Politika që (ende) vret

Postuar në 23 Janar, 2014 04:29
Afrim Krasniqi

Shqipëria e tranzicionit ka krijuar ngjarje për të cilat askush nuk ndjehet krenarë, dhe të cilat ndajnë dukshëm shoqërinë, politikën dhe sjelljen e institucioneve shtetërore ndaj tyre. Nuk është vetëm debati për datën e çlirimit, debati për netët e bardha, debati për figura politike të ish periudhës komuniste. Janë ngjarje të reja, me ngarkesa të mëdha politike, të krijuara nga politika, të keqpërdorura prej saj dhe që në çdo rast dëshmojnë aftësinë e politikës për të krijuar, ushqyer dhe mbajtur në këmbë potencialin e madh të saj ndarës, konfliktual dhe antivlerë. Më 2 prill 1991 regjimi në ikje ekzekutoi katër qytetarë të pafajshëm opozitë në Shkodër.U bënë manifestime politike, u bënë procese gjyqësore, u derdhën tolenata me letër gazetash me fjalime politikanësh mbi to dhe në fund, personat përgjegjës asnjëherë nuk u zbuluan tërësisht, nuk dolën përpara drejtësisë dhe dosja u mbyll pa dhënë përgjigje. Në shtator 1998 në revoltat politike u ekzekutua një politikan dhe dy ditë më vonë edhe dy qytetarë të pafajshëm opozitarë, - asnjëherë nuk pati hetim të plotë, nuk pati gjyq bindës, politika nuk reshti së foluri për to, por pas 16 vitesh, dosja mbetet e mbyllur pa dhënë përgjigje. Më 21 janar 2011 protesta politike u gjakos me vrasjen e katër qytetarëve të pafajshëm opozitarë. Prej atëherë kanë kaluar vite, janë derdhur premtime e fjalime pafund, janë dhënë dhjetëra skenarë, por në fund, askush nuk është në burg, dhe dosja po mbyllet pa dhënë përgjigje.Midis këtyre tri ngjarjeve mund të kenë dallime (2 prilli ishte revolt qytetare ndaj policisë sekrete, 14 shtatori ishte revoltë me mjete të tjera ndaj qeverisë, 21 janari ishte revoltë e ndryshme nga dy rastet e para gjithashtu ndaj qeverisë). Midis tyre ka edhe të përbashkëta të dukshme. Në tri rastet viktimat janë të pafajshme, janë qytetarë që nuk kishin armë në dorë, nuk përbënin rrezik për sigurinë kombëtare, nuk ishin keqbërës dhe as kriminelë, ishin familjarë, ishin anëtarë të opozitës dhe ishin aty për shkak të bindjeve të tyre politike. Në tri rastet politika u përball me akuza ekstreme, pati qëndrime të kundërta, dhe viktimat, - për një palë ishin martirë politikë, për palën tjetër viktima turme. Në tri rastet varrimet kanë qenë politike, opozitat kanë premtuar se do vendosin në vend drejtësinë dhe se është premtuar se ngjarje të tilla nuk do përsëriten kurrë më. Në fakt, në secilin rast palët kanë ndryshuar sjelljen politike pas ardhjes në pushtet, drejtësia nuk shkoi në fund, dhe ngjarjet u përsëritën.Këto nuk janë të vetmet ngjarje tragjike dhe dramatike me sfond politik. Në arkivin tim numëroj rreth 24 raste të tjera nominale të vrasjeve të individëve politikë gjatë tranzicionit, akte që janë konsideruar politike dhe që më pas, janë harruar nga politike dhe dosjet e tyre asnjëherë nuk janë zbardhur. Në hartën e tyre përfshihet Tirana, Vlora, Durrësi, Shkodra, Fieri, Kavaja, Korça, Lezha, Përmeti, Lushnja, Berati, dhe deri edhe qendra më të vogla urbane si Kopliku, Kukësi, Mamurrasi, Shijaku apo Levani (Fier). Janë një bilanc krize, sjelljes tragjike, aktesh kriminale të politikës në përgatitjen dhe sidomos në trajtimin e tyre, dhe mbi të gjitha, akte të sistemit antivlerë, antihuman dhe amoral që krijoi, ushqeu dhe mban ende në këmbë politika shqiptare e tranzicionit. Një politikë që vret, që mbron vrasjen, që stimulon vrasjen, kërcënon me vrasje, e përdor vdekjen për vota, e keqpërdor dhimbjen për synime të rastit, - nuk është më shumë sesa një politikë e mjeruar, mesjetare, e inkriminuar, antivlerë dhe amorale.Tema të tilla janë tabu dhe nuk debaton në media e politikë, kanë ngarkesë emocionale dhe turmat e militantëve janë gati të denigrojnë pa censurë këdo që i sjell në vëmendje. Por një shoqëri e hapur, civile, qytetare dhe evropiane, nëse pretendon se është apo do të bëhet e tillë, nuk ka pse të mbetet peng i vulgalitetit të turmës dhe tabuve të tranzicionit. Ajo duhet të ketë kurajë të flasë edhe atëherë kur askush nuk të dëgjon. Sepse fjala mbetet, dhe ajo që mbetet sot në analizën e rasteve të tilla tragjike është niveli i lartë i inkriminimit politik, aftësia e politikës për tu ofruar qytetarëve lot e dhimbje dhe pafuqia e saj për tu ofruar atyre drejtësi e stabilitet. Një pafuqi që vjen jo për faje të të tjerëve, por për shkak të mungesës së vullnetit politik, pra