Që besimet fetare të bëhen më shqiptare

Postuar në 07 Shkurt, 2015 04:17
Dritan Shano

nga Dritan Shano

 

Sot mbushet muaji nga masakra e Parisit mbi “Charlie Hebdo”, moment që tronditi kontinentin e vjetër. Mes tronditjes që sjell ajo ngjarje sa herë çohet ndërmend, të gjithë ne i kujtojmë pamjet e katër klerikëve tanë që ecnin në mes të Parisit, kapur për krahu me njëri-tjetrin, për të shprehur solidaritetin e tyre me viktimat dhe njëherësh kundërshtinë me aktin terrorist. Të gjithë ne e kujtojmë dhe Kryeministrin tonë mes tyre. Për t’i përcjellë botës një “fotografi” ku përmblidhet toleranca dhe bashkëjetesa fetare në Shqipëri, ashtu si dhe kujdesi e konsiderata e natyrshme e qeverisë për këto komunitete fetare. Për pak orët e harxhuara në Paris, kjo “fotografi” duket e vërtetë. Po për shumë ditët e motet e përhershme në Shqipëri? A tregon ajo respektin e ndërsjelltë? Apo komunitetet fetare janë përdorur aty thjesht si një stoli qeveritare?

Gjysma e mesazhit të asaj “fotografie” është e vërtetë; komunitetet fetare shqiptare  bashkëjetojnë mes tyre prej shekujsh. Me vullnetin e vetë shqiptarëve. Pa ndihmën e qeverive. Gjysma tjetër, ajo e kujdesit dhe konsideratës së natyrshme të qeverive shqiptare për to është gjithnjë shumë e dyshimtë. Kësaj radhe, qeveria i mori dhe i hipi në avion klerikët, ndoshta për t’i përdorur për qëllimet e saj të propagandës mediatike. Për t’iu krenuar Europës, paçka problemeve të pafund që ajo na i njeh mirë. Klerikët, ma do mendja, pranuan, jo thjesht se nuk kanë mundësira të tjera dhe se qeveria për ta është ende faktor ekzistence, por edhe pse donin të ishin atje për të dhënë një mesazh mbështetjeje, më shumë se për t’i shitur mend botës me bashkëjetesën fetare në Shqipëri. Kjo ngjarje, me të njëjtën frymë sa u ekzaltua, aq dhe u qesëndis duke nxjerrë në pah dyzimin në të gjitha segmentet e shoqërisë sonë. Pa asnjë shans të ishte ndryshe, dhe marrëdhënia qeveri-komunitete fetare në këto 20 vjet ka qenë kështu e dyzuar. Me doza më të larta hipokrizie qeveritare sesa sinqeriteti. Në tentativat për ta lexuar këtë dyzim vihet në pikëpyetje edhe autoriteti moral dhe roli edukues i komuniteteve fetare në Shqipëri, shqiptarizma e tyre.

Është e padiskutueshme që të gjitha komunitetet fetare shqiptare e kryejnë rolin e tyre edukues, edhe pse kjo nuk përbën lajm. Është e sigurt se sa herë që përfaqësues të komuniteteve fetare shfaqen në emisione televizive, në intervista apo në shtypin e shkruar ata përcjellin mesazhe që synojnë përmirësimin shpirtëror të qytetarëve shqiptarë dhe paqtimin, bashkëjetesën dhe mbarëvajtjen e punëve mes tyre. Megjithatë, një përpjekje më e sinqertë dhe më e informuar mund të bëhet, nga të gjithë, për t’u shkëputur nga perceptimi i gabuar se ushtrimi i besimit dhe roli edukues që komunitetet fetare kanë, mund të kryhet e përmbushet me fushata publike prej tyre, apo nëpër emisione televizive dhe editoriale.

