Politika black out medias; kjo e fundit nuk ka këllqe të hakmerret

Postuar në 07 Qershor, 2013 04:59
Alfred Lela

Pesë gazetarë, pikë e pesë thuhet në Malësi të Gjakovës për të rralluarit, janë shfaqur dje para dyerve të dy partive të mëdha PD e PS dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ku u kanë zgjatur, rojeve apo zëdhënësve, sipas rastit, një DVD. Ka qenë një përpjekje për ironi dhe protestë e çuar dëm, sidomos sepse ka shprehur pafuqi të medias përballë politikës. Ata të pestë, me protestën e tyre të vakët dje, dhe të tjerët që kanë shkruar kundër trusnisë së politikës ndaj medias, përfshirë edhe autorin e këtyre radhëve, në vend që të ankohen dhe mbledhin supet në habi apo dëshpërim, duhet të mundohen të gjejnë se pse, ai që duhej të ishte pushteti i katërt (media) ka humbur përballë pushtetit të parë, politikës në një mënyrë që duket e pakthim.

Pse ra ky mort në një segment të horizontales së vlerave të një vendi dhe u ndërruan pozicionet: kur duhej që politika t’ia kishte nevojën medias, është kjo e fundit e kthyer në nevojtare? Arsyet mund të jenë disa dhe të gjitha ka gjasa të jenë komplekse, por dëshira për të gjetur e thënë një arsye kryesore apo të tjera që rrjedhin prej saj, nuk duhet marrë si nxitim.

Në Shqipëri, mediat, të paktën shumica, janë ngritur jo si misionare, domethënë jo si ndërmjetëse mes pushteteve dhe publikut, por, ose si përpjekje për të mbrojtur biznesin nga politika, ose për të influencuar politikën, pra për të trafikuar interesa. Kjo premisë e themeleve, me ndonjë përjashtim që përforcon rregullin, i ka lënë pa kredo dhe rrjedhimisht gjunjëkëputur. Në njëfarë mënyre media e ka pasë të shkruar fatin e saj duke qenë se ka hyrë në betejë me shenjën e ‘tradhtisë’: një medium që duhet të jetë për opinionin publik është futur në punë si mjet i një apo disa personave publikë. Ndërtuar mbi këto themele, kolonat e pavarësisë dhe integritetit kanë qenë aksione të pamundura. Flirti pronar mediash-politikanë ka ardhur duke zbritur edhe në përfaqësues të tjerë të shtypit; drejtorë, kryeredaktorë e komentatorë. Të gjithë e kanë parapëlqyer një vend në paradhomën e pushtetit, qoftë atij të momentit apo tjetrit që do të vinte. Ka ndodhur edhe që, pavarësisht palës në pushtet, gazetarët në paradhomë kanë qenë të njëjtët.

Kjo e ka ulur rëndësinë dhe çmimin e gazetarit si në publik, ashtu dhe në sytë e politikanëve. Nuk e përligj ndonjë shkas tjetër atë guxim të madh të hartuesve të Kodit Zgjedhor (nuk ka faj KQZ në këtë mes) për ta kthyer në ligj elektoral kundravajtjen e politikës ndaj medias. Merrni çfarë ju japim ne dhe mbylleni gojën, është pak a shumë mesazhi i një neni të Kodit, i cili ligjëron që partitë mund t’u dërgojnë redaksive materiale të montuara prej shtabeve të tyre elektorale.

Ata pesë kolegë që kanë bërë xhiron e pafrytshme PD-PS-KQZ dje, e të tjerë që janë shprehur të indinjuar për këtë kundravajtje, nëse e kanë seriozisht, mund të bëjnë diçka serioze, më në fund. Ta vendosin politikën në black out. T’ia shkimbin dritat e ekraneve dhe t’ia mbyllin faqet e gazetave. Ta fillojnë me një ditë. Por, nuk do e bëjnë dhe as munden: nuk mund të jesh edhe dembel Stambolli (të të pëlqejnë gjërat e gatshme) edhe krenar Shqipërie (të thuash sikter!). Kështuqë, sot e në vazhdim, televizionet të fusin fishën e politikës (aty ku ka vendin, shpresojmë e jo në çdo vend), ndërsa gazetat të zbardhin televizionet. Është një situatë win win. Për politikën, sigurisht.

Mapo

Comments

Submitted by a n (not verified) on

Po Lela vet nuk ben pjese ne skalionin e  perpjekjes per te mbrojtur bizneset e Cilit ?!

Botojini ne nje kolone, ne vijimesi dhe artikullin e Yzeirit, se mbase ja vlen.

Ju keni pesuar 'black out' nga lexuesi, shikuesi dhe degjuesi ! T'a gezoni se e meritoni !

Pushtet i katert i varur pas leshit te sqetullave te pushtetit ekzekutiv !

Kellire e shkuar kellires ! ...

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.