nga ndryshimi i interesave politike, dhe tragjikisht, edhe nga nevoja për të mbajtur në këmbë një sistem viktimizimi që zëvendëson thirrjet dhe nevojën e madhe të shoqërisë për shtet, punë, drejtësi e integrim. Kështu ka ndodhur në fillimet e tranzicionit, kështu ndodhi gjatë tranzicionit, kështu po ndodh edhe në fazën e fundit të tij.Dje të gjithë folën për 21 janarin. Folën edhe dy palët që akuzojnë njëra tjetrën për përgjegjësi. Palë që ngrenë në piedestal ata që u vranë dhe palë që ngrenë në piedestal ata që vranë. Palë që akuzuan edhe ata që atë ditë patën aleatë, palë që sot janë aleatë dhe nuk përmenden kur atë ditë ishin pjesë e palës tjetër. Një labirint interesash dhe sjelljes amorale, tipike për shoqëri të mbyllura dhe para-demokratike. Foli edhe media dhe dëshmitarët, prokuroria dhe politika, diplomatët dhe militantët e rrjeteve sociale. Nuk thanë asgjë të re, thjesht vijuan traditën: vlerësim bardh e zi, analizë bardh e zi, asnjë shenjë reflektimi, asnjë shenjë për drejtësi, asnjë shenjë që ngjarje të tilla të mos përsëriten më. A nuk është rastësi fakti se për asnjë ngjarje asnjë politikan nuk përfundoi përpara drejtësisë në 24 vjet?A nuk është e rastit që asnjë parti nuk ka përjashtuar prej saj individët e përfshirë në raste dhune politike ndaj tjetrit? A nuk është rastësi që edhe pas dy dekadash palët politike nuk i flasin njëri tjetrit me gjuhë institucionale, gjuhë politike, gjuhë qytetare, por me gjuhë rruge, plot kërcënime, shantazhe dhe denigrime, - si ftesa për konflikt të ri? A nuk është politika prodhuesi më i madh i konfliktit social, ekonomik dhe kulturor? A nuk është rastësi fakti se të gjithë protagonistët politikë të 2 prillit, 14 shtatorit, 21 janarit, etj, janë ende në politikë, madje pjesë e hierarkisë së lartë të partive kryesore politike? A është implikimi i tyre ishte rast që të turpëron apo të nderon, një akt merite apo përgjegjësie? A janë këto data ngjarjet e fundit të turpit dhe krimit politik? A nuk janë palët gati për konfliktin e radhës? Apo vijojmë të jemi të dënuar nga riti tragjik i politikës që vret? Këto përgjigje e ndajnë modelin tonë me modelin e shoqërive dhe demokracive funksionale.Sepse kjo, në thelb, është më tragjike sesa vetë 2 prilli, sesa 14 shtatori, sesa 21 janari, sesa secila prej 24 rasteve të tjera të tranzicionit. Sepse burimi kryesor i tyre, -politika e mbrapshtë, nuk ka ndryshuar sjellje as mentalitet, - ajo mbetet kërcënuese të përsërisë skena të tilla edhe në të ardhmen. Sepse shteti i së drejtës nuk ka ende aftësi e integritet të japë drejtësi në rastet kur politika është përgjegjëse, dhe sepse pjesa që i sheh palët përgjegjëse politike ose morale, vijon të mbetet minorancë përballë shumicës militante të palëve politike.Në duam të jemi Evropë, ne nuk sillemi si Evropë. Ne kërkojmë alibi tek ndonjë parti minore ekstremiste kur dështojmë për fajin tonë, në refuzojnë të mësojmë nga gabimet dhe jemi gati ti përsërisim ato, ne i promovojmë politikanët jo për dijet e tyre por mbi shkallën e përfshirjes në raste inkriminimi, ne krijojmë mite dhe prodhojmë konflikt në disproporcion ekstrem me aftësinë për të krijuar institucione e dialog politik, ne i njohim imunitet ekstra politikës, injorojmë çdo kritikë, denigrojmë çdo këshillë, paralizojmë çdo orvatje për drejtësi, refuzojmë çdo përgjegjësi politike, atë morale, atë ligjore, atë publike, atë qytetare dhe atë kombëtare. Kjo është “dhurata” që klasa politike e tranzicionit u ka imponuar qytetarëve, arritja e liderëve tanë “historikë” blu apo rozë, pasojat e atyre që premtuan demokraci dhe sot na kanë dhënë një sistem të mbyllur oligarkie. Ky në thelb është dhe mbetet një bilanc negativ dhe kërcënues, shumë më negativ e kërcënues se gjithçka tjetër, edhe se lulet e lotët, se vrasjet e dekoratat, se skenarët për grusht shteti apo katër pllakat e reja në bulevardin e prishur të Tiranës. 

 

Nga "Shqiptarja.com"

Comments

Submitted by Dajti (not verified) on

<p>Ore ti &quot;analist&quot;. Ku e di ti qe rregjimi i vrau 4 vete ne 2 prill te 91-shit? Perse do vriste njerez ne mes te dites kur Ramiz Alia e kishte planifikuar ta dorezonte pushtetin pa vrasje per te shpetuar vehten.</p><p>Une them, ashtu si edhe shume te tjere, qe i vrau ai qe perfitonte nga vdekja e tyre per te marre pushtetin ashtu si edhe ndodhi, pra pa patur prova mos ja fut kot?</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.