Sepse ky mision edukues i komuniteteve fetare, që shoqëria shqiptare ende nuk i quan të rëndësishëm, me përjashtim kur ka festa dhe duhen bërë qoka televizive, që shpeshherë i përflet, i punon rrengje dhe i qesëndis kushedi se nga çfarë pozicioni i lartë intelektual, patriotik dhe moral, kryhet tjetërkund. Ky mision kryhet nëpër institucione fetare dhe objekte të kultit ku besimtarët mblidhen vullnetarisht. Atje realizohet misioni i tyre i edukimit moral dhe shpirtëror të shqiptarëve. Ndodh përditë. Pa zhurmë. Pa bujë. Në përputhje me ligjet e vendit, statutet përkatëse, mësimet dhe kanonet e secilit komunion fetar. Me mundim të madh. Me forcë në shpirt, por me dobësi në trup. Në kushte të vështira dhe me fare pak mbështetje. Krejt ndryshe nga ç’duket tek “fotografia” e kryeministrit me përfaqësuesit e tyre në Paris një muaj më parë.

Mbështetja e komuniteteve fetare kryhet nga shteti dhe nëpërmjet dhurimeve. Shteti shqiptar i financon komunitetet fetare me rreth 100 milionë lekë në vit. Nga këto, 29 për qind i shkon komunitetit mysliman, 24 për qind secilit prej komuniteteve katolik dhe ortodoks dhe 23 për qind komunitetit bektashi. Sikundër shprehen qeveritë “ky buxhet përpiqet të harmonizojë politikat e qeverisë dhe mundësinë që ajo ka për të financuar bashkësitë fetare, me kërkesat dhe nevojat e këtyre bashkësive”. Dhe pastaj, tek-tuk mbjellin ndonjë palmë. Ky financim shtetëror shkon në shumicën absolute të tij për të financuar gjysmën e pagës së klerikëve dhe administratës që ka secili komunitet.

Me pak fjalë, për të mbajtur frymën gjallë, por kurrsesi për të fuqizuar dhe shëndoshur komunitetet fetare. Financon gjysmën, ose më pak se gjysmën e nevojës së tyre për të mbijetuar. Po gjysmën tjetër? Ndërsa qeveritë ngrenë supet me përtesë, edhe me ndonjë përmbytje në mes, kjo gjysmë e mbetur pa financuar, dhe pa kujdes është një hapësirë financiare dhe mjetesh të tjera, mos mbushja e së cilës jo vetëm i lë komunitetet fetare vulnerabël, të dobëta, të manipulueshme nga qeveria dhe nga kushdo tjetër i interesuar –pra, kjo zbrazëtirë është një rrezik për sigurinë kombëtare. Sidomos me përthyerjen agresive që ka marrë vitet e fundit fondamentalizmi dhe terrorizmi, ashtu si dhe skemat gjithnjë e më të sofistikuara që këto grupime përdorin sot për të penetruar në shoqëri dhe nxitur konfliktin mes njerëzve. Shqipëria është seriozisht e rrezikuar nga axhenda të këtilla. Nga këtu kuptojmë që ne, qytetarëve shqiptarë, na intereson që komunitetet tona fetare të jenë të forta, të shëndosha financiarisht dhe moralisht, edhe pse qeveritë tona mund të kenë dëshirë të luajnë me vulnerabilitetin e tyre. Si mund të zgjidhet kjo gjë? Si mund të përmirësohet inventari fizik dhe financiar i tyre? Ç’mund të bëhet që t’i japim udhë shëndoshjes së këtyre komuniteteve?

Fakt është që komunitetet fetare në Shqipëri nuk kanë arritur t’i zgjidhin çështjet që i mundojnë dhe që pengojnë zhvillimin dhe forcimin e tyre. Procesi i rikthimit të dinjitetit, i lidhur sidomos me kthimin e pronave të komuniteteve fetare, është i avashtë nga të gjitha qeveritë, aq i avashtë sa duket sikur politika shqiptare ka plane të tjera, apo nuk do ta tradhtojë përfundimisht shokun Enver që u tregoi vendin priftërinjve dhe hoxhallarëve. Që prej vitit 1991 e deri më tash, vetëm 10–20 për qind e pronave që u përkasin komuniteteve fetare u janë kthyer atyre. Çdo përpjekje për ta avancuar këtë proces nga ana e qeverisë do ishte e lavdërueshme.

