Qëndrestari

Fjalimi i paraqitjes së programit nga kryeministri Edi Rama këtë javë në sallën e parlamentit, u dëgjua nga një audiencë maksimale e padyshim, është lexuar në shtyp edhe më pas. Siç është në natyrën e Ramës, ai fjalim fare mirë do përbënte një shkrim të goditur në stilin e publicistikës së mprehtë politike që jemi mësuar të lexojmë prej tij; e shumë më pak ishte një fjalë standarde e paraqitjes teknike të programit qeverisës, me ndarje, kapituj, paragrafe e shifra. Sigurisht, goxha më tepër i tillë ishte materiali i shpërndarë për deputetët. Fjalimi i Ramës kishte një dozë të mirë ekspozeje të keqqeverisjes së djeshme, përzier me zotimet se siç është sjellë qeverisja demokrate asnjëherë nuk do të sillet e majta në pushtet; për të prekur pastaj, gjithnjë me stilin publicistik, secilën nga fushat e sektorët që qeveria e re premton të reformojë. Nuk do mend se për kritikët, kjo formë paraqitjeje ishte një rrugëdalje e Ramës për t’u “shpëtuar” shifrave, metodave dhe mjeteve konkrete financiare që nevojiten për të bërë realitet premtimet e ekzagjeruara. Qoftë dhe të parealizueshme.
Por le të vijmë tek momenti i dytë. A ishte ajo fjalë vërtet një provokim i rëndë që stofi delikat politik i ish kryeministrit Berisha dhe të tijve, nuk mund ta mbante dot, e natyrshëm që brenda pesë a dhjetë minutave të para duhej të dilte nga salla në shenjë proteste? Sa për një shembull, është realisht kaq ofendim i poshtër ta krahasosh 23 qershorin 2013 me 22 marsin 1992 (“armiku” Arvizu e bëri i pari), sa të mos e durosh dot e të largohesh? A është gjuhë urrejtje të ekspozosh përmbledhtaz ato difekte e probleme qeverisjeje që I ke përmendur gjatë gjithë fushatës? Me teoremë të anasjelltë, i bie që deputetët e djathtë të qëndronin në sallë vetëm nëse Rama do thoshte që asnjë konçesion e privatizim nuk do rishqyrtohet; që parlamenti është drejtuar shkëlqyeshëm; që qeveria e re nuk do bëjë asnjë përçapje për të nxitur drejtësinë të zbardhë krime, gjyqe e procese të ngecura; shkurt, që Rama të thoshte: Qeveria e kaluar qeverisi në mënyrë brilante, bile unë nuk e di se ç’janë këto një milion vota për mua; dhe do përpiqem të ec në gjurmët e saj!
Është e qartë që deputeti Berisha e kishte ndarë mendjen më herët për të braktisur fjalën e Ramës. Nuk e di a e kishte konsultuar këtë me eprorin e tij në grupin parlamentar apo më lart, me kryetarin e partisë, por ra në sy njëfarë sikleti i Lulzim Bashës për t’u sintonuar me gjuhën dhe stilin agresiv që mesa duket, ka zgjedhur Berisha për stinën e re opozitare. Mesazhi i mëpasëm i Bashës, “ne nuk do bojkotojmë Kuvendin, por nëse e përsërisni këtë gjuhë urrejtjeje do mbushim sheshet me protesta”, tingëlloi si një sforcim i madh për t’u vendosur në një gjatësi vale me mentorin e tij politik. Aq më tepër që deri pak orë më parë Basha nuk rreshtte së përsërituri qëndrimet e tij për “opozitë konstruktive, pjesëmarrëse, mospenguese” etj etj. Dhe është akoma më e dukshme kjo distancë mes dy profileve, sa më shumë që përpiqet Basha për të ngjarë i ashpër, i egër në artikulim, mimikë e qëndrime. Kishim parë e dëgjuar shumë motive e sebepe për të braktisur parlamentin, por të bojkotosh se premtimet elektorale të kundërshtarit janë gënjeshtra të parealizueshme, është risi. Edhe për standardet e politikës shqiptare.
Ky kthim i Berishës në “origjinën” e vet opozitare të fundviteve 90-të, tradhëton dhe njollos cilëndo shenjë pozitive që mund të ketë lenë qeverisja e tij tetëvjeçare. Prononcimi i tij para kamerave dhe më pas nga facebooku, ku bënte fjalë për bllokmenë, sakrifica, qëndresë, qëndrestarë, pakëlundshmëri, sheshe, ishte i lodhur, i vjetër, donkishotesk. E pikërisht ky është edhe basti i vështirë i Lulzim Bashës, nëse do të dalë ndonjëherë nga korniza e kryetarit të telekomanduar: A do të vazhdojnë të jetë prononcimet e tij publike, zëdhënie e vendimeve dhe kokëshkrepjeve të Berishës? Apo ato shkëputje të deputetëve të opozitës që vendosën të rrinë në sallë edhe kur ish kryeministri doli jashtë, janë treguesit e parë se këtu e në vazhdim, gjithnjë e më pak njerëz do ta ndjekin, gjithnjë e më shumë vetë do zgjedhin ndryshe?
Këtë le t’ja lëmë kohës. Raportin me të cilën, e kemi gjithsesi shumë problematik, sidomos politikanët që nuk kanë qartësinë se të vendosin kur është koha për të hequr dorë, për t’u tërhequr. Për Berishën, koha do të ishte tani, qoftë dhe për një distancim gradual nga politika aktive, duke ua lënë të tjerëve dhe historisë të gjykojnë për të. Dhe duke ja dorëzuar partinë rrjedhës së zhvillimeve normale politike. Nëse ai, siç ka lënë të kuptohet herë pas here, e ka merak se çfarë do thotë historia nesër për të, ky do ishte një hap i mirë.
Revista KLAN
Comments
Zoti Kociko, mua nuk me ha
<p>Zoti Kociko, mua nuk me ha shume meraku, as per Ramen, e as per Berishen, dhe e di pse? Sepse asnjeri nuk me duket me i mire se tjetri. Demokracia e do qe kur iken nje pale, vjen nje tjeter dhe pala qe vjen fare mire s'ka pse te atakoje ne asnje nivel palen qe iken, sepse sic i thone vallja vjen rrotull...... Ne kete kuptim "sipas teoremes se anasjellte" Rama nuk kish nevoje te thurrte superlevdata per palen qe iku, e as te hiqesh sikur nuk kuptonte perse ndodhi hataja qe populli i dha atij 1 miljon vota. Le te mjaftohej me paraqitjen e programit te tij, se Kuvendi per ate qe mbledhur apo jo? Madje po te qe i zoti edhe te tregonte se ne ç'menyre do ti mbante premtimet e tij gjigante.....</p><p>Sipas meje, ka ardhur koha qe politika ne Shqiperi t'i largohet konfliktualitetit pa kuptim, vetem per hir te batutave "te zgjuara" dhe "me kripe" te njerit apo tjetrit. Nganjehere me vjen cudi se si ka mundesi qe Agron Llakaj nuk eshte bere ende figure e rendesishme politike, sa per te permendur njerin nga komedianet qe me vjen ne mendje....</p><p>Thirrja ime per ju personalisht (si publicist a analist) dhe per koleget tuaj eshte, qe me shume se te beheni tifoze te njeres apo tjetres pale, te mundoheni te zbutni konfliktet dhe te kontribuoni ne afrimin e paleve......e di qe jam ne enderr tani, po nejse, sa ka jete ka shprese....</p><p> </p>
Add new comment