dhe me këtë edhe iluminues e shembull për fqinjët e lëre më kompatibil për t’u bërë pjesë e Europës! Nuk duam këtu fare të hyjmë në sinqeritetin e përpjekjes së (sidomos) Qeverisë Rama për të bërë diçka konkrete, diçka të prekshme kur Kosova dhe Shqipëria janë në pyetje. Ashtu siç janë përpjekur pararendësit- Berisha e Thaçi: me rrugën e kombit dhe me sprovat për t’u afruar dhe njohur më shumë, për të filluar diçka që njeriu para një dekade e gjysmë mund ta shihte vetëm si ëndërr!
Por ja që ky gri që këtë 16 Prill i përcillte ceremonitë festive të Thaçit e Ramës bashkë me mungesën e energjisë elektrike sikur donin dhe duan të na e bëjnë me dije se sa larg janë dhe jemi në atë që njeriu do ta quante zhvillim dhe e ardhme e mbarë për tërë kombin. Në fakt, skenat e “ceremonive” festive në Kukës, poqse kamerat do ta thyenin protokollin paksa do t’u ngjanin më shumë ca xhirimeve që do t’i bënte një dorë e sy Fellini a Wendersi. Egzotizmi i egër pret gra e burra të veshur për mrekulli me një magji e cila do ta tërhiqte syrin e një shikuesi mondan në Cannes apo Berlinale!
Le të shohim përtej këtyre ceremonive për nevoja të brendshme marketingu: kur krerët e dy shteteve shqiptare po takohen në Kukës për të shënuar një dhembje të madhe kombëtare, eksodin e kombit- atë pra, kur fëmijët nxirreshin nga kolonat e pafundme dhe në sy të prindërve masakroheshin (mbi 1090 u vranë nga forcat serbe), kur nënat dhe motrat shqiptare dhunoheshin nga po forcat serbe në sy të familjarëve të tyre (mbi 20.000 femra të dhunuara), kur shqiptarët dërgoheshin në Serbi dhe varroseshin gjithandej nën tokë apo hidheshin nëpër lumenjë, kur sot dalin shtëpitë e maskuara me trupa fëmijësh shqiptarë në to... një komb i tërë do të dalë para Gjyqit për “Shtëpinë e Verdhë” në Burrel të Shqipërisë!
Prandaj, a nuk do të ishte me vend që të Dy Qeveritë tona sot të mos ndalnin vetëm në Kukës. Por të zbrisnin pak më poshtë dhe shkonin tek Katuçët dhe shihin atë vend për të cilin javët, muajt dhe mbase edhe vitet që vijnë do të shihemi si monstrat modernë të Europës! Çfarë fiaskoje kombëtare. Edhe më e dhembshme sesa Eksodi 99!
Gazeta Blic
Comments
Gabove Beqë! Mos del kundër
<p>Gabove Beqë! Mos del kundër gjërave që na bashkojnë. Mund ta kishe zgjdhur një rast tjetër të biesh nën propagandën serbe.</p>
Add new comment