Largmendsh, nuk do ishte serioze dhe e ndershme t’i kërkojë kësaj qeverie të zgjidhte të gjitha hallet e problemet ligjore, pronësore e financiare me të cilat përballen komunitetet fetare në Shqipëri qysh prej vitit 1991, kohë kur këto komunitete dolën nga burgu i kohës shqiptare. Por garantimi i trajtimit të barabartë, dhe jo interpretativ i komuniteteve fetare, mendoj se mund t’i kërkohet. Në vend që ta shtrijë aktivitetin e saj tek kopshtaria dhe palmë-mbjellja, apo edhe tek heqja e kangjellatave të objekteve të kultit, siç kërcënon të bëjë qeveria së fundmi, le ta harxhojë energjinë e saj të çmuar qeverisëse në një përpjekje për të kthyer ca prona që u përkasin atyre dhe që ua rrëmbeu regjimi komunist. Dhe natyrisht, mos të bëjë lodra-kurthe me kompensime me gjysma çmimi, si ç’është rasti i truallit të Xhamisë së re.

 

Nga ana tjetër, qeveria nuk ka pse bën biznes në kurriz të komuniteteve fetare. Ka të ngjarë që ajo të marrë prej tyre më shumë financim sesa u jep të mbijetojnë. Duke u marrë 20 për qind TVSH mbi çdo dhurim. Duke i trajtuar ato si OJQ. Të gjitha dhurimeve që u bëhen komuniteteve fetare, qeveria u merr 20 për qind TVSH. Atyre në monedhë, po se po. Por u merr dhe vlerën mbi mallrat që vijnë si dhuratë – pra kur një komuniteti fetar i dhurohet një kamion me veshje, ky komunitet kur paraqitet në doganë duhet të derdhë paraprakisht 20 për qind të vlerës së këtij kamioni me para në dorë drejt e në arkën e shtetit. Do ishte më vlerë shoqërore ndërhyrja në legjislacionin tatimor për t’i çliruar komunitetet fetare nga pagesa e TVSH-së mbi dhurimet e çdo forme.

Natyrisht, dhurimet që vijnë drejt komuniteteve fetare mbartin me vete risqe. Risqe të penetrimit ndër to të elementëve fondamentalistë, irredentistë, terroristë, ndaj të cilëve realiteti shqiptar nuk është i huaj, apo i panjollë. Mekanizmi i pagesës së TVSH-së është një formë për të mbajtur nën kontroll burimin e këtyre dhurimeve. Për të eliminuar çdo konspiracion të mundshëm, qeveria mos ta heqë TVSH-në, por thjesht ta bëjë 0; nga njëra anë qeveria nuk u merr më para komuniteteve fetare, dhe nga ana tjetër – ç’është më e rëndësishmja – komunitetet fetare do vazhdojnë të jenë të detyruara ta raportojnë TVSH-në = 0; qeveria do të posedojë kështu informacion të drejtpërdrejtë se nga ku dhe nga kush vijnë këto dhurime drejt komuniteteve fetare shqiptare. Kështu ruhet arsyeja shtetërore dhe njëkohësisht forcohen komunitetet fetare.

Pavarësisht se në 50 vjet komunizëm na kanë dhunuar ndryshe, feja është dhe mbetet një element i rëndësishëm i edukimit tonë kombëtar dhe shoqëror. Shëndoshja dhe forcimi i komuniteteve fetare duke u dhënë atyre mundësi të jenë më të pasur dhe më të qëndrueshëm, jo vetëm do zvogëlojë varësinë dhe dobësinë e tyre ndaj qeverive të radhës, dhe njëherësh nga ekstremistët e çdo feje dhe axhende fetaro-politike në dëm të Shqipërisë, por do rrisë pa më të voglin dyshim edhe forcën e tyre për të realizuar misionin e ushqimit shpirtëror dhe të edukimit moral të shoqërisë. E fundit, dhe ndoshta më e rëndësishmja, që besimet të jenë edhe më shqiptare, të gjithë shqiptarët duhet të kontribuojnë në to.

“MAPO”

Comments

Submitted by tung e te fala (not verified) on

Po te kishte zene komunizmi ne moshe do kishe bere shkrime patetike me shumice. Futja kot paske shkruar

Submitted by Dardha (not verified) on

Artikull shume me vend. Faleminderit Z. Shano.
Nuk e kuptojne ne Shqiperi qe pikerisht mungesa e besimit fetar per gati cerek shekulli beri qe Shqiperia te katandiset ne kete kaos qe eshte sot